PRONARËT FALENDEROJNË PRESIDENTIN E REPUBLIKËS ZOTIN BUJAR NISHANI, NË MBROJTJE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT DHE TË KUSHTETS DHEPRESIN TË NJËJTIN QENDRIM NGA GJYKATA KUSHTETUESE./
Kryesia e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” shpreh publikisht respekt dhe falenderim për Presidentin e Republikës z. Bujar Nishani për qëndrimin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtes se pronës së trashëguar konform detyrimeve kushtetuese dhe kërkojmë reflektim të njëjtë juridik, profesional dhe patriotik edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Vemë në dukje që zoti Bujar Nishani President i Republikës, në ndryshim nga të gjithë presidentët e periudhës postkomuniste, e kundërshtoi ligjin nr 133/2015 në Gjykatën Kushtetuese por edhe në Strasburg dhe tregoi se Presidenti duhet dhe mund të jetë garant i Kushtetutës.Janë shumë të pakta familjet që kanë arritur ta marrin pronën që ju është konfiskuar nga diktatura sepse legjislacioni për pronën 1991-2016 dhe ligji që kundërshtojmë janë në shkelje flagrante të detyrimeve kushtetuese. Ligji i fundit nr 133/2015, kërkon të justifikojë të gjitha aktet e bazuara në legjislacionin kontradiktor dhe antikushtetues të periudhës 1991-2015, por dhe aktet e tjera pa asnjë bazë ligjore, me të cilat Shteti ka shkelur të drejtën e pronësisë dhe ka realizuar anarkinë e titujve të pronësisë.
Ne kemi denoncuar publikisht se ligji nr 133/2015 i miratuar nga qeveria Rama, jo vetëm që nuk e zgjidh problemin e anarkisë postkomuniste 25 vjeçare të titujve të pronësisë por me efektet e tij të afërta ky ligj e thellon prishjen e identitetit tonë kombëtar dhe e fut Shqipërinë në rrugën e vetshkatërimit. Në mbrojtje të këtij ligji sot kanë dalë Ministri i Drejtësisë z. Manjani dhe znj. Sonila Qato, drejtoresha e Agjensisë Kthimit dhe Kompensimit Pronave, që tani ka ndryshuar emrin në Agjensi e Trajtimit të Pronave. Prona e konfiskuar po vazhdon të trajtohet për të plotësuar interest e politikanëve dhe pronarët nuk kanë ku të ankohen. Ne kërojmë që mediat elektronike dhe ato të shkruara të mos pranojnë dikatin e politikanëve por lënë hapësirë edhe për shoqatat që ne ti përgjigjemi drejtërdrejt akteve të tyre të gabuara .
Kompesimi që parashikon ligji 133/2015 është në shkelje flagrante me kërkesën e nenit 181, është kuptim i gabuar ose abuzim me nenin 17 të Kushtetutës dhe shërben për ta shkatëruar shtetin dhe për ta kthyer Shqipërinë në shprehje gjeografike. Për sa kohë do të vazhdojë kjo situatë e nderë ku Shteti shkel Kushatutën do të vazhdojnë të thellohen efektet negative të anarkisë institucionale. Ne nuk jemi kundër kompensimit dhe as kundër legalizimit të ndërtimeve informale, por kërkojmë zbatimin e Kushtetutës dhe jo abuzimin në emër të interesit publik.
Zgjidhja kërkon përgjegjshmëri, patriotizëm dhe moral në nivelin e duhur për ta zbatuar Kushtetutën. Kodi Civil, Kodi Moral, Tradita dhe Kodi Zakonor, Bibla dhe Kurani i shenjtë njohin të drejtën e pronësisë dhe të drejtën e përdorimit. Por me ligjin nr 133/2015 Qeveria e ka shkelur brutalisht Kushtetutën. Neni 15/2 i Kushtetutës në fuqi thotë : Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre duhet të respektojnë “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut “ dhe të kontribuojnë për realizimin e tyre. Meqenëse prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil (Neni 41/2 i Kushtetutës), kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore (Neni 44). Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, që kanë të bëjnë me shpronësimet e konfiskimet, do të zbatohen kur nuk vijnë në kundërshtim me të (Neni 181/2).
Sot në 2016 nuk e dijmë shifrën zyrtare se sa është numuri i akteve që nuk kanë asnjë bazë ligjore por janë dhënë për interesa korruptive nga KKKP dhe kryetarët e AKKP por shembujt që ne mund të japim janë pafund. Shoqata jonë në vitin 2013 ka paraqitur në të gjitha institucionet shtetërore propozimin që e zgjidh problemin e pronave, por arsyetimi ynë nuk është marrë në konsideratë për shkak të prevalencës së interesave të klaneve mafioze.
Deri sot pronarit AKKP (Shteti), i ka kërkuar 30 dokumenta, thejsht për ta penguar dhe sot drejtoresha e ATP kërkon vetëm dy dokumenta, për ta mashtruar. Pronarët nuk po kërkojnë atë që ju ka humbur dhe dikush e paska gjetur dhe duhet identifikuar pronari. Pronarët kërkojnë pronën dhe të drejtën e tyre të grabitur, që Shteti duhet tua kishte kthyer që në vitin 1991. Zgjidhja e drejtë e problemit të pronës nuk ka nevojë për asnjë dokument, por ka të domosdoshëm rrëzimin e ligjit 133/2015 dhe shqyrtimi i alternatives së pronarëve. Në Arkivin e Shtetit dhe zyrat e Kadastrave ndodhen të gjitha dokumentat e pronave të shtetëzuara nga Shteti në kohën e diktaturës. Kuvendi duhet të bëjë një ligj që të përcaktojë që zgjidhja e problemit të pronave me kthim fizik, kompensim dhe çlirim të tokave të pushtuara konform Kushtetutës të jetë detyrim i shtetit.
Vendimi i pritshëm I Gjykatës Kushtetuese për pezullimin dhe rrëzimin e ligjit të trajtimit të pronës Nr 133/2015 ka rëndësi dhe përgjegjësi historike. Gjykata Kushtetuese sot ndodhet para provës të së vërtetës. Kjo Gjykatë me vendimin që do të marri i ka të gjitha mundësitë për t’a futur Shqipërinë në rrugën e demokracisë, duke ja ngushtuar dhe mbyllur rrugën qarqeve antishqiptare, që prej shumë kohësh dhe me mënyra të ndryshme janë përpjekur për të na ndryshuar dhe mohuar historinë dhe tani kërkojnë të na mohojnë pronën e trashëguar ndër breza dhe shekuj, duke pretenduar se pronat tona do të vlerësohen. Asnjë pushtues nuk ka arritur ti bëjë një të keqe kaq të madhe popullit shqiptar. As Pashiçët dhe karaxhiçët që kanë bërë genocid, nuk kanë arritur të bëjnë ligj që pronat e pronarëve autoktonë do kenë një vlerë në para dhe se jane ata që do vendosin çmimin.
Nëse Shteti kërkon zgjidhjen e drejtë të problemit të pronës, le të hapi arkivat dhe konform dokumentave të shtetëzimit të dallojë dhe të ndajë pronat që i përkasin shtetit nga pronat që i janë shtetëzuar pronarëve. Pronat e shtetëzuara duhet tu kthehen trungut familjar që u janë grabitur dhe kompensim duhet të parashikojë sipas rastit ato pjesë të pronës, që nuk mund të kthehen pasi ajo është e tjetërsuar për nevoja publike. Kjo frymë është e përcaktuar qartë në shumë vendime, por ato vendime zbatohen në mënyrë klienteliste. Të tilla vendime janë: Vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë Nr 24 datë 13 Mars 2002 pika 2 që ka vendosur: unifikimin e praktikës gjyqësore sikurse përcaktohet në këtë vendim. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Nr. 9 datë 30.11.1994, me kërkues grupin parlamentar të Partisë Socialiste, në arsyetim është shprehur se:”shteti ka qenë bërë pronar pa të drejtë“, dhe më tej po aty thuhet se: “Nuk qëndron as pretendimi i tretë i këtij Grupi se neni 10 i ligjit të përmendur bie ndesh me nenin 27 të ligjit kushtetues “Për të Drejtat dhe liritë Themelore të Njeriut”, që parashikon se askujt nuk mund ti mohohet e drejta të ketë pronë private vetëm ose së bashku me të tjerë. …. Kështu që parimi kushtetues se askujt nuk mund ti mohohet të ketë pronë, mbron në rradhë të parë ish-pronarin që shteti i mëparshëm e zhveshi nga pronësia në mënyrë të padrejtë”.
Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.10 datë 30.11.1994 shprehet se: “sepse dihej prejardhja e pronësisë së shtetit, që e kishte burimin nga marrja e padrejtë e trojeve të ish-pronarëve”, si dhe arsyetimi në vazhdim se “…është vendosur një e drejtë pronësie e marrë pa të drejtë nga shteti i mëparshëm”. Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.12 datë 21.03.2000, vendosi se prona duhet t’i kthehet pronarit të shpronësuar me dhunë nga regjimi i kaluar edhe pse ato prona prej vitesh ishin shitur nga shteti në persona të tretë të cilët i patën blerë ato në mirëbesim dhe konform ligjeve të kohës. Në faqen 3 të arsyetimit të atij vendimi thuhet: ” Me këtë zgjidhje, ligjvënësi përsa i përket kthimit të pronës në origjinën e saj, d.m.th., tek ish – pronarët apo trashëgimtarët e tyre, ….synon të rregullojë, për aq sa është e mundur, padrejtësitë e bëra shtetasve të cilët u xhveshën në mënyrë të pa drejtë nga pronësia, nëpërmjet shtetëzimeve, konfiskimeve, shpronësimeve dhe me çdo mënyrë tjetër, për periudhën nga 29 nëntori 1944 e më pas.”
Gjykata e Strasburgut në çështjen “Ramadhi ” aplikimi 38222/02 i datës 13 Nëntor 2007 në paragrafët 75-84, njeh, si shkelje të Nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës faktin që organet shtetërore kanë dështuar në përmbushjen e një vendimi te KKKPronave te vitit 1995 pasi i kane lënë palët në një gjendje të pasigurtë në lidhje me të drejtën e tyre të pronësisë. Drejtoresha e AKKP dhe Ministri i Drejtësisë e dijnë mirë se të ngjashme me vendimin Ramadhi etj janë shumica e 26000 vendimeve të KKKP. Ata janë në faj të rëndë kur pretendojnë se zgjidhjen e 11000 dosjeve që janë depozituar në Agjensi dhe të 26.000 vendimeve të marra nga KKKP dhe AKKP (një pjesë e mirë në shkelje flagrante me ligjet që në vetvete janë antikushtetuese) do ta trajtojnë me ligjin 133/2015 me kompensim. Pronarët janë të zgjuar dhe shumica e tyre do ti drejtohen GJEDNJ sepse të gjitha vendimet e GJEDNJ (vendimet Manushaqe Puto, Rista, Sharra, Siliqi etj.kundër Shqipërisë), kanë përcaktuar qartë se kompensimi do të bëhet me vlerën e vitit 2008 dhe jo sipas çmimeve të vitit 2014 siç kërkon Qeveria me ligjin që kundërshtojmë. Qeveria është në faj kur pa mbaruar kthimin ngutet të bëjë legalizime për të gjitha pushtimet e tokave që kanë bërë persona të tretë, përfshi dhe zonat turistike, sepse kështu përfitojnë për veten e tyre. Qeveria gabon kur bën sikur nuk kupton se cilat prona duhen të kompensohen, ndonse kjo del e qartë në vendimet e GJEDNJ edhe në rapotin e komisionerit Fleckenstain. Të gjitha këto përfshi edhe problemin e kompensimit dhe të legalizimeve i ka arsyetuar shumë mirë alternativa që ka propozuar Shoqata “Pronësi me Drejtësi” që drejtuesit e shtetit e kanë lënë pa e lexuar fare. Mjafton të themi se ligjet aktuale që kanë dhënë dokumeta pronësie dhe 26.000 vendimet që deklaron AKKP , në shumicën e rasteve janë në shkelje me nenin 181 të Kushtetutës. Aktet e KKKPve i kanë dhënë pronë pjesës së familjes që jeton në fshat, duke përjashtuar një pjesë të trashëgimtarëve me banim në qytet. Kjo ka futur konfliktin brenda trashëgimtarëve ose KKKP kanë bërë pronarë persona që nuk kanë asnjë dokument trashëgimie për pronën që kanë përfituar. Vetë Kryeministri Edi Rama por dhe deputetë të tjere të majtë dhe të djathtë, kanë deklaruar në Kuvend se për shkak të anarkisë së pronës janë vrarë mbi 8000 persona. Por mesa kuptohet deputetëve ju paska intersuar vetëm debati parlamentar me kundërshtarin dhe nuk i paska shqetësuar aspak numuri i viktimave !!
Shprehim besim se Gjykata Kushtetuese do ta ndalojë këtë hap të gabuar të politikanëve, nuk do ti nënështrohet “kapriços” dhe presionit të tyre dhe do tregohet në lartësinë e duhur duke korrigjuar gabimet e derisotme në legjislacionin për pronat, duke dhenë rrugëzgjidhje konform me nenin 181 të Kushtetutës, dhe kërkesave të Strasburgut.
Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese do të mbylli, kusarinë e pronave në emër të ligjit, këtë burim të korrupsionit pushtetar, të kriminalizimit të shtetit që prej vitesh po rëndon mbi popullin shqiptar.
Për Kryesinë e Shoqatës Kombëtaret të të Shpronësuarve
“Pronësi me drejtësi”
Rrapo Hajredin Danushi
29.03.2016