-Presidenti Thaçi: Serbia po llogaritë në Rusinë për ndarjen e Kosovës/
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se provokimet e Serbisë ndaj Kosovës janë pjesë e “skenarit të vjetër për ndarjen e një pjese të Kosovës”.
“Serbia llogaritë në ndihmën e Rusisë dhe kjo ishte arsyeja pse një tren i Rusisë ishte nisur nga Beogradi për në Kosovë. Asgjë nuk është e rastësishme, gjithçka ishte e planifikuar”, ka thënë Thaçi.Kërcënimet e Serbisë me luftë, ka shtuar Thaçi, janë dëshmia më e mirë e ekzistimit të këtij skenari, që si qëllim ka aneksimin, e më pas edhe ndarjen e kësaj pjese të Kosovës (pjesa veriore).“Kërcënimi i vetëm për serbët e Kosovës, është atëherë kur Serbia i përdorë ata për realizimin e qëllimeve të saj”, ka shtuar Presidenti i Kosovës.Beogradi, sipas tij, është i gatshëm që t’i viktimizojë serbët e Kosovës për t’i realizuar synimet e veta politike e ushtarake, ashtu siç ka vepruar në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kroaci.
Radio Evropa e Lirë: Ju keni dhënë urdhër që të mos lejohet hyrja e trenit nga Serbia në Kosovë, ndërkohë Serbia e akuzoi Kosovën që luan lojëra lufte, madje edhe presidenti i Serbisë ka thënë që është i gatshëm ta dërgojë ushtrinë në Kosovë për të mbrojtur shtetasit serbë. Për fillim, kush po luan këtu lojëra lufte dhe a janë serbët aq të rrezikuar siç po thotë Nikoliqi?
Hashim Thaçi: Treni ilegal propagandues është një pretekst i Serbisë për të destabilizuar situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë. Ky veprim nuk paraqet një risi për sjelljen e Serbisë në relacion me Kosovën sepse Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën si territor të saj. Sigurisht që nga ky provokim i radhës i Serbisë dhe provokime të tjera që do të mund të ndodhin në të ardhmen janë pjesë e një skenari të vjetër të Serbisë për ndarjen e një pjese të territorit të Kosovës, për të arritur këtë qëllim.
Serbia është duke llogaritur në ndihmën e Rusisë dhe kjo është arsyeja pse pikërisht një tren i dhuruar nga Rusia niset nga Beogradi për në Kosovë. Pra, asgjë nuk është ndonjë skenar i rastësishëm. Është gjithçka e planifikuar dhe e menduar nga Beogradi. Kërcënimi me thirrje për luftë nga ana e Serbisë, me arsyetimin se Serbia është e gatshme t’i mbrojë serbët e Kosovës, që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, është dëshmia më e mirë e ekzistimit të këtij skenari lufte në Serbi që si qëllim e ka aneksimin fillimisht dhe më pas ndarjen e një pjese të territorit të Kosovës. Serbët e Kosovës gëzojnë të drejtat më të avancuara të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: A duhet qytetarët e Kosovës të ndjehen të rrezikuar nga kjo që e flet dhe e bën Serbia?
Hashim Thaçi: Kërcënimi i vetëm për sigurinë e serbëve të Kosovës është vetëm përdorimi i tyre nga ana e Serbisë për realizimin e skenarit për destabilizimin apo ndarjen e Kosovës. Serbët e Kosovës i kanë të garantuara liritë dhe sigurinë e tyre në mënyrë të barabartë sikur të gjithë popujt e tjerë. Asnjë kërcënim nuk iu ka ndodhur në të kaluarën dhe asnjë kërcënim nuk do të ndodhë në të ardhmen qytetarëve të komunitetit serbë në Kosovë nga ana e shumicës shqiptare.
Serbët e Kosovës janë vetëm të rrezikuar nga manipulimi i politikës së Beogradit për qëllimet e tyre ekspansioniste, fillimisht të aneksimit të kësaj pjese të territorit të Kosovës dhe pastaj bashkëngjitjes së kësaj pjese të territorit të Kosovës – Serbisë. Pra, Serbia është e gatshme të sakrifikojë dhe të viktimizojë qytetarët e komunitetit serbë që jetojnë në Kosovë për qëllimet e tyre politike dhe ushtarake, siç i ka manipuluar dhe viktimizuar e sakrifikuar qytetarët serbë edhe në Kroaci dhe në Bosnje.
Radio Evropa e Lirë: Si ndikon kjo retorika dhe e Serbisë kohët e fundit ndërmjet dy shteteve në kohën kur ndodhë të arrihet një normalizim i marrëdhënieve?
Hashim Thaçi: Jetojmë në shekullin e 21-të, dhe kjo është periudha e paqes dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Fjala luftë duhet të hiqet nga fjalori i retorikës nacionaliste në Serbi. Sot, Serbia po e kërcënon Kroacinë, po e kërcënon Bosnjën dhe Hercegovinën, po e kërcënon Malin e Zi, po e kërcënon Kosovën. Është bërë adresa e kërcënimit për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si kryeqytet nxitës, Beogradi si kryeqytet nxitës i trazirave të reja në Ballkanin Perëndimor.
Kërcënimi me luftë nga lidershipi më i lartë në Serbi duhet të jetë shqetësues për çdo njeri të zakonshëm. Duhet të konsiderohet tepër alarmuese edhe për NATO-n edhe për Bashkimin Evropian. Pavarësisht kësaj situate të tensionuar, unë e ftoj Serbinë për dialog, për paqe, për bashkëpunim ndërfqinjësor si rruga e vetme për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjërë.
Kështu, nëse Serbia thërret për luftë, Kosova thërret për paqe. Nëse Serbia thërret për ndarje territoriale dhe etnike, atëherë Kosova thërret pët integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni reagimin apo vëzhgimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj kësaj situate, që ka ndodhur?
Hashim Thaçi: Këtë skenar të vjetër të ndarjeve territoriale nga ana e Serbisë, që e ka riaktualizuar, e njeh shumë mirë bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, jam i bindur që nuk do të mund të realizohet sepse ne së bashku me NATO-n, institucionet e Kosovës do të garantojnë sigurinë e qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të saj.
Radio Evropa e Lirë: SI e shihni ardhmërinë e dialogut? Keni thënë disa herë se duhet të reformohet, sa është i mundshëm suksesi i këtij procesi nëse nuk ekziston një sinqeritet?
Hashim Thaçi: Dialogu duhet të vazhdojë. Në vend të kërcënimit, unë ftoj për paqe. Në vend të konfrontimit, ftoj për dialog. Në vend të raporteve të ndara ndërfiqnjësore, ftoj për fqinjësi të mirë që do të dërgonte drejtë një normalizimi të raporteve tona ndërshtetërore dhe një pajtimi në bazë të vlerave dhe standardeve euroatlantike. Dialogu nuk ka alternativë. Duhet të vazhdojë, pavarësisht krizave dhe incidenteve ditore.
Radio Evropa e Lirë: Sapo jeni kthyer prej SHBA-ve. Keni pasur atje disa takime me zyrtarë të ndryshëm. Çfarë prisni nga administrata e re e Trumpit? A keni pasur mundësi të vëreni çfarë qasje kanë ndaj Ballkanit apo ndaj Kosovës?
Hashim Thaçi: Unë jam takuar me zëvendëspresidentin Biden, me shumë kongresmenë, senatorë, “think-tanke”, me shumë institute të ndryshme. Kam njoftuar për progresin e arritur në Kosovë dhe për hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen. Kam falenderuar administraten e presidentit Obama dhe zëvendëspresidentit Biden. Kosova është në rrugë të sigurtë, është në rrugë të drejtë, në rrugë të ngadhnjimit të vlerave euro-atlantike.
Nga vizita ime e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe relacionet e reja që kemi filluar të ndërtojmë me administraten e re të presidentit Trump, mund të themi lirisht dhe me besim të plotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Trump, administrata e tij, do ta ruaj vëmendshëm kujtesën për Kosovën, për Ballkanin Perëndimor, pra do ta ruaj, do ta ketë në vëmendje të theksuar zhvillimet edhe në Kosovë, edhe në Ballkanin Perëndimor, dhe përspektivën euro-atlantike të këtyre vendeve.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Thaçi, nëse mund të kthehemi edhe njëherë në veri, sipas disa shkrimeve që janë dal në media serbe. A ka të drejtë ROSU të shkojë në veri?
Hashim Thaçi: Unë si president i Republikës së Kosovës, si komandant suprem i Forcave të Armatosura të Kosovës, si përgjegjësi numër një për ruajtjen e rendit, të sigurisë, tërësisë terroritoriale, kam kërkuar prej të gjitha institucioneve të vendit që, në përputhshmëri me Kushtetën, ligjet, hiearkinë shtetërore të shfrytëzohet i tërë potenciali në shërbim të ruajtjes së paqes, stabilitetit, integritetit territorial.
Prandaj, e tëra është, i tërë angazhimi është i bazuar në Kushtetën dhe ligjet e Kosovës. Duke mos vepruar dhe lejuar që të ndodhin gjëra çfarë planifikon Serbia, atëherë nënkupton mos interesim dhe shkelje kushtetuese dhe ligjore. Ndërsa veprimi është respektim i Kushtetuës dhe ligjeve.
Radio Evropa e Lirë: A bën të mundësohet edhe shkuarja e FSK-së në një kohë të caktuar në veri?
Hashim Thaçi:
Unë e theksoj, i tërë angazhimi do të jetë i përbashkët, i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare. Do të jetë i koordinuar vetëm në ato përkushtime që çojnë në forcimin e paqes, në forcimin e stabilitetit, në integrimin e të gjitha komuniteteve, në jetën e sigurt të çdo qytetari dhe i ftoj të gjithë serbët e Kosovës, edhe ata në veri, që ta ndijnë vetën të sigurtë. Ata jetojnë në atdheun e tyre, jetojnë në shtëpinë e tyre, jetojnë në një përspektivë të së ardhmes së sigurt dhe shteti i Kosovës do të kujdeset për të gjithë në mënyrë të barabartë.
Gjithashtu i ftoj që të mos bëhen pjesë e manipulimit për pretekst të destabilitetit të Kosovës dhe të raporteve ndërfqinjësore. Nuk dëshiroi që në asnjë rrethanë që serbët e Kosovës, në veçanti ata në veri të viktimizohen për aspiratat e politikës nacionaliste apo ekspansioniste të regjimit të Beogradit.
Përgatiti: Artan Haraçia