Nga: Qendresa Nikqi/
Me 5 qershor 2020, anëtarët e degёve tё LDA Balkan patёn mundёsinё tё kalonin njё eksperiencё motivuese, pёrgjatё mbajtjes sё trajnimit me temё “Udhёheqja dhe Qeverisja Efektive”, e cila shёnoi dhe pjesmarrjen mjaft tё veçantё, tё Dr. Ermira Babamusta, fituese e Çmimit të Artë të Presidentit Obama nga Shtëpia e Bardhë.
Themeluar në janar 2017 LDA Balkan (Leadership Development Association) është organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga profesionistë të rinj. Anëtarët angazhohen në diskurse, trajnime dhe në ndërgjegjësimin e çështjeve botërore për lidership, demokraci, qeverisje të mirë, sipërmarrje, rritje profesionale dhe në shumë fusha të ndryshme të menxhmentit.
Qëllimi dhe misioni i LDA Balkan si platformë ndërkombëtare ndihmon individët e rinj që të zhvillojnë aftësitë e tyre personale dhe profesionale përmes punës brenda mjedisit ndërkombëtar. Të gjitha këto realizohen nëpërmjet konferencave virtuale dhe jovirtuale, debateve, edukimit joformal, udhëtimeve dhe kampeve me të rinjët dhe aktivitete si LEAP in Tirana, Prishtina, Albanian and Kosovo Dreamin.
Ditët e fundit LDA ka organizuar një seri konferencash virtuale si: “Roli i shoqërisë në luftën ndaj COVID – 19” me Dr. Fahri Beqa; “Ndërlikimet e COVID 19 në arsim, mirëqenien e mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve” me Prof. Zamira Hyseni dhe Dr. Ass. Linda Hoxha; Samiti i Parë Virtual “Rinia e Ballkanit në kohën e pandemisë COVID -19”; “Trashëgimia Kulturore Shqiptare”; “Gjuha denigruese e të rinjëve në media sociale dhe ndërgjegjësimi i tyre”; dhe “Udhëheqja dhe Qeverisja Efektive” me Dr. Ermira Babamusta. Trajnime tё tilla do tё jenё pjesё e vazhdueshmё e LDA Balkan dhe anёtarёve tё saj, me qёllimin e vetёm pёr tё frymёzuar, motivuar dhe krijuar liderët e sё ardhmes.
Gjatë forumit të lidershipit që u mbajt me 5 qershor 2020, liderët e LDA-së me degë në Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës u bashkuan në një zë të shprehin fuqishëm mesazhin e tyre për liderët e Ballkanit: Inkuadrimi i rinisë në politikëbërje dhe nevoja për mbështetjen dhe krijimin e mundësive për rininë.
Kosovë
“Shumë të rinj shqiptar kanë mungesë të motivimit për të sjellur ndryshim në vendin e tyre për një të ardhme më të mirë. Ndër faktorët që i kontribuojnë kësaj janë ata socio-ekonomik. Për këtë arsye ekziston një nevojë imediate për ristrukturim të skemave të politikbërjes në çdo sferë, rritje të nivelit të besueshmërise tek institucionet shtetërore dhe krijimin e një modeli të unifikuar politik. Të rinjtë në asnjë mënyrë nuk duhet të përdoren si mjet për arritjen e objektivave politike, por duhet t’i ofrohet mbështetje drejt formimit personal e profesional në rrugëtimin e tyre në botën modern,” u shpreh Leutrim Edipi, Bashkëpuntor profesional i LDA Presheva dhe anëtar i LDA Kosova.
“Udhëheqja dhe lidershipi janë dy terme të cilat janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën dhe funksionojnë në mënyrë zingjirore. Një instutucion, organizatë, biznes, universitet apo çka do çoftë nëse ka një udhëheqje të mirë, në krye të saj qëndron një lider i mirë. Lider është ai person i cili suporton, motivon, mbështet dhe dëgjon me kujdes të gjithë antarë e ekipit të tij rreth një qështje të caktuar dhe kërkon zgjidhjen në mënyrë grupore” tha Leona Jahiri, koordinatore e LDA-Balkan dega në Kosovë.
“Zëri i rinisë është i rëndësishëm jo vetë për për zhvillimin e shoqërisë në Ballkan, por edhe për të gjithë botën. Rinia është një pjesë e rëndësishme e çdo komuniteti, sepse ndryshe nga gjyshërit dhe paraardhësit tanë që janë përfshirë në luftëra apo në hiearki patriarkale, ato mund të sjellin ndryshime moderne duke krijuar marrëdhënie të mira me komunitetet e ndryshme dhe me fqinjët. Sot vendet e Ballkanit nuk ofrojnë përkrahje për gjeneratën e re. Rinia lufton për mundësi më të mira, por jo shumë zyrtarë e dëgjojnë zërin e tyre për të mbështetur nevojat dhe dëshirat e rinisë,” Mila Mihajlović, anëtare e LDA Balkan në Lipjan.
Maqedonia e Veriut
“Ne rinia e Ballkanit me të vertetë kemi shumë dëshirë të zhvillohemi si rini, të ndryshojmë gjërat në vendin tonë sa i përket moshës tonë, dhe të krijojmë një shpresë të vogël dhe një shtytje që mos ta lëshojmë vendin tonë. Jemi me fat që kemi trajnues shumë të mirë, gra të mira e të fuqishme, gra të suksesshme, ashtu si Dr. Ermira Babamusta,” theksoi Lutfije Nuhiji, anëtare e bordit rajonal, përfaqesuese e Maqedonise së Veriut.
“Trajnimet e tilla i shërbejnë shumë popullatës shqiptare sidomos asaj të moshës së re me të cilët besoj se hapërimi politikë do sjellë ndryshime në demokraci, ndryshime më se të nevojshme sidomos për shtetet post komuniste si ato që gjenden këtu. Arritja e demokracisë ishte e domosdoshme për ecjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Mbi të gjitha unë do doja që të jap një mesazh për gjithë të rinjtë pa dallim moshe dhe gjinie, për ata të cilët politikën e shohin si e mirë e përbashkët shoqërore:
Për një ndryshim e nevojshme është puna e palodhshme dhe koha. Të rinjtë për shumë arsye janë zëri i demokracisë, fjala e tyre dhe ambiciet janë vizion i së ardhmes. Por për të arritur cakun dhe qëllimet duhet që mos dorëzimi të jetë prioritet. Në qoftë se dëshirojmë të arrijmë diçka, atë duhet ta bëjmë me punën tonë, kontributin tonë dhe zemrën tonë, të gjith së bashku i përmisojmë shtetet tona ku jetojmë, ku studiojmë apo edhe ku veprojmë. Të bashkojmë forcat sepse çdo sistem gjithmon fillimin dhe funksionimin e ka patur dhe e ka nga të rinjtë. Shtetet tona mund të jenë edhe më të mira seç janë tash, por vetëm nevoitet përkushtim maksimal që të mundësojmë zhvillimin e demokracisë mbi vlerat perëndimore.
Gjithashtu një faleminderim të veçantë znj. Babamusta që arriti eksperiencën e saj shumë vjeçare ta shpërndaj për të rinjtë tanë që sadopak të krijojmë një ardhmëri të sigurtë për ne dhe brezat që vijnë pas,” u shpreh Shpat Iseini, anëtar i degës së LDA, Maqedoni e Veriut, Gostivar.
“Rinia ka nevojë për kyçje në botën politike në aspektin e lidershipit duke i dhënë kështu aftësinë e krijimit të imazhit të tyre, gjë që nënvete krijon dukshëm imazhin e një shteti.
Pavarësisht që një shtet si i joni përmban një popullatë me një numër mjaftueshëm të madh të popullsise, rinia e Maqedonisë në pakicë është e margjinalizuar në politikë dhe vendimmarrjet e saj. Një vend si i joni me mundësi të ngushta edukimi dhe arsimimi si dhe mundësitë e dobëta ekonomike që luajnë një rol të madh, shkakton që rinia e këtij shteti të qëndroj e frustruar e prapë e mbyllur me një status neutral.
Unë si dhe të gjithë që jemi këtu, jemi një pakicë prej atyre që shpresojnë dhe në një mënyrë apo tjetër veprojnë për ndryshime brenda rrethit shoqëror. Mirëpo asnjëherë nuk marrim hapa të mëdha deri tek ndihmesat shtetërore e qeveritare sepse vështirësitë për të fituar besimin apo rrespektin nga zyrtarët të cilët ata i arsyetojnë si mungesë e aftësive apo jo eksperiencë e mjaftueshme. Kjo dërgon rininë tonë në një stepje që mbrapa më vete sjell problematikë dhe mos zhvillim në gjendjen e shtetit tonë.
Mendojmë që rinia e sotme ka nevojë për mundësi në pjesëmarrjen e proceseve politike si dhe të kontriboj në zgjijdhjet për zhvillim. Në këtë mënyrë ata rrisin aspiratat dhe kreativitetin, dëshirën për të ndryshuar për të mirë përmes politikës si resurs kyç. Të ndërtojnë lidhje me udhëheqës politik e të jenë pjesë e aktivizmit si dhe t’i thyejnë barrierat sociale kulturore si dhe ato institucionale,” tha Bjondina Sherifi, pjesë e grupit të LDA Balkan në Maqedoni të Veriut.
Mal i Zi
“Rinia duhet te ketë mundësinë që të vendosë vetë për të ardhmen e saj. Si rrjedhim, krijimi i një lidershipi të ri merr një rëndësi parësore. Nevoja për aktivizmin shumë më të madh të rinisë është më se e domosdoshme. Rinia e ka fuqinë e duhur, prandaj duhet ta përdorë atë për të sjellë ndryshime. Shoqëria jonë, në vend që të përparojë dhe të zgjidhë problemet ka stagnuar, duke krijuar paragjykime nga më të ndryshmit, e duke nxjerrë përfundime se rinia nuk është e përgatitur, apo se nuk ka përvojën e duhur për të sjelle ndryshime.
Gjithashtu, krijimi i besueshmërise te të rinjtë ka probleme të theksuara. Shumica e këtyre problemeve ndodhin si rezultat i ndikimit të faktorëve të ndryshëm, e veçanërisht, nga keqeverisjet si dhe nganjëherë nga moskrijimi dhe sidomos moszbatimi i strategjive të ndryshme, për të bindur të rinjtë që të përfshihen dhe të jenë pjesë aktive e vendimarrjes apo shoqërive civile. Një nga hapat e parë që shoqëria jonë duhet të marrë për të avancuar të drejtat dhe zhvillimin e shoqërisë, është minimizimi i paragjykimeve, që rinia është e paaftë apo e papërgatitur. Rinia ka aftesitë e nevojshme që të jetë e përfshirë në qeverisje dhe lidership, dhe kjo duhet të kuptohet së pari nga politikanët e qevritarët dhe shtresat e tjera të shoqerisë sonë.
Mendoj se ka ardhur koha që ne si rini të lëmë mënjanë paragjykimet dhe vështirësitë e panumërta që mund të kemi, dhe të guxojmë që të bëhemi bashkë, të aktivizohemi dhe të ngrijmë zërin tonë për problemet me të cilat ballafaqohemi çdo ditë, me synimin që t’i zgjidhim ato, ose të paktën të përpiqemi për zgjidhjen e tyre. Duke parë situatën aktuale, e ardhmja s’është shumë premtuese, por besoj dhe shpresoj, që shoqëria jonë do të reflektojë dhe të kuptojë rëndësinë e zhvillimit të mëtutjeshëm të rinisë. Ne nuk duhet të rrimë duarkryqë aspak, pasi që kështu s’do të zgjidhim asgjë, por përkundrazi, ne duhet te veprojmë dhe të luftojmë për një të ardhme më të mirë, pasi që fuqinë e ndryshimit, padyshim që e kemi ne, rinia,” tha Arb Shabani, LDA Balkan, dega Mali i Zi.
Shqipëri
“Qartёsia nё vizionin e liderit, ndihmon jo vetёm atё por tё gjithё ekipin pёr tё qёndruar nё linjёn qё synohet dhe objektivin final qё duhet mbёrritur. Njё lidёr i sukssesshёm nuk thotё “UNЁ”, por “NE”, duke ngritur nё tё njёjtin nivel rёndёsie çdo bashkёpunёtor tё tij. Kёshtu ngadalё ngadalё duke fituar ndeshjet, ekipi juaj mund tё prek kupёn e kampionёve,” tha Evelina Rumi, pёrfaqёsuese e LDA Balkan, dega Shqipёri.
“Rinia e Ballkanit ka një potencial të madh, profesionistë të rinj me aftësi të jashtëzakonshme, të cilët kërkojnë të përmirësohen, të mësojnë, të eksplorojnë, të idealizojnë më shumë dhe të kontribuojne më shumë,” u shpreh Marilo Meta, Presidenti i LDA Balkan në Tiranë.