Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh gjatë një takimi me të rinjtë e Partisë Demokratike, se rinia shqiptare e ka treguar qëndrimin e saj përgjatë 9 muajve të qeverisjes së Edi Ramës.
“E keni demonstruar këtë pjekuri në momente të ndryshme dhe në harkun e këtij viti. E demonstruat me rastin e qëndrimit të rinisë së shqiptare, kundër qëndrimit të Ramës me armët kimike të Sirisë. Këtë e vërtetuat dhe në protestën e zhvilluar më 20 shkurt. E keni vërtetuar në mënyrë se si rinia po vërshon drejt PD-së. Jam i bindur që këtë vetëdije, këtë kurajo do e demonstroni sot, nesër, pasnesër, dhe në ditët në vijim, në betejën më të madhe kundër narkotrafikut, kundër qeverisë”, iu dretjua Basha të rinjve.
Sipas kreut të PD-së, “në këto 9 muaj të qeverisjes së Edi Ramës, droga nuk po zvarritet, por po lumturon. Droga ka pushtuar ajrin, pasurinë që i përket qytetarëve shqiptare”. Basha shtoi se, qeveria aktuale po vendos oligarkinë e drogës dhe se ky është fundi i demokracisë. “Historia është droga me avionë, janë bosat dhe baronët e drogës, është karteli i drogës që ka marrë yrysht dhe ka vënë në zbatim planin e vet ogurzi që para zgjedhjeve të kaluara. Planet e vet për të blerë zgjedhjet, pushtetin, lirinë, ajrin, ujin dhe gjithçka të mirë kemi për të vendosur oligarkinë e drogës që është fundi i lirisë dhe demokracisë. Pyetja që shtrohet sot është a do ti lejojmë? A do çohemi të gjithë të bashkuar dhe do ti ndalim?”
Më tej Basha theksoi se kryeministri Rama është përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar dhe se ai duhet të largohet nga qeveria. “Si erdhëm deri këtu? Çfarë na solli deri këtu? Shqiptarët tregojnë sot me gisht Edi Ramën si përgjegjësin numër një për situatën e krijuar në vend në lidhje me trafikun e drogës. Ai ishte dhe është personi përgjegjës që u tall dhe u përqesh me denoncimet e ardhura. Me informacionet e depozituara nga punonjës të ndershëm është ai që përqeshi këto informacione duke i cilësuar avionët e drogës mushkonja. Është ai që duke injoruar, fshehur, maskuar, të vërtetën për trafikun drogës i garantoi dhe u shkeli syrin narkotrafikantëve. Me sindromën e vitit zero shkatërroi policinë e shtetit”.
Kreu i PD-së përsëriti thirrjen për protestë ditën e nesërme në orën 10:00 para Kuvendit. Ai u shpreh se kjo protestë do ti japë përgjigje përfundimtare narkotrafikut dhe do të çojë në shtëpi kryeministrin Rama. “Zgjidhja është e qartë populli sovran ose oligarki e drogës. Ne opozita jemi të bindur se vetëm nëse flemë fitorja mund t’i përkasë oligarkisë së drogës, por ne nuk do të flemë ne jemi në këmbë dhe do përballemi për ta rrëzuar në tokë përpjekjen e saj për të marrë në dorë Shqipërinë tonë. Nesër në orën 10:00 të vendosur për t’i dhënë përgjigje përfundimtare narkotrafikut, për të çuar Edi Ramën në shtëpinë e tij”, u shpreh Basha.