Kujtimet e Skënder Luarasit për travajat e familjes së Sevasti Qiriazi e Kristo Dako/
KRISTO DAKO NJË NGA VEPRIMTARËT E SHQUAR TË PAVARËSISË /
(Pushtimi i shtëpisë se tyre nga çifti Todi dhe Luljeta Konomi- Bozo, si i hoqi ky emrat e Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi nga filmi “Mësonjëtorja” në Kinostudio ku ishte nëndrejtor dhe sekretar Partie)/
NGA KOLEC TRABOINI/
Në kujtimet e tij Skënder Luarasi (19 janar 1900 – 27 janar 1982) ka shkruar: ”Dergjesha në shtrat nga dhimbjet e veshkave dhe poliartriti kur ime shoqe më lajmoi se kishte ardhur të më takonte Ing. Aleksandër Dako, djali i madh i Sevastisë. (Aleksandër Dako, i biri i Kristos dhe i Sevastisë, i lindur në Manastir më 30 maj 1911, ishte pronar i banesës në rrugën Halim Xhelo, Nr.28, Tiranë, Ajo dikur qe në pronësi të Parashqevisë. Në një banesë tjetër në krah jetonte dhe vajza e tij e vogël , Diana Qiriazi-Hoxha, studente në degën e anglishtes.) “Kisha vite pa e parë. Dukej shumë i vrarë. Më tha se kur ishte ndarë nga gruaja e dytë, e kishin internuar me pa të drejtë dhe shtëpinë ia kishte zënë një zyrtar me rëndësi.” Pas vdekjes së gruas së parë, Aleksandër Dako qe martua me N.L. me të cilën nuk shkonin mirë, kinse ajo kërkonte që ai të mos kishte të bënte me fëmijët e gruas së parë dhe arësye të tjera. Por më vonë rezultoi se shkak i prishjes së çiftit Dako qe shantazhi mbi N.L. dhe nënshtrimi i saj nën presionin e Todi Bozos, motrës së tij dhe shoqes së saj V. L., Sekretare e komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor, lagjes 9. e cila më pas u shkarkua për abuzime me detyrën shtetërore. Më 15 tetor 1975, me akuzat e sajuara të ish- gruas së tij të dytë N.L. Aleksandër Dakon e internuan në Tale të Lezhës. Në janar 1976 në shtëpinë e tij u fut familja e Todi Bozos, e cila pa dijeni të Aleksandrit kishte bërë shtesa banese. Menjëherë pas internimit ai kërkoi verifikimin e çështjes dhe Komisioni Qeveritar ia hoqi masën e dënimit. Kur u kthye në Tiranë më 14.7.1977, mësoi që shtëpinë ia kishte zënë i plotfuqishmi T.D. i cili me marrëveshje private i kishte dhënë ish-bashkëshortes së Aleksandrit një hyrje tjetër 1+1. Në këto kushte Aleksandri jetoi përkohësisht tek djali i tij Robert Dako, Rr.Tefta Tashko,P.22/1,A.1,Tiranë në pritje për t’iu liruar banesa, (në zbatim edhe të Vendimit gjyqësor të formës përfundimtare (Vendimi 249, 15.2.1978 i gjykatës popullore të rrethit, Tiranë) Në vendim shkruhej: ‘’ Rezultoi e provuar se paditësi efektivisht është pa banesë… Në të tilla rrethana vetkuptohet se paditësi Aleksandër Dako ka të drejtë të shkojë në pronën e tij dhe Vendosi: ‘’Detyrimine të paditurit Todi Bozo të lirojë banesën që ka në përdorim pasi t’i sigurohet një sipërfaqe tjetër banimi. Edhe kur iu dërgua vendimi i gjykatës, nënpunësit të strehimit të Komitetit Ekzekutiv, Tiranë me një letër rekomandimi, ai nuk po e zbatonte. Në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe me ligjet e shtetit mbi pronësinë, poseduesi nuk e lironte banesën me pretekst që ‘’kishte shpenzuar’’, duke bërë modifikime, një banjë dhe shtesa të tjera në oborr, pa dijeninë e pronarit.
SKËNDER LUARASI SKËNDER LUARASI, LETËR HYSNI KAPOS,
Tiranë, 15 qershor 1979: Skënder Luarasi kujton se për seriozitetin e çështjes iu drejtua Hysni Kapos ish-nxënësi i tij në Institutin Tregëtar të Vlorës më 1932. Në letër shkruhet: ”Duke përgatitur biografinë e motrave Parashqevi dhe Sevasti Qiriasi, kujtova përkrahjen që i dha e nderuara shoqe Vito Kapo Parashqevisë të ngrihej nga gjendja e mjerë në të cilën njerëz të pandërgjegjshëm e kishin rrëzuar këtë heroinë të arsimit kombëtar. Me këtë rast u njoha me birin e Sevasti Qirias-Dakos, Aleksandër Dakon, birin e patriotit Kristo Dako, dhe mora vesh se në ç’gjendje të mjerë e kanë rrëzuar edhe këtë bir patrioti. Duke dashur të shpreh të mirëfilltën në këtë biografi, u interesova për shkakun e fatkeqësisë së tij. Si qytetar shqiptar u trondita kur pashë se në Republikën Socialiste tonën paska akoma njerës që për të kënaqur lakmitë e tyre, nuk e quajnë për gjë të keqe t’i çkatërrojnë jetën një familje. Aleksandër Dako më dorëzoi përshkrimin si i ndodhi fatkeqësia dhe unë marr guximin që përshkrimin t’jua dërgoj juve tok me këtë letër. Përveç zemërimit që ndjej si qytetar për një padrejtësi të tillë, unë kam arësye të veçantë të interesohem për hallin e familjes Qirias- Dako: në këtë shtëpi mblodha materialin për biografinë në fjalë, dhe këtu dëgjova prej gojës së Parashqevisë fjalët mirënjohëse për ndihmën që i dha shoqja Vito Kapo së ndjerës Parashqevi të ngrejë jetën e lumtur në atë shtëpi…Ju jam drejtuar juve me këtë letër, se jam i bindur që nuk do të lejoni kënd të përçmojë Kushtetutën e Republikës Socialiste të Shqipërisë.” Skënder Luarasi shkruan në kujtimet e tij: ”Ndërkohë që prisja ndonjë përgjigje apo rezultat më zemëroi shumë një ngjarje tjetër. Natasha Lako, bashkëpunëtore në Kinostudio, më kishte kërkuar dhe unë i dhashë ndihmën time për gatitjen e filmit ‘’Mësonjëtorja’’ me skenar rreth shkollës së parë shqipe për vajzat në Korçë, e themeluar më 1891 nga Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe gjithashtu ndihmova që të nderohen motrat Qiriazi me rastin e 35- vjetorit të çlirimit. Kur u interesova për mbarëvajtjen e xhirimeve të Kinostudios më thanë se dikush kishte ndikuar që emrat e dy motrave të zëvendësoheshin me pseudonime. Kësaj i thonë të falsifikosh historinë. Dhe këtë presion e paskish bërë vetë Todi Bozo. Një ditë mësova se Hysni Kapo, i sëmurë, kishte lënë porosi të shikohej kjo çështje por Todi Bozo për shkak të postit të lartë dhe miqve nuk donte ta lironte shtëpinë. Madje më kishte çuar fjalë që ta lija këtë çështje mënjanë për hir të dhëndrit tim Vedatit që ai e kishte farefis. Kur shkova ta takoj, ai ishte ‘’i zënë‘’. Ndaj i shkrova një letër.
LETËR TODI BOZOS
Tiranë, 26 gusht 1979 I nderuari zoti Todi Bozo, Mbasi nuk më pranuat në një bisedë shoqërore sy në sy, Ju dërgoj këtë letër që të rrëfenj përse kam dashur të piqem me zotërinë tuaj. Kam njohur personalisht Tafil Buletinin për të cilin jam duke përgatitur një broshurë. I përdëllyeri ndër të tjera më pati folur për miqësinë e tij me të ndjerin Llazo Bozo dhe desha që miqt e tij të jenë edhe të mitë. Qysh prej fëminisë sime pata njohur motrat Qiriazi, mësueset e motrës sime Thomaidhë, dhe qenë këto që nëpërmjet sime motre më mësuan të lexoj e të shkruaj gjuhën amtare shqipe. Për këtë arësye kam qenë mirënjohës ndaj atyre dhe do të jem kështu gjer në çastin kur t’i them lamtumirën e fundit atdheut tim të dashur. Nga simpathia që ruaj për Sevasti Qiriazi-Dakon dhe të motrën Parashqevinë, por edhe që të mos më përgënjeshtrohen fjalët e mira të Tafil Buletinit për babanë tuaj, po ju drejtoj këtë letër. Dhe shpresoj të merremi vesh urtë rreth dy çështjeve për të cilat bëhet fjalë: Së pari : Natasha Lako, bashkëpunëtore në Kinostudio kërkoi dhe unë i dhashë ndihmën time për gatitjen e filmit rreth shkollës së parë shqipe për vajzat në Korçë më 1891. Materialin e përmbledhur po jua dërgoj bashkëngjitur. Ndihmova që të nderohen motrat Qiriazi me rastin e 35-vjetorit të çlirimit. Të Kinostudios më thanë se keni ndikuar që emrat e dy motrave të zëvendësohen me pseudonime. Kësaj i thonë të falsifikosh historinë. Lexoni në ‘’Zëri i popullit’’ artikullin e soçëm ‘’Vërtetësia të përshkojë si fill i kuq çdo paraqitje të fakteve historike’’, nga Shefqet Peçi. Së dyti: Me manipulacione të pahishme keni bërë që biri i Sevasti Qiriazi-Dakos të nxirej nga shtëpia dhe fare pa të keq u shtrove vetë në atë vatër. Gjyqi që e kuptoi sjelljen e pahijshme tuajën i dha të drejtën familjes Dako të kthehet në banesën e vet. Porse ju nuk i bindeni vendimit, nuk doni të shkoni në apartamentin shtetëror që kishit më parë. Në vilën Qiriazi-Dako vija shpesh të përshëndetja mësuesen e lavdishme Parashqevi Qiriazi për t’ iu falë nderjes për arsimin që bashkë me Sevastinë u dha motrave tona në kohën e tiranisë otomane, kur jo në shkollë por edhe në letërkëmbim ishte rreptësisht e ndaluar të përdoreshin shkronjat shqipe. Mora guximin t’ju shkruaj këtë letër sepse duhet ta mbrojmë të drejtën e të vërtetën edhe sikur të ndeshemi me personalitete të plotfuqishëm; por juve jua shkruaj edhe për një shkak tjetër. Pozita që mbani dhe prejardhja patriotike – që na ndalon të nxjerrim në Pazar emrat e prindërve tanë të ndritur edhe për gjithë atë llom të dheut që aq fort e lakmon borgjezia – na detyrojnë jo ta shkelni por ta mbroni ligjshmërinë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Për këto arsye jam i bindur që do ta pranoni, dhe do më përkrahni propozimin që kam dashur t’ju bëja po të më kishit pritur në bisedë shoqërore: së pari, filmit ti vihen emrat e plotë, të vërtetë, të heroinave Sevasti e Parashqevi Qiriazi; së dyti: t’ia ktheni të zotit shtëpinë dhe unë mendoj se ajo ndërtesë të caktohet shkollë ose muze për nder të mësueseve të para të shkollës së vajzave Me përfillje të merituara Skënder Luarasi. Rruga Konferenca e Pezës, Pallati V, Shkalla1/3, Tiranë
SKËNDER LUARASI LETËR VITO KAPOS,
Tiranë, 1 shtator 1979 Kur dëgjoi se Hysni Kapo ishte i sëmurë rëndë dhe përsëri Todi Bozo rrefuzoi të largohej nga shtëpia, S.Luarasi iu drejtua Vito Kapos, si Presidente e Bashkimit të Grave Shqiptare: “Personalisht, Ju dhe Nefo Myftiu, e shpëtuat Parashqevi Qiriazin nga mjerimi ku e patën shpënë njerës zemërzes. Kur e vizitoja Parashqevinë, më shumë se një herë më shprehu mirënjohjen për gruan e re shqiptare, për të cilën Ju po përpiqeni ta ngrini lart e më lart në shoqërinë tonë socialiste. Jua shkruaj këtë letër Juve, e nderuara shoqja Vito Kapo, nga respekti që kam për punën tuaj në qytetërimin e familjes shqiptare e në mbrojtjen e të drejtave të saj. Bashkëngjitur postoj një artikull ku shpreh atë që di unë për Sevasti Qiriasi- Dakon dhe një letër tjetër ku rrëfej çështjen që desha të zgjidh në mënyrë shoqërore me Todi Bozon. Duke qenë se Todi Bozo s’begenisi të më dëgjonte, Ju a dërgoj Juve, si kryetare e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, që t’ia qani hallin familjes së Sevastisë dhe të propozoj që (pasi Todi Bozo të zbrazë shtëpinë e përvetësuar) ajo ndërtesë, ku ka vdekur Parashqevi Qiriazi, të çelet me rastin e 35-vjetorit të çlirimit muze ose shkollë për nder të mësueseve të para të shkollës së vajzave.” Historia e shantazhit të Todi Bozos ndaj gruas së Aleksandër Dakos dhe përvetësimi i shtëpisë së familjes Qiriazi u përhap dhe bëri bujë. Sekretarja e komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor, lagjes 9. me iniciale V. L., e cila kishte manipuliar me dokumentat u shkarkua nga puna për abuzim me detyrën shtetërore dhe Todi Bozo u detyrua ta lirojë banesen. Drejtesia u vu ne vend dhe Aleksandër Dako me familjen e mbylli jetën në vatrën e të parëve duke kujtuar me respekt mirësinë e mikut të vërtetë Skënder Petro Luarasi. Ky shkrim i mësipërm bazohet tek libri i pabotuar i Skënder P. Luarasit, “Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar- kujtime” dhe nuk duhet të riprodhohet në asnjë formë pa përmendur burimin.
KUSH ISHTE KRISTO DAKO
Kristo Dako u lind në Korçë më 24 dhjetor 1876, i biri i Anastas Dakos. Më 1887 Dako emigroi në Bukuresht, Rumani, ku mbaroi shkollën e mesme më 1898, dhe më 1902 Fakultetin e Matematikës. Nga ky vit u u aktivizua në shoqëritë Shpresa dhe Dituria të kryeqytetit rumun. Më pas shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku ndoqi dhe mbaroi Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Oberlindit në vitet 1906-1913. Më 1908 u kthye në atdhe dhe më 1909 qe pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit. Më 1913 u zgjodh president dhe redaktor i gazetës Dielli, organ i Federatës Mbarëshqiptare Vatra më 1913. Dako mori më vonë pjesë në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919. Dako është takuar dy herë me presidentin e Shteteve të Bashkuara Woodrow Wilson, për t’i shpjeguar atij interesat kombëtare të Shqipërisë.Më 1921-1922 qe deputet i Partisë Përparimtare dhe më pas u bë pjesë e “Bashkimit të Shenjtë”. Më 1921 u caktua ministër i Arsimit në qeverinë pakditore të Hasan Prishtinës gjatë krizës së dhjetorit. Më pas u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua arsimit. Më 2 tetor 1922 hapet instituti “Kyriaz”, më 11 prill 1925 iu vendos guri i themelit në godinën e re në Kamëz., sot Universiteti Bujqësor i Kamzës. Ndërroi jetë më 16 dhjetor 1941 në Tiranë.
BASHKËSHORTËT SEVASTI QIRIAZI DHE KRISTO DAKO
FUNDI I DHIMBSHËM I SEVASTI QIRIAZI DAKO
Ne konica.al lexojmë: Prej vitit 1941 do të fillonin fatkeqësitë në familjen e saj. Atë vit vdiq bashkëshorti, patrioti i shquar Kristo Dako. I balsamosur nga i biri, Gjergji, trupi i Dakos u vendos në varrezën familjare në Kamze. Pas dy vitesh, me 1943, krejt familja u internua në Zemun, ku mrekullia bëri që të mos shuhej kjo familje. Te rraskapitur, Sevastia me motrën e saj Parashqevi, dy djemtë Gjergj dhe Skënder (Aleksandër) dhe dy nuset e tyre me fëmijët, kthehen në Tiranën e vitit 1945. Iu ishte sekuestruar gjithçka. Shtëpia dhe shkolla në Kamzë nuk ishte më e tyre. Përdhosja që filloi të mposhtte mësuesen veterane ishte makabre. Studentët e Kursit të Partisë Komuniste që kishin uzurpuar godinat e tyre kishin thyer varrin e xhamtë të Kristo Dakos, i kishin shkulur kokën atij dhe me të kishin luajtur futboll…! Mësueseve të para të shqipes iu la si favor që nëse dëshironin të banonin ne kotecin e pulave të shtepise së tyre. Pasi e lyen me gëlqere të bardhe, si zemra e tyre, për pak kohë veteranet jetuan aty derisa u dëbuan edhe prej atje. Të mbetura rrugëve, ato gjetën mbështetje dhe strehë në ish-kuzhinierja e “Institutit Kyrias”, Rukije Tafaj. Helmi i fundit që mori nga kjo jetë ishte varja në qeli e të birit, Gjergjit, kirurgut që ishte akuzuar për spiunazh dhe gjendej i burgosur. Sevastia nuk mundi as të tërhiqte trupin e të birit pasi atë e shkatërroi traktori që punoi tokën.Në gjendje të vajtueshme, Sevasti Qiriazi Dako mbylli sytë në shtëpinë e Rukije Tafajt. Si “armike” u përcoll për në banesën e fundit vetëm nga katër gra Parashqevia, nuset e dy djemve, ish-kuzhinierja Tafaj dhe dy varrëmihës. Ishte 30 gushti i vitit 1949.
Përgatiti K.P. Traboini 18 mars 2021