
Dr.Gjylie Rexha pedagoge e Medias dhe Komunikimit pranë Universitetit UBT – Prishtinë, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, paraqet para publikut librin e saj më të ri kushtuar radios si media e veçantë. “Radio, nga valët në rrjet” është një kontribut shkencor që trajton jo vetëm gazetarinë në radio, historinë e radios, radion në Kosovë, radion e shekullit që jetojmë, specifikat e funksionimit të radios si media, por mbi të gjitha studimi është një doracak që mund të përdoret për të mësuar edhe gazetarinë bazë edhe për media të tjera në shekullin e komunikimit dhe teknologjisë masive.

RADIO E SHEKULLIT XXI DHE NDIKIMI I TEKNOLOGJISË
Radio e shekullit XXI vepron në realitete të ndryshuara, nën ndikimin e teknologjive dhe zhvillimit të mediave të reja. Si instrumente ndihmëse, teknologjitë ofrojnë bazën mbështetëse për realizimin e përmbajtjeve cilësore. Ato mund të shërbejnë për të zgjeruar dhe thelluar depërtimin te kategori të ndryshme të audiencave të fragmentuara, qoftë në kërkesat ndaj përmbajtjes, qoftë në mënyrat e pranimit apo edhe në qëllimet për të cilat e përdorin informacionin. Përparësitë që dalin nga zhvillimi teknologjik, megjithatë, mund të shndërrohen në sfidë, apo pengesë të pakapërcyeshme në rastet kur kompanitë mediatike radiofonike nuk arrijnë të përshtasin me to formatet, platformat dhe mënyrat e menaxhimit. Radio ka humbur audiencat masive të dekadave të shekullit të kaluar. Ajo ka humbur edhe primatin në kategorizimin si media e shpejtë që përcjell ngjarjet drejtpërdrejt. Funksioni primar i saj nuk është më informimi i shpejtë, por komunikimi dhe prodhimi i përmbajtjeve të gjeneruara edhe me pjesëmarrjen e shtuar të audiencave. Në këtë lëmi, ajo është pjesë e sistemit të mediave tradicionale të cilat detyrimisht janë përballë me nevojën e përtëritjes së mënyrave të mëhershme të funksionimit. Në procesin e konvergjencës, ajo ka ndryshuar disa prej karakteristikave të mëhershme, ashtu si edhe ka përvetësuar disa specifika karakteristike të mediave të tjera tradicionale. Në procesin e transformimit të mediave në hapësirën e pakufishme të uebit, kufijtë dallues ndërmjet tyre kanë rënë. Nuk mjaftojnë vetëm tekstet për gazetat, janë të pamjaftueshme vetëm fjalët për radion dhe nuk flasin të vetme pamjet televizive. Audiencat i kërkojnë gjithnjë e më shpesh të tria bashkë dhe njëkohësisht; kurdo që audienca do e jo sipas orareve të rregullta të botimit/transmetimit; jo në një, por në më shumë platforma; jo vetëm për t’u informuar prej tyre, por edhe për të pasur mundësinë që të komunikojë dhe të jetë pjesërisht pjesëmarrës i rëndësishëm në ndërtimin e përmbajtjes. Radio mund t’i përmbush secilën prej këtyre pritjeve, pa ndryshuar thelbin e përmbajtjes dhe duke e përqendruar procesin e transformimit vetëm në shtimin e platformave dhe mënyrave të përcjelljes së përmbajtjes. Vlerat e saj si media tradicionale e shekullit të kaluar, janë ende përparësitë e saj kryesore, por duke ndryshuar prioritetet në funksionet e dikurshme: nga media që transmeton për masa, në media që e gjen dëgjuesin me pritje dhe kërkesa të ndryshuara dhe i bëhet media që i ofron përmbajte të dobishme, duke mos e penguar në aktivitetet tjera. Jo vetëm kaq. Interneti i ka ofruar asaj mundësinë që të përmbushë pritjen kryesore të dëgjuesit të shekullit XXI, i cili nuk rend më pas përmbajtjes, por kërkon produkt të gatshëm mediatik. Radio ka mundësinë e “ruajtjes” së përmbajtjes dhe ofrimit të saj në formën e materialeve të incizuara dhe të arkivuara në ueb. Podcast e ka transformuar atë nga media me përmbajtje që pranohet me një të dëgjuar, në media me përmbajtje të disponueshme për qytetarët kurdo që ata e kërkojnë. Njësoj si përmbajtjen, avancimet teknologjike kanë shtuar edhe mundësinë e komunikimit me audiencat. Karakteristika kryesore si media e afërsisë, është pasuruar me shtimin e mundësive për komunikimin e shumëfisht dhe me të gjithë. Ajo arrin që të shndërrojë lehtësisht informacionin linear në komunikim dhe të forcojë lidhjen me audiencat, duke i bërë ato bashkëpjesëmarrëse të rëndësishme në strukturën e produktit mediatik. Me specifikat e saj, radio jo vetëm që nuk është media e vjetëruar, por mbetet pjesë e rëndësishme e sistemit dhe ekologjisë së mediave të shekullit XXI. Vlerat e saj për lehtësi në ndërtimin e komunikimit janë përparësia kryesore që i ndihmon përshtatjen në mjediset me “konsumuesit e përmbajtjes” individualisht ose të grumbulluar në grupe gjithnjë e mëtë vogla. Teknologjitë e reja, e kanë kthyer radion në qëllimin dhe funksionin parësor: vendosjen e komunikimit më të personalizuar me qytetarët. Stacionet e radios vazhdojnë “ta segmentojnë audiencën”. Ajo mbetet media që synon individin, të cilit i ofron përmbajtjen me karakteristikat e informacionit herë të veçantë, herë relaksues, herë shoqërues e herë të tjera medium që prodhon përmbajtje me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve. Radio e shekullit XXI ndërthurë të gjitha elementet e medias vazhdimisht të transformueshme, e cila arrin lartësi të reja, duke përsosur teknika tashmë tradicionale dhe duke zbatuar formate të reja. Për të zhvilluar radio të suksesshme në epokën e internetit është e nevojshme që të njihen parimet e konsoliduara gradualisht të radiogazetarisë dhe të zbatohen mënyra të reja për shpërndarjen e përmbajtjes. Historikisht radio është veçuar për mënyrën e raportimit, profilin e gazetarëve, zhanret, strukturën përmbajtjesore, specifikat e raportit me marrësin e mesazhit, funksionimin si kompani dhe si biznes etj.
PËR RADION NË KOSOVË

Në Kosovë, stacionet e para radiofonike evidentohen në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Vitet e fundit janë publikuar të dhëna sipas të cilave radiotransmetime ka pasur edhe para viteve të Luftës së Dytë Botërore, por historia e asaj që për dekada me radhë ka qenë radio kryesore, ka nisur në vitet e ’40-a të shekullit XX. Sipas të dhënave të mbledhura nga ish punonjës të Radio Prishtinës, radiotransmetimi ka filluar në vitin 1942, në Prishtinë. Të dhënat që paraqiten në vazhdim janë kontribut për këtë libër nga Ali Kadriu, udhëheqës i Njësisë punuese nëRadiotelevizionin e Prishtinës: Transmetimi TV dhe FM për objektet primare Golesh dhe Cvilen; udhëheqës i Departamentit të Teknologjisë dhe Produksionit në RTK-Radio. Të dhënat e mbledhura prej tij, për zhvillimin e radios nga periudha e Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fillimin e emetimit të programit të radios nga objekti ku deri në botimin e këtij libri është e vendosur Radio Kosova, janë siguruar nga ish-punëtori i RTP-së Petrit Dushi dhe ato përcillen këtu të kombinuara me deklarime të Dushit në programe dhe intervista të ndryshme për programet e RTP-së dhe Radio Kosovës. Sipas këtyre të dhënave, transmetimi i programit të radios për herë të parë ka qenë në nëntor të vitit 1942 nga Prishtina. Emri i radios në atë kohë ka qenë Radio Kosova, ndërsa lokacioni i studios ka qenë në një shtëpi dykatëshe përballë shkollës së mesme teknike, afër gjimnazit “Sami Frashëri”. Themelues të Radio Kosovës më 1942 kanë qenë: Vasil Andoni dhe Eftim Derri, i cili ka qenë edhe themelues i korit. Për shkak të rrethanave gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka pasur ndërprerje të transmetimeve dhe ndryshim të lokacionit. Transmetimi ka rifilluar nga Prizreni më datë 5 shkurt 1944, por emri radios ka mbetur i njëjtë: Radio Kosova. Spikerë kanë qenë Hysnije Hana dhe Mustafë Shala, kurse punëtorë të Radio Kosovës në Prizren kanë qenë: Tasim Hoti dhe Qamil Nixha. Sërish ka pasur ndërprerje dhe rifillim të transmetimeve në muajt e parë pas Luftës së Dytë Botërore. Nga Prizreni, transmetimet rinisën në nëntor të vitit 1945, me të njëjtit spikerë, por me emërtimin Radio Prizreni. Programi transmetohej në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbo-kroate. Transmetimet nga Prizreni kanë vazhduar deri në vitin 1946, kur radiostacioni është transferuar në Prishtinë, në lokacionin e mëparshëm ku ishte në vitin 1942 dhe ku ka qëndruar deri në vitin 1950. Transferimi u shoqërua me ndryshimin e emrit në Radio Prishtina. Në fillim të viteve 1950, punonjës ishin: Vehap Shita, Petrit Dushi, Skender Gjinali, Sokol Dobroshi etj. Petrit Dushi ka qenë njëri prej punonjësve të Radio Prishtinës, që në vitet 1950. Në karrierën e tij në RTP ai ka qenë: spiker, redaktor, themelues i programit të dytë të Radio Prishtinës, kryeredaktor në Televizionin e Prishtinës, drejtor i parapagimit në RTP dhe themelues i produksionit në Radio Prishtinë. Në intervistat e tij, Dushi, vlerësonte rëndësinë e Radio Prishtinës jo vetëm në lëmin e informimit, por edhe të zhvillimit kulturor, pasi Radio Prishtina u shndërrua në institucion të rëndësishëm kulturor për shqiptarët e Kosovës. Me zgjerimin dhe pasurimin e programit, ajo shërbente si media masive që informon dhe ndikon në afirmimin kulturor të shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por edhe në trevat tjera në ish Jugosllavi. Gazetarët të cilët kanë punuar aty e përshkruajnë si institucion që i kushtonte shumë rëndësi përgatitjes profesionale dhe sigurimit të cilësisë programore. Azem Brovina, është emri me të cilin lidhen 1282 transmetime e komentime në RTP&RTK, ashtu si edhe emisionet informative në Radio Prishtina dhe nga viti 1999 në Radio Kosova. Në librin e tij, kujton vitin 1970 dhe kriteret profesionale për t’u bërë pjesë e Radio Prishtinës. Pasurimi i programit të Radio Prishtinës ka shkuar paralelisht me avancimet në infrastrukturë. Nga viti 1950 radio ndërroi dy herë lokacion para se të vendosej në objektin prej ku vazhdon të transmetojë program Radio Kosova (2020). Programi nga studiot në objektin “trekëndësh” në qendër të Prishtinës, ka nisur të emetohet nga 5 marsi i vitit 1973. Deri më 5 korrik 1990, kur forcat policore serbe, kanë larguar me dhunë punonjësit shqiptarë, Radio Prishtina ka zgjeruar programin si dhe rrjetin e transmetuesve, që ishte element me rëndësi vendimtare për fuqinë e radios në shekullin XX, të bazuar në programin e transmetuar përmes frekuencave.
TË SHKRUASH PËR T’U DËGJUAR
Të shkruash për radio do të thotë të përgatitësh informacion që do të kuptohet me një të dëgjuar nga dëgjuesi i cili nuk ka pse të jetë plotësisht i vëmendshëm ndaj tij. Të arrish të jesh i kuptueshëm derisa përcjell një sasi të konsiderueshme informacioni për dëgjuesin i cili kryen edhe punë të tjera derisa u dëgjon, kërkon qartësi, thjeshtësi dhe drejtshqiptim të asaj që thoni. Radio është media që ngërthen të shkruarit dhe të folurit me pamjet që krijon në mendjen dhe me të cilat prek zemrën e dëgjuesit. Këtëështë e nevojshme ta arrijë fillimisht vetëm përmes tingullit. Këto karakteristika të radios duhet të mendohen nga secili gazetar apo moderator dhe në çdo komunikim me dëgjuesin. Ato vlejnë për gazetarët e rinj njësoj si edhe për gazetarët e karrierës. Problemet më të mëdha të gazetarëve të cilët para radios kanë ndërtuar karrierën në media të shkruara, apo televizion paraqiten si rrjedhojë e mos përshtatjes së stilit të të shkruarit në radio, krahasuar me mediat tjera. Për gazetarët e rinj problemi kryesor paraqitet në procesin e përsosjes së teknikave të raportimit për të thënë thjesht, shkurt e shqip (për gazetarët shqiptarë) përmbajtjen që jo gjithnjëështë e qartë dhe e kuptueshme për vetë ata. Mendoni sa e kuptueshme do të jetë një përmbajtje të cilën u duhet ta lexoni disa herë para se ta kuptoni plotësisht për një dëgjues i cili u dëgjon vetëm një herë dhe derisa është duke kryer edhe një aktivitet tjetër! Radio sprovon aftësitë e komunikimit që në fjalën e parë që shkruani për transmetim, që nga lajmi e deri te zhanret më të ndërlikuara.
RADIO – MEDIA E ZHANREVE TË VEÇANTA
Radio është media e përshtatshme për zhanret që përcjellin mesazhe të qarta pa dhënë shumë detaje; që përcjellin informacion në çdo fjali; që përcjellin emocion në secilin përshkrim dhe efekt zëri, apo mjedisor; për përgjigje që mbahen mend lehtë; për histori të thelluara, por të shoqëruara me dinamikën që ndërthur stilin e rrëfimit me “mjetet ndihmëse” (efekte, muzikë, zhurma të mjedisit etj.). Radio mbetet media që pranon me lehtësi mënyra të reja raportimi, në varësi të zhvillimeve tekniko-teknologjike. Transformimet e saj të kushtëzuara nga risitë në pajisje dhe në mënyrat e përcjelljes së informacionit, historikisht janë reflektuar edhe në zhanret gazetareske të përdorura prej saj. Në dekadat e para dhe me teknologjitë e pazhvilluara, radio ishte edhe media e zhanreve tradicionale të gazetave. Në vende të ndryshme, radio ka shërbyer edhe për transmetimin e fjalimeve të gjata dhjetëra minuta ashtu si edhe analizave dhe komenteve të lexuara nga një zë i vetëm, pavarësisht nga gjatësia e tyre. Me zhvillimin e mediave të tjera (televizionit) dhe përsosjes së teknologjive, radio është profilizuar si media e zërit dhe tingujve që nuk krijojnë monotoni me gjatësinë e pjesëve foljore. Edhe pse asnjëri nga zhanret tradicionale të gazetarisë, nuk mund të konsiderohet i përjashtuar nga radio, disa prej tyre vlerësohen gjerësisht si më të përshtatshme për specifikat e kësaj mediaje. Përcaktimi për zhanret më të përdorshme në radio bëhet bazuar në karakteristikat e saj si media e sfondit, e afërsisë me dëgjuesin përmes komunikimit të personalizuar dhe si media që prek zemrat, para mendjeve. Si media e sfondit ajo kërkon zhanre që përcjellin informacion lehtësisht të kuptueshëm. Për komunikimin e afërt dhe të personalizuar ajo përzgjedh zhanret që bazohen në biseda kuptimplote dhe me strukturë dinamike. Për të prekur zemrat, asaj i shërbejnë zhanret që krijojnë piktura në mendjet e dëgjuesve, përmes fjalëve dhe efekteve radiofonike. Në epokën e mediave online, secili nga zhanret që do të trajtohen në vijim, i ndihmon radios që të funksionojë si media me përmbajtje që transformohet lehtë nga njëra platformë transmetimi në tjetrën. Lajmet e radios, me karakeristikat e shtjelluara në dy kapitujt paraprak, janë produkt i përshtatshëm edhe për platformën e ueb-it. Njësoj është edhe me raportin, intervistën, reportazhin dhe dokumentarin radiofonik. Edhe në shekullin XXI radio ruan karakteristikat e medias multi (shumë) zhanrore dhe vazhdon të kërkojë gazetarë të vullnetshëm për të sprovuar veten në secilin prej tyre, shpesh njëkohësisht në të gjithë.
RADIO NË “RRJETIN E RRJETEVE”
Interneti ka ndryshuar sistemet e mediave dhe po transformon të bërit gazetari. Në shekullin e teknologjive të reja dhe kalimit në “rrjetin e rrjeteve” (Couldry, 2012), mediat kanë pësuar ndryshime në të gjitha aspektet e zhvillimit të veprimtarisë dhe realizimit të funksioneve shoqërore. Siç vlerësojnë studiuesit, teknologjitë e reja po riformësojnë gazetarinë, strukturën e mediave, mënyrat e përcjelljes së përmbajtjes ashtu si edhe konsumimin e tyre nga audiencat. Pavlik argumenton se këto teknologji po riformësojnë gazetarinë në katër mënyra: • së pari, mediat e reja po transformojnë mënyrën se si e bëjnë punën e tyre gazetarët; • së dyti, mediat e reja po shkaktojnë ristrukturim të organizatave dhe institucioneve gazetareske; • së treti, mediat e reja po krijojnë forma të reja të përmbajtjes mediatike; • së katërti, mediat e reja po çojnë në riintegrimin e raporteve ndërmjet dhe në mesin e gazetarëve, organizatave gazetareske dhe kategorive të shumta të publikut të tyre, sidomos këtyre pesë: audiencave, burimeve, rregullatorëve, financuesve dhe konkurrentëve (Pavlik et Eadie, 2009). Në rastin e radios, kalimi nga mënyrat tradicionale të përgatitjes dhe përcjelljes së përmbajtjes te dëgjuesit, shoqërohet me ndryshime në të gjitha nivelet e raportit të radios me audiencat e saj. Gjithsesi procesi i konvergjencës, nuk e ka dëmtuar radion si media. Edhe në shekullin XXI ajo mbetet pjesë e rëndësishme e ekosistemit të mediave, pavarësisht nëse bëhet fjalë për vende me nivel të lartë të përdorimit të teknologjive të reja, ose vende më pak të zhvilluara ekonomikisht. Karakteristikat kryesore tradicionale të radios, i shërbejnë asaj për t’u transformuar lehtësisht në media të zhvilluar në disa platforma njëkohësisht, duke ruajtur vlerat tradicionale dhe duke kërkuar audienca me mënyra të reja dhe në platforma të reja.
RADIO SI MEDIA SHUMËPLATFORMËSHE
Radio as nuk ka “dalë mode”, as nuk ka kaluar në media që vetëm mësohet në historinë e mediave dhe të gazetarisë. Ajo është media të cilën zhvillimet teknologjike historikisht e kanë ndihmuar që të transformohet. Procesi i përshtatjes së radios me teknologjitë dhe mënyrat e reja të përcjelljes së përmbajtjes, buron nga karakteristikat kryesore të saj. Radio e shekullit XXI, arrin të shfrytëzojë hapësirën e pakufizuar të ueb-it për t’u bërë media edhe më depërtuese tek audiencat, pavarësisht se në shekullin XXI ato janë gjithnjë e më të fragmentuara. Historikisht radio është ngritur si media që kultivon afërsinë dhe krijon intimitet me dëgjuesin. Ajo ka shfrytëzuar teknologjitë e shekullit XX për të zhvilluar afërsinë me dëgjuesit dhe për të mbetur media shoqëruese dhe e sfondit. Këto veçori i ndihmojnë asaj që të ruaj dëgjuesit dhe t’i gjejë ata më me lehtësi në platformat e reja, të ngritura në mundësitë e pakufizuara që ofron periudha e gazetarisë 2.0. Paralelisht me transmetimin përmes valëve, teknologjitë e reja i mundësojnë asaj që të shfrytëzojë platforma shtesë si kanale për përcjelljen e përmbajtjes. Çfarë nënkupton kjo në praktikën e radiove tradicionale, të ngritura vetëm si kanale të transmetimit linear të përmbajtjes? Në nivelin më të thjeshtë, që shumë radio të zhvilluara e kanë kaluar gjatë dekadës së parë të shekullit XXI, kjo nënkupton zhvillimin e faqes së veçantë të radios në internet. Materialet e transmetuara si përmbajtje me zë në programin e radios, përshtaten si tekste dhe arrijnë lexuesit në ueb. Kjo mënyrë e shumëfishimit të përmbajtjes ndikon në: • zgjerimin e audiencave dhe • lehtësimin e marrjes (konsumimit) të përmbajtjes së programit radiofonik. Duke ofruar materialet audio në formën e shkruar, ato arrijnë edhe te kategoritë e lexuesve, të cilët nuk janë dëgjues të programit të radios, por të cilët informohen përmes mediave online. Pra, radio merr karakteristikat e medias së shkruar, përkatësisht të medias së shkruar në linjë (online). Përmbajtja nuk humb cilësitë e saj, përkundrazi, ajo shndërrohet në produkt me vlerë të shtuar, që arrin te më shumë marrës në cilësinë e dëgjuesve, të cilët nuk kanë arritur ta marrin si përmbajtje “me një të dëgjuar” dhe te lexues të rinj në “rrjetin e rrjeteve”. Dëgjuesi i rregullt i radios e ka më të lehtë që të sigurojë përmbajtjen, të cilën eventualisht e ka humbur ose nuk e ka kuptuar si produkt tradicional radiofonik. Si tekst në faqe të internetit, dëgjuesi/lexuesi ka mundësi që t’i kthehet përmbajtjes sa herë që ta vlerësojë të nevojshme. Njëkohësisht, dëgjuesi çlirohet nga lidhja me oraret fikse të transmetimit të përmbajtjes në valët e radios. Kur përparësitë e faqes në internet, shfrytëzohen si mundësi për të shpërndarë paralelisht përmbajtjen audio dhe tekst, atëherë dobia për radion dhe dëgjuesin rritet. Për shembull: dëgjuesi i rregullt tradicional i edicionit kryesor të lajmeve të radios, në ditë të caktuara e ka të pamundur ta dëgjojë emisionin në orarin e rregullt të transmetimit në valët e radios. Nëse edicioni nuk plasohet në ueb, atëherë dëgjuesi gradualisht do të largohet prej tij dhe do të përqendrojë vëmendjen te media të tjera. Por, nëse mësohet me praktikën e radios që pas transmetimit, edicionin ta gjejë edhe online, ai do të vazhdojë ta dëgjojë kur të mundet si podcast, ose të lexojë si tekst lajmet kryesore të nxjerra prej tij. Nga media që transmeton përmbajtje sipas orareve të rregullta, radio lehtësisht shndërrohet në media që përmbush pritjet e qytetarit të shekullit XXI, që përmbajtjen kërkon ta ketë kur të dojë, në cilën formë t’i përshtatet më mirë dhe në cilëndo platformë që ai përdor. Përparësitë që ofron ueb-i, nuk ndalen vetëm te faqja e radios në linjë. Për të përmbushur pjesën e kërkesës së dëgjuesit/lexuesit, radio e shekullit XXI ka mundësinë e ofrimit të përmbajtjes në cilëndo platformë që përdor konsumuesi i saj. Programi i radios përbëhet nga “copëza” programore dhe cilado prej tyre mund të dëgjohet edhe si e vetme edhe në kuadër të strukturës së përgjithshme të programit. Kur përgatiten për transmetim në program, teknikat e të shkruarit dhe raportimit për radio paracaktojnë strukturë që nga fundi mund të pritet kudo dhe të ruaj thelbin e mesazhit. Me platformat e shumta të mediave të reja, të gjitha copëzat mund të përdoren si përmbajtje të veçanta dhe kuptimplote që arrijnë te konsumuesit e përmbajtjes, në cilëndo platformë që ata përdorin, për shembull: në kuadër të programit argëtues transmetoni dy ose tri intervista me këngëtarë, ose sportistë. Brenda një programi ata arrijnë të tërheqin vëmendjen e dëgjuesve aktualë, por jo edhe të të gjithë dëgjuesve potencialë. Pas programit të drejtpërdrejtë, këto intervista do t’ua ofroni të gjitha kategorive të dëgjuesve dhe në sa më shumë platforma. Bazuar në të dhënat statistikore do të dini se cilat rrjete sociale, aplikacione etj., përdoren më shumë në vendin tuaj dhe nga cilat kategori. Kjo do t’u ndihmojë që ofertën përmbajtjesore t’ua përshtatni përdoruesve të platformave përkatëse. Paralelisht me platformat do të përshtatet edhe formati (audio, tekst, video). Konvergjenca e mediave i ofron të gjitha këto mundësi. Intervistat nga shembulli i mësipërm mund t’i ofroni edhe si video të realizuar në studion e programit tuaj. Procesi i konvergjencës së mediave ka zbehur kufijtë dhe ndarjet e mëdha ndërmjet mediave në të kaluarën. Të zhvillosh radio shumëplatformëshe nënkuptojnë zotërimin e sa më shumë teknikave të kombinuara për përgatitjen e përmbajtjes tërheqëse dhe të njohësh platformat e reja si mundësi shtesë për përcjelljen e përmbajtjes tek audiencat.