Si të kuptojmë debatin Rama –Blushi?/
Nga Rafael Floqi/Michigan/ Sulmi Personal ndaj personit dhe jo mendimeve te tij, nuk është një dukurie e re për qeniet njerëzore, dhe raportet me tyre, dhe besoj se është theksuar qysh nga koha, kur “homos politicus” doli në faqen e dheut. Ad hominem (latinisht do te thotë sulm ndaj “të njeriut” ose “sulm ndaj personit” . Ad hominem, është një ide e gabuar logjike me argumente qe synojnë te hedhin poshtë akuzat e një personi, duke sulmuar karakterin, motivimin, apo ndonjë atribut tjetër të personit, duke e bërë atë argumentin e sulmi ndaj vetë atij personi, në vend të paraqitjes të kundërargumentit apo të sulmit ndaj thelbin të vetë argumentit.Njerëzit mund të argumentojnë për çdo gjë. Ata që debatojnë mbi politikën dhe të përpiqen për të gjetur zgjidhje. Ata që flasin për shfaqet në TV apo muzikën, sportin janë ata që duan që të nxisin e të kundërvihen njeri-tjetrit. Diskutimi në vetvete mund të jetë edhe kënaqësi si edhe një mundësi për të mësuar. Debati i shëndetshëm sfidon supozimet tona. Një argument i mirë mund të ndryshojë edhe mendjen tuaj. Shumë njerëz mbështeten në sulmet personale, si një mënyrë për të fituar një argument. Kjo nuk është një argument që të bind, edhe nëse i ve nofka të bukura kundërshtarit. Sulmi personal në vend të një argumenti të vërtetë përcaktohet si argument ad hominem. Ai nuk është arsyeja e vërtetë për të fituar debatin, ai bazohet vetëm në faktin, se kush mund të hedhë baltë më shumë, apo të bëjë maksimumin e ndotjes të tjetrit me akuza. Një argument ad hominem përpiqet të bindë dikë duke e baltosur kundërshtarin. Në fakt, opinionet dhe idetë veçohen e qëndrojnë më vete, pa marrë parasysh se kush i bën ato.Debatet ne parlamentin shqiptar, me këtë nivel që ka arritur, natyrisht janë ekstremisht tej argumenteve të logjikës formale. Por le të vlerësojmë rastin e debatit Rama –Blushi në parlament si debat mes dy njerëzish me dhunti oratorie. Ky është një nga ato raste, kur në Kuvend nuk kishte vetëm një përballje mes Kryeministrit dhe një deputeti, por mes dy ish-miqve që sot nuk ia kursejnë njeri-tjetrit akuzat.Shtatë deputetë të Kuvendit i kishin dorëzuar një kërkesë për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama. Kërkesa ishte firmosur nga Mimoza Hafizi, Dashamir Shehi, Astrit Patozi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Ben Blushi. Deputetët shprehin shqetësimin për shtyrje me afate të panjohura të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe për këtë qëllim kërkonin sqarime urgjente nga kreu i qeverisë. Në emër të deputetëve që përfaqësojnë grupime të ndryshme politike foli në seancë Ben Blushi. Që kur Blushi zgjodhi të ndahej nga Partia Socialiste dhe të krijonte forcën e re politike LIBRA, në Partinë Socialiste ka pasur një urdhër politik të Kryeministrit për të shmangur komentet mbi largimin e Blushit. Strategjia është ajo që PS-ja ka ndjekur sa herë që ka pasur krisje brenda radhëve të saj, të sillej, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Fjalimeve të ashpra të Ben Blushit në Kuvend, Kryeministri Rama u është shmangur vetëm me ndonjë batutë ironike pa e përmendur emrin direkt emrin e Blushit. Por kjo indiferencë në dukje synonte ta nënvleftësonte dhe ta injoronte Blushin. Kështu ai tashmë donte një përballje live me ish-mikun e tij Rama dhe . interpelanca me procedurë parlamentare ia krijonte këtë mundësi. Rama nuk mund t’i shmangej më Ben Blushit, duke lëshuar ndaj tij Taulant Ballën apo zhurmues të tjerë. Kryeministri ishte i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve të deputetit për çështjet e ngritura. Por edhe kësaj here Rama iu shmang thelbit, duke zgjedhur sulmet mbi personin dhe jo argumentet arsyetuese. Akuzat e Blushit qëllonin në një pikë nevralgjike, që krijon një situate sureale në mes të angazhimit, qoftë dhe formal të Ramës dhe qeverisë, me procesin e Vettingut , dhe në kufizimin e propagandës dhe të gjuhës të partisë së tij vetëm në këtë argument, duke mbuluar praktikën e kritikuar nga opozita, të përdorimit të inkriminuarve dhe të ashtuquajturit “kriminalizim” të politikës.Sulmi i Blushit ishte i drejtpërdrejtë, argumentues dhe faktik. Deputeti dhe themeluesi i LIBRA-s, Ben Blushi e akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka mbushur Kuvendin, qeverinë dhe ministritë e tij me njerëz të inkriminuar. Duke folur për personat e inkriminuar, Ben Blushi ka folur vetëm për rastin e fundit, atë që prej 7 muajsh nuk është arrestuar Klemend Balili. Po pse nuk shkarkohet kryetari i inkriminuar i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi , apo si ka mundësi që kryetari i Bashkisë së Durrësit lëshon certifikatë virgjërie për kriminelin autorin e 7 vrasjeve Lulzim Berisha. “Po të marr rastin e fundit Klemend Balili. Nuk qenka urgjencë që ai nuk arrestohet prej 7 muajsh. Çfarë nevoje ka për të përkthyer 10 mijë faqet e DEA-s amerikane. Pse nuk arrestohet? Sepse është i LSi-së dhe nëse ai arrestohet koalicioni cenohet dhe bie. A ka qeveri në Evropë që thotë nëse një kriminel arrestohet na bie qeveria. Kjo është qeveria e Elvis Roshit dhe Kelmend Balilit. Votat e tua nuk mjaftojnë për të të mbajtur në pushtet, këta të sigurojnë vota. Në Shkodër, dihet kush janë kriminelët. Dy prej tyre janë në burg, në Lezhë”, është shprehur Ben Blushi gjatë fjalës së tij në Kuvend.Është fakt, që Rama nuk lëshoi asnjë sqarim në lidhje me argumentin , por përdori një sulm personal duke e quajtur atë “dembel”. Unë nuk di se sa punëtor është Blushi dhe çfarë kupton Rama me “dembel”. Por kjo akuzë nuk thotë asgjë për faktin e akuzës, sidomos në këtë Kuvend ku fjala “kriminel” duket si përkëdheli.
Kur një deklaratë sfidohet, duke bërë një sulm personal ndaj autorit, është e rëndësishme të bësh një dallim, nëse thënia në fjalë, ishte një cilësi e personit akuzues që vë në dyshim akuzën, pra, nëse është një argument, apo një fakt, një dëshmi që e dobëson akuzën. Në këtë rastin e fundit, kredibiliteti i personit akuzues është thelbësor. Të akuzuarit për “dembel” nuk e bën Blushin gënjeshtar, as jo kredibël.Të marrin palën tjetër, Blushi tentoi të prekte nervin, duke e quajtur Ramën “frikacak”, nuk di sa e vërtetë është kjo për Ramën, por të dy ata njihen mirë. Dhe ndoshta, dhe Berisha nuk e akuzon më kot Ramën për një farë paranoje. Megjithatë ekziston një anekdotë urbane, e përhapur nga badigardët e Ramës në kohën kur ishte kryetar bashkie i Tiranës. “Në apartamentin, ku atëherë jetonte Rama, siç ndodh shpesh në Shqipëri, ikën dritat. Ai duhej të shkonte shpejt në një mbledhje. Por “trimi” Edi Rama, nuk zbriti nga pallati, gjersa erdhën dritat edhe pse kishte 4 badigardë”.Këtë paranojë, ndoshta ia di dhe Berisha, ndaj kur Taulant Balla po merrte pozita prokurori, dhe kërcënonte do ta sjell Berishën me policë në komision, i lëshoi një mesazh të koduar, papritur në Top story të Sokol Ballës “duke thënë po të kishte avancuar më shumë në 21 Janar Rama, sonte nuk do të ishte gjallë”. Kjo deklaratë e bërë në këtë kohë, duket si një mesazh i koduar për Ramën. Por le t’i kthehemi debatit.
Rama iu përgjigj Blushit, duke bërë të vetmen referencë për akuzën, duke synuar ta zhvlerësojë atë para shqiptarëve, apo më shumë socialistëve të parlamentit, duke e quajtur kopje të Saliut. Në këtë mes, nëse akuzat e Ben Blushit dhe të opozitës përkojnë, kjo gjë nuk e zhvlerëson akuzën ndaj qeverisë, përkundrazi e përforcon atë.“Nardi e kuptoj që ke të drejtë të zhgënjehesh. Ju mund të çuditeni unë jo. Një pyetje dua t’iu bëj juve dhe atyre që na dëgjojnë. Sikur të mos kishit figurën dhe zërin, çfarë dallimi kishte nga Saliu nga zoti Beni. Saliu ka gjithë jetën që thotë frikacak, por Beni shkoi dhe më përpara. Përdori atë shprehjen jua them unë. Kur i ngecte mendimi bënte e pra, ja pra. Një gjë është për t’u sqaruar. Në fakt dembel i kam thënë vetëm Benit. Të gabosh është njerëzore, të insistosh në gabim është mizore. Këtu prap janë njësoj si Beni si Saliu. Do kishte qenë më mirë origjinali se sa kopja . Reformat tona ia dhanë Shqipërisë statusin”, u mbrojt Rama.Dhe kundërpërgjigja e Blushit u mbështet po, në tre argumente ad hominen , e para, qesharak, e dyta, i bllokuar nga krimi, dhe i paaftë për të qeverisur si edhe një kundërpërgjigje për akuzën ndaj tij si dembel.« Ishe qesharak sot. Çështja e integrimit është themelore dhe nuk dua të humb kohë duke bërë shaka me ty. Integrimi është themelor dhe vetëm një maxhorancë amatorësh mund ta marrë kaq pak seriozisht. Integrimi është bllokuar për shumë arsye, krimi, korrupsioni, varfëria, mjerimi, emigracioni, cenimi i gjykatave nga politika. Çdo qeveri bën një bilanc. Ti ke vetëm bilanc gallatash. Çfarë ka bërë, si e ka gjetur vendin dhe si po e lë? Ka më pak kanabis apo ka më shumë? Ti je totalisht i paaftë për të qeverisur. Aftësia jote është vetëm për të bërë miq si Elvisi, Vangjushi. Ti në fakt, ke shumë probleme po edhe në të gjitha ato bashkë, je dembel dhe nuk ke arritur dot të firmosësh aq shumë shkresa sa të kam shkruar libra unë”.
Në fakt, argumentet e Blushit ishin më racionale. Ai përpiqej që ato të ishin faktike, por përsëri ishin argumente ad hominen, të cilat, sidoqoftë, ftilloheshim me argumente e faktet përkatëse. Nëse Blushi e quan Ramën “frikacak”, kjo nuk ka të bëjë me cilësi personale, por me akuzën se “ai nuk e kap “Escobarin e Ballkanit” pasi bie qeveria, e cila nuk jeton dot pa simbiozën me krimin që e mbart LSI-ja.Në klasat e filozofisë mund të jetë përmendur si një ide e gabuar përdorimi i argumenteve ad hominem, por avokatët të thonë që në një debat, të gjitha mënyrat janë po ashtu efektive. Shumë shembuj të sulmeve ad hominem mund të nxirren nga sallat e gjyqit. Kur një avokat thotë se dëshmitarit akuzues për një plaçkitje nuk mund t’i besohet, pasi a ka gënjyer më parë, kjo është një sulm ad hominem. Por avokatët e përdorin atë, sepse ai punon, se thotë diçka mbi karakterin e personit. Njerëzit, jo gjithmonë i vendosin gjërat me anë të logjikës. Sulmet personale nuk janë argumente logjike. Ta zemë se Blushi me të vërtetë është dembel. E çfarë ka kjo të bëjë me akuzën e Blushit? Asgjë. Nxirrja e figurës të personit me të cilin argumenton dhe kur i vesh atij epitete negative është një dëshmi e një mbrojtje të dobët. Dje Vangjush Dako që ka qenë në qendër të akuzave të Ben Blushit gjatë ditëve të fundit, ka gjetur rastin që t’i përgjigjej ish-deputetit socialist në asamblenë e kësaj partie. Gjatë fjalës së tij, Dako u shpreh se Blushi mori një mandat deputeti në PS “qyl” pa dhënë asnjë kontribut duke shtuar se akuzat ndaj tij vinin pasi nuk i plotësonte favoret që ish-deputeti i kërkonte për njerëz të afërm të tij.”
Doug Walton, një akademik dhe autor kanadez, ka argumentuar se arsyetimi ad hominem nuk është gjithmonë e gabuar, dhe se në disa raste, çështjet e sjelljes personale, karakteri, motivet, etj, janë legjitime për të hedhur poshtë qëllimin, p.sh. kur demaskoni hipokrizinë, dhe veprimet që janë në kundërshtim me fjalët e subjektit.
Duke e parë debatin si një debat mes dy akuzash të dobëta, “dembel” dhe “frikacak” të krijohet ideja e dy ish-miqtë , “mishin ia hanë, por kockën ia ruajnë” njeri-tjetrit. Dhe të forcohet përshtypja e ndonjë teorie konspiracioni, se “Libra” mund të jetë një instrument parazgjedhor i PS-së, dhe se Rama dhe Blushi, përtej hatërmbetjeve janë një. Se Rama po e përdor Blushin, ashtu si Berisha, dikur para zgjedhjeve të kaluara, përdori kuqezinjtë e Kreshnik Spahiut, si një modus operandi, për t’i marrë votat e majta LSI-së.
Dhe po të jetë ashtu, si “frikacaku: dhe “dembeli” s’po bëjnë gjë tjetër, veçse po imitojnë Saliun.