


Bashkatdhetari Ramiz Kukaj është një emër i njohur jo vetëm për Diasporën Shqiptare në Amerikë, por edhe për vendlindjen, për Kosovë e Malësi, veçanërisht për Nënat zemër-Plagë të Gjakovës, gjamën e të cilave u përpoq ta mjekojë me humanizmin e tij dhe të bashkatdhetarëve në Amerikë. Njeriu që grumbulloi 45 mijë dollarë për ato Nëna, ngjalli shpresa dhe nuk e ndjenë veten të braktisura, dikush mendon për to.
Nuk është vetëm kaq, emri i Ramiz Kukaj ka kohë që ka tërhequr vëmendjen e medias prestigjioze amerikane, për aksionin e tij humanitar, por edhe për origjinalitetin se si i shërben ai Kombësisë së vet duke sjellë në Nju Jork traditën në restorantet tipike shqiptare, njërin prej të cilëve-Ç’Ka Ka Qëllue- përveç gatimeve të shumëllojshme e plot shije, e ka kthyer edhe në një Muze Historiko- Etnografik, ku Shqipëria Etnike është e pranishme me shumëllojshmërinë e ekzemplarëve origjanalë të pajisjeve të guzhinës,të zbukurimit të mjedisit të banesës, të mjedisit familjar, të artit,të veshjeve, sende të përdorimit të përditshëm, instrumenteve të vjetër muzikore, fotografi, që ai i mblodhi nëpër trojet shqiptare.
Tashmë askush nuk habitet kur emri i Ramiz Kukaj dhe stafit të tij flasin nga faqet e gazetës prestigjioze The New York Times dhe janë të pranishëm në ekrane televizive dhe gazetave shqiptare dhe Amerikane.
Ramiz Kukaj nuk mund të rrinte jasht fushatës së 110 vjetorit të gazetës DIELLI, jo vetëm prej shpirtit të tij bujar, por edhe pse ai e vlerëson Historinë tonë si pasuri Kombëtare, siç është edhe gazeta Dielli, më e vjetra e botës shqiptare. Ne nuk i trokitëm në derë Ramiz Kukaj për të kërkuar, jo, ai na thirri vetë. Falenderimi në këtë rast është i shumfishtë. Shpirti bujar i shqiptarit fisnik!
Falenderimi është pak!