Shkruar nga Pierluigi Battista/Përktheu për Dillen: Eugjen Merlika/ Në zemrat e adhuruesve të tij të Perëndimit Fidel Kastro nuk ishte një qënie njerëzore me mish e kocka, por një mit, një idhull, një figurë ëndërrash. Ishte Utopia e Karaibeve, Rousseau në fuqi, poezia e socializmit tropikal, fantazia e “njeriut të ri”, që mishërohet mes ujrave të koraleve dhe rërës së bardhë. Ishte kufiri i ri i një ëndrre revolucionare tërheqëse dhe gazmore, jo zymtësia e kobshme e kazermës sovjetike e dalë nga miti, apo asketizmi monastiror i varfërimit të përgjithshëm maoist. Thonte Alberto Ronchey se Kastro “nuk shkruan, mban fjalime të gjata në të cilët shkrin mendimet e problemet. Nuk i beson pothuaj asnjëherë mjetit gutenbergian, i le të rrjedhin fjalët me tingujt e tyre”. Fjala e shkruar i ngrin mendimet, i bën të maten me ashpërsinë e së vërtetës. Romantizmi i kastristëve nuk përfill realitetin. Lihet të përqafohet nga rrjedhja hipnotizuese e fjalëve. Po të matej me realitetin do t’ishte i shtrënguar të zbulonte se socializmi i Tropiqeve ishte një burg nën qiellin e hapur dhe ekzotizmi një perçe për të fshehur mizoritë e diktaturës.
Shkrimtarët dhe intelektualët që janë kapur nga fantazia kastriste e kanë mënjanuar realitetin për të adhuruar mitin e tyre. Disidentët në burgje janë bërë të paqenë. Të arratisurit që, madje, kishin qënë në krah të Fidel Kastros, në kohën e Sierra Maestras, ishin lënë në një qoshe. Carlos Franqui, një revolucionar i madh që nuk ka patur të drejtë të mos ishte në një mëndje me shtërngesat përndjekëse të regjimit, u detyrua të mërgojë e në rrethet përparimtare të botës u zhduk emri i tij (vetëm socialistët e Betino Kraksit dhe Radikalët n’Itali janë kujtuar për të). Gabriel Garcia Marquez, Susan Sontag, Jean-Paul Sartre e të tjerë më pak të njohur, nderoheshin në manifestimet e Havanës, por nuk harxhuan asnjë fjalë solidariteti për shkrimtarët e përndjekur. Shkruante Hans Magnus Enzensberger, i cili bënte pjesë në sërën e dëndur të “pelegrinëve politikë”, që e kishin zgjedhur Kubën si synimin e privilegjuar të turizmit revolucionar : “Në Havanë takonja disa komunistë në hotelet e të huajve që nuk kishin as më të voglën ide se në lagjet e puntorëve popullsia duhej të mbante rradhën dy orë për një copë picë, ndërsa turistët në dhomat e tyre diskutonin mbi Lukasc-in”. Kur një i burgosur politik, Orlando Zapate Tamayo, vdiq në burg mbas 85 ditësh greve urije për të protestuar ndaj kushteve çnjerëzore në të cilët regjimi i Kastros i mbante kundërshtarët e tij, asnjë fjalë mëshire nuk u ngrit nga përkrahësit e ekzotizmit socialist në Kubë. Më 2005, në fund të një gjyqi farsë, nga ata me të cilët diktaturës i pëlqente të kryente “spastrimet” e saj, grupet e sejmenëve të regjimit e kaluan natën duke rrahur gjithë disidentët që protestonin. Gianni Vattimo pati paturpësinë të shkruante se “populli i zemëruar nga vepra tradhëtie kaq të pacipa, ndërhyu me shprehjen e zjarrit atdhetar”. Asnjë n’Itali nuk u revoltua për këto poshtërsi.
Rreth figurës së Kastros, ndërmjet intelektualëve, artistëve, shkrimtarëve, u krijua një rrymë mrekulluese që shumë shpesh ngjyente pendën në retorikën e sprovuar të kultit të personalitetit. Për Sartr-in Kastro e Che Guevara, të lëshuar drejt parajsës së socializmit për t’u sendërtuar, ishin gjithmonë zgjuar e në gatishmëri : “Fjetja ishte për këta njerëz një zakon nga i cili, pak a shumë ishin çliruar”. E diçka nga kjo pagjumësi revolucionare duhej t’ishte e vërtetë, mbasi edhe vetë Paolo Spriano, gjatë një udhëtimi në Kubë, në të cilin madje nuk kurseu shprehje kritike të tërthorta për një revolucion, në të cilin Internacionalja po “kthehej në një ritëm vallzimi”, kishte shkruar : “Këtu nuk fle asnjëri, thuhej”. Në epopenë kastriste janë për t’u mbajtur mënd filmat e propagandës së Michael Moore, intervistat e pafund të Oliver Stone e të Gianni Minà në të cilat Kastro mund të shfrente në tubimet e tij lumore, Norman Mailer që shihte tek Kastro “vërtetimin se ka heronj në botë”, “rrjedhjen e jetës në damarë”, “a thua se fantazma e Cortes-it ishte dukur në shekullin tonë, duke kalëruar mbi kalin e bardhë të Zapatës”.
Po e vërteta ? Nuk duhej t’ekzistonte. Nëse burgosej si kundërevolucionar poeti Hebert Padilla, që për t’u liruar duhej të nënëshkruante një “rrëfim”, në të cilin pranonte se kishte patur pjekje me K.S.Karol, një komunist guximtar e i ndershëm që padiste hapur përndjekjen e regjimit, shkrimtari Garcia Marquez nuk hiqte dorë nga ceremonitë e tij me Kastron. Edhe se dënonin me 19 vjet burg Armando Valladares, apo regjizorin Amaro Gomez, të dënuar me tetë vjet burg sepse kishte gjetur një kopje të Arqipelagut Gulag të Sollzhenicinit. Dhe nuk ekzistonin as në mit ”maricones”, homoseksualët “imoralë” të mbyllur në kampet e punës së detyruar, të pagëzuara nga fantazia guevariste Njunp, Njësi Ushtarake të Ndihmës së Prodhimit. Miti kastrist nuk lejonte pretime të tilla të bezdisëshme të së vërtetës. Hasta siempre. (Gjithmonë me fitore).
Marrë nga “Corriere della Sera”, 27 nëndor 2016
Shënim i përkthyesit
Sot, më 30 nëndor, po i njëjti autor boton një shkrim tjetër të titulluar “Një arrogancë prekëse që nuk mund të ngadalësojë një proçes të pakthyeshëm”.
Njoftimi i gazetës, nëpërmjet gazetarit të mirënjohur Pierluigi Battista i referohet këtij fakti :
“Gazetares sonë, Sara Gandolfi, autoritetet kubane i kanë mohuar vizën si gazetare. Thonë autoritetet se mohimi është një formë ndëshkimi për informacionin “jo të barazpeshuar” që Corriere ka dhënë në këta vite mbi Kubën. Mund të qëndrojë në Havanë, por si turiste.”
Pa sjellë gjithë komentin e sotëm po mjaftohem me këtë fragment nga shkrimi :
“Sot Kuba, mbas vdekjes së Fidel Kastros, është në qendër të një vëmëndjeje mediatike dhe ndërkryerja për kontrollin dhe veçimin e virusit të informacionit merr vështrime që mund të kalojnë kufirin e paranojës, me dyshimin se mbas çdo kompiuteri fshihet një rrezik, një armik, një “sabotim”. Historia e informacioneve “jo të barazpeshuara” nuk qëndron në këmbë. “Jo e barazpeshuar”do të thotë thjesht jo e njëjtë, jo e gatëshme për të injoruar hijet. Mbi të gjitha për të mos mbajtur parasysh teknikat e makinës shtypëse që regjimi kastrist ka lubrifikuar në këta dhjetëvjeçarë kundër vetë qytetarëve të tij….”
“Nuk do të jetë një vizë e munguar t’i ndalojë Corriere della Serës dhe gazetarëve të saj për të zhvilluar punën e tyre. Me skrupull. Si gjithmonë.”
Kjo është Kuba e sotme, një Vend kundrejt të cilit në vitin që po mbyllet ka patur një “hapje” të konsiderueshme nga SHBA dhe Vatikani. Ndryshimet në këtë Vend janë më shumë të karakterit ekonomik por, sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, lehtësimit të “luftës së klasave” kubane, lirimit të të burgosurve politikë e masa te tjera të kësaj natyre, përparimi është tepër i ngadaltë. Në këtë drejtim udhëheqësi i vdekur para pak ditëve ka qenë një pengesë e madhe e shpresa mbetet në premtimin që vëllai i tij, Raul Kastro, udhëheqësi aktual i Kubës, ka shprehur duke paralajmëruar se nuk do të ketë një mandat të tretë të tij në drejtimin e Vendit.
Episodi i gazetares italiane nuk është i vetmi në panoramën mediatike të Havanës së këtyre ditëve. Fatin e saj e ka pësuar edhe i dërguari i së përditëshmes gjermane Bild, Peter Tiede dhe dy gazetarë të një televizioni argjentinas. Protestave të tyre autoritetet kubane i u përgjigjën me shprehjen :”Një dhunim i shëmtuar i lirive të shtypit ? Ky është mendimi juaj prej perëndimorësh”. Një vëzhgues i paanshëm dhe i vjetër i marrëdhënieve mes botës komuniste dhe botkuptimit të lirë të shoqërive perëndimore, gjatë dhjetëvjeçarëve të shkuar, do të shprehej kështu : “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, duke perifrazuar titullin e famshëm të romanit të Remarkut. Ndryshimi qëndron se gazetarët mund të qëndrojnë si “turistë” në Kubën e zisë 9-ditore për vdekjen e Fidelit. Edhe ai është një farë përparimi, në krahasim me kohën kur nuk lejoheshin të hynin, apo përcilleshin në aeroport, mbasi kishin kaluar disa orë në zyrat e organeve të policisë politike e kishin dorëzuar gjithë materialet e regjistruara.
Ndoshta këtë shpejtësi breshke në reformat e kuptoi, pak me vonesë, edhe presidenti Obama, që vendosi mos të përfaqësojë Vendin e tij, në nivele të larta, në ceremoninë mortore të diktatorit të Kubës.
Dhjetpor 2016 Eugjen Merlika