Në kuadrin e artikullit “Invazioni sllav në Ballkan sipas një autori rumun”, kuptojmë se kur vdes një rumun në Luginë të Timokut (që shtrihet tejmatanë Kosovës dhe Toplicës e Nishit), që të mbrohet nga serbët edhe në botën tjetër, pranë kufomës, plakat e fshatit i venë në arkivol edhe një shkop druri. Ja kombi i shqipeve ku defilon Fryma e Shenjtë e udhëhequr nga Fjala e Perëndisë, dhe e ngushëlluar nga e Vërteta Hyjnore që erdhi të mbjellë në zemrat e shqipeve farën e mirësisë!/
Nga Baki Ymeri /
Në fillim të vitit, njerëzit duan të dinë çka i presin në 52 javët e ardhshme, deri në vigjilje të Festave të dimrit (2013). Lexuesit tanë i intereson se ç’kemi bërë gjatë vitit që shkoi, sidomos kur vjen fjala për botime ku defilojnë kultura, historia dhe mirësia. Vlen të ripërkujtojmë faktin se këtë farë të mirësisë e mbollën për herë të parë në Bukuresht dhe Konstancë bijtë e pavdekshëm të Rilindjes sonë. Vepra e tyre, kushtrimi për atdhetari dhe qytetërim, si dhe zëri i viktimave të Dardanisë, na ftojnë ta shpiem më tej dritën e shenjtë të atdhedashurisë shqiptare. Kështu, falë përkrahjes së Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës, gjatë vitit të shkuar e panë dritën e botimit tre numra të revistës Kosova me nga 50 faqe në kolor, si dhe suplimenti Kosova letrare. Faktikisht, për herë të parë kjo revistë filloi të dalë më 25 maj 1932, në Konstancë të Rumanisë. Ishte revista e parë e diasporës shqiptare kushtuar Kosovës, historisë, kulturës dhe afirmimit të saj në botë. Themelus dhe drejtor i saj ishte patrioti korçar, Gjergj Bubani. Cila është përmbajtja e numrave të fundit?
Në faqen e parë (Kosova nr.6-8/2012), botohen fotografitë e Nikolla Naços, Asdrenit, Viktor Eftimiut, Xhelku Maksutit dhe një tjetër me shqiptarët e Rumanisë në marshin e solidaritetit me NATO-n dhe Kosovën (31 mars 1999). Pason artikulli “Masakra serbe kundër Kosovës shqiptare”, kushtuar Sadik Ramës nga Gjurgjeviku i cili qysh para 80 vitesh militonte për pavarësi dhe bashkim kombëtar: “Nuk e shes atdheun me pare. Sikur me ma mbushë kët kullë plot me flori nuk bahem serb; por ikni e shkoni kah jeni ardhë, se Kosova asht nji tokë arbnore dhe ka me fitue independnecën“. Pas faksimilit të artikullit “Albanezii sunt mandria Balcanilor” (Shqiptarët janë krenaria e Ballkanit), polemikë e autorit të këtij shkrimi me Veljko Kovaçeviqin, korrespondent i ambasadës jugosllave në Bukuresht (1992), botohen disa reçensione nga krijuesit rumunë kushtuar poetëve tanë nga Kosova, një fotografi me Zonjat Clinton dhe Jahjaga, një faksimil i artikullit “Kosova, kontinuitet i territorit etnik shqiptar”, botuar në gjuhën rumune në gazetën “Interesul Public” (17 mars 2008), studimin e Brahim Avdylit “Serbët, Serbia dhe Kombi Shqiptar”.
Pason një rubrikë me polemika, si dhe disa foto të motshme e të reja (Manastiri i deçanit me popullsi shqiptare, Këshilli Kishtar i Patrikanës së Pejës me shqiptarët ordodoksë, ballina e revistës Kosova kushtuar Dr. Xhelku Maksutit, një ballinë tjetër e Kosovës me ishpresidentin e Amerikës Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, Godina ku ka funksionuar shtypshkronja e parë shqiptare në Bukuresht (1886), Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Rumanisë në Snagov (1933), Kujtime nga Ambasada e Shqipërisë në Bukuresht para disa vitesh, me ambasadorin Fran Zef Çukaj në mes, Kosova dhe Shqipëria në Brailë (2010), faksimile të artikujve në gjuhën rumune “Kosova është vatra antike e kombit shqiptar” (1999), “Çka dinë rumunët për shqiptarët e Kosovës”, “Një rumune në Parlament mashtron etninë shqiptare”, “Komuniteti shqiptar mbron prestigjin dhe të drejtat kushtetuese”, “Minoriteti shqiptar i fyer dhe i shpronësuar në dhomën e Deputetëve” (2001), ballina e revistës arumune “Albania” etj.