• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRISHËSIT E IDILËS

April 6, 2014 by dgreca

(Apologji për status-quonë e lumtur)/

Nga Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

1.I vjetër sa bota është fenomeni i korrupsionit që dikur, në Europën feudale, ishte legal: dinjitarë mbretnorë nëvojisnin donacion shtesë për stilin e jetës oborrtare, pastaj titullarë politikë për të sprapsur e dobësuar kontrahentët, kurse shërbyes diplomatikë për finesat e zejes së hollë! Po tani, në kohën që jetojmë, përpetuimi i tij kërcënon rrënueshëm shoqëri e kombe të paarrira, gjithandej rrokullisë.Mësohet se Agjencia antikorrupsion i paskësh dërguar institucioneve kushtetuese një referim për këtë damkë që, tashmë, ka marrë statusin e përtrirë sistemor mesjetarë në Kosovë. Janë paraqitur dhe instanca të tjera që zotohen ti kenë shpallur besatueshëm luftën e shenjtë. Latinët e lashtë, ndërkaq, si për të provuar ligështinë njerëzore, thoshin se pikërisht mamuthëria shtinjake e këtyre organizmave të posaçëm e kotnarë, është dëshmia e shëmtuar e disfatës dhe hipokrizisë. Natyrisht, rrënja e saj ka dhe faktorë të tjerë përlindës, por, ndryshe nga disa vënde, Kosova nuk përjetoi, së paku, “efektin Habsburg” që t’ndikonte vetëfrenimin e përgjegjshëm të njerëzisë ndaj prirjes së egër për të shkallmuar, pa asnjë keqardhje a drojë, interesin e lartë publik.

2.Ishte i madh numri i shenjuar dhe, poaq, i lartë e i vranshëm rangu i tyre. Aderojnë aty, krenisht, plutokratë të të gjithë proveniencave, po që i bashkojnë tri postulate unike: bëhen të kamur pas pushtetzënjes, mandej dorëvënja në pasurinë e përbashkët dhe, së mbrami, ngazëllimi arrogant që shoqëron kryerjen e veprës madhnore.

Dhe tani, njëmend, Republika e re ka rënë, si rrallëherë, në pikë të hallit. Ligjzbatimi i rreptë (po hamendësuam atë) do të shkaktonte vakum të gjatë e dramatik qeveritar dhe, poashtu, rënje zinxhirore ndër kierarkë vernilë, grykës e të pafund. Përse? Sepse nuk janë kurthuar në leqet e krimit vetëm ata që kanë kapur fronin, por dhe ata të cilët livadhisnin aty tash 15 vjet. Ku të marrin, pra, elektorët e shkretë, të tjerë që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre? Ngado që të kthejnë sytë, të njësojtë e jo më të mirë, do tu dalin përpara me përgjerimin mashtrues për t’ua rrëmbyer votën e dlirë, e bashkë me të, ardhmërinë e fëmijëve të tyre: të majtë e të djathtë, pushtetarë e opozitarë. Alternanca e legjislaturave s’do ishte veçse një transfer i vesit dhe instrumenteve shpërdoruese tek titajt e rinj, ujqërisht t’uritur.

Madje, do t’ishte gati një mision i pamundur dhe komponimi i një qeverie të përqendrimit kombëtar e moral, nga personalitete të komunitetit ekspertiv ose akademik. Ata (hiq përjashtimet e arta ndër ta e në personelin politik) duken, mbase, pjesa vitale e zezonës. Kanë humbur, qëmoti, mbrojtjen natyrale të racës para mësymjes magjike të parasë së pistë. Që këndej, të rekrutuar në këtë eshalon, ngjajnë të jenë pikërisht këta fatpajtuesit, revoltmbytësit dhe gatitësit e vërtetë të shpirtërave nënshtrimtarë.

Tutje dhe media, nga anë e saj, graviton klientelisht e përbetueshëm në arenën e goditjes së të mirës së përgjithshme. Një president amerikan pat thënë se po të rastiste të ndodhej në dilemë për të zgjedhur midis një situate pa qeveri ose pa shtyp të lirë, sigurisht pa hezitim, do të zgjedhja të parën. Ndaj, që e keqja të shpalosë fantazinë e saj, në Kosovën e “vakumit” funksionues, do të mungonte, prandaj, si tash kahmot, edhe ajo që trembte më shumë amerikanin e bekuar: mosqenia e shtypit të lirë. Rrjedhimisht, ndonëse Europa përherë e më tepër formësohet në inkarnim universaliteti, kartelat  e nëndheut dhe klanet familjare, kanë ngujuar Kosovën në geto të errtë, kurse qytetarët, të shquar për dëgjueshmëri civile, janë shndërruar në alienë socialë e kulturorë të fundmë të saj.

3.Mirëpo, me sa duket, do dridhet mali kot. Çdo krizë sociale a politike, derivon nga një krizë paravajtëse etike. Rrethi i mëndjes mediokre dhe zemrës së ligë (si do të pohonte Mandela), sikur mbyllet pothuajse krejtësisht. Është aventuroze të rrekesh për të gjetur një titullar me etikë, që t’kishte të drejtën për të ndjekur e ndëshkuar një tjetër pa këtë virtyt themeltar në punët e shtetprimjes. Janë ngjizur e gjallojnë të tërë sipas njëj kodi rendesh të fshehta mafiokratike. Po rrokullima s’ka të ndalë. Cënohet jo vetëm interesi e gjeni identitar popullor, por (si raportonte paracakohësh një komision i veçantë i Kombeve të Bashkuara) vetë sovraniteti shtetëror. Dhe ç’humbëtirë veç të mendosh sa lehtësisht e rrëzueshme është kjo vetëjetesë e brishtë e Kosovës së nëpërkëmbur!..

Porse njeriu shqiptar, megjithatë, s’ka pse të merakoset. Është vetë ai, e askush tjetër, që ka përligjur murtajën. Siç është e ditur, relatorë të huaj të temës i rezervojnë prore landeve shqiptare një nga vëndet e para në tabelën e mbarëbotshme të korrupsionit. Mirëpo, për çudinë e Zotit, një palë të tjerë, tani nga ata që hulumtojnë gjëndje shpirtërore kolektive, i ngrejnë poashtu sipër shqiptarët: shprehen të jenë ndër më lumnorët në botë. Rezulton, kështu, që as fenomeni gërryes e as raporti spektakular për krusmën e tij, nuk i deprimon fare, e aq më pak i përnxitë aktivisht për të lëvizur një ag të bukur pikën e vdekur. Bashkëjetojnë të realizuar edhe korruptanët e shumtë si krimbat, edhe kurrizthyerit e demosit miturak…

Po kush ka tagër, aherë, ta prishë këtë idilë të cilën e lakmojnë ethshëm të gjithë? Kush, kush? Prishësit e saj (ndonjë krah politik vetmitar a humanist i rrallë i fjalës fshikulluese, të epërm e të parakohshëm) do përfundojnë në kundërvënës të dredhës së pangjashme të historisë dhe, gjithësesi, të kombit që dhelet rehatshëm nga puhizë e harmonisë!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: RexhepPRISHËSIT E IDILËS

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT