-RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË GJERMANI-
Rifat Hamiti pedagog, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, historinë e mësimit të gjuhës shqipe, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Gjermani nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Rifat Hamitin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
HISTORIA E MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË GJERMANI
Organizimi i mësimit plotësues në Gjermani daton që nga viti 1975, me shkollën e parë shqipe në qytetin Euskirchen (lexo Ojskirchen) Landi, apo siç thuhet në gjuhën shqipe Republikën e Vestfalisë së Rajnës Veriore (NRË), me mësuesin Faik Mehmeti. Tani në këtë shkollë mësimin e mbanë mësuesja e vyeshme dhe e përkushtuar sa e si duhet, Etleva Mançe. Në vitet në vazhdim u hapen edhe disa shkolla të tjera, por jo edhe sa duhet,jo edhe në proporcion me numrin e fëmijëve shqiptarë, me që në atë kohë ky lloj mësimi mbahej në kuadër të marrëveshjes ndërshtetrore në mes të ish Jugosllavisë dhe Gjermanisë. Për këtë arsye shkollat me mësim plotësues në gjuhën shqipe hapeshin shumë vështirë, sepse këtë e diktonte qëndrimi hegjemonist ndaj shqiptarëve i përfaqësive diplomatike të ish-Jugosllavisë. Atëkohë kuadrin arsimor me konkurs e përzgjidhte dhe emëronte, me mandat katërvjeçar, Komiteti për Arsim i Krahinës Autonome të Kosovës. Një kohë nga viti 1992 e deri në çlirimin e Kosovës, kuadrin arsimor, në vendet ku e finansojnë mësimin plotësues e zgjedhnin organet arsimore gjermane me ndërmjetsimin e KASH-it dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës. Vitet e fundit kuadrin arsimor, në republikat ku finansojnë këtë mësim e caktojnë ekskluzivisht organet arsimore gjermane, kurse në republikat tjera e zgjedhin perfaqesitë tona diplomatike në bashkëpunim me prindërit. Falë kërkesave të shumta të prindërve shqiptarë, me punë të „përkohëshme“ në Gjermani, te organet tona në Kosovë dhe te pala gjermane edhe pas presionit të organeve gjermane te përfaqësitë diplomatike të ish Jug. në vitet 1985-86 u hapen edhe disa shkolla të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në disa qytete më të mëdha të Gjermanisë Federale. Shkolla me mësim plotësues në gjuhën shqipe në qytetin e Düsseldorfit u hap në vitin 1985, me mësuesin, tani të ndjerin, Pal Përgjokaj. Kontribut të madh në hapjen e shkollës me MP në Düsseldorf dhanë prindërit, por edhe Klubi i Shqiptarëve nga Jugosllavia Emin Duraku, i themeluar në vitin 1978, i cili klub ishte përherë në anën e kërkesave legjitime për Republikën e Kosovës dhe në konflikt të vazhdueshëm me Konsulatën ish Jug. në Düsseldorf. Unë erdha në Düsseldorf, në shtator, kurse punës ia fillova në tetor të vitit 1989. Mësimin shqip e gjeta të konsiliduar, por me një numër shumë të vogël të nxënësve, gjithsej 36. Arsyet ishin nga më të ndryshmet si objektive ashtu edhe subjektive. Pas një pune më intensive me prindërit dhe gjithë bashkatdhetarët në këtë qytet, pas një viti shkollor numri i nxënësve arriti në 120.
DY MONOGRAFI PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE
Shtimi i vazhdueshëm i numrit të nxënësve, në vitin shkollor 1993/94, kushtëzoi angazhimin për mbajtjen e mësimit edhe të mësueses Nexhmije Hamiti, në Düsseldorf dhe në shkollën e posahapur në qytetin e Neussit( lexo Nojsit), qytet afër Düsseldorfit. Deri në momentin kur ne u pensionuam, në mbarim të vitit shkollor 2016/17, kjo shkollë, si për nga numri i nxënësve, si për nga aktiviteti mësimor e jashtëmësimor ishte shkolla më e mëdhe jo vetëm në Gjermani, por edhe në gjithë mërgatën shqiptare. Për punën e vet kjo shkollë ka nxjerrë dy monografi. Të parën Horizontet e Diturisë“, me autor Nuhi Bytyçin e Rifat Hamiti me rastin e shënimit të 10 Vjetorit të punës arsimore të kësaj shkolle.Kjo ishte edhe momografia e parë në gjithë hapsirën e mërgatës shqiptare, e cila shërbeu si udhërrëfyese e hartimit të shumë monografive tjera të Shkollave shqipe në Gjermani e shtete tjera të Europës. Në vitin 2010, kjo shkollë nxorriedhe monografinë e dytë, me autor Çerkin Bytyçin „ Urë Atdheu“, e cila u promovua me rastin e shenimit të 25 Vjetorit të punës së kësaj shkolle. Vitet e mëpastajme të punës sonë (2010-17), kur edhe u pensionuam, e që në bankat shkollore lamë mbi 320 nxënës e nxënëse dhe Këshilla të Prindërve shumë aktiv e të përkushtuar për ta mbështetur e përkrahur Shkollën shqipe, me siguri do të botohen në një monografi të re, apo si aneks i monografisë ekzistuese. Në pension shkuam të lumtur që arritëm të lëmë si trashëgimtarë të punës edukativo-arsimore tri mësuese nga Shqipëria londineze.
KËSHILLI I ARSIMTARËVE SHQIPTARË
Shtimit të numrit të nxënësve në të gjitha shkollat ekzistuese dhe hapjes edhe të shumë shkollave tjera në gjithë Gjermaninë i kontribuoi sidomos formimi i Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë(KASH) Naim Frashëri në Gjermani, me 14.shtator të vitit 1990, hartimit te Statutit dhe regjistrimit të këtij këshilli tek Gjykata Ekonomike, në Düsseldorf, me që unë edhe u zgjodha për drejtimin e këtij institucioni për katër vitet e ardhme, si inicues i themelimit të tij së bashku me dy kolegët tjerë, Sami Thaçi e Sejdi Gashi. Me këtë akt juridik, mësimi plotësues shqip dhe Shkolla shqipe në Gjermani u shkëput nga tutola (mbikqyrja) e mësimit plotësues nga ish-Jugosllavia. Kjo datë merret edhe si datë e Pavarësimit të Shkollës shqipe në Gjermani. Themelimi i KASH-it ndikoi në shtimin e besimit dhe mbështetjes së mësuesve dhe Shkollës shqipe, në përgjithësi nga ana e bashkatdhetarëve. Deri në këtë kohë për mësuesit kishte ngapak paragjykime, se po dërgohen nga sistemi, si të rekrutuar, e në fakt nuk ishte ashtu, prandaj prindërit edhe hezitonin t’i dërgonin fëmijët në shkollën shqipe, pa përjashtuar edhe vetëdijen e ultë të tyre për rëndësinë e të mësuarit të gjuhës amtare. Themelimi i KASH-it ndikoi dukshën në hapjen e shkollave të reja dhe shtimit të numrit të nxënësve e rrjedhimisht edhe të mësuesve në gjithë Republikën Federale të Gjermanisë. KASH-i, që në fillim të punës së tij u mor me hartimin e planit dhe programit mësimor-kurrikulës dhe me përzgjedhjen e materialeve mësimore, nga tekstet e mësimit të rregullt në trojet shqiptare në Ballkan( Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni), meqë deri në këtë kohë ekzistonte vetën një tekst për mësimin plotësues, por në të cilin tekst nuk kishte asnjë njësi mësimore me përmbajtje kombëtare shqiptare. Objektiv në përzgjedhjen e materialit mësimor ishin njësitë mësimore me përmbajtje kombëtare, nga lëmi i gjuhës dhe letërsisë, historisë, gjeografisë dhe kulturës e traditës kombëtare, por të zhveshura nga ideologjia komuniste. Më vonë u hartuan një mori tekstesh nga ne vetë arsimtarët, në bashkëpunim me Dr. Shefik Osmanin nga Tirana dhe nga hartues të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria. U hartua edhe Abetarja e parë për nxënësit në mërgim, autorë të së cilës isha unë dhe dy mësuesit e lartëpërmendur dhe të cilën Abetare unë ua dërgova edhe mësuesve në Amerikë. Në vitin 1994 një plan dhe program, bazuar edhe në planin e mëparshëm u miratua një plan edhe nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës. Janë realizua edhe projekte tjera në hartimin e teksteve mësimore veq e veq nga shtetet tona, e tani eshtë në realizim e sipër Projekti i hartimit të teksteve të përbashkëta nga dy shtetet tona Sot ekziston një kurrikulë e përbashkët për të gjithë mësuesit në mësimin plotësues, e miratuar nga dy Ministritë e shteteve shqiptare, Shqipëri e Kosovë. KASH-i gjatë gjithë kohës luajti dhe vazhdon të luaj një rol të rëndësishëm në funksionimin e Shkollës shqipe, konsolidimit të saj, zgjërimit të rrjetit shkollor, shtimit të numrit të nxënësve, organizimit të aktiviteteve të shumta jashtëmësimore, unitetit dhe ngritjes pë kuadrit arsimor, madje edhe të vetdijësimit të prindërve për rolin dhe rëndësinë e Shkollës shqipe. Në vitet e paraçlirimit nga zgjedha sllave, KASH-i ishte organ profesional, që juridikisht ndërmjetsonte dhe koordinonte punët arsimore në mes të Organeve Arsimore të Gjermanisë dhe Ministrisë së Arsimit të Qeverisë së Përkohëshme të Republikës së Kosovës. Sot ai ka rol profesional dhe bashkëpunon ngushtë me Ministritë e Arsimit dhe ato të Mërgatës të të dy shteteve tona.
MËSIMI PLOTËSUES PËR TË GJITHA GJUHËT E MINORITETEVE
Mësimi plotësues për të gjitha gjuhët e minoriteteve, pra edhe për gjuhën shqipe, që nga fillimi e deri në vitet 1992/93 është organizuar në të gjitha Landet(Republikat) e Gjermanisë Federale.Vitet e fundit shteti Gjerman në shumë Republika (Lande) e ka suprimuar fare këtë lloj mësimi plotësues për të gjitha nacionalitetet, kurse dy Republika e kanë reduktuar dukshëm, duke u mundësuar pjesëmarrje në mësimin plotësues vetëm fëmijëve të klasëve 1-4. Për të mirë prin Republika e Ëestfalisë së Rajnes Veriore, me 18 milon banorë dhe me kryeqytet Düsseldorfin, e cila jo vetëm që i jep hapsirë të madhe këtij mësimi, përfshirjes së fëmijëve prej klasës së 1-10, por edhe e paguan kuadrin arsimor, e kontrollon, e mbikqyrë, i mundëson ngritje profesionale dhe e trajton si kuadër të vetin. Kohët e fundit po bëhen përpjekje për të konsoliduar sërish mësimi plotësues edhe në ato lande ku tanimë pala gjermane nuk organizon e as nuk finanson. Kontribut në këtë drejtim po japin Ministria e Arsimit,Shkencës e Teknologjisë, Ministria e Diasporës së Kosovës, Ministria e Arsimit e Shkencës së Shqipërisë, Përfaqësitë Diplomatike të Kosovës e Shqipërisë në Gjermani si dhe prindërit që jetojnë e veprojnë këtu. Mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Gjermani është pjesë integrale e Sistemit edukativo-arsimor të Republikës së Kosovës dhe i Republikës së Shqipërisë. Megjithatë baza materiale përcakton fatin dhe perspektivën e mësimit plotësues gjithandej ku vendet nikoqire nuk finansojnë mbajtjen e mësimit plotësues. Të gjithë e dimë se Kosova dhe Shqipëria në këtë moment i kanë mundësitë e kufizuara finansiare,
ASPEKTE DHE VEÇORI TË MËSIMIT PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE
Mësimi plotësues që vitet e fundit emërtohet mësimi i origjinës në të gjitha shkollat në Gjermani mbahet në orët e pasditës. Nxënësit pjesëmarrës në mësimin shqip, paradite ndjekin mësimin e rregullt në gjuhën gjermane, kursepasdite, njëherë në javë 3-5 orë marrin pjesë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Ndarja e nxënësve nëpër klasë bëhet kryesisht sipas parimit klasët 1-4 dhe 5-10, por edhe kombinime të tjera, varësisht nganumri i nxënësve, fleksibiliteti i mësuesit/mësueses dhe marrëveshjes me palën gjermane. Pra për secilin grup parashihen 3-5 orë mësimore. Siç shihet klasët janë shumë heterogjene, me nivele të ndryshme moshe, me aftësi të ndryshme psiko fizike, me kompetencë të ndryshme gjuhësore etj. Ky heterogjinitet i nxënësve, kushtëzon edhe specifikën në procesin e mësimdhënies, kërkon një përgatitje të mirë didaktiko-metodike të kuadrit arsimor si dhe një fleksibilitet të jashtzakonshëm të mësimdhënësit në raport me situatat mësimore dhe me çdo nxënës veq e veq. Në mësimin plotësues nxënësit nxënë njohuri nga gjuha, letërsia, historia e gjeografia si dhe nga kultura e tradita gjithëkombëtare, duke i kushtuar rëndësi zhvillimit të kompetencës gjuhësore e të formimit, forcimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Pas mbarimit të klasës së 10 nxënësit që marrin pjesë në mësimin plotësues i arrijnë në nivel të kënaqshëm qëllimet e lartëpërmendura. Në raport me moshatarët e vet në Atdhe, këta nxënës në lëmin e kompetencës gjuhësore ndihen pak inferior, por jo edhe në kuptimin e formimit kombëtar. Ky nivel i njohjes së gjuhës nuk paraqet kurrëfarë problemi për komunikim normal e aq më pak për t’u integruar/riintegruar, në rast kthimi, në Atdheun e vet. Këta fëmijë, në raport me moshatarët e vet, që jetojnë këtu e që për arsyera të ndryshme nuk marrin pjesë në mësimin plotësues dallojnë si “nata me ditë“ në të gjitha aspektet, në atë gjuhësor, por edhe lidhjes emocionale me Atdheun e tyre.
PREJ PRINDËRVE KËRKOHET MË SHUMË
Duhet ta pranojmë se gjendja e mësimit plotësues në Gjermani, por edhe në gjithë diasporën shqiptare as përafërsisht nuk është në nivelin e duhur. Arsyet janë të ndryshme, nga ato objektive, deri te ato subjektive. Në bazë të konstatimeve, jo edhe aq të verifikuara përfshirja e nxënësve në mësimi plotësues, në Gjermani nuk e kalon kuotën e 30%, në qytetet ku funksionon Shkolla shqipe, 10% në nivel të Republikës Federale Gjermane, kurse në planin global, pra gjithëpërfshirës, në mësimi plotësues marrin pjesë 3-5% të fëmijëve. Siç shihet gjendja e mësimit të origjinës është shumë nën nivelin e dëshiruar. Nisur nga ky fakt na duhet një mobilizim shumë më i madh i të gjitha subjekteve tona: udhëheqësve të shteteve tona, udhëheqësve të përfaqësive tona diplomatike, prindërve, madje edhe vetë kuadrit arsimor, që kjo gjedje të përmirësohet. Duhet bërë shumë më shumë punë, që sa më shumë, mundësisht të gjithë fëmijët të ndjekin mësimin e gjuhës shqipe. Prindërit duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha në hapjen e shkollave shqipe, këmbëngulje në dërgimin e fëmijëve të vet në mësimin e gjuhës shqipe, edhe atëherë kur të dy prindërit janë në punë, të investojnë edhe materialisht, po qe nevoja, për kuadrin arsimor dhe në përgjithësi për shkollën shqipe. Me një fjalë, të vetdijësohen për rolin dhe rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe. Prindërit duhet shumë më shumë të investojnë në dërgimin e fëmijëve të tyre në Shkollën shqipe. Ata nuk duhet të kursejnë kohë as lekë për tua mundësuar fëmijëve të tyre mësimin e gjuhës shqipe. Në të kundërtën me vetëdije apo pa të ua vjedhin fëmijëve të tyre elementin kryesor identifikues, të qenit shqiptar/e. Fëmijët që zotrojnë gjuhën e Atdheut të të parëve të vet, nuk e dinë nga vinë, nuk dinë ku gjenden dhe kah duhet të shkojnë. Fëmijët shqiptarë pa njohuri në gjuhën e prejardhjes shumë më pak kanë interesim ta vizitojnë vendin e të parëve të tyre, shumë më pak e duan dhe do punojnë në të ardhmen për Atdheun. Madje unë e them dhe më pak dashuri do të shprehin edhe për vet prindërit e tyre. Me vullnet dhe vetëdije më të lartpër rolin dhe rëndësinë e të njohurit e gjuhës së Atdheut, gjuhës së prejardhjes dhe edhe me një sakrificë më të madhe të prindërve do të tejkaloheshin edhe ato vështirësi e pengesa objektive që i ka jeta e mergimtarit. Edhe qeveritë e të dy shteteve tona duhet të bëjnë shumë më shumë për mësimin e origjinës në mërgatë. Në radhë të parë duhet të arrijnë marrëveshje ndërshtetrore, me të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarët, për organizimin dhe legalizimin e mësimit të origjinës. Duhet të obligojnë përfaqësitë tona diplomatike dhe të ngarkuarit për arsim e kulturë të punojnë shumë më shumë në vënjen e kontakteve në radhë të parë me mërgatën dhe vetdijësimin e saj për rolit dhe rëndësisë e mësimi plotësues e pastaj edhe me organet vendore të arsimit. Përvoja e gjertanishme, sipas mendimit tim, lë shumë vend për të dëshiruar.
ROLI I VEÇANTË I MËSUESIT NË MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE
Rol të veçantë në tërheqjen e fëmijëve në bangat shkollore ka edhe kuadri arsimor. Mësuesi/ja në mërgatë nuk është thjesht vetëm mësimdhënës, por shumë më shumë. Është mësimdhënës që duhet të jetë i përgatitur mirë në aspektin didaktiko-metodik. Të njoh dhe respektoj dallimet dialektike të fëmijëve, por edhe të prindërve në të folur dhe të punoj në zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës së unisuar shqipe. Për shkak të specifikave të mëdha të mësimit plotësues, mësuesi/ja duhet të jetë shumë fleksibil për sitruatat mësimore. Mësuesi/ja duhet të jetë i pajisur dhe aftësuar edhe në aspektin kulturor, mundësisht me njohuri në luajtjen e ndonjë instrumenti, i aftësuar dhe përkushtuar në organizimin e aktiviteteve të lira jashtmësimore, si kusht shumë i rëndësishëm në motivimin e fëmijëve për të marrë pjesë rregullisht në mësimin plotësues. Mėsuesi/ja duhet ta ketë të zhvilluar sensin e bashkëpunimit dhe komunikimit të sinqertë e me dashuri me prindërit e fëmijëve dhe me gjithë komunitetin shqiptar e atij rrethi. Dhe pavarësisht se kemi zyrtarët e përfaqësisve diplomatike, mësuesi/ja duhet të jetë, siç thuhet, ambasador pa protofol i pjesës së kombit që jeton e vepron në atë rreth.