Kim Mehmeti: Ja pse rinia shqiptare proteston para xhamive/
Gazetarët më pyesin pse rinia shqiptare shkupjane protestat e veta i fillon nga oborret e xhamive! Po pse, u them atyre, mendoni se do u lejonte dikush, për shembull, që ata të grumbulloheshin të papenguar përpara godinës së Universitetit të Tetovës në Shkup, që e kontrollon BDI-ja, apo te sheshi i Skënderbeut që është bërë pronë e kësaj partie shqiptare, si dhe nëpër sheshet tjera me përmendoret e Car Dushanave në to, e që janë vendgrumbullim vetëm për protestuesit maqedonas!?
Andaj mos pyetni, por shkruani se rinisë më progresive të shqiptarëve të Maqedonisë, asaj shkupjane, i është ngushtuar hapësira aq sa i janë lënë vetëm lagjet e ngushta të pjesës së vjetër të Shkupit, ku jetojnë shqiptarët, se atyre qëllimisht u janë lënë vetëm oborret e xhamive, ku ata e ndjejnë se vetëm aty ende nuk është zgjatur gjithaq dora policore! Shkruani pra se kësaj rinie nuk i takojnë hapësirat përpara institucioneve që i kontrollojnë partitë shqiptare, parti që janë bërë pjesë e këtij regjimi, regjim i cili bënë çmos ta egërsojë këtë rini, ta bëjë atë të ndjehet e pambrojtur nga askush, e pambrojtur edhe nga mëmëdhe Shqipëria e atdhe Kosova, ku njësoj si këtu, kontributi për shqiptarinë matet nëpërmjet butësisë së kolltukut ku je ulur dhe nëpërmjet peshës së monedhave që ta kanë mbushur xhepin!
Pra shkruani se nga shpërthimi i bombave lotsjellëse të hedhura mbi rininë shkupjane, tani lotojnë protestuesit, por herdo- kurdo, do vijë dita kur do u lotojë mamaja gjithë atyre që rrinë anësh e shikojnë si policia maqedonase e mbron shtetin nga rinia të cilën ata shtiren se e mbrojnë dhe e përfaqësojnë!