Ambasadorja e BE: Lufta kundër korrupsionit nis me ndëshkimin e zyrtarëve të lartë, përndryshe nuk keni shërim /Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, ka ashpërsuar retorikën sa ai përket luftës së rreme të qeverisë shqiptare kundër korrupsionit. Vlahutin theksoi dje se lufta kundër korrupsionit nis me ndëshkimin e zyrtarëve të lartë. Sipas ambasadores së BE, nëse nuk ndëshkohen zyrtarët e lartë shqiptarë, sistemi nuk do të ketë shërim dhe korrupsioni do të vazhdojë të dominojë jetën shoqërore shqiptare. Ajo theksoi se në Shqipëri problemi i korrupsionit adresohet në mënyrë të gabuar, duke theksuar se në fokus duhet të jenë politikanët. “Fusha të ndryshme që janë shqetësim përsa i përket Shqipërisë janë financimi i partive politike por në mënyrë de facto, edhe mosndëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë”, deklaroi dje ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, në një tryezë me zyrtarë të tjerë të lartë në Ditën kundër Korrupsionit. Vlahutin bëri me dije se Bashkimi Europian do të akordojë 10 milionë euro për forcimin e strukturave që luftojnë korrupsionin. Sigurisht, këto fonde do të mbikëqyren nga Bashkimi Europian. Në vijim, ambasadorja e BE theksoi se në Shqipëri mungojnë politikanët e përgjegjshëm, ndërsa shtoi se po ashtu mungojnë institucionet funksionale dhe një sistem funksional gjyqësor. “Na nevojiten institucione funksionale dhe një gjyqësor funksional. Por na duhet edhe një klasë politike e përgjegjshme ndaj atyre që u ka dhënë votën. Sepse këta persona janë zgjedhur për të shërbyer, po ashtu duhet të kemi qytetarë të informuar. Na duhet që të lëvizim dhe ecim parapara në këtë luftë”, nënvizoi ambasadorja. Korrupsioni në administratë Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë goditi edhe punonjësit e administratës publike. Ajo theksoi se korrupsioni është një veprim që kryhet mes dy palëve, njëra që i kërkon paratë dhe pala tjetër që i merr. Sipas saj korrupsioni është një transaksion. Diplomatja shtoi se vetëm lufta kundër korrupsionit shëron sistemin. “Në fund të fundit korrupsioni është një transaksion, njëra pala që i kërkon paratë dhe tjetra që i jep. Në rast se njerëzit do të kenë frikë, atëherë korrupsioni do të dominojë. Nëse njerëzit do pranojë që korrupsioni është mënyra e vetme që të marrin shërbimin e duhur do të jetë e vështirë të shërohet sistemi”, u shpreh Vlahutin në tryezën e organizuar në Ditën kundër Korrupsionit. Në vijim të këtij argumenti, diplomatja e Bashkimit Europian tha se një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit luan media dhe shoqëria civile. “Unë mendoj se media dhe shoqëria civile luajnë një rol të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit”, tha diplomatja e Bashkimit Europian. Në tryezën e organizuar me rastin e Ditës kundër Korrupsionit, i vetmi politikan i pranishëm ishte ministri për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi. Ndërkohë, ndërkombëtarët e tjerë theksuan rolin që luan media në minimizimin e korrupsionit. Erneta Shevroja – See more at: http://www.sot.com.al/politike/ambasadorja-e-be-lufta-kund%C3%ABr-korrupsionit-nis-me-nd%C3%ABshkimin-e-zyrtar%C3%ABve-t%C3%AB-lart%C3%AB#sthash.quy5NFiQ.dpuf