Drama satirike “Shshsh…ule zërin”, me regji të Leka Bungos, i ka rrënjët gjatë kohës që dramaturgu ishte pjesë e shërbimit diplomatik shqiptar/
Emri i dramaturgut Pëllumb Kulla lidhet në mënyrë të pandashme me skenën e “Bylisit”, por këto tri vitet e fundit vepra e tij ka rikthyer në skenë emra të njohur të skenës që prej vitesh i mungonin publikut. Me komedinë “Milioneri” e shfaqur në fund të vitit 2010, Pëllumb Kulla riktheu në skenën e teatrit një emër të njohur si Luftar Paja, po ashtu dhe Arqile Lipen. “Milioneri”, një komedi që trajtonte përmes satirës problemet e brezit të tretë, të lënë në harresë nga shteti dhe fëmijët e tyre. Komedia u prit me duartrokitje në Fier dhe më pas në Tiranë, ndërsa në Festivalin e Dramës Shqipe që u zhvillua në fillim të 2011-ës, kjo vepër e Kullës rrëmbeu trofe të rëndësishme; çmimin “Drama më e mirë e festivalit” dhe Luftar Paja mori trofeun e “Aktorit më të mirë”. Pas suksesit të “Milionerit”, Kulla rivjen sërish në skenën e “Bylisit” me një tjetër dramë satirë, kësaj radhe edhe si regjisor me pjesën “Dikush duhet të vdesë”. Sërish rikthen në skenë një emër të njohur të skenës së humorit, si Koço Devole. Së fundmi suksesi i Kullës në skenën e “Bylisit” vazhdon me “Shshsh…ule zërin”, me regji të Leka Bungos. “Pas suksesit në teatrin e ‘Bylisit’, kjo dramë do të vihet edhe në Tiranë në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë javën që vjen”, – konfirmoi dramaturgu Pëllumb Kulla. Kjo dramë satirë, e cilësuar si ndër më të mirat e krijimtarisë së Pëllumb Kullës edhe nga vetë regjisori Bunga, e çon publikun pak vite larg, diku nga ’91, në mjediset e një ambasade. Sapo është përmbysur sistemi komunist dhe një staf me ide “të reja” vjen në ambasadë. Ambasadori i ri në fakt është idealist, beson se mes së mirës dhe së keqes fiton gjithmonë e mira, beson tek e vërteta dhe se gjithmonë drejtësia zë vend. Por kur ai e gjen veten të ngatërruar keqazi në vorbullën e intrigave të zëvendësit të tij (një mbeturinë e së kaluarës), e humb betejën për të ndryshuar gjërat. E djeshmja duket se nuk është shkëputur ende nga e sotmja, aty mes të dyjave përplasen bindjet politike, korrupsioni, mashtrimi, luhet loja e “bërrylave” mes një diplomati që luan gjithmonë ndershëm dhe një zëvendësi që bën gjithçka për ta zëvendësuar derisa ia arrin.
Ambasadori idealist largohet i zhgënjyer. Të gjitha këto të ndërthurura mes tyre shkaktojnë humor situatë pas situate. Vepra përcjell mesazhe të forta në realitetin shqiptar. Të mëson ta kuptosh gjuhën e ligësisë, kur e flasin të tjerët…
Kjo vepër siç thotë Kulla, i ka rrënjët gjatë kohës që ai vetë ishte pjesë e shërbimit diplomatik shqiptar. Por nuk është një histori personale, ajo është historia e të gjithëve.
Me një kastë aktorësh të shkëlqyer, skenari i Pëllumb Kullës dhe regjia e Leka Bungos, janë kombinuar bindshëm për të sjellë në skenë një vepër të realizuar në të gjithë komponentët e saj, rezultat i bashkëpunimit të më të mirëve të skenës. Për të realizuar në skenë dramën satirike “Shshsh…ule zërin”, regjisori Bunga ka zgjedhur gjithaq aktorë të dy brezave; Robert Ndrenikën (Nderi i Kombit), Viktor Zhustin, Astrit Hasanin, Todi Llupin, Arqile Lipen, Fatmir Xhelilin, Shpëtim Shehu,, Miola Sitaj dhe më të rinjtë Klajdi Marku, Julia Ilirjani, Dafina Llupo etj. Robert Ndrenika në këtë ka rolin e një ish-komandanti burgu, ndërsa Viktor Zhusti, të zëvendësambasadorit shqiptar dhe Astrit Hasani, të ambasadorit. Skenografia është realizuar nga Ilir Martini dhe muzika Robert Hoxha.
Rikthimi i Leka Bungos
I rikthehet skenës pas shume viteve mungesë. Aktori dhe regjisori Leka Bungo i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, për t’iu bashkuar stafit realizues të projektit të radhës në skenën e Teatrit “Bylis”. Lidhja e regjisorit me këtë teatër është e hershme. Ai është një ndër themeluesit. Shfaqja e parë “Hijet e natës” me regji të Leka Bungos hapi skenën e ‘Bylisit’, por dhe shumë shfaqje të tjera që pasuan do të mbanin firmën regjisoriale të Bungos, i cili për shumë kohë ishte dhe në krye të Teatrit të Fierit. Leka Bungo rikthehet pas 10 vjetësh në skenën e teatrit që themeloi, me një vepër të mikut të tij Pëllumb Kulla. Të dy jetojnë mes Amerikës dhe Shqipërisë dhe ky është bashkëpunimi i parë mes dy miqve të vjetër, që është pritur ngrohtë nga publiku fierak e që shumë shpejt do t’i prezantohet edhe publikut kryeqytetas.(Kortezi Gazeta “MAPO”)