Nga Beqir SINA/
SUMMIT NEW JERSEY: Unioni i Rrjeteve të Biznesit të Diasporës për Amerikën e Veriut dhe Kanada, dega e saj në Nju Jork – u takua me një grup të biznesmenëve amerikano shqiptarë, që kanë vite, duke ushtruar bizneset e tyre në Shtetet e Bashkuara në një takim të ashtuquajtur “B&B – Business and Businessman”. Takimi u organizua ne fundjave në restorantin e njohur “Fiorino”, në Nju Xhersi, me pronar vatranin e përkushtuar z. Sabit Bytyçi .
Takimin e organizoi në bashkëpunim Oda Amerikane e Tregëtisë në Kosovë dhe Kombet e Bashkuara, Arian Zeka Drejtor Ekzekutiv, Visar Sahatciu kordinator për SHBA- Naim Dedushaj nga drejtoria e Departamentit të Investimeve, në Kosovë, së bashku me bordin e degës së Tri-Shtetshit (NY-NJ-CT) së së Unionit të Rrjeteve të Biznesit të Diasporës për Amerikën e Veriut dhe Kanada, zotin Elmi Berisha.
Këto takime u tha se po mbahen me qëllim që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ri-lëvizë, “mekanizmi”, i biznesve për investimet e mundshme në mbështetje dhe rimëkëmbje të ekonomisë së Kosovës edhe pse Kosova tash pesë muaj është e përfshirë në një ngërç të “ngatërruar” politik.
Në këtë kuadër kanë ardhur në SHBA – një grup i biznesmenëve nga Kosova – të cilët kanë në axhendën e tyre takime me bizneset nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës, në kryeqendrat shqiptare, New York, Detroit, Chicago dhe Dallas, për të shikuar mundësitë e tyre, për investimet të drejtëpërdrejta nga diaspora në Republikën e Kosovës, e për rreth saj.
Këto takime nisën dje më 15 nëntor 2014, ku mori pjesë edhe konsullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, zonjusha Vlora Çitaku, ish kryetari i Pejës, z. Ali Lajçi dhe një grup veprimtarësh dhe biznesmenësh të suksesshëm shqiptaro amerikan – të cilët kan investuar prej vitesh në Kosovë,si; Harry Bajraktari, Gjok Deçkaj, Elmi Berisha, Besim Malota, Arben Krasniqi, Ramiz Muja e të tjerë.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe biznesmenë amerikanë të cilët kanë bizneset e tyre të lidhura me biznesmenë shqiptar në SHBA, dhe dëshirojnë të investojnë edhe në Kosovë.
Takim e hapi me një fjalë përshëndetëse, zyrtari nga Ministira e Diasporës zoti Naim Dedushaj, drejtor i Departamentit të Investimeve,
Përfaqësuesja diplomatike e Kosovës në New York, Vlora Çitaku foli për rëndësinë e investimeve nga diaspora dhe rëndësinë jetike që kanë ato për Kosovën si i ri.
“Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj – që ta zhvillojmë Kosovën, që bashkë me ju të ndërtojë ato urat e bashkëpunimit mes komunitetit të bisnesit në Kosovë dhe komunitetit të bisnesit në SHBA- në mënyrë që të ketë sa më shumë investime dhe sa më shumë zhvillim për qytetarët tanë atje, të cilat në fund-të fundit sjellin përfitime të ndërsjellta”., tha ndër të tjera ajo.
Ajo e quajti nismën e Prishtinës si një kthesë të rëndësishme “në ri-fokusimin e një potenciali të jashtëzakonëshëm, që e kemi në diasporën tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kontekst të investimeve në Republikën e Kosovës, por edhe në Shqipëri, dhe vendbanimet shqiptare në Ballkan”
Vlora Çitaku nënvizoi gjithashtu se investimet nga SHBA sjellin me vete edhe një kulturë dhe mentalitet pune që i mungon në një pjesë të madhe Kosovës së sotme, duke luajtur kështu edhe një rol edukues. “Nuk duhet harruar se Kosova nuk ka shumë trashëgmni në këtë fushë pikërisht për shkak të kontekstit të saj historik, andaj për këtë arsye, roli i juaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm.”, u shpreh Çitaku.
Kryetari i degës së Tri-Shteshtit, nga Unioni i Rrjeteve të Biznesit të Diasporës për Amerikën e Veriut dhe Kanada, zoti Elmi Berisha, theksoi se: “Ky projekt madhor ka për qëllim krijimin dhe forcimin e lidhjeve të biznesit mes biznesmenëve të Diasporës, jo vetëm duke inkurajuar por edhe duke nxitur kështu edhe investimet e tyre, në vendet tona, pra në vend origjinën tonë”.
“Unë besoj se suksesi i të ardhmes ekonomike të Kosovës dhe visve shqiptare, apo edhe shtetit mëmë, Shqipërisë varet nga lidhjet me diasporën shqiptare në Europë, SHBA dhe Azi. Prandaj, edhe kjo inisiativë po gjen përkrahje nga një numër i madh biznessmenësh të suskseshëm shqiptaro amerikanë që medeomos do ta marrin me përkushtim e seriozitet për t’ia dalë mbanë”, tha Elmi Berisha.
Takimi i radhës në axhendën e takimeve me biznesmenët shqiptarë në Amerikën e Veriut do të mbahet sot në Dallas, Teksas ku jeton dhe ushtron biznesin e tij kryetari i Unionit Global të Rrjeteve të Bizneseve të Diasporës për Amerikën e Veriut dhe Kanada, veprimtari dhe biznesmeni i dalluar Nazar Mehmeti.