Në organizimin e kësaj feste tradicionale ndihmoi dhe Ambasada e SHBA nëpërmjet USAID-it/
Nga Shefqet Kërcelli dhe Thoma Nika/
Ka hapur siparin më datën 8 maj në qytetin e Sarandës, festa më e re e qytetit, e quajtur festa e midhjes. Të pranishëm në këtë festë janë jo vetëm qytetarët sarandiotë, por dhe qytetarë nga
gjithë vendi, diaspora dhe turistë qe nuk ndërpresin së shijuari bukuritë e këtij qyteti jugor. Është viti i katërt që kjo festë grumbullon mijëra vetë në qytetin e dyzet shënjtorëve dhe ka fituar
zemrat dhe shijet kulinarike që të jep midhja për dashamirësit e saj. Tashmë festa e Midhjes përfaqëson një festë tipike të Sarandës.
Si erdhi kjo festë? Qytetarët sarandiotë e shihnin si boshllëk, që qytetit të tyre piktoresk, bregdetar, me port, turizëm e peshkim të zhvilluar ti mungonte një festë e vet, made in Saranda.
Për këtë u mor dhe shembull nga Festa e Birrës në Korçë dhe ajo e Verës në Pogradec. Me midhjen Saranda është rritur si qytet, ka 60 vjet që kultivohet e konsumohet ky frut deti, kur gjetkë as nuk njihej dhe as nuk hahej, edhe sikur t’ua falje. Argumentimin e zhvillimit të kësaj feste lokale e plotësoi dhe thënia e njohur në këto anë, që midhjen e etiketon si “Mbretëreshën e Liqenit” të Butrintit. Kjo feste i jep asaj dhe kurorën e Sarandës si mbretëreshë. Tashmë ka katër vjet, që Festa e Midhjes organizohet me këtë sllogan: “Midhja, mbretëresha e Liqenit, mbretëreshë e Sarandës”.Thelbi i kësaj Feste është që produkti i Midhjes të promovohet në qindra receta gatimi, të shijohet dhe të konsumohet në komunitet. Njëherësh kjo ka shërbyer që të promovojnë aktivitetin e tyre edhe biznesi vendas e ai i ftuar, nga brenda e jashtë vendit, si Korfuzi etj.
Kur themi midhja, ajo nuk konsumohet e vetme, por duhet të nënkuptojmë edhe promovimin e prodhimeve të verës apo të kompanive prodhuese të birrës, që janë vënë në mbështetje të Festës
së midhjes. Një bashkëshoqëruese shumë natyrale, është pjesmarja në këtë festë e Shoqatës së Prodhuesve të Vajit të Ullirit, me mbështetjen e USAID dhe Ambasadës së SHBA. Është i dyti vit që jepet kjo mbështetje, e cila i jep një tjetër dimension festës së Midhjes. Në këtë festë pjesmarrësit për herë të parë po shijojnë dhe akulloren me vaj ulliri të përgatitur nga një
kompanitë më në zë të prodhimit të vajit të ullirit në Sarandë. Sigurisht që festa e Midhjes ka mjaft partnerë nga bisnezi shqiptar, ku kompania e kulinarisë shqiptare “Neranxi”, zë vend
kryesor në panairin e Midhjes. Gjithashtu krahas biznesit në mbështetje të aktivitetit janë Shkolla e Hotelerisë dhe institucionet në varësi të Bashkisë, si: konvikti i shkollës së mesme profesionale, Qendra Polivalente. Shtëpia e Fëmijës etj, të cilët dalin në shëtitore me gatimet e tyre me shume fantazi. Edicioni i sivjetëm ka dhe disa risi që po organizohet me një cilësi të re dhe një performancë shumë më të mirë. Në festë merr pjesë dhe Master Chefi i Kulinarisë “Neranxi”, që po të gatuan direkt për pjesmarrësit. Është duke u zhvilluar një mikrokonkurs me nxënës, konceptuar si një garë se kush do të konsumojë më shpejt një sasi të caktuar midhjesh dhe për këtë juria përkatëse do shpallë fituesit. Fituesit do të marrin simbolikën e midhjes, sipas nivelit, të gdhendur në allçi apo të derdhur në bronz, me nënshkrimin e Bashkisë. Ndërkohë në këto dy ditë feste do japë shfaqje cirku “Fantastic Show”, shoqëruar me animacione të ndryshme në fytyrat e fëmijëve, ndërkohë këngëtarë të shquar shqiptarë dhe nga Greqia do japin koncert me repertorin e tyre. Festa do të zgjatë dy dytë e tri netë, me tryeza panairi në shëtitore dhe degustime të midhjes dhe pijeve më të përdorshme për të shoqëruar gatimet e saj. Pra, Saranda po përjeton tre ditë festimesh në komunitet, sipas njjë tradite tashmë 4-vjeçare. Organizatorët janë kujdesur që këtë festë ta kenë si një parathënie për Festën tjetër të çeljes zyrtare të sezonit veror dhe të gjithë bashkëqytetarëve, vizitorëve, turistëve e miqve të shumtë që janë pjesmarrës e priten të vijnë i jepet kënaqësi dhe argëtim më 8 e 9 maj 2015. Festa e Midhjes është nga eventet më të rëndësishme të këtij qyteti thotë kryetari aktual i bashkisë, zoti Stefan Çipa.“Është një nga kënaqësitë që i kam dhënë vetes në 4 vjet punë në drejtimin e Bashkisë së Sarandës, është një nga gjërat që më bën të ndjehem mirë sot, por edhe në të ardhmen, një gjetje dhe një vlerë që do të ketë vazhdimësi, pavarësisht kush do të jetë në krye të Bashkisë”- shprehet zoti Çipa.
Pas këtij eventi të rëndësishëm Festa e Midhjes do zhvendoset në kryeqytetin e Kosovës, me slloganin “Midhja-mbretëresha e Sarandës, Princesha e Prishtinës”.
Po kështu, ka plan bashkëpuni me Bashkinë e Opatisë, në Kroaci, që të cohet dhe atje kjo festë me simbolikë të veçantë. Edicioni i katërt i kësaj feste ka rëndësi të vecantë në fushën turistike, të kulinarisë por dhe atë ekonomike. Ky edicion ka impakt në hapjen e tregut europian për midhjen shqiptare, pasi eksporti qëndron i bllokuar që prej vitit 1994. Midhja shqiptare tërheq vëmendjen dhe interesimin e tregut të vendeve europiane, por rruga drejt tij ka mbetur e mbyllur për 21 vjet. Nga analizat, midhja e Butrintit del e pastër nga sëmundjet dhe nga ngarkesat mikrobike, apo nga mbetjet e tjera toksike, por pritet reagimi i strukturave të BE për zhbllokimin dhe rinisjen e eksportit. Specialistët thonë se në rajonin e Sarandës nuk ka ndonjë lloj industrie kimike, që të ketë derdhje në det apo në liqen a në lumenjtë tanë, që të shkaktojë ndotje të prodhimit dhe se ujërat tona janë të pastra, ndaj sipas tyre, kjo embargo kaq e zgjatur është kthyer në një absuditet. Edhe vendi ynë laget nga deti Adriatik e Jon, sikurse Italia e Greqia!?
Ato prodhojnë e eksportojnë midhje pa problem, nganjëherë duke mos e pasur prodhimin e midhjes kaq të shëndetshëm sa tonin, ndërkohë që ne vuajmë një lloj embargoje të heshtur. Llogaritet që, po të jepet OK nga BE, mund të jepen 40-50 mijë kv midhje drejt tregjeve europiane. Nga pamundësimi i eksportimit të midhjes, ekonomisë sonë i humbasin të paktën 40 mijë USD në vit. Kapaciteti prodhues është për 50 mijë kv, ndersa aktualisht nxirret vetëm 12-15 mijë kv. Konsumi në vend është në nivele minimalë. BE ka investuar 600 mijë euro për impiantin e përpunimit, duke ngritur impiantin e depurimit (pastrimit) të midhjes në vendin e quajtur Manastir, ndërkohë që nuk po bëhet asgjë për eksportin. Ndaj festa e midhjes merr përmasa më të mëdha se kaq, ky aset me vlere kërkon mbështetjen e institucioneve përkatëse shtetërore që prodhuesit tanë të jenë të barabartë me ata fqinj dhe ekonomia jonë të fitojë shanset e humbura.