• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIELLI me shqiptarët në Suedi- SFIDAT PSIKOLOGJIKE TË PADEMISË

June 11, 2021 by dgreca

Imri Demisai, mjek specialist në Mjekësinë Familjare dhe në Psikiatri në Suedi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli – Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, panikun, stresin dhe pasigurinë e njerëzve gjatë pandemisë, si ka ndryshuar natyra njerëzore në pandemi dhe si mund të jetë vazhdimësia, sfidat e shëndetit publik, vaksinimi dhe rikthimi i njerëzve në gjendjen e mëparshme. Me Imri Demisai bisedoi gazetari i Diellit Sokol Paja. 

PANIKU, STRESI, PASIGURIA DHE PAQËNDRUESHMËRIA E BOTËS NË KOHËN E COVID

Historia e njerëzimit është një udhë shumë e gjatë, e mbushur me ngjarje të rënda e të papritura. Në këtë ekspeditë të madhe evolutive ne jemi pajisur me aftësi të ndryshme mbijetuese dhe i kemi trashëguar edhe mënyrat e reagimit ndaj katastrofave të ndryshme. Duke u nisur nga këto fakte, mund të themi se edhe pandemia si fenomen natyror nuk është diçka e panjohur për kujtesën tonë kolektive. Problemi me stresin dhe panikun e shkaktuar nga covid 19, qëndron aty se njeriu modern ka një botëkuptim që nuk është në harmoni me realitetin. Arritjet shkencore na ndihmojnë që pasojat e pandemisë të mos jenë të përmasave që kanë qenë dikur, por kjo nuk do të thotë se shkenca ka rol vendimtar për fatin e njeriut. Individi mund të ndjejë njëfarë rehatie relative kur e di se ndihma mjekësore sot është e nivelit më të lartë të mundshëm, por kjo nuk ia heq ankthin ekzistencial, të cilin kërkon ta zbusë në mënyra të ndryshme, vet apo së bashku me të tjerët. Nga ana tjetër, një pjesë e atij ankthi mund të ketë lidhje edhe me njëfarë faji kolektiv, bazuar në vetëdijen e shtuar se njerëzit janë bërë qeniet më problematike në rruzullin tokësor. Sipas botëkuptimit tim ekziston një shpirt i madh, një udhë e ndritshme drejt një qëllimi fisnik: lartësimi i njeriut. Por, kur kjo lëvizje e perëndishme pengohet seriozisht, na shfaqet një forcë madhore për të na e treguar rendin edhe vendin. Një nga hipotezat e mia është se një qëndrim më i natyrshëm ndaj këtyre dukurive do të na bënte më të arsyeshëm e më të qëndrueshëm në këtë fushatë mbrojtëse nga virusi. Unë e shoh këtë si një fundament mbi të cilin ngrihen strategjitë tjera mjekësore dhe psikologjike. Secili prej nesh duhet ta gjejë veten në një kontekst më të madh, duke menduar mirë se çfarë themi dhe si i ndikojmë të tjerët në momentin e pikërishëm. E di se ku ka ankth e frikë ka edhe shaka pa kripë, por të gjitha këto kanë ndikim në ambientin tonë. Nuk jam as për atë që të fshihen faktet nga frika se mund të na tremben njerëzit. E kam fjalën këtu sidomos për psikologët dhe ndihmësit e tjerë profesionistë të cilët i trajtojnë klientët e tyre sikur të ishin viktima të traumatizuar në luftrat më të tmerrshme. Sapo fola me një shok i cili mezi shpëtoi gjallë nga covid 19, falë përkujdesit maksimal në një spital amerikan. Fliste ngadalë. Rrinte, rrinte dhe lëshonte nga një uratë. Po nuk m´u duk si viktimë, përderisa e do edhe më shumë jetën, dhe e çmon atë si një dhuratë. 

TIPOLOGJIA E NJERIUT PAS PREKJES NGA COVID

 Pandemia na ka shkundur mirë dhe besoj se përveç rasteve fatale do të shohim edhe efekte pozitive, para së gjithash një ndryshim në mendësinë e njerëzve, ashtu që vlerat më themelore të peshojnë më shumë. Njerëzit janë larguar shumë nga njëri – tjetri, në kuptime të ndryshme dhe ky distancim që po na kushtëzon pandemia është si një inskenim i problemit thelbësor, me një simbolikë të fortë: ‟Shikoni si është të mos jesh afër me tjetrin”!

BOTA E SHOKUAR, NJERËZIT E PAPËRGATITUR, NDRYSHIMI PAS PANDEMISË

Njerëzit të cilët janë në kontakt të mirëfilltë me realitetin, e jetojnë jetën dhe rrallë mendojnë për vdekjen. Ata, qëndrojnë, si të thuash me këmbë në tokë, se e dinë mirë se janë kalimtarë në këtë botë. Njerëzit e tillë nuk ‟shokohen” nga katastrofat e as nga një pandemi si kjo. Disa besimtarë mund të nguten të thonë se meritë të veçantë për këtë ka feja e tyre. Unë mendoj se kjo dukuri nuk është as fetare e as ateiste por ka të bëjë me një botëkuptim që i jep rëndësi filozofisë së jetës, përtej përkufizimeve dogmatike. Në realitet, kemi një përzierje ndjenjash e mendimesh në rrafshin kolektiv, ndonëse ka edhe disa aspekte kulturore specifike, për shembull, që shqiptarët të reagojnë në mënyrën e vet, ashtu si kanë reaguar para, gjatë dhe pas trandjeve të mëdha. Qëndrimi naiv se virusi është mashtrim dhe manipulim i të vegjëlve nga të mëdhenjtë, nuk është edhe aq i huaj për mentalitetin tonë. Mohimi i fakteve nga njëra anë dhe dyshimi paranoik nga ana tjetër, shkakton habi. Shkaqet duhen kërkuar në histori.  Përgjithësisht mund të themi se njeriu ka aftësi të madhe përshtatëse, nëse e ka kohën e duhur për ta bërë këtë. E njëjta gjë vlen edhe për virusin. Coronavirusi bën çmos për tu përshtatur dhe për të na shoqëruar për një kohë të gjatë. 

PANDEMIA DHE VAZHDIMËSIA, FRIKA NGA VAKSINA DHE BESIMI TEK SHKENCA 

Pandemia do të vazhdojë. Virusi ka ardhur për tu bërë pjesë e jetës sonë ashtu si dhe disa nga virusët e tjerë. Ekspertët thonë se me kalimin e kohës do të zbutet edhe egërsia e virusit. Vaksinimi mendohet të jetë një nga strategjitë më të rëndësishme për ta arritur atë zbutje. Njeriu ndeshet sërish me ankthin ekzistencial, se fundi mund të vijë edhe nga një efekt fatal i vaksinës. Kjo na bën të mendojmë edhe njëherë se jemi të vdekshëm dhe na afron më shumë me jetën. Mosbesimi ndaj deklaratave të ekspertëve mund të varet nga mungesa e një besimi në thelbin e shpirtit të individit por kjo dukuri mund të jetë edhe si shenjë e një psikoze kolektive, sipas një skenari të vjetër mosbesimi dhe dëshpërimi, pas një humbje të madhe. 

VAKSINIMI NË  SUEDI DHE VAKSINIMI NË SHTETET E VARFËRA

Fushata e vaksinimit dhe e masave të tjera mbrojtëse duhet të jenë detyra parësore e të gjitha vendeve. Edhe shtetet më të prapambetura kanë përgjegjësi të kenë plan mbrojtës ndaj çdo katastrofe natyrore. Nëse, për shembull Shqipëria, ka mundësi ekonomike për disa lukse të tjera, atëherë është përgjegjëse për mbrojtjen e jetës së njerëzve në situata të tilla. Po Shqipëria nuk ka përgjegjësi(!) Përgjegjësia është e njerëzve që jetojnë në Shqipëri. Unë jetoj në një vend të organizuar mirë, siç është Suedia por as këtu nuk ka vaksina me bollëk. Erdhi koha të shkojmë në pushime dhe unë ende nuk e kam marrë as dozën e parë.

KOSTOJA EKONOMIKE E PANDEMISË DHE SKENARËT E RIMËKËMBJES

Në kuptimin e mëkëmbjes psikologjike besoj se për botën ka gjithmonë zgjidhje, se vrulli i jetës është i pandalshëm. Disa do të vdesin, të tjerë do të lindin dhe jeta vazhdon. Pandemia ushtron një trysni pozitive në lumin e jetës, duke ndikuar që të rinjtë ti lënë mënjanë planet afatgjate dhe të përqëndrohen në vlerat më të rëndësishme siç është lindja e fëmijëve. Sa i përket rimëkëmbjes ekonomike le ti besojmë prognozave që japin ekspertët e asaj fushe. 

SHËNDETI PUBLIK GLOBAL 

Rreziku më i madh për shëndetin global nuk është covid 19 por devijimi marramendës nga disa parime kryesore të domosdoshme për mbarëvajtjen e rracës njerëzore. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se cilat vlera janë të rëndësishme për ne, por prapë se prapë duam që dikush tjetër të veprojë për të mirën tonë dhe në pritje indinjohemi ose flasim me një gjuhë fataliste. Kjo pandemi ngjan në njëfarë mënyre me një gjendje lufte dhe bota duhet të ketë buxhet rezervë për të kapërcyer kriza të këtilla. 

MESAZHI JUAJ PËR VATRËN, DIELLIN DHE SHQIPTARËT NË AMERIKË

Faleminderit që ma besuat mua këtë intervistë. Përshëndes Vatrën, redaksinë dhe lexuesit e revistës Dielli si dhe gjithë shqiptarët në Amerikë. Një përshëndetje të veçantë kolonisë strugane, sidomos vëllaut tim Nazmi Demisau, kushërinjve, miqve dhe dashamirëve.  

KUSH ËSHTË IMRI DEMISAI

Imri Demisai është strugan që jeton në Suedi prej 33 vitesh. Fakultetin e mjekësisë e ka kryer në Prishtinë. Në Suedi ka kryer specializimin në Mjekësinë Familjare dhe në Psikiatri, gjithashtu ka studiuar disa metoda të punës psikoterapeutike, ka edhe një punim shkencor në proces. Punon si mjek prej 28 vitesh dhe këto nëntë vitet e fundit në ordinancën e tij, Actavita RehabDialog. Ka pasion poezine dhe shkruan poezi. Ka botuar së pari “Nervi i jetës” te Toena, Tiranë 1999, dhe sapo ka dorëzuar për shtyp te Dukagjini Bookstore, 66 poezi të zgjedhura, “Jam strugan”. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Imre Demishaj, Pandemia, Sfidat Psikologjike, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT