Një vit më parë, me rastin e Festës së Mësuesit, në Astoria të Queens-it, NY, u hap e para Shkollë Shqipe, një klasë me fëmijë të bashkatdhetarëve që jetojnë në këtë zonë. Inisiator ishte bashkatdhetari Kristaq Papa. Inisiativa e tij u konkretizua nga Familja e Kristaq Fotos, që vuri në dispozicion një nga mjediset pranë Kafesë ”Kuq e Zi”, pronë e kësaj familjeje patriotike.
Në kronikën përcjellëse Gazeta Dielli shkroi me 7 Mars 2015:” Sot në ditën e Festës Kombëtare të Mësuesit, në Astoria- Queens, New York, u cel e para shkollë shqipe në historinë 150 vjecare të komunitetit shqiptar të Amerikës. Shkolla shqipe janë hapë, mbyllë, e rihapë, në shumë shtete e qytete të Amerikës, përgjatë një shekulli. Përmendim shkollat në Boston, që më 1911, shkollat e New York-ut, Chikagos, Ohios, Detroitit, por në Astoria, një zonë e dominuar nga komuniteti grek, nuk ka pasë shkollë shqipe.
Një grup shqiptarësh që jetojnë në Astoria, Nju Jork, me në krye Kristaq Papën, ndihmuar nga Kristaq Foto, që lëshoi mjedisin për klasën e parë pranë Kafesë”Kuq e Zi” , dhe një grup aktivistësh shqiptar, që dhanë mbështetjen e duhur, zgjodhën Festën e Mësuesit për ta celë shkollën shqipe…. Dhoma e vënë në dispozicion për klasën e parë të shkollës shqipe është zbukuruar me flamujë shqiptarë dhe amerikanë; në një kënd janë portretet fotografike të Nenë Terezës, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Nolit, Konicës, portrete të artistëve, sic është ai Vace e Zelës etj. Një bibliotekë modestë me libra shqip është në dispozicion të shqiptarëve, ku dhe Vatra dha kontributin e vet. “
Një vit më vonë, sot, me 6 Mars 2016, me rastin e Festës së Mësuesit, në mjediset e shkollës, u organizua një orë mësimi e hapur për publikun, ku ishin të ftuar edhe prindër e fëmijëve dhe disa mësues të cilët në Shqipëri e kanë ushtruar këtë profesion të nderuar.
Kanë ardhur për t’u bërë pjesë e kësaj feste Sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu, kryetari i degës së Vatrës në Queens dhe anëtar i Kryesisë së Vatrës Dr. Skënder Murtezani, Editori i gazetës Dielli dhe anëtar i Kryesisë së Vatrës Dalip Greca.
Pas një fjalë hapjeje përshëndetse nga Kristaq Papa për ecurinë njëvjecare të shkollës, nxënësit dëshmojnë njohuritë e marra në gjuhën shqipe. Recitojnë, rrëfejnë, recitojnë. Bie në sy shqiptimi i saktë i gjuhës shqipe. Ndihmës mësuesja Vera Qehaja, e cila ka në këtë klasë të shqipes edhe dy fëmijët e saj, Liza, që është ndër më të mirët e klasës, dhe Denisin, e drejton klasën me shumë siguri dhe duartroket me të gjithë pjesmarrësit përgjigjet e sakta të nxënësve.
Më pas për të parë ecurinë njëvjecare të mbarëvajtjes të nxënësve në përvetësimin e programit mësimor, Kristaq Papa dhe Vera Qehaja, e lënë klasën në duart e ish mësuesëve, që sot kanë festën e tyre. Mësuesit e vjetër Milika Foto, Vita Bano, Kujtime dhe Bujar Bejkollari, Leonidha Xuhani, Nazo Veliu, Dalip Greca,marrin nënësit dhe i pyesin ose i ushtrojnë në lexime tekstesh të Abetares , u bëjnë pyetje formuse rreth përmbajtjes, u këkrojnë recitime dhe krijohet një atmosferë fare e vecantë e mbushur me plot emocione.
Seicili prej fëmijëve u dhurojnë mësuesëve lule për Festën e 7 Marsit.
Duartrokiten për lexim të rrjedhshëm dhe përgjigje të sakta Liza Qehaja, që flet mirë shqip,Chris Bundo, Daniel Beqo, Donald Rapaj, Ernei dhe Naile Tollja, Karmela Papa, Rion Krasniqi dhe të gjithë fëmijët ndjehen të sigurtë në gjuhën e bukur shqipe.
Shume prej nxenesit kishin zgjedhe per recitim poezin e Gjergj Fishtes”Gjuha shqipe”…
Percjellim vargjet:
Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;…
Pas mbylljes së orës së mësimit fiksohen castet e gëzuara në fotografi , më pas një koktejl.
Pas ikjes së nxënësve të rriturit ulen dhe diskutojnë se si të organizohen më mirë në komunitet që shkolla të tërheqë më shumë nxënës dhe se si komuniteti të jetë më i bashkuar në ruajtjen e identitetit kombëtar.