Nga Ilir LEVONJA/
Ata që të gjithë sot i shërbejnë regjimit të Edi Ramës, nuk ka asnjë diskutim që ndjejnë mungesën e shkollave të riedukimit. Arsyeja është e thjeshtë, nuk i rrëzoi dot Luli e Meta, apo Saliu me pleqërinë e tij, por po i rrëzojnë adoleshentët. Madje Edi Ramës vet po i vjen plasja, ka në mes një fakt kokëfortë, e gjeti me Xhozin dhe Rudinën, me Gjuzin, si nuk po
e gjen dot me adoleshentët. Kjo është e pa pranueshme për mentalitetin e regjimit, e pa konceptueshme. Megjithëse vet e mbushi historinë me djem dëshmorë deri 13 vjeçarë. Nga ata që i iknin gjermanit nga duart, që shqyenin gazerma. Dhe që më vonë fusnin në kurth diversantët. Prapë është e pa pranueshme sot që adoleshentët të të rrëzojnë. Aq shumë
duheshin sot ato shkolla sa nuk metal të çmuar që i peshon. Shkollat e riedukimit, apo shkollat e vagabondëve, janë hapur e mbyllur disa herë tek ne. Fillimisht erdhi si ide nga miqësia me Bashkimin Sovjetik. Vendi i madh kishte plot syresh për shkak të revolucionit a luftës së ashpër të klasave por edhe luftës së dytë botërore. Ideja ishte rehabilitimi i të rinjëve me probleme sociale, jetimëve fatkeq por edhe i atyre që dilnin nga rreshti, pra
vagabondëve. U mbyllën diku nga vitet 70-të me preteksin se sistemi i kohës ishte 100% i pastër, nuk kishte më rrugëve vagabondë dhe se jetimët trajtoheshin në institucionet e tyre.
Por nuk zgjati shumë, u rihapën, pasi koha dëshmoi se absolutizmi ndodh në letër a laboratore, jo në grahmat e gjindjes që quhet popull. Sidomos në regjimet diktatoriale. Dhe sigurisht u mbyllën pas viteve 90-të, kjo për shkak të rënies së njërës administratë. Dhe infantilitetit të tjetrës që vinte me devizën ta bëjmë Shqipërinë si Europa. Nuk e di se çfarë
bëhet tani, mbaj mend që vonë u hap një e tillë në Kavajë, që trajtonte minorenët, ata të cilët nuk kishin mbushur moshën për të bërë burg. Dhe nuk e di nëse është më apo jo? Por të jeni të bindur që këta që po ndërtojnë regjimin Rama, po mallkojnë veten që nuk i kanë.
Nuk kanë për t’ja falur kurrë vetes. Madje janë gati të presin shpullat e shefit mbi këtë mungesë administrative. Për më tepër që burgjet u mbushën, gjyqtarë mjaftueshëm nuk ka, drejtësia kë të kap e kë të lërë etj. Shkollat e vagabondëve do ishin një shpëtim real. Mund t’i shërbenin regjimit edhe për djemtë plangëprishës të drogës. Ata që bien në rrjetë nga
budallallëku, nga pangopësia. Për ndonjë deputet që dilte i zi nga komisioni i pastërtisë së figurës etj. Kësisoj i thoshin edhe gjindjes se e shikoni, po punojmë, kemi kapur plot peshq. Shkollat e vagabondëve rusë, sidomos ajo e Antony Makarenkos. Do ishin sot ideale. Rrugët janë plot me adoleshentë që po demonstrojnë shfaqe të huaja. Nuk binden, janë kthyer në piromanë, kapuçonë të zinj. Për më tepër që nuk po i ha më kush pykat mbi
Lulin, Metën a Berishën. Skicuesit e regjimit kanë filluar të bëjnë pazaret, se sa kushton një e tillë, sa shpejt mund t’i ndërtojmë, sa lekë ka mbetur nga bonuset e tërmetit, sa do na japin ata nga lindja e mesme. Dhe sa baba Erdogani. Eshtë një nga konfliktet më të sikletshmet, përballë armiqtë janë ca adoleshentë. Nuk po e ha më kush propogandën për protesta të qeta. Sikur edhe një vit të marshosh i qetë rrugëve, regjimi as që do t’ja di. Të vjen menatë herët, të nxjerr me shqelma, të tërheq zvarrë. Dhe pas dy ditëve çdo gjë rrjedh normalisht. Por ato, shkollat e vagabondëve janë të mbyllura. Se, ku ta dish, ndofta këtë radhë fati është me shqiptarët, me Shqipërinë, jo me regjimin. Rrofshin adoleshentët.