NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.(2)/
Shqipëria nën pushtimin italian, bashkimi i trojeve shqiptare/
NGA EUGJEN MERLIKA/
Shqipëria u vu para një fakti të kryer. Mbreti kish ikur e Vendi ishte nën pushtim. Qëndra të vogla qëndrese mbretërorësh jepnin sinjale të dobëta, ndërsa nga jashtë ngjarjet shqiptare komentoheshin vetëm nga shtypi, por nuk kishte asnjë kundërveprim zyrtar. Shqipëria zyrtare pranoi gjëndjen e re dhe më 12 prill mblodhi Asamblenë Kushtetuese, ku merrnin pjesë përfaqësi të gjitha prefekturave. Ajo e Shkodrës përfaqësohej nga At Anton Harapi, At Gjergj Fishta, Gjon Marka Gjoni etj. të cilët kundërshtuan me forcë formën e Bashkimit dhe kërkuan princin e familjes Savoja për mbret. Megjithatë shumica dërmuese pranoi gjëndjen e re. U emërua Qeveria e re, e kryesuar nga një veteran i politikës dhe pronar i madh tokash, Shefqet Vërlaci. Në muajt e ardhshëm u kthyen në Shqipëri dhe eksponentët e Mërgimit, që ishin të ndarë dysh : një pjesë e quanin Italinë pushtuese, me të cilën nuk duhet të ketë asnjë lloj marredhëniesh, kurse tjetra donte të shpëtonte atë që mundej dhe të kthente gjëndjen në një përfitim sa më të madh për shqiptarët. Ai shihej në zgjidhjen e problemit kombëtar, mbasi italianët, jo haptas, kishin premtuar se do t’i bashkonin Shtetit shqiptar, që bënte pjesë në perandorinë e Romës, territoret e lëna jashtë nga konferencat ndërkombëtare.
Joshja ishte shumë e fortë dhe prirja për kundërshtimin apo qëndresën ndaj pushtimit, n’ato kohë të para, ishte pothuajse e paqenë. Ajo klasë politike që hyri në histori me nofkën “kolaboracioniste” a “bashkëpuntore” pati një sërë arritjesh në punën e saj. Së pari, Shqipërisë i u kursyen dëmet e luftës që, në pjesën më të madhe të tyre bien mbi popullin e thjeshtë. Që në fillim u morën masat për të fuqizuar e shtuar institutet shëndetësore me mjekë italianë e shqiptarë, edhe jashtë qyteteve. U bë një luftë e vendosur kundër malarjes e rezultatet qenë të kënaqëshme. Veçanërisht e rëndësishme qe Shtëpia e Nanës dhe fëmijës në Tiranë. Po kështu një punë e mirë u bë për kurimin e tuberkulozit, ku pacientë në gjëndje të rëndë çoheshin në spitalet italiane.
U bënë projekte të vlefshme, nga specialistë të njohur italianë, për furnizimin e Vendit me energji elektrike që, simbas llogarive, mund të arrinte në 10 miljon kw/orë në vit. Simbas këtyre specialistëve, të gjithë lumejtë e Shqipërisë mund të shfrytëzoheshin për hidroçentrale. Ende sot, mbas 80 vjetësh, nuk kemi arritur t’i vemë në zbatim ata studime. Parashihej një uzinë siderurgjike në Elbasan, ku u bë në fakt Kombinati Metalurgjik.
Në fushën financiare u bë barazimi i frangut shqiptar me 6,25 lira italiane. Frangu, që ishte bazuar në arin, tani duhej të bazohej në liretën, mbasi monedha shqiptare nuk mund të vazhdonte kursin e saj në gjëndjen e re të krijuar me Bashkimin. Bankat u shtuan dhe shtuan vëllimin e kredive. Kështu psh. Banka e Napolit, që kishte përfshirë dhe Bankën Bujqësore, shtoi shumat që i jepeshin si kredi bujqësisë shqiptare, nga 500.000 fr. në 1939 në 30 miljonë në 1942. Banka e Punës, që i u shtua panoramës së Instituteve të kreditit, këto të fundit i shtoi nga një 1,5 miljon më 1939 në 15 miljon në 1942, ndërsa depozitat e saj, nga më pak se një miljon arritën në 20 miljonë.
Një hov morën dhe ndërtimet, sidomos në Tiranë. Qëndra me ministritë dhe hotel Dajti janë punime t’asaj periudhe. Popullsia e Tiranës nga tridhjetë mijë vetë në 1939 arriti në rreth njëqind mijë në 1942. U hartuan projektet për bonifikimin e Vendit, nën drejtimin e inxhinjerit senator Prampolinit, autorit të bonifikimit të Kënetës Pontine në Itali. U llogarit që, në dhjetë vjet, të përfundonte gjithë tharja e kënetave shqiptare.
Krahas arritjeve në fushën ekonomike duhet theksuar edhe një përparim në fushën e kulturës. Ky ishte i lidhur edhe me krijimin e Institutit të Studimeve shqiptare, që filloi të merrej me çështjet më të rëndësishme, si gjuha letrare kombëtare. Në këtë Institut bënin pjesë personalitetet më të njohura të jetës kulturore shqiptare, arbëreshe e mjaft studjues italianë.
Ndërmjet shumë aktiviteteve si konferenca, simpoziume, takimesh të ndryshme vlen të flitet për Kuvendin e parë kombëtar të kulturës, që u mbajt më 2,3 e 4 korrik 1942, në Strugë, Shën Naum e Dibër, në të cilin u mbajtën disa kumtesa. Kuvendin e hapi Ministri i Kulturës, Dhimitër Berati, që propozoi për kryesinë e punimeve të ditës Ministrin e Arsimit Dr. Xhevat Korça, i cili u prit me duartrokitje të nxehta nga të pranishmit. Ministri Berati vuri në dukje se ky aktivitet kishte për qëllim studimin e mjeteve e mënyrave për të përhapur kulturën, në të gjitha format e saj e në të gjitha shtresat e popullsisë.
Por sukseset më të mëdha të Qeverive nacionaliste ishin të lidhura me hapjen e shkollave shqipe në trevat e bashkuara, kryesisht në Kosovë. Buxheti i qeverisë Kruja për arsimin pothuaj se u dyfishua “nga 7.978.380 franga kishte kaluar në 13.950.000 fr.[1]Rilindja kosovare mobilizoi gjithë inteligjencën atdhetare dhe rininë nacionaliste shqiptare që, në figurën gjithmonë të respektuar të mësuesit, u dyndën në “tokat e lirueme” për të hapur shkollat shqipe, edhe të mesme, të cilat vazhduan të funksionojnë edhe mbas ribashkimit me Jugosllavinë. Në gjithë këtë entuziazëm kombëtar për Kosovën vetëm komunistët mungonin, sepse për ta, ashtu si dikur për funksionarët otomanë, shkollat shqipe nuk ishin të dobishme. Në gjithë këtë punë të madhe duhet veçuar roli i shkëlqyer i dy Ministrave t’Arsimit në dy Qeveritë e para, të intelektualëve të rrallë Ernest Koliqi dhe Xhevat Korça, që i u kushtuan çështjes me një zell të jashtzakonshëm, duke bërë të pamundurën, jo vetëm për ndërtimin dhe hapjen e shkollave, por edhe për plotësimin e tyre me kuadrin e nevojshëm mësimdhënës.
Organizimi i Kuvendit në “tokat e lirueme” ishte një dëshmi e interesit dhe kujdesit të “dheut amë” për të gjitha trevat shqiptare. Mbas Ministrit Berati foli shkrimtari i njohur Ernest Koliqi që mbajti kumtesën : “Ndjenja e bashkimit kombëtar në këngët popullore”. Pas tij Dr.Mihal Sherko zhvilloi temën “Problemet kulturore të Shqipërisë së sotme”. Dita e parë u mbyll me leximin e kumtesës së nënkryetarit të Dhomës korporative Qazim Nekiu, me titull “Zhvillime të bashkëpunimit kulturor italo-shqiptar”.
Dita e dytë u zhvillua në Monastirin e Shën Naumit, ku mori pjesë edhe Kryetari i Kishës ortodokse shqiptare. I pari foli gazetari Hilmi Leka mbi temën “Horizonte të reja në fushën e gazetarisë”. Prof. Rosolino Petrotta mbajti kumtesën “Gazetarët shqiptarë në Itali”, kurse gazetari Nebil Çika atë mbi “Zhvillime të gazetarisë shqiptare”. Në ditën e tretë në Dibër foli dramaturgu i njohur Ethem Haxhiademi për temën “Teatri dhe muzika shqiptare”. Pas tij gazetari Vangjel Koça foli mbi temën “Radioja si mjet kulture” e së fundi shkrimtari, gazetari e përkthyesi i mirënjohur Dom Lazër Shantoja mbajti kumtesën “Turizmi në funksionet e tij kulturorë”. Të gjitha kumtesat u pasuan nga diskutime të gjalla të pjesëmarrësve.
Të gjitha këto veprimtari shkonin në dobi të zhvillimit të Shqipërisë e të afrimit me Evropën. Edhe se italianët shikonin, së pari, interesat e tyre, kur ata përkonin me interesat shqiptare, përsëri ne ishim të fituar. Vërtetë Vendi nuk ishte i lirë por, në gjithë Evropën, vetëm tre Vende kishin mbetur të lira : Anglia, Zvicra dhe Spanja e dalë nga lufta civile. Në këtë kuadër, një pushtim i tillë, me një Qeveri shqiptare që çdo ditë ngulte këmbë për plotësimin e interesave të saj kombëtare, herë herë me rezultate mjaft të kënaqëshme, nacionalizmi shqiptar e shihte me optimizëm rrugën e tij.
Sigurisht, jo të gjithë shqiptarët i shikonin ngjarjet me këtë sy. Kishte mjaft prej tyre që nuk e pranonin këtë gjëndje dhe përpiqeshin të organizoheshin për qëndresë por, në vitet e para të pushtimit, ajo ishte vetëm simbolike. Megjithatë në ato pak përpjekje për të kundërshtuar pushtuesin, italianët kundërvepronin me arrestime e internime në Itali e në Shqipëri. Shumica ishin elementë komunistë që filluan të lëvizin mbas 22 qershorit 1941, ditës që filloi sulmi i Gjermanisë ndaj BRSS. Kishte ndërmjet të përndjekurve dhe elementë nacionalistë që Qeveria shqiptare, sidomos ajo e Mustafa Krujës, në shumicën dërmuese i pati kthyer në Vendin e tyre.
“Nga fundi i vitit 1939 deri në tetor të 1940-ës simpatia progresive kundrejt Italisë, sigurisht i kushtohej shpresës së deklaruar që Italia, me prestigjin e saj, do të mund të arrinte bashkimin me Shqipërinë të trevave të shkëputura”[2]
“ Citoheshin në veçanti dorëzimet e dokumentavet nga shumë personalitete të rradhës së parë, që dëshmonin të drejtën e shqiptarëve për të zotëruar Çamërinë. Shtonja se nga Pindi banorët arumunë i dërgonin shumë bashkatdhetarëve të tyre, shpesh në pozita të larta, shprehjen e dëshirës që territori i tyre një ditë t’i bashkohej Shqipërisë. Kjo edhe në kujtimin e periudhës 1917-18, në të cilën trupat tona kishin pushtuar atë krahinë.
Fushata e shtypit, e zhvilluar mbas vrasjes së Daut Hoxhës, dhe lajmet rreth incidenteve të ndodhura ndërmjet Italisë e Shqipërisë, kishin lumturuar shpirtin e shqiptarëve që banonin jashtë. Ishim informuar se Faik Konica, ish Ministër i Shqipërisë në Uashington, ishte i gatshëm të jepte pëlqimin e tij për regjimin e ri, kur ai të vërtetonte se donte të bashkonte të gjithë shqiptarët në një shtet.”[3]
Siç shihet nga këta fragmente të veprës së Jakomonit, çështja kombëtare ishte bërë ajo kryesore e politikës shqiptare, por në të njëjtën kohë dhe një problem me shumë rëndësi për Italinë dhe marredhëniet e saj me shtetet e Ballkanit. Jakomoni mëton, në kujtimet e tij, të paraqesë anën pozitive të problemit çam. Në të duket se italianët e ngrinin këtë për të plotësuar premtimin kundrejt nacionalizmit shqiptar.
22 maj 1940. …Shqiptarët janë hedhur në rrugën e ndërhyrjes : duan Kosovën e Çamërinë! Për ne është e lehtë ta rritim popullaritetin tonë, duke u bërë eksponentë të nacionalizmit shqiptar!”[4]
Edhe Çiano, si Jakomoni kalëron çështjen e shqiptarëve. Instrumentalizimi i vrasjes së Daut Hoxhës kishte për synim bindjen e opinionit publik shqiptar, se ishte ky shkaku i një lufte të mundëshme me Greqinë. E vërteta ishte se i mëshohej atij argumenti për të fshehur motivin e vërtetë të një sulmi të paracaktuar kundër Greqisë, që ishte element kryesor i strategjisë italiane për Ballkanin. Nëse dikush, në konferencën e Paqes në Paris më 1946, e ka tundur flamurin e akuzave greke kundër Shqipërisë e, për më tepër, Greqia ende në teori ruan gjëndjen e luftës, duhet të dijë se vendimet për luftën italo – greke janë marrë kryekëput nga Qeveria italiane, për të realizuar projektin e saj të Perandorisë e në garë me aleatin gjerman që kishte pushtuar Rumaninë, pa e vënë në dijeni më parë Musolinin. Sigurisht, shqiptarët e prisnin me ankth një çast të tillë, por nuk ishin ata që vendosnin për luftën italo-greke. Të fajësohen qëndrimet e nacionalizmit shqiptar, sepse kërkonte bashkimin e atyre trojeve me Shtetin e tij, një bashkim që kishte ekzistuar që nga agimet e qytetërimit, më duket diçka absurde. Vetëm historiografia dogmatike komuniste, për të cilën kombi është një entitet “reaksionar” e vlerat e vërteta janë “internacionalizmi proletar”, mund t’a pranojë e t’a pohojë me zë të lartë. Nëse ky bashkim vinte nga lufta e italianëve që donin të zgjeronin perandorinë e tyre, nuk më duket se ka ndonjë arsye, edhe në logjikën e saj më parake, që ndonjë shqiptar, që kishte 30 vjet që vajtonte Atdheun e cunguar nga grekët e serbët, mos t’a pranonte e, aq më tepër, t’a kundërshtonte. Nëse ndonjë ultradashamir i Greqisë sheh në këtë veprim një shfaqje shovinizmi të Shtetit shqiptar të kohës e klasës drejtuese të tij, një veprim të dënueshëm që gjoja Caldaris e përdori si argument që padiste Shqipërinë në Konferencën e Paqes, ai o ka nevojë për një vizitë psikiatrike, ose ka ngatërruar kombësinë e, gabimisht ka marrë atë shqiptare.
Nëse dërgata greke në Paris i dha shfrim të lirë gjithë arsenalit tradicional kundër shqiptar, si zakonisht deri në atë kohë, duke sjellë në skenë dhe Ismail Qemalin, për të argumentuar shovinizmin e saj të pabazë e të paparim në kërkesat për territore të tjera shqiptare, kjo ndodhte se Shqipërinë atje e përfaqësonin njerëz që ishin jo zëdhënës të interesave shqiptare, por të atyre jugosllave. Shqipëria u vu në bangën e t’akuzuarve, jo për qëndrimin në luftën italo-greke, kur ajo ishte një Vend i pushtuar dhe nuk kishte asnjë fuqi për t’a nxitur apo për t’a ndaluar luftën. Aq është e vërtetë kjo sa që as Çamëria, as krahina e Pindit dhe as Janina, Arta e Preveza, territore mijëvjeçare shqiptare, nuk u bashkuan me Shqipërinë, për një vendim të diskutueshëm të Ministrisë së Jashtëme italiane. Historianët e regjimit e fshehin të vërtetën kur nuk thonë se Shqipëria u padit në Paris, si një shtet terrorist, që kishte shkaktuar vdekjen e më shumë se 40 detarëve britanikë, aleatë të fuqishëm gjatë luftës, si pasojë e minave, të vëna nga padronët e çastit në politikën shqiptare, komunistët jugosllavë, me miratim të Qeverisë së Enver Hoxhës.[5]
Por le të shohim se çfarë shkruan Çiano në ditarin e tij :
“Viti 1940
17 gusht. Alfieri ka patur një takim interesant me Ribbentropin. Rezulton : 1) Qeveria gjermane nuk dëshiron një afrim të ri, shumë të theksuar midis nesh e Rusisë; 2) Duhet të lihet mënjanë çfarëdo projekt sulmi mbi Jugosllavinë; 3) Një aksion eventual kundra Greqisë nuk është i mirëpritur në Berlin. Ky është një bllokim i plotë në të gjithë linjën. Sipas Ribentropit “çdo përpjekje duhet të përqëndrohet kundër Britanisë së Madhe, sepse ajo-dhe vetëm ajo- është çështje jete a vdekje”. Duçja e redaktoi vetë përgjigjen : natyrisht pranojmë pikëpamjen berlineze! Edhe përsa i përket Greqisë : e futim në kasafortë notën që tashmë ishte gati.
12 tetor… Duçja është i indinjuar mbi të gjitha për pushtimin gjerman të Rumanisë. Thotë se kjo ka bërë përshtypje të thellë e të keqe në opinionin publik italian, sepse nga arbitrati i Vjenës, askush s’e priste këtë rezultat. “Hitleri më vë gjithmonë përballë faktit të kryer. Këtë herë do t’a shpërblej me të njëjtën monedhë : do t’a mësojë nga gazetat që kam pushtuae është dakord me Badoglion. “Akoma jo” u përgjigj “Por jap dorëheqje si italian nëse dikush gjen vështirësi për t’u ndeshur me grekët”. Tashmë Duçja është i vendosur të veprojë. Në realitet besoj që operacioni është i frutshëm dhe i lehtë.
14 tetor. Musolini më flet sërish për aksionin në Greqi dhe fikson ditën e 26 tetorit. Jakomoni jep informacione shumë të favorshme, veçanërisht për gjëndjen shpirtërore të popullsisë çame që është në favorin tonë.”[6]
Cilido që nuk ka yzengji në tru e kupton se nuk mund të ketë asnjë lloj veprimi që ngarkon me përgjegjësi Qeverinë shqiptare në atë rast. Dihet se si rrodhën ngjarjet në luftën italo-greke. Humbja e italianëve qe i pari dështim i Boshtit në fushën ushtarake, në luftën e dytë botërore. Por thyerja e italianëve në Epir u pasua me sulmin gjerman në Ballkan dhe barazpeshat e Versajës u rrëzuan më 18 dhe 27 prill, me hyrjen e gjermanëve në Beograd e në Athinë. Këta veprime luftarake ndryshuan edhe hartën e Ballkanit, me krijimin e shteteve të Kroacisë e të Malit të Zi, me zgjerimin nga lindja e jugu të Bullgarisë e me bashkimin me Shqipërinë të Kosovës, Dibrës, zonës së Liqenjve e, më vonë të Plavës e të Gucisë. Mbetën jashtë kufijve ende Çamëria, Pindi dhe zona e Janinës, Artës e Prevezës.(Fillimi: Kerkoje me saerch ne daten 7 Prill 2020)
(VIJON)
[1] Kastriot Dervishi “Historia e Shtetit shqiptar 1912 – 2005” F. 465
[2] Francesco Jacomoni di San Savino “La politica dell’Italia in Albania” F. 232
[3] Po aty F.239
[4] Ditari i kontit Çiano F.60
[5] E vërteta mbi ato ngjarje është shkruar nga Kastriot Dervishi në “Historia e Shtetit shqiptar 1912-2005” F. 575-577
[6] Ditari i Kontit Çiano F. 62 – 64