(Përjetime të një mësueseje në 30 vjetorin e Lëvizjes studentore që përmbysi regjimin diktatorial të Enver Hoxhës).
Nga Keze Kozeta ZYLO/ Ndonëse ka kaluar 30 vjet qëkur filluan lëvizjet e mëdha për të përmbysur regjimin më dikatorial në Europë, ato perseri duhen kujtuar me shkrim si në rastin në fjalë: psh rreth një përjetimi personal si mësuese aktiviste për këtë lëvizje nga më qytetaret, më civilizueset për Kombin shqiptar.
Megjithatë shpesh hesht, sepse udhëhiqem nga motoja e babait tim veteran të Luftës si: “Ne bëmë detyrën karshi Atdheut”!
Për të qenë e sinqertë si bijë e tij, veçanërisht kur ishja e re mund të më ketë irrituar thjeshtësia e tepruar, sepse s’kishja ëndrra për të ndenjur në mjerimin e burgut të fshatit, jo për faktin e thënies së tij lapidare për mua: “Ne bëmë detyrën”, por për faktin për vuajtjet e tij dhe të nënës sime. Ata s’panë një ditë pushimi në jetë, por vetëm puno e puno në punë të rëndë stropacitëse fizike si 90% e popullsisë fshatare, ndërsa disa të tjerë u ngritën me katapultë pa hedhur qoftë dhe një krismë arme kundër okupatorit, pa ditur të shkruanin e të lexonin, të pagdhendurit përfituan gjer në ekstrem…
Ishin vitet e errta, të egra që gjithëkush e ka përjetuar në forma nga më të ndryshmet. Vërtetë fati më hodhi në Tiranë nga eksellenca e rezultateve të bashkëshortit tim të cilin mbasi mbaroi universitetin e inxhinierisë në kontigjentin e ushtrisë e emëruan direkt në Institutin e projektimeve, por shpirtërisht edhe sot në New York në zemër të botes së lirë them: “Lumturisë sime i ka munguar gjithmonë diçka: në radhë të parë lumturia e vëllezërve të mi dhe pastaj shumicës së bashkatdhetarëve që jetojnë akoma me listë për të marrë bukën e gojës apo duan të ikin sa më parë…
E fatkeqësisht kjo dhimbje gërryese vazhdon të ndihet gjer në asht dhe sot pas ëndrrës së bukur të studentëve: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Por më lejoni të hidhem tek përjetimet e mia për këtë lëvizje historike, demokratike, paqësore për të ndaluar krimet e përbindshme karshi të persekutuarëve, të dhunuarve dhe mjerimit mbarë kombëtar.
Ishte i çuditshëm përjetimi ndërkohë shihja se si nje dritëz hyjnore po ulej pranë Tiranës, pranë intelektualëve shqiptarë, punëtorëve plot ëndrra, dhe në këtë rast e kam fjalën për Tiranën, pasi atë e njoh gjer në imtësi, sepse e fillova profesionin e mësuesisë dhe e ushtrova për 20 vjet në kryeqytet, pak fat apo jo?
Kishte vite më përpara që diskutohej brenda mureve të shtëpisë, brenda dhomave pakënaqësia midis intelektualësh që me siguri do të vinte një ditë që do të shpërthente si vullkan, por këtë radhë jo me karabina pushkësh, por paqësisht dhe plot kulturë…
Kështu në shtëpinë e njerit prej ish grevistëve të urisë prof.Mehdi Shehut, të intelektualit erudit ndjesë pastë arkitektit Nesti Çabirit, në shtëpinë e demokratit dhe mësuesit profesionist të boksit, Baftjar Shehut, apo në shtëpinë time diskutoheshin herë pas here probleme të dhunës, të mohimit të lirisë etj, të gjitha këto nën besim miqsh të ngushtë dhe të kahershëm. Kur Nesti Çabiri na bënte leksione private, kuptohet pa pagesë për italishten në vitet 88-89 në kohë të lirë na thoshte: “Sa keq!
Hamë me tallon, rrimë me orë të gjata për të marrë vezë, ndërsa Europa i shkel me këmbë. O Zot ç’mjerim është këtu përsëriste herë pas here”! Ne e dëgjonim me kurreshtje sepse ishte i vetmi person nga ne që ishte shkolluar për arkitekturë në Gjermani dhe Itali dhe sigurisht krejtësisht i besueshëm për atë që thoshte. Ndërsa prof.Mehdi Shehu i lëndëve inxhinierike na solli një ditë fshehtas Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut e miratuar me 10 dhjetor, 1948, ku ndër të tjera do të më ngulitej në kokë si thumb neni 19 i cili thotë:
“Gjithkush ka të drejtën e Lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin
lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të
informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë”.
Në gjimnazin “50 Vjetori i Pavarësisë” dhe shtrimi në spitalin ushtarak
Grupi ynë kishte në përbërje disa mësues të ish gjimnazit “50 vjetori i Pavarësisë” në Kombinat ku shumica e gjimnazistëve i kishin prindërit punëtorë me tre turne në Kombinatin tekstil. Këta mësues ishin: Inxh.Valentina Shehu, Inxh.Liri Çabiri, Baftjar Shehu dhe Kozeta Zylo, ku më duhet të theksoj se mësueset Valentina, Baftjari dhe autorja e këtij shkrimi kishin ngritur probleme rreth dhunës psikologjike që ushtronte organizata bazë e partisë së shkollës rreth mendimeve tona të lira, të hapura deri diku në orën e mësimit, ku u përfshinë dhe katër mësues të tjerë si Beatriçe Capo etj, dmth bëheshim 7 mësues pa teserë partie, që nxënësit na quajtën 7 shaljanë. E sjellë këtë kujtim pasi dua të tregojë fytyrën e shtetit të egër që për problemet që ne ngritëm solli në shkollën tonë dy herë radhazi Vangjel Moisiun sekretarin e punëve ideologjike pranë Ramiz Alisë, sekretar i parë i Komitetit qendror të Partisë së Punës së Shqiperise në vitin 1985 mos gaboj, për të marrë takim me të shtatë prej nesh, ish drejtorin e shkollës demokratin dhe intelektualin Myfit Ishmaku si dhe me organizatën bazë të partisë që kishte për sekretare Razie Stafa. Për hir të së vërtetës Vangjel Moisiu më shumë dëgjoi prej nesh dhe sjellja e tij ishte tepër ndryshe nga diktatorët dhe të pagdhendurit. Pas tij erdhi për katër herë radhazi Pirro Lako i akuzuar si qejfli femrash, ish sekretar i komitetit të partisë së Tiranës i cili organizoi mbledhje kolektive me gjithë mësuesit për të na diskretituar dhe për të marrë masa siç dinin ata të merrnin. Zëri mbrojtës i mësueses inxh.Valentina Shehut, mendimet burrërore, trimit sypatrembur Baftjar Shehut ishin tejet tronditëse për një sekretar me aq fuqi partie për gjithë Tiranën. Kur më erdhi radha mua ndërmjet të tjerash thashë se nxënësit tanë po marrin shumë pak bursa për të shkuar në Universistet, sepse nuk kanë krah janë bij të klasës punëtore… Në fund Pirro Lako i “përndritshmi i partisë” erdhi me konkluzionin se Këze Zylaj ka rënie ideologjike… Kaq duhej për të qenë në shenjestër nga falangat kanceroze dhe sahanlëpirësit që nuk ju ndanë kurrë Kombit tonë.
Pas disa ditësh më vjen njoftimi nga sekretarja e organizatës bazë të partisë Razie Stafa që në atë kohë funksiononte për dy gjimnaze: “50 Vjetori i Pavarësise” dhe “Myslym Keta” në Kombinat se duhet të paraqitesha pranë Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës ku më kishte thirrur për takim Pirro Kondi i cili ishte në atë kohë sekretar i parë i rrethit të Tiranës dhe kandidat i byrosë politike. Së bashku me bashkëshortin tim dhe vëmendjen e familjes të cilet u shqetësuan shumë, më çuan pranë godinës së Komitetit të Partise, sot godina qendrore e partisë socialiste.
Më duhet të theksoj pa lejen e tij përtej modestisë se kam pasur në krah një bashkëshort shembullor, burrëror me mendime të hershme liberale demokratike dhe që s’i trembej syri nga e vërteta…
Sekretarja e zyrës se Pirro Kondit pasi më mori dhe më çoi në paradhomë më tha që do të presësh këtu derisa të na njoftoj për të vajtur në zyren e tij. Dhe erdhi momenti i shkuarjes atje, ndërsa Qemali priste perjashta, me mendimin dhe dyshimin se mund të arrestohesha ose kushedi çfarë dënimi tjetër.
Pirro Kondi ishte me një veshje sportive me një bluzë me mënga të shkurtëra që më befasoi për paraqitjen e tij si zyrtari më i lartë i kryeqytetit. Sekretari i parë Kondi e filloi bisedën: -Ju jeni Këze Zylaj? – Po i thashë Këze Zylaj. – Ju keni sjellë shumë shqetësime dhe ç’është më e keqja se keni bërë për vehte mjaft nxenës të mirë me partishmëri të fortë politike dhe ju po i prishni ata. Këtu medoemos e kishte fjalën për një nxënëse të shkëlqyer, të jashtëzakonshme, që për katër vjet njohu vetëm 10-ën, që lexonte dhe jepte opinione si një kritike e mirëfillte, Merita Gjeçin e cila na kishte bërë një mbrojtje dinjitoze si nxënësja ime për katër vjet. Ju keni thënë në disa mbledhje të drejtuara nga i deleguari i Ramiz Alisë Vangjel Moisiu dhe yni Pirro Lako midis të tjerash se: “partia e punës nuk po u jep bursa fëmijëve të “kllasës” punëtore (sqaroj këtu se të gjithë të mëdhenjtë e parties, fjalen klasë e shqiptonin kllasë si në rusisht…) I thashë se unë kam ngritur me guxim një të vërtetë që duhet thënë se shumë pak po shkojnë në Universitet nga gjimnazi ynë, nxënësit tanë, është një shkollë që është lënë mbrapa liste.
Pirro Kondi me hakërrim në dialektin lokal gjirokastrit dhe forcë detyre partie u përgjigj: “Vajzo, vajzo ( shtoj ketu se ishja 27 vjeçe) ne kemi dhënë dhe vazhdojmë t’ju japim “kllasës” punëtore bursa, ata janë prioriteti ynë. Duke vazhduar dhe dëgjuar më së shumti atë për gati 2 orë pasi ishja e thirrur atje në emër të grupit të 7 mësuesëve, kuptova se koefiçienti i inteligjencës së tij vlente për të dëshëruar, ishte thjesht një vegël qorre e partisë në pushtet, fal bëmave dhe lidhjeve të ngushta që kishte me klanin e fuqishëm të byrose politike. Pasi më tha se do të heqim nga gjimnazi për shkak të rënies ideologjike dhe do të çojmë në një cikël më të ulët, siç ishte shkolla 1 Qershori, që midis nxënësve kishte mjaft rom, shkolla ishte prane Selitës, vazhdoi se përsëri ne do të shohim se si do të punosh pranë tyre…
Me lot në sy e kundërshtova se heqja ime nga shkolla është cënim i profesionit tim dhe njëkohësisht shkatërrohet reputacioni im duke lënë shkas që shumë gojë të liga të flasin dhe të intepretojnë sipas dëshirës së tyre.
Pirro Kondi me një kërcënim të frikshëm m’u përgjegj: “Vajzo, vajzo, ka dhe punë detyronjëse, ka dhe burg, ke dy vajza të vogla për të rritur, bashkëshortin e keni përjashta që po u pret, është në pozicon të mirë pune… ( e dinte sekretari i parë Pirro Kondi punën dhe lëvizjen e bashkëshortit tim i cili në atë kohë ishte shef i teknikës së gjithë ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes).
Të gjitha këto janë herë e parë që i shkruaj në publik, por janë kujtime të përjetuara të thëna aq lirshëm, aq miqësisht aq besueshmërisht në shtëpinë e ish grevistit të urise prof.Mehdi Shehut dhe rrethit tonë miqësor ku diskutuam me aq guxim për bëmat dhe tmerret e kokave që udhëhiqnin partinë.
Pas vendimit të 2 Pirrove të famshëm përfundova në spital ushtarak me një lodhje nervore, ku më jepnin valium për të bërë gjumë… Kurrë s’do ta harroj veçanërisht shqetësimin e atit tim i cili erdhi për gjithë natën nga Mezhgorani për të më parë në spital dhe këshilluar. Duke më vënë dorën tek balli këshilloi: “Bija ime! Kudo që të vesh më beso se do të dali më mirë!” Çfarë profecie që pati! Pasi dola nga spitali me lot në sy shkova pranë shkollës “1 Qershori”, ku më duhet të shtoj se ish drejtoresha e shkolles znj.Miranda Kalaja një intelektuale erudite me shumë gjuhë, ish mësuesja e matematikes me një familje të persekutuar autoktone tiranase Lejla Begeja, mësuesja e biologjisë Afërdita Bega, ishin pakuptuar ëngjëjt mbrojtës të mi. Drejtoresha ishte informuar nga organizata bazë e partisë së shkollës rreth dosjes sime dhe me elegancë dhe plot mirësi më hapën një vend të ngrohtë reth ”oxhakut” të kesaj shkolle me aq vlera dhe plot kulturë. O Zot kur i kujtoj filmat dhe librat që diskutonim pa ndrojtje, edhe sot habitem se sa me fat ishja që shkova pranë tyre, dhe çuditërisht gjithë kolektivi i atjeshëm arsimor ishte në rezonancë me lirinë individuale…
Eja mblidhuni këtu-këtu!…
Si çdo nismë e bukur apo e pabukur e ka një zanafillë e ka një shtysë për ta realizuar.
Duke e pasur shtëpinë pranë qyteti studenti, ish shkollës “Labinoti” dhe dhoma e gjumit tonë përkonte nga ana e oborrit të saj, papritur një natë e zakonshme u shndërrua në zëra Lirie, në zëra të rinjsh studentësh që hidhnin parrulla në kor: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Kadare, Kadare, Kadare hajde me ne, ose këndonin: Ejani mblidhuni këtu, këtu, eja mblidhuni këtu, këtu”!…
Për bashkimin me nismën e studentëve e kam fjalën jo vetëm që ishim të bindur plotësisht për ndryshim dhe këto falë bisedave pothuajse të përnatshme me intelektualë të mirëfilltë, por të pabujshëm ose të harruar, por nga ana tjeter e kishja parë dhe ndjerë në shpatulla egërsinë e Pirrove dhe vasalëve të tyre në organizata partie arsimtarësh që më së shumti këto organizata i drejtonin injorantë me shpirt katran…
Për hir të së vërtetës protestave të studentëve të dhjetorit po i bashkohej pothuajse paprimtas gjithë populli i Tiranës të udhëhequr nga intelektualë liberal dhe plot kulturë perëndimore. Kjo nuk duhet harruar kurrë, nuk është koha për të marrë i pari flamurin e demokracisë, pasi prijësit në se nuk i venë luftëtarët pranë, kanë mbaruar misionin.
E kam fjalën për popullin e shumëvuajtur, punëtorë, fshatarë, minatorë, anëtarë me tesera të partisë së punes që janë me mijëra të ndershëm prej tyre dhe shumica vuajtën po njëlloj si ata pa tesera, që erdhën dhe shpërthyen gjokset e tyre duke thirrur: “Eja mblidhuni këtu-këtu, E duam Shqipërinë si gjithë Europa”!
Filloi të diskutohej ethshëm nëpër grupime mësuesish, nëpër grupime nxënësish, ku filloi ndarja në demokratë e socialistë, ku vazhdonte akoma klithma e kukuvajkave të disa mësueseve komuniste, veçanërisht ato e ata qe ishin komplet trushpëlarë dhe të vinin fletë rrufe për shfaqje të huaja që më shkaktojnë neveri kur i kujtoj.
Një natë pranë shkollës “Labinoti” u dëgjua zëri i Azem Hajdarit dhe emri i tij nga studentët që ishin mbledhur duke hedhur parrulla, te cilët ishin përzënë nga policia e Ramiz Alisë dhe Byrosë politike për të shtypur dhe shpërndarë lëvizjen. Ishte një natë e frikshme, por e bukur, ishte një dhimbje e bukur siç thotë poeti kombëtar Ali Podrimja.
Ne shkonim çdo mëngjes në sheshin e Demokracisë pranë studentëve të grevistëve të urisë, shkonim me miken time të ngushtë, inxh.Valentina Shehun e cila kishte bashkëshortin e saj në grevë urie, prof.Mehdi Shehun, shkonim së bashku me vajzat tona aq të vogla, ish nxënëse të shkollës “Kosova” të cilat në mënyrën e vet thoshnin: “Babi është me ju, Babi është me ju”!
(Në atë kohë ishte në Ministrine e Mbrojtjes dhe pastaj e hoqën për pikëpamje demokratike).
Emocionet, energjinë aq pozitive që merrnim pranë qytetit studenti do të ngelen të paharruara në kujtesën tonë. Po dëgjoheshin zëra Lirie, zëra të rinjsh që kishin ëndrra aq të bukura, zëra nga greva e urisë, që mund të dilnin ose jo të gjallë. Midis tyre dëgjoja zërin e prof.Shenasi Ramës ish studentit të grevës së urise dhe njërit ndër themeluesit e opozitës kundër sistemit komunist në Shqiperi. Opinionet e tij analitike dhe tejet profesionale në publik i përkasin një elite të zgjedhur që mjerisht akoma heshtet për këta intelektualë që i shërbejnë realisht Kombit.
Dëgjoja zërin e dhëmbshur të Edlirës, vogëlushes që kërkonte të atin e saj në grevë urie prof.Mehdiun që siç kujton prof. Rama në statusin e tij se: “Në këto momente kishja dash me kujtue e nderue grupin e ngushtë të shoqatës dhe promotorët e vërtetë të grevës së urisë Arben Liken, Arben Sulon, Edmond bushatin, Xheni Taninin, Vilsa Dade, Edvin Shvarc, Alban Picin, të ndjerin Fred Gremin, si dhe pedagogët patriotë Mehdi Shehun dhe Ukë Bucpapaj. Pavarësisht rrugëve që kanë marrë në jetë të gjithë shqiptarët e kanë një borxh nderi me ua kthye këtyre djemve dhe vajzave të papersëritshme dhe studentëve të tjerë pjesëmarrës”.
Në pallatin e Kulturës dhe hedhja e bustit të diktatorit Hoxha
Pjesëmarrja e popullit në qytetin studenti sa vinte dhe po merrte përmasa të papara duke u mbështetur nga shumë intelektualë. Kështu një mbasdite të gjithë mësuesit demokratë u mblodhëm në Pallatin e Kulturës ku në presidium midis të tjerëve do te ishte prof.Ylli Vejsiu.
Pjesëmarrësit në sallë më caktuan për të lexuar në emër të gjithë mësuesëve të Tiranës telegramin në mbështetje të grevës së urisë së studentëve në Pallatin e Kulturës në Tiranë që drejtohej nga prof.Ylli Vejsiu, ish një nga nismëtarët themeltarë të partisë demokratike. Kur dolëm përjashta vëllai, shumë miq dhe kolegë dashamirës më thanë se brenda në sallë janë vendosur kamerat dhe mund të ketë arrestime, sigurisht këto ishin presione, por dhe me të vërtetën e hidhur brenda, por a po pyesnim më nga ai regjim që kishte sjellë sa e sa drama njerëzore, a mund të vritej më ëndrra e Lirisë së mohuar?
Regjimi po ndjente nga afër grahmat e fundit ndaj dhe mblidhte forcat e zeza dhe më shumë rreth vehtes për të shtypur dhe vrarë demonstruesit.
Ishin ditë dhjetori, ditë të ftohta për nga stina, por vullkani i zemrave rinore ngrohte atmosferën dhe zjarri i shenjtë prej Perëndie dukej se kishte prekur dhe tokën e pushtuar nga banditët udhëheqës që mjerisht e kanë gllabëruar atë tokë pothuajse në çdo sistem…
Ishin muaj tejet me ngarkesë sidomos për ne banuesit e Tiranës dhe që i mbështetnim ata pasi na duhej të merrnim pjesë paradite, mbasdite deri në hedhjen e bustit të diktatorit Enver Hoxha.
20 Shkurti ishte një ditë historike për shqiptarët, ishte një ditë që i tregoi botës se shqiptarët e duan Lirinë, se shqiptarët s’jetojnë dot nën diktaturë.
Në këtë ditë u nisëm nga sheshi i studentëve, ku me artopalant na drejtoi drejt sheshit qendror aktorja e Teatrit Kombëtar Raimonda Bulku. Do të kishja shume dëshirë të kishim aparat fotografimi për t’i pasur si relike apo pikturë nëpër bluzat dhe fustanet tona ujin me ngjyrë që lëshuan makinat e policisë duke filluar para TVSh-s drejt trupave tanë. Ëndërroj të kishja një vidio ku të ishin rekorduar thirrjet e demonstruesve, kur panë policët para TVSH-s apo kryeministrisë dhe ish komitetit qendror si: “policia është me ne, policia është me ne”!…
Shumë interesante është fakti se mësuesi Baftjar Shehu i cili ishte direkt në hedhjen e bustit të Enverit kokëposhtë, mori nga busti i diktatorit në sheshin e Tiranës një pjesë nga këmba e tij, nuk e di në se e ruan akoma apo jo?
Ditët e shkurtit po rrokulliseshin me shpejtësi si dhe shumë gjëra të tjera kardinale për Shqipërinë.
Në Partinë Demokristiane të Shqipërisë
U krijuan parti të ndryshme demokratike, për nga radha partia demokristiane ishte e treta pas demokratikes dhe republikanes. Mora pjesë qysh në krijimin e Partisë demokristiane, e ftuar nga miku i ngushtë i familjes sonë intelektuali shkodran inxh.Franc Marku. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë: Ishte e vetmja parti që shkruante në status se nuk pranonte ish komunistë dhe që sot pas 30 vjetësh kur e mendoj më vjen për të qeshur se sa naivë tregoheshim ndonjëherë nga gënjeshtrat dhe gjepurat e “liderëve” të korruptuar fund e krye… Por kjo do te jete nje shkrim tjeter që mjerisht ne nuk ndryshojmë kurrë, mjerisht ne mohojmë njeri tjetrin. As më pak e as më shumë kam parë historikun në Web të Partisë Demokristiane ku aderova, dhe absolutisht nuk zihet emri dhe pse me krenari e them që u zgjodha sekretare e përgjithshme publikisht nga shkodranët edhe pse ishja nga Jugu dhe e vetmja grua, ndërkohë drejtova gazetën “Ora e Shqipërisë” organ i partisë në fjalë. Po ku do t’ja dije Nard Ndoka që është në krye të PDKSh-s dhe as ka qenë fare anëtar të pakten deri në shkurt të 1997-ës, kur u arratisëm nga bandat dhe kallashnikollët që të shponin sytë tej përtej…
Në këtë parti takova një nga burrat e rrallë të kombit, intelektualin erudit Dr.Lazër Radin i cili u burgos dhe internua për 50 vjet nga regjimi diktatorial hoxhist. Nëpërmjet gazetës “Ora e Shqipërisë” Dr.Lazer Radi sillte shkrime që ja rrisnin karatin nivelit të saj dhe nëpërmjet publikimeve njoha një shkrimtar të një race të epërme që do të mbetet emblemë për kulturën, filozofinë dhe letërsinë shqiptare.
Është e pamundur t’i përshkruash gjithë ato skena që ke marrë pjesë dhe i ke parë me sytë e tu, por është e mundur të tregosh historinë e patreguar që ka qenë brenda teje dhe që rrinte në agoni deri në shpërthim siç dhe do të shkruante shkrimtarja amerikane Maya Angelou.
Megjithatë unë po i referohem Rosa Parks, kësaj gruaje trime, amerikane, aktiviste e shquar e cila ka thënë: “I’d like to be remembered as a person who wanted to be free and wanted other people to be also free.” që do të thotë: “Unë dua të kujtohem si një person ku dëshironte të ishte e lirë dhe ka dëshiruar që edhe të tjerët të jenë të lirë”.
Në këtë rast unë kujtoj nga Nju Jorku me mall e nostalgji të gjithë miqtë liridashës, të gjithë ata martirë të Lirisë, të gjithë demonstruesit që u sollën plot kulturë dhe pa dhunë në sheshe e kudo, kujtoj atë kohë aq të afërt, por ende shumë të largët në përmbushjen e ëndrrës rinore dhe të gjithë shqiptarëve: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”!