
Altin Ndrio doktor në Spitalin “Centro Hospitalar Universitário de São João” në Porto, Portugali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën e shtetit portugez ndaj covid-19 dhe gjëndjen në shtetin iberik. Me Dr. Altin Ndrion, bisedoi gazetari Sokol PAJA.

SITUATA E COVID-19 NË PORTUGALI
Deri në ditën e sotme statistikat në Portugali tregojnë më shumë se 39392 raste positive që nga fillimi i pandemisë, si dhe 1534 viktima. Të shëruar janë mbi 25550 persona. Në 24 orët e fundit kemi patur 259 raste të reja dhe 4 viktima. Në fakt në fillimin e pandemisë masat që u morën këtu treguan efektshmeri të lartë. Masat ishin: përdorimi i maskës sidomos në ambjente të mbyllura, ndalimi i grumbullimit të personave si dhe distancimi midis njerëzve, larja dhe dezinfektimi më i shpeshtë i duarve, higjienizimi i ambjenteve të punës dhe perreth, ashtu sikurse izolimi dhe diagnostikimi i personave të infektuar, për të parandaluar përhapjen e virusit. Këto masa bënë që situata të kontrollohej sa më mirë. Për këtë Portugalia merrej si shembull nga vendet e tjera të Bashkimit Europian si një nga vendet me numrin më të ulët të të prekurve për një milion banorë. Që nga fillimi i muajit qershor filloi hapja graduale e aktiviteteve në fushat e ndryshme. Në këto momente që kur filloi lehtësimi i masave dhe rikthimi gradual në normalitet, duket se kontrolli i situatës ka dalë nga duart, duke treguar një rritje të konsiderueshme të rasteve të reja. Kjo do të bëjë që të ketë kthim mbapa.

VAKSINA ANTI-COVID, AFËR DHE LARG
Përsa i përket prodhimit të një vaksine të efektshme në parandalimin e infeksionit nga virusi sars-cov2, për memdimin tim në këto momente, është herët të themi nëse bota po has vështirësi apo jo. Që nga zbulimi i virusit për herë të parë në Kinë dhe me përhapjen e tij në të gjithë botën, nga studimet gjenetike që janë bërë, tregojnë se ai ka pësuar më shumë se 170 ndryshime (mutacione) në strukturën e tij. Kjo gjë e vështirëson akoma me shumë prodhimin e një vaksine të vetme efikase. Kompani të ndryshme farmaceutike në Europë, SHBA, Australi dhe Azi po punojnë me ritme të shpejta për prodhimin e vaksinës. Nuk duhet të harrojmë që për të konfimuar efekasitetin dhe rezultatet e vaksinës duhet kohë, shumë herë vite të tëra. Njihen rreth 40 lloje virusi që bëjnë pjesë në familjen e Coronaviridae dhe që e kanë shoqëruar njerëzimin që nga zbulimi i tyre deri më sot. Prandaj mendoj se dhe sars-cov2 si pjesë e kësaj familje të madhe do të na shoqërojë për shumë vite.
SHQIPTARËT NË PORTUGALI

Komuniteti Shqiptar në Portugali është shumë i vogël. Nuk ka burim të saktë për numrin por mendoj se nuk i kalon 100 vetë. Në rrethin shoqeror që ne njohim situata është normale dhe pa probleme. Në qytetin e Portos ku unë jetoj dhe punoj numri është shumë i reduktuar. Nuk kam të dhëna. Sa i përket të ardhmes në Protugali, situata akoma nuk është e kontrolluar ashtu siç duhet, prandaj kujdesi dhe masat duhet të vazhdojnë. Duke ruajtur veten, ruajmë dhe të tjerët. Distancim, higjienë dhe përdorim maske. Të gjithë bashkë për një ambjent të pastër dhe shoqëri të shëndetshme.
KUSH ËSHTË DOKTOR ALTIN NDRIO
Altin Ndrio ka kryer studimet në Fakultetin e Mjeksisë në spitalin Nënë Teresa në Tiranë. Diplomuar në 1994. Pas diplomimit punoi për disa vite në Drejtorinë e Shëndetit Publik, shërbimin ambulator dhe ASHR në qytetin e Tiranës. Që nga viti 2001 është vendosur në Portugali. Në 2005 bëri njehsimin e diplomës këtu në Portugali. Në vitet 2007 – 2010 ka kryer specializimin pasuniversitar në degën Patologji Klinike në “Centro Hospitalar Universitário de São João ” në qytetin e Portos ku vazhdon të punojë dhe sot. Gjithashtu jep orë mësimi si pedagog vullnetar në fakultetin e mjeksisë në spitalin “Centro Hospitalar Universitário de São João ” në qytetin e Portos.