Festë e madhe në Prishtinë, Shugurohet Shenjtëroreja Shën Nënë Tereza/
-Festa-Mesha e shugurimit të Katedraljes Shën Nënë Tereza në Prishtinë ishte shumë solemne dhe madhështore, pjesëmarrës edhe vatranë dhe shumë shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
– Presidenti Thaçi: Kjo Katedrale u ngrit me djersën e popullit, diasporës, besimtarëve shqiptarë, por edhe dashamirësve nga mbarë bota, katolikë, myslimanë e hebrenj – prej kongresmenëve nga Amerika e deri tek qytetari që ka dhënë qindarkën e fundit për këtë Shtëpi të Zotit/
-Reportazh i shkruar në 100 vjetorin Lindjes se Nënës Terezë, në 1 Korrik 2010: Kosovë – Në Katedralen Nëna Tereza Janë Ngritur Flamujt e Festës/
SPECIALE-GAZETA DIELLI NGA KORRESPONDENTI NË KOSOVË BEHLUL JASHARI, i akredituar nga Këshilli për Media i Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza. Me raportimet edhe kronikë e historisë së ndërtimit të Katedrales Nëna Terezë në Prishtinë që nga vënia e gurthemelit/
PRISHTINË, 5 Shtator 2017/ Shumë solemne dhe madhështore ishte sot festa, mesha e shugurimit të Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh nga SHBA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet, madje ishte edhe pjesë e celebrimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili ka ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.
Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza u bë në 5 shtator 2017, në ditën që është e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare.
Në meshën solemne ishin edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, anëtarë të Qeverisë dhe deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të partive politike, të komuniteteve fetare, të shoqërisë civile, mediave nga hapësirat shqiptare e bota, mes të cilave Gazeta DIELLI.
Kjo Katedrale, theksoi Presidenti Thaçi, u ngrit me djersën e popullit, diasporës, besimtarëve shqiptarë, por edhe dashamirësve nga mbarë bota, katolikë, myslimanë e hebrenj – prej kongresmenëve nga Amerika e deri tek qytetari që ka dhënë qindarkën e fundit për këtë Shtëpi të Zotit.
“Kjo katedrale është jo vetëm tempull fetar por edhe një rrëfim i historisë sonë. Me këtë rast me lejoni të ripërsëris faktin se jemi krenarë se nga populli ynë dolën dy figura të mëdha Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Nëna Terezë. Nuk ka beze as pëlhurë te bardh ose të zezë që mbulon madhështinë kombëtare dhe civilizuese të Gjergj Kastriotit”, u shpreh Presidenti i Kosovës.
Me respekt të veçantë në meshën solemne të ftuar dhe pjesëmarrës ishin anëtarë të familjes së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, si dhe të Familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Shumë nga pjesëmarrësit janë takuar e përshëndetur me vatranët nga SHBA, para dhe pas meshës solemne të festës së shugurimit të Katedralës Nënë Tereza.
“Që nga shekulli i 4-të është zakon që një kishë katolike të fillojë të përdoret në formë solemne, para së gjithash në një kremtim solemn eukaristik – në meshë të shenjtë (shërbesë liturgjike). Zakonisht një kishë e re kushtohet, respektivisht shugurohet nga ipeshkvi i vendit”, thekson Ipeshkvia e Kosovës.
Ecuria e ritit të shugurimit ishte kjo:
Riti i shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë filloi me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve hyrëse të Kishës. Prinin ministrantët (shërbestarët liturgjikë) dhe priftërinjtë bashkëkremtues pas të cilëve shkonte i Deleguari i posaçëm i Vatikanit Kardinali shqiptar Ernest S. Troshani, i shoqëruar nga Ipeshkvi i Kosovës Mons. Dodë Gjergji bashkë me ipeshkvinjtë e tjerë të ftuar. Në hyrje të Kishës u bekua uji i përgatitur për të bërë ripërtëritjen e dëshmisë së pagëzimit të besimtarëve. Duke hyrë, Kisha dhe hapësira e Kishës u spërkaten me ujë të bekuar. Në ndërkohë këndonte Kori i Kishës i cili përcejllte ceremoninë gjatë gjithë kohës.
Vijuan leximet nga Shkrimi i Shenjtë. Pas Ungjillit dhe predikimit vijoi kushtimi apo shugurimi në kuptimin e plotë të fjalës, i cili u hap me litanitë – ku thirrën në ndihmë ndërmjetësia e shenjtërve dhe shenjtëreshave të Kishës katolike.
Vijoi vendosja e relikteve – pikat e gjakut të Shën Nënë Terezes, në vendin e përgatitur – te truporja e saj anash altarit kryesor.
Pastaj altari u pastrua me ujë të bekuar dhe u lye me bagmin apo vajin e shenjtë. Gjithashtu me këtë vaj të shenjtë u lyen edhe dymbëdhjetë kryqet e apostujve në muret e Kishës.
Mbi altar digjej temjani apo kemi, shoqëruar nga një këngë e kënduar e bashkësisë dhe lutja e kushtimit nga ana e Ipeshkvit. E gjithë kjo u pasua nga kremtimi eukaristik – kushtimi i dhuratave, respektivisht kujtimi i Darkës së fundit të Jezu Krishtit.
Në përfundim të gjithë besimtarët e kënduan lutjen ‘Lavd e ndera të qoftë, o Zot’ në shenjë mirënjohje për këtë ngjarje të rëndësishme. Të pranishmit e shumë në meshën solemne të shugurimit të Katedralës Nëna Terezë u shpërndanë pas marrjes së bekimit solemn të Kardinalit…
Brenda Katedralës dhe jashtë rreth saj në festën e shugurimit kishte mijëra njerëz, edhe shqiptarë nga Shqipëria e viset tjera etnike dhe diaspora shqiptare.
Brenda Katedralës në meshën solemne nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj, anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që ka ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botojë së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”….
Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.
Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”, në 26 gusht, vlerësoi lart të gjitha kontributet. “Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë në 5 shtator”, është shprehur Ipeshkvi Gjergji.
Mbrëmjen e djeshme, pas meshës Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytet, Ipeshkvia e Kosovës ftoi edhe në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.
Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.
“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.
“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.
Katedralja në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Korrespondenti i tashëm në Kosovë i Gazeta DIELLI me raportimet është edhe kronikë e historisë së ndërtimit të Katedrales Nëna Terezë në Prishtinë që nga vënia e gurthemelit. Tash edhe i akredituar në Ipeshkvinë e Kosovës nga Këshilli për Media i Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza.
“Kosovë – Në Katedralen ‘Nëna Tereza’ Janë Ngritur Flamujt e Festës”, është titulli i reportazhit që kam shkruar e botuar në Agjenicinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë në 100 vjetorin e Nënës Terezë, në 1 Korrik 2010.
Ndërtimi i Katedralës është bërë i mundur nga donatorët e diasporës shqiptare nëpër botë. Rezultati është një Katedrale madhështore në qendër të kryeqytetit të Kosovës, e lartë 32,50 metra, e gjerë 42,30 metra dhe e gjatë 77,40 metra.
Para një viti, në 2016-tën, shenjtërimit të Shën Nënë Terezës i parapriu Koncerti i Filharmonisë së Kosovës “Valsi Hyjnor” në Bazilikën Shën Pali Jashtë Mureve, në 3 shtator, me një përfaqësi mbarëshqiptare. Meshën e Shenjtërimit e udhëhoqi Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan në 4 shtator. Mesha e falënderimit është udhëhequr nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, në 5 shtator.
Në 26 gusht 2017, kur nisën “Ditët e Nënës Terezë” në mbrëmje feste e programi kulturor me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës në Katedrale u hap edhe një ekspozitë e autorit Sakip Imeri e fotografive dokumentare që nga vënia e gurthemelit të Katedrales në Prishtinë.
Pjesë e veprimtarive është edhe ekspozita me fotografi e dokumente “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, e cila është hapur në Bibliotekën Kombëtare në kryeqytetin e Kosovës, me bashkëorganizim të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Ipeshkvisë së Kosovës.
Nën një nga fotografitë e ekspozitës lexojmë: “Gonxhe Bojaxhiu nxënëse në shkollën fillore shqiptare të Shkupit, në vitin shkollor 1922/1923”.
Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016).
Në 10 dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja, Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”
Biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, Vikar Gjaneral i Ipeshkvisë së Kosovës, ka shkruar: “Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu? Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar….
Kush ishin prindërit e saj? Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë, si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve.
Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut.
Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973)”.
“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, Kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, nga takimi i parë në vitin 1975, në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, në qershor 2010
“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregonte Zefi.
Ai tregonte se me Nënën Tereze është takuar edhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”.
Po ashtu, Zefi tregonte se me Nënën Terezë ka pasur 3-4 takime edhe në Romë.
“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…”, shprehej Zefi, derisa bisedonim në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralën në ndërtim në Prishtinë…
***
Në Katedralen “Nëna Tereza” Janë Ngritur Flamujt e Festës
-REPORTAZH I VITIT 2010 – NE 100 VJETORIN E NENES TEREZE/
PRISHTINË, 1 Korrik/ATSH-Behlul Jashari/.- Flamujt janë ngritur këtë verë lart mbi kulmin e katedrales në ndërtim, me emrin e Nënës Terezës, në qendër të kryeqytetit të Kosovës, përballë Universitetit të Prishtinës.
Janë flamujt e ngritur në 100 vjetorin e lindjes së nobelistes shqiptare, në këtë vit jubilar, të cilin Kosova e shënon si “Viti i Nënës Terezës”, i shpallur e tillë nga presidenti i shtetit më të ri evropian.
I pyetur për këtë imazh flamujsh në Katedrale, Don Shan Zefi, thotë se “është flamuri kombëtar shqiptar, flamuri i shtetit të Kosovës, dhe Flamuri i Vatikanit Janë tre flamujt, që paraqesin Kishën Katolike edhe në Kosovë”.
Ipeshkvia e Kosovës, e cila kishte selinë në qytetin e Prizrenit, tani ka selinë në Prishtinë, në një ndërtesë të sapondërtuar, shumë pranë, në një oborr, me Katedralen “Nëna Tereza”, e cila është në ndërtim.
Don Shan Zefi, i cili udhëheq punën për ndërtimin e Katedrales, thotë se projekti ecën përpara, sipas afatit të parashikuar. “Deri më 26 gusht 2010, kur kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënës Terezës, mendojmë se ndërtesa e Katedrales do hyjë nën kulm, do përfundojnë punimet e mëdha, do të ketë dyert e hyrjes dhe dritaret”, thotë ai.
“Dita e 100-vjetorit të Nënës Terezë është një jubile jashtëzakonisht madhor, do të kremtohet me një pjesëmarrje të madhe e shumë veprimtari. Do të ketë edhe një meshë solmene”, tregon Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi.
Ndërsa, shton ai, shenjtërimi – shugurimi i Katedralës “Nëna Terezë”, do të jetë më vonë, pas një kohe që do zgjasë sa dhe përfundimi i të gjitha punimeve, përfshirë edhe ato të brendshme në objektin e Katedrales, që do jetë edhe një mrekulli arkitekturore.
“Është një projekt që do kohë të realizohet. Do të ketë piktura, skulptura, simbole.Do të ketë dekorim me mermere të çmueshëm, me ngjyrat e Nënës Terezës.Edhe arkitektura do të ‘flasë’ shqip”, thotë Zefi.
Katedralja në Prishtinë do të jetë ngjarja më e rëndësishme në kalendarin e aktiviteteve të “Vitit të Nënës Terezës” në Kosovë.
Më 11 nëntor 2009 në Prishtinë u mbajt takimi i parë i Këshillit Organizativ të Kosovës për 100-vjetorin e lindjes së të Lumes Nënës Tereze, ndërsa viti jubilar u hap në 10 dhjetor, me Akademinë kremtore me rastin e 30-vjetorit të laurimit të Nënës Terezës me Çmimin Nobel për Paqe.
Në këtë Akademi, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kujtoi se “30 vjet më parë, Nëna Tereza, teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel, pasi i nënshkroi Dom Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, shkruajti ‘Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar”.
Presidenti Sejdiu më atë rast shpalli dhe vendimin për “Vitin e Nënës Terezës”.
Don Shan Zefin tregon dhe për kalendarin e aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare me famë botërore, të cilat janë paralajmëruar deri në fund të këtij viti nga Këshilli Organizativ i Kosovës.
Ai ka folur dhe rreth temës “Kush ishte e Lumja Nënë Tereza?”, në një nga aktivitetet e zhvilluara deri tani, gjatë Panairit të Librit në Prishtinë, në qershor.
“Kjo datë historike e 100 vjetorit të Nënes Terezës do të jetë dhurata më e madhe për të krishterët, por edhe për mbarë botën për të cilën u flijua, e sidomos për popullin shqiptar, nga e mori gjakun, gjuhën dhe fenë”, pat theksuar më atë rast Zefi.
Gjatë kesaj vere, gushtit, pritet që “Figura e Nënës Terezës në letërsi” të jetë tema e një sesioni në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.
Po gjatë gushtit, mendohet që të bëhet përurimi dhe emërtimi i Urës së Mitrovicës, mbi lumin Ibër, “Ura e Paqes – Nëna Tereza”.
Për ditën e lindjes së Nënës Terezës, krahas veprimtarive për Katedralen, do të jetë edhe një koncert i Filarmonisë së Kosovës, dhe pritet akordimi i Medaljes Humanitare “Nëna Terezë” nga presidenti i vendit.
Më 5-10 shtator është paraparë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Jeta dhe vepra e Nënës Terezës”.
Ndër aktivitetet që priten deri në fund të vitit është dhe botimi i pullës postare me portretin e Nënës Terezës dhe përurimi i shtëpisë muze “Nëna Tereza” në qytetin e Prizrenit.
“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujton fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, nga takimi i parë me të në vitin 1975.
“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë. Kur i thamë se jemi nga Kosova, Nëna Tereza menjëherë u shpreh shqip. Tregoi se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakonshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët.”, kujton Zefi.
Zefi tregon se me Nënën Terezën u ritakua dhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”.
Po ashtu, Zefi tregon se me Nënën Terezën ka pasur 3-4 takime edhe në Romë.
“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë.E ka dashur shumë Prizrenin. Shkupin. Është një figurë padyshim që lidh botën shqiptare”, thotë Zefi, ndërsa bisedojmë në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralen në ndërtim në Prishtinë. Fryma, emri dhe shembulli i Nënës Terezës në Kosovë është kudo. Emrin e saj e mban dhe shoqata e bamirësisë, që ka vepruar e ndihmuar që nga kohët më të vështira për Kosovën. E mban dhe sheshi kryesor i kryeqytetit, Prishtinës.Do ta mbajë dhe ura e Mitrovicës mbi Ibër, me mesazhin për t’u shndërruar nga një simbol konfliktesh e ndarjesh në një simbol paqeje e bashkimi.
Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në Akademinë solemne me rastin e 30-vjetorit të dhënies së çmimit Nobel për Paqe Nënës Terezë, theksoi se “Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor”./s.s./