Nga Valentin LUMAJ-
(Në vazhdim të një shkrimi të Prof. Sami Repishti, PhD : “Randësia për shqiptarët për zgjedhjet e ardhme në shtetet e bashkueme” në gazetën Dielli:
Si duhet të votojnë shqiptarët në SHBA? Natyrisht sipas idealit të tyre, sipas asaj që besojnë e që u duhet për të ardhmen dhe fëmijët e tyre, që vjen dhe si rezultat i përvojës së tyre dhe realitetit në atdheun e parë dhe të asaj që kanë gjetur dhe arritur, të realitetit në atdheun e dytë, që në fund të fundit i përkasin trajektores së një jete.
Lexova një shkrim të bashkatdhetarit tim, Prof. Sami Repishti, që m’u duk se na mësonte se si duhet të votojmë.
Megjithë njohjen e vogël personale me disa shkëmbime telefonatash apo email-esh për çështje të ndryshme të komunitetit, Prof. Repishti ka qenë për mua një ndër ikonat e mia të periudhës post-komuniste, sikurse kanë qenë dhe janë At Zef Pllumbi, Prof. Arshi Pipa, Visar Zhiti etj., shkrimet e të cilëve më kanë dhënë dritë për të qartësuar dhe mbruajtur ndërgjegjen time në lidhje me veprat makabre dhe egzistencën e komunizmit përpara dhe pas viteve ’90.
Veçova shkrimin e fundit të Prof. Repishtit në lidhje me rolin e shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Amerikë. Janë dy momente, të cilat nuk më duket se janë në përputhje me atë çfarë unë kam përceptuar ndër vite nga Prof. Repishti. Në fillim ngurrova të shkruaj, pra të bashkëbisedoj me atë, për këtë çështje, duke menduar se është e drejta e tij, por kur mendoj se cënohet dhe e drejta ime, mendimet e mia, sado të brishta të jenë, nuk arrij që t’i mbaj brenda, por i shpreh me përgjegjësinë e të qënit i ndershëm.
Shkrimi i Profesorit në përgjithësi është një elozhe e gjatë për kandidatin për president Joe Biden. Bëhet një përshkrim i detajuar i mbështetjes së vazhdueshme dhe i qasjes pro-shqiptare të Biden ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi. Kronologjia dhe informacionet e dhëna janë të sakta dhe unë nuk kam ndonjë kundërshti me çfarë është shkruar në shkrim. Pikërisht është një shënim i autorit mbas shkrimit, po ashtu çfarë nuk është shkruar, të cilat u bënë shkas për këtë reagim.
1-Profesori e mbyll shkrimin me shënimin: “Autori [Sami Repishti] voton demokratët”.
Vuajtja dhe qëndresa e atyre që i mbijetuan burgjeve komuniste si ajo e Prof. Repishti përbën një institucion më vete me të gjitha atributet e një lidershipi ideal e “të heshtur” të masave. Them “të heshtur” në kuptimin se ata si Profesori, kanë zgjedhur penën për të qenë i tillë dhe jo foltoret e rrugëve. Si i tillë, deklarimi: “Autori voton demokratet”, i parë ndryshe është një ftesë e papritur, thirrje jo e duhur apo orientim subjektiv për shqiptarët e Amerikës për të votuar Biden.
-Ashtu siç e njohim ne Prof. Repishtin, ish i burgosur politik, antikomunist dhe kundërshtues i socializmit real, si rrjedhojë dhe i ideve që të çojnë atje dhe përkrahës i ideve konservatore dhe kapitaliste, kjo duhej ta veçonte atë nga Biden, i cili i përket spektrit të majtë politik në Amerikë, që aktualisht duket i ekstremizuar në pandeminë e protestave kaotike tani. Prandaj, deklarimi i tij haptas se voton demokratët, duke u bazuar nga konteksi, qartaz mendoj se vjen jo nga bindjet e tij të real-politikës, por vetem nga fakti se Biden paska bërë kaq shumë për Shqipërinë dhe Kosovën.
Por, a duhet që shqiptarët të votojnë duke mos u bazuar në bindjet e tyre, majtas apo djathtas? Për sa kohë që unë me formimin tim, të përplotësuar si qytetar amerikan, nuk arrij që t’i jap kuptim dhe dikush të më ndihmojë qe t’a kapërdij këtë, unë mendoj që JO.
-Ne rradhë të parë, gjithçka liderët amerikanë në mbi 100 vjet, Wilson, Regan, Bush-ët, Klinton-ët dhe më së fundi përpjekjet e presidentit Trump për të vendosur paqe të përhershme midis Kosovës dhe Serbisë, të gjitha këto u atribuohen politikës së madhe të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, strategjive dhe interesave të ndërsjellta mes vendeve tona dhe jo individëve të veçantë, duke mos ua mohuar meritat historike këtyre të fundit.
-Së dyti, presidentët amerikanë dhe amerikanë të tjerë, atë çfarë kanë bërë për shqiptarët e kanë bërë në emër të lirisë dhe të drejtave njerëzorë të popujve dhe kombeve dhe të çdo njeriu, dhe jo për të përfituar kredi politike, aq të rëndomta në rast fushatash elektorale.
-Së treti, vota jepet në bazë parimesh dhe bindjesh politike. Në Amerikë, një qytetar është demokrat, republikan ose i pavarur. Rruge të katërt nuk ka. Dhënia e votës per shkak të favoreve, qofshin këto personale apo kolektive, e tjetërson këtë votë nga e lirë, në të varur. Vota sikurse besimi apo bindje të tjera indivudale, kur ndërrohen për favore, kjo nuk përbën më liri, por biznes dhe në rastin më të keq dezertim dhe nënshtrim.
Se katërti, shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, ua kanë shpërblyer më së miri me respekt dhe mirënjohje, me alencë shpirtërore dhe jo vetëm, të gdhendur në kujtesë dhe në realitetin e tyre të përditshëm, të gjithë atyre (përfshi edhe Biden) që i kanë përkrahur në rrugën për liri dhe demokraci.
Së pesti, shqiptarët normalisht i ruajnë dhe duhet që t’i ruajnë miqësinë dhe mardhëniet e mira me miqtë e tyre amerikanë. Dhënia apo mos-dhënia e votës atij apo këtij nuk duhet të ndikojë dhe nuk ndikon në nivelin e mardhënieve reciproke dypalëshe, atje ku ka arsye, liri dhe drejtësi. Siç e kam theksuar edhe më parë, unë mendoj se çështjet e përhershme kombëtare të shqiptarëve nuk duhet të përzihen me fushatat e përkohshme elektorale, qofshin këto dhe amerikane.
Dhe së fundi, Prof. Repishti si konservator që është, normalisht pritej që të votonte republikanët. Megjithëse është qytetare dhe etike që vota të jetë e fshehtë, deklarimi i tij publik për të votuar demokratët, lë një shije aspak të mirë për republikanët, pasi jo vetëm demokratët kanë kontribuar për shqiptarët. Po sikur presidenti Trump, ashtu siç vendosi paqen me Korenë e Veriut, apo së fundmi paqen mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, në takimin dy-palësh në shtator të vëndos paqen edhe në mes Kosovës dhe Serbisë, a do ta ndërrojë votën Prof. Repishti?
2- Çfarë nuk thuhet në shkrimin e Profesorit është se Biden i përket një partie që aplikon metodat socialiste të zhvillimit, që rrit taksat ndaj klasës së mesme dhe biznesit, që suporton abortin e fëmijve të palindur, që përkrah politikën e kufijve të hapur dhe lëvizjes së lirë ndërshtetërore në kuadër të globalizmit, gjë që shkakton kaosin dhe pandemitë, qofshin dhe vetëm ato ideologjike. Në shkrimin e Prof. Repishti theksohet se Biden e ka filluar karrierën në moshën 28 vjeçare, por nuk thuhet asnjë fjalë se, në historinë e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, Biden është kandidati më i vjetër në moshë. Nuk thuhet asnjë fjalë për shëndetin e tij të lëkundur dhe se sa i aftë është tani për të gjykuar se si duhet udhëhequr Amerika dhe bota për katër vitet e ardhshme. Mjafton të mendojmë se si një presidenti që vuan nga Dementia, mund t’i besohen kodet e armëvë bërthamore që poseodon Amerika! Nuk thuhet asnjë fjalë që Biden ka përqafuar idetë e një grupimi të ekstremit të majtë, një pjesë e mirë e të cilëvë flitet të jenë përfshirë në aktet e pedofilisë apo të trafikut njerëzor. Nuk thuhet për historinë e tij të gënjeshtrave dhe abuzimeve me pushtetin apo sjelljet e tij të pështira me gratë dhe vajzat. Sikur të thuheshin edhe këto, atëherë shkrimi do të quhej i balancuar.
Artikulli i Prof. Repishti, i parapriu një deklaratë të një grupi shqiptaro-amerikanësh nën logon fiktive “Albanian Americans Endorse Biden, Harris”, të përbërë nga anëtarë, funksionarë dhe pjestarë aktivë të fushatës së Biden të cilët vetëm po bëjnë detyrën, si dhe të tjerë anonimë apo të famshëm vetëm për biznesin e tyre. Disa nga këta na kujtojnë emra të njohur të nomenklaturës komuniste dhe programet e tyre se si të manipulojnë Diasporën. Kryesia e këtij grupi, që siç flitet, financohet nga fonde të turbullta të filantropit të ekstremit të majtë Soros, në vazhdimësi kanë ngirë mendjen e tyre me iluzione se përfaqësojnë komunitetin shqiptaro-amerikan. Ne fakt, ata nuk perfaqesojnë as mua e as shqiptaro-amerikanët, përveç vetes së tyre me një votë. Bie në kujtesë letrën denigruese e kohëve të fundit që pjestarë të këtij grupi, gjoja në emër të një million shqiptarëve të Amerikës, i dërguan Presidentit Trump. Ndjehem mire dhe i sigurtë se Trump do ta fitojë edhe një mandat të dytë edhe pa votën e tyre, por e keqja është se këta persona, për interesa të imëta meskine dhe korruptive, po i sjellin dëm të madh çështjve kombëtare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Po ashtu ndiej keqardhje, kur në këtë listë dalloj emrin e Prof. Sami Repishti, i vetmi PhD aty, i cili nuk vjen as nga fusha e biznesit e as nga rruga, por mbi kurrizin e përkulur mban peshën e viteve të persekutimit, të viteve të jetës së gjatë dhe peshën e botës akademike të formimit nga e cila ai vjen. Vuajtja e njeriut Sami Repishti në burgjet e regjimit, ku sundoi e majta, pavarsisht se “të majtat” nuk janë njëlloj nga njëri vend në tjetrin, janë një vuajtje njëlloj për të gjithë ne, e shkruar në lëkurën e gjithë shqiptarëve. Nisur nga kjo, rreshtimi në bllok majtas, përbën surprizë, sigurisht surprizë të keqe për brezin tim dhe ata më të rinj, që prisnim nga Profesori të na drejtonte në kahën e duhur, të kundërt me kahën e së cilës ai i doli një herë e mirë nga kthetrat dhe i mbijetoi.
Shqiptaro-amerikanët, meqenëse Amerika ua ka dhënë mundësinë që të prosperojnë, të integrohen dhe si askund në botë, të mos ndihen të diskriminuar por të barabartë me vendasit, duhet të votojnë si amerikanë, në përputhje me idealet dhe botëkuptimet e tyre personale, me principet tyre, ku përfshij dhe ato fetare e shpirtërore, në lidhje me familjen, me zhvillimin shoqëror, me zhvillimin ekonomik, me të drejtat njerëzore dhe mbi të gjitha duhet që votën ta japin për të ardhmen e fëmijve të tyre dhe gjeneratave të reja shqiptaro-amerikane që po rrisim këtu. Pa harruar të kaluarën tone. Kush harrontë kaluarën, është i dënuar të durojë përsëritjen. Fëmijët tanë dhe Amerika në rradhë të parë dhe Shqipëria mbas, si aleate e Amerikës. Ky është luajaliteti që i kemi premtuar Amerikës kur u bëmë qytetarë të këtij vendi. Në të njëjtën kohë, si detyrë ndaj atdheut dhe kombit, mbas çdo zgjedhje presidenciale, të punojnë ngusht me çdo President, i cilësdo partie qoftë dhe të lobojnë në Kongres dhe Senat në interes të çështjeve tona kombëtare.
*(Nuk dua të them që “Autori voton republikanët)
Michigan, 17 Gusht 2020