




Dersa t’mundem me ligjrue/ E sa gjall me frymë un jam/ kurr Shqypni, s’kam me t’harrue/ Edhe n’vorr me t’përmendë kam. At Gjergj Fishta/
Nga Keze Kozeta Zylo/

Fotot:Gazeta DIELLI/
Të shtunën, më 2 Nëntor në Qendrën “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” NY, u mbajt simpoziumi shkencor për At Gjergj Fishtën.

Simpoziumi ishte në nderim të At Gjergj Fishtës në 148-të Vjetorin e ditëlindjes së Tij, organizuar nga Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. dhe Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”.

Komuniteti shqiptaro amerikane erdhi në këtë simpozium në nderim të At Gjergj Fishtës Poetit Kombëtar, figurës së ndritur shqiptare në 148-të Vjetorin e ditëlindjes së Tij.

Ne u mblodhëm si shqiptarë ashtu siç ëndërronte Gjergj Fishta: “Se vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”.

Ishte njërastësi e mrekullueshme gati si me dorë të Zotit dhe unë e besoj këtë dhe ja pse: “Ne ishim tek Kisha me emrin “Zoja e Shkodës” apo Zoja e Kshillit të Mirë, është një ikonë e Shën Marisë me Jezusin fëmijë. Kjo ikonë gjendej në kishën kushtuar Shën Marisë në Shkodër. Sipas dëshmive të ndryshme të asaj kohe, thuhet se ikona braktisi kishën rrëzë kalasë së Rozafës,më 25 prill 1467, pak para pushtimit të qytetit nga turqit, që kërcënonin çshenjtërimin e kishës, dhe mori rrugën fluturimthi duke kaluar detin drejt Italisë, e mbajtur nga dy Ëngjëj. Kjo ngjarje u ndoq nga dy shtegëtarë shqiptarë, Gjergji dhe De Sclavisi.

Simpoziumi u zhvillua në qendrën kulturore ”Shën Nënë Tereza” gruaja më e famshme në botë që është shqiptare, shqiptares që iu ndalua hyrja në Shqipëri nga diktatura për dekada të tëra, ndërsa bota i jepte çmimin Nobel, dhe midis këtyre dy ëngjëlloreve është burrë i ndritur i Kombit Shqiptar Gjergj Fishta ish kandidat i çmimit Nobel, poeti i Kombit që u mohua për 50 vjet duke e vrarë dhe të vdekur… Pra kishim një trinom të jashtëzakonshëm, një trinom hyjnor në ato mjedise si Zoja e Shkodrës ikonë, Shën Tereza, shenjtore dhe Gjergj Fishta, të cilët mbrohen nga shtegetarët, mbrohen nga i gjithë Kombi. Në New York ai qëndroi midis dy ikonave Zoja e Shkodrës dhe Shën Terezës i mbrojtur nga Ëngjëjt.

Simpoziumin e hapi Kryetar i Këshillit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” atdhetari i nderuar z.Nikoll Grishaj.

U interpretuan Hymnet kombëtare dhe amerikane si dhe Hymni i Flamurit shkruajtur nga At Gjergj Fishta intepretuar nga Fran Shala dhe Donika Gjokaj, të shoqëruar nga Agim Kola.

Në emër të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” simpoziumin e përshëndeti, Dom Pjetër Popaj dhe z.Mark Qehaja n/kryetar i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. si dhe z.Vicenc Domgjoni pinjoll, pasardhës i familjes së madhe Fishta.

Programi ishte me kumtesa me plot vlerë studimore ku nderonin me ligjërimin e tyre si publicisti i shquar, z.Frank Shkreli dhe të ftuarit nga Shqipëria si poeti i mirënjohur Agim Doçi, Dr.Rovena Vata dhe z.Paulin Zefi.

E përshëndetën gjithashtu simpoziumin: z.Dalip Greca editor i gazetës “Dielli”, z.Mhill Velaj kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro amerikanë, Dr.Skënder Murtezani kryetar i degës së Vatrës në Queens dhe z.Nosh Camaj.

Grupi “Rozafati” nën drejtimin e Angjelina Nikës interpretoi vallen e Tropojës.

Kumtesat

Kumtesat që u mbajtën ishin: “At Gjergj Fishta në Amerikë”, nga Frank Shkreli ish gazetar dhe drejtor i Divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, ish drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC.

Padre Gjergj Fishta, Gjuha Shqipe dhe mësuesia kjo “Zeje e shejtë”, nga
Keze Kozeta Zylo moderatore e Simpoziumit Shkencor, shkrimtare, poete dhe bashkëthemeluese e TV “Alba Life” si dhe Shkollave Shqipe në New York, “Ambasador i Kombit”.

Përshëndetje dhe interpretim nga Agim Doçi: “Mjeshtër i Madh” dhe Qytetar Nderi i Qarkut Shkodër, shkrimtar dhe poet i shquar

Nga Akademia e Studimeve Albanologjike mbajti kumtesën Dr. Rovena Vata, Studiuese, kritike letrare, gazetare dhe albanologe.

Ringjallja e veprës Fishtiane pas regjimit diktatorial nga z.Nikollë Nilaj

Artistët e mirënjohur si: Tomë Gjergji, Shaban Lajçi dhe Xhevat Kukaj sollën interpretime të shoqëruara nga lahutari Martin Smajlaj nga poezitë e At Gjergj Fishtës
At Gjergj Fishta, si deputet i Parlamentit Shqiptar dhe kontributi i tij vendimtar në mbrojtjen e çështjes sonë kombëtare në New York dhe Washinngton D.C. nga Z.Paulin Zefi: Historian dhe drejtor i Muzeut dhe monumenteve të Qarkut Lezhë.
Gjergj Fishta ky Rilindas i madh i Kombit tonë që frymëzoi për Luftën e Kosovës nga Blerim Gjocaj, ish luftëtar i UÇK-së dhe koordinator i Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx, Ambasador i Kombit.
Lahuta e Malësisë një kryevepër e poezisë epike shqiptare nga Lekë Çelaj.
Ka qenë një organizim i përkryer për të realizuar këtë simpozium me plot vlera ku më duhet të falënderoj publikisht Dom Pjetër Popaj, Këshillin e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, z.Marjan Cubi atdhetar i mirënjohur, z.Bashkim Shehu kryetar i shoqatës “Skënderbej”, z.Mark Qehaja, n/kryetar, z.Imer Lacaj, znj.Arta Xhaferri si dhe gjithë kryesinë e shoqatës.
Simpoziumi u mbulua nga mediat si: “Gazeta Dielli”, editori i së cilës z.Dalip Greca u kerkoi ligjerusve t’i dergonin kumtesat ne redaksine e Diellit me qellim qe të botohen të plota.
, si dhe TV “Alba Life”, etj…