Nga Anton Çefa/
Popujt e hershëm që në agim të jetës njerëzore kanë sendëzuar ndërgjegjen e tyre primitive në konturet e miteve, në magjen e të cilave janë formësuar e kanë marrë jetë idetë, ndjenjat, iluzionet, shpresat, dashuritë, urrejtjet, gëzimet, dëshprimet, fatkeqësitë, torturat, humbjet, arritjet. Çuditemi sot kur endemi në botën e miteve dhe stërçuditemi, kur përpiqemi të zgjidhim enigmat e tyre domethënëse, të hedhim dritë mbi brendësinë e tyre, të stisim disesi mesazhet e tyre.
Ja Sizifi në mbretërinë e errët të Hadit, duke bartur e ribartur shkëmbin rrokullisës. Në atë gollen stërmadhe, ku errësira është e pamatë dhe koha e pafund, rrokulliset e rrokulliset edhe Sizifi mbas fatit të tij.
Kjo figurë sa heroike aq mëkatare, që ka joshur e turbulluar mendjet njerëzore, sidomos të filozofëve, të shkrimtarëve, të piktorëve, të skulptorëve (Eskili, Euripidi, Sofokliu e kanë futur në tragjeditë e tyre, Ticiani e përjetësoi në një tablo, Alber Kamy në një ese, për të përmendur vetëm disa), veças ka tallazitur mendjet e shqiptarëve. Edhe pse shqiptarët nuk i kushtuan ndonjë vepër arti, ata i janë mishëruar fatit të tij, tek i cili kanë parë të përsëdytet, si në një pasqyrë të mjegulluar, fati i kombit të tyre. Ndoshta, kjo ka ndodhur sepse Sizifi, mbreti i Korintit, ishte me prejardhje pellazge, dhe për ne shqiptarët shkenca hamendëson se jemi bij pellazgësh, banorë të parë të Greqisë, të trojeve tona, të Gadishullit Ballkanik dhe të një pjese tëë mirë të brigjeve të Mesdheut.
Të çmeritur prej ndëshkimit, rrallë kujt i shkon mendja të pyesë pse e dënuan Sizifin. Një dënin i tmerrshëm vjen pas një faji të kobshëm. Mbasi Sizifi pati ngjallur urrejtjen e Olimpit për shumë gjynahe e faje që kishte bërë, Zeusi i tërbuar i çoi Tanatosin, Perëndinë e Vdekjes, për ta vdekjesuar, por Sizifi guximtar dhe i paepur e lidhi atë. Lidhja e Vdekjes: një ëndërr e përhershme e njerëzimit, që shkenca e sotme nuk e ka arritur. Sa kohë qëndroi e lidhur Vdekja, njerëzit u barabitën me Perënditë. Si Perënditë edhe njerëzit: dashuroheshin dhe urreheshin, më së tepërmi urreheshin; punonin dhe luftonin, më së tepërmi luftonin; duheshin dhe grindeshin, më së tepërmi grindeshin; por mbi të gjitha jetonin dhe nuk vdisnin.
Megjithëse Perënditë e plotfuqishëm e çliruan vdekjen dhe e ndëshkuan Sizifin, njerëz dhe popuj mbijetuan. Edhe shqiptarët mbijetuan. Dënimi i Sizifit qe tepër i rëndë, sa rëndësia e veprës së tij prometeane në dobi të njerëzimit. Ngritja dhe ringritja pa pushim tej kufijve të kohëve e një shkëmbi të rëndë. Nga maja e kodrës në rrëzë të saj, nga rrëza e kodrës, rishtas në majë. Një punë e pafund, gjithnjë e pakryer dhe pa kurrfarë rezultati, një punë e padobishme. “Perënditë kishin gjykuar me të drejtë se nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme dhe e pashpresë”, ka thënë Alber Kamy.
* * *
Në ç’kushte dhe pse mendësia mitologjike e ka krijuar Mitin e Sizifit, a mos e ka parandjerë ajo ndërgjegjja pellazge fatin e stërnipërve? A mos e ka parandjerë ajo që Shqipëria – mbetja e fundit gjeografike e pellazgëve – do të dënohej të jetojë e copëtuar, sepse ajo “e lidhi Vdekjen”, mbijetoi duke kapërcyer të gjitha kohët? Dhe për këtë, ajo do të bartë e ribartë shkëmbin e çështjes së saj të pazgjidhur, shkëmbin e gjendjes së saj të copëtuar?
Shqipëria disa herë e ka ngritur shkëmbin e saj në majë të kodrës, por ai është rrokullisur përsëri. Dhe vazhdon të rrokulliset edhe sot e kësaj dite. Ajo e ka ngritur atë në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kur për afro një viti e gjysmë Qeveria e Përdorme e saj sundoi mbi katër vilajetet shqiptare; ajo e ka ngritur gjithashtu më 28 Nëntor 1912, kur delegatët nga të gjitha trevat shqiptare e shpallën atë të lirë e të mosvarme, por shkëmbi është rrëzuar dhe rrëzuar. Si më 1878 në Berlin, si më 1913 në Londër, si më 1920 në Paris, si më 1944 në Tiranë e Prishtinë. Dhe Shqipëria ka mbetur po ajo, në udhëtimin e saj të përjetshëm me shkëmbin e çështjes së saj mbi shpatulla.
A nuk u rrukullis para syve tanë edhe më 1997, kur me dorën tonë vramë vetën, demokracinë dhe kombin?
* * *
Megjithkëtë, është një moment në kohë, një pikë në hapësirë, ku fatet e Sizifit e të Shqipërisë skajohen nga njëri-tjetri. Dhe ky moment, kjo pikë qëndron në kufirin e shpresës. Sizifi e bart dhe e ribart shkëmbin pa pasur asnjë shpresë se një ditë ai do të qëndrojë në majë të kodrës. Ndërsa Shqipëria e ka bartur e ribartur atë gjithnjë me shpresë. Dhe shpresa është një nga vlerat më të mëdha të njeriut. Eshtë fija që e mban atë të lidhur me jetën. Në çdo situatë, në çdo fatkeqësi, në çdo udhëkryq.
Shqipëria shpreson dhe ka të drejtë të shpresojë, ndoshta sepse atë nuk e ka dënuar Olimpi, por e dënoi bota; e dënuan ato që populli si me mospërfillje i quan Fuqitë e Mëdha. Dhe Fuqitë e Mëdha, sado të fuqishme të jenë a sado të mëdha të jenë, ato nuk kanë forcën e madhërinë e Pushtetit Olimpik. Ato nuk mund të nëpërkëmbin gjithmonë popujt, aq më tepër popullin tonë, i cili si popujt e tjerë të stërlashtë, i ka kthyer mitet në histori dhe kështu është bërë i pavdekshëm. Sado që pavdekësi e dhimbshme e një trupi të copëtuar.