• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si mbeti Kosova pa ushtri?

March 13, 2017 by dgreca

skender-bucpapaj-voal1Nga Skënder Buçpapaj/Fëmijët që lindën më 1999, vitin kur nga Kosova u largua makineria serbe e luftës, tash janë 18 vjeçarë. Janë në moshën e rekrutimit në radhët e ushtrisë, ku ata të përgatiten ushtarakisht. Ndërsa ata që ishin 18 vjeçarë më 1999, tashi janë 36 vjeçarë. Kështu 20 vjeçarët dhe 30 vjeçarët e Kosovës, mosha më vitale e një populli, janë sot të papërgatitur ushtarakisht. Askujt nga brezi i ri i vendeve fqinje të Kosovës nuk i mohohet e drejta për t’u përgatitur në shërbim të vendit dhe të popullit të tij. Asnjë vend tjetër në botë, përveç Kosovës, nuk është pa ushtrinë e tij.

Si mbeti Kosova pa ushtri?

Kosova mbeti pa ushtri, ashtu siç mbeti me institucione gjysmake edhe sot, 18 vjet pas çlirimit dhe 9 vjet pas zyrtarizimit të pavarësisë. Në përballjen mes institucionalizmit, të përfaqësuar nga Rugova, dhe antiinstitucionalizmit, të përfaqësuar nga kundërshtarët e Rugovës, fitoi antiinstitucionalizmi.

Fajtori kryesor pse Kosova mbeti pa një ushtri të mirëfilltë, si të çdo vendi tjetër, është Hashim Thaçi. Pas përfundimit të Konferencës së Rambujesë, më 18 mars 1999, miqtë perëndimorë, vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkuan nga faktorët e Kosovës të dalin me një qeveri të unitetit, e cila të kryesohet nga përfaqësuesi i UÇK-së dhe në përbërje të saj të jenë edhe njerëzit e LDK-së. Kjo parakuptonte që çlirimi ta gjente Kosovën me qeverinë e saj, me parlamentin e saj, me presidentin e saj, me ushtrinë e saj, me të gjitha institucionet e saj shtetërore. Rugova dhe LDK-ja e kishin bërë lëshimin e tyre në emër të shtetit të Kosovës që po lindte në flakët e luftës.

Në ato ditë marsi, Bill Clinton, president i SHBA, dërgoi përfaqësues të tij Bob Dollin, republikan, mik i vendosur i shqiptarëve, të kujdesej nga afër që procesi i krijimit të qeverisë së unitetit të përfundojë me sukses. Dolli shkoi në Shkup dhe atje priti të takohej me Hashim Thaçin. SHBA dhe Clinton ishin tejet të përkushtuar e të interesuar që Kosovën çlirimi ta gjente shtet në plot kuptimin e fjalës.

Hashim Thaçi, në mënyrë demonstrative, nuk i shkoi Bob Dollit në takim në Shkup dhe miku amerikan, i dërguari i posaçëm i Presidentit Clinton, u kthye në Amerikë pa e takuar Thaçin. Në këtë mënyrë Thaçi dhe i ashtuquajturi krahu i luftës, të cilin ai e përfaqësonte, nuk e njihte parlamentin e Kosovës, nuk e njihte Presidentin e Kosovës, nuk i njihte asnjë nga institucionet e shtetit të Kosovës, të krijuara dhe funksionuese në mënyrë paralele, në mërgim dhe brenda vendit, në kushtet e pushtimit serb

Ndërkohë që Doll e priste Thaçin në Shkup, Thaçi dilte në televizionin e Tiranës, duke ngjitur dhe zbritur shkallët e Ministrisë së Jashtme së bashku me Paskal Milon. Dhe krijohej kështu Qeveria e Përkohshme e Kosovës e kryesuar nga Hashim Thaçi.

Ato ditë unë e kam ngritur zërin me forcë që Thaçi dhe krahu i përfaqësuar prej tij të pranonin në koalicionin qeveritar LDK-në, në mënyrë që në ditën e afërt të çlirimit, Kosova të ketë të gjitha institucionet e saj shtetërore. Thaçi dhe njerëzit e tij ishin të vendosur që pushtetin të mos e ndajnë me askënd tjetër. Kjo do t’i kushtonte Kosovës mungesën e shtetit edhe sot e kësaj dite dhe kushedi edhe për sa kohë.

Çlirimi e gjente Kosovën me dy qeveri, atë të Bukoshit dhe atë të Thaçit, të cilat nuk e njihnin njëra tjetrën. Në ditët e para të çlirimit, Bukoshi dha llogari para Parlamentit të Kosovës dhe e dha dorëheqjen tek presidenti Ibrahim Rugova. Nga ai moment parlamenti i Kosovës, qeveria Bukoshi dhe presidenti i vendit, të cilët nuk njiheshin nga pala tjetër, pushuan së vepruari. Deri më 19 shtator 1999 Thaçi do të ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme dhe Drejtor Politik i UÇK-së. Nga ai moment qeveria e tij pushonte së vepruari, UÇK-ja çmobilizohej, çarmatosehj dhe shndërrohej në TMK, Trupën Mbrojtëse të Kosovës. Ndërsa krahu politik i UÇK-së shndërrohej në PDK.

Në vjeshtën e vitit 1999 Kosova do të ishte pa asnjë institucion. Qeverisjen e saj e mori në dorë Këshilli i Përkohshëm Administrativ pranë UNMIK-ut, ku kishte anëtarë edhe përfaqësues të Kosovës të të gjitha përkatësive. Shërbimet e rendit, të sigurisë, të mbrojtjes, të drejtësisë i morën në dorë UNMIK-u dhe KFOR-i.

Shkrirja e institucioneve që u trashëguan nga periudha e mosbindjes qytetare, të sprovuara përballë pushtimit më mizor në histori, ishte një humbje e jashtëzakonshme për Kosovën, deri sot dhe, për kushedi sa kohë, e pandreqshme. Këto institucione përbënin themelin, bazamentin dhe katin e parë të ndërtesës së shtetit të Kosovës.

Ndërtimi institucional i Kosovës, e kam theksuar kështu edhe atëherë, nuk do të fillonte as nga themeli, as nga bazamenti, as nga kati i parë, por drejt e nga kati i dytë, si në gazmoret shkodrane. Ndërtesa e shtetit të ardhshëm do të mbështetej vetëm në ajër, në bosh, në zbrazësirë.

Ato do të zinin fill me pushtetin vendor (lokal) në fund të vitit 2000. Kështu, siç ua kam përsëritur shpesh ndërkombëtareve, bualli në Kosovë do të kapej nga bishti, nuk do të kapej nga brirët. Kjo mënyrë do t’i kushtonte Kosovës shumë kohë, shumë energji, shumë humbje të gjithanshme.

Zgjedhjet e para parlamentare u mbajtën në fund të vitit 2001. Më 2002 Kosova do të kishte parlamentin, qeverinë dhe presidentin e saj. Nuk do të kishte Ministri të Rendit, nuk do të kishte Ministri të Drejtësisë, nuk do të kishte Ministri të Jashtme, nuk do të kishte Ministri te Mbrojtjes. Nuk do të kishte fare polici të saj. Më 2008, kur zyrtarizohej pavarësia e vendit, Kosova do të kishte Ministri të Rendit dhe Shërbim të saj Policor. Drejtësia nga duart e UNMIK-ut do të kalonte në duart e EULEX-it. Roli i Ministrisë së Drejtësisë, i Prokurorisë, i Gjykatave të Kosovës do të ishte i vogël. Edhe sot e kësaj dite nuk ka ndonjë përparim të ndjeshëm.

Më 2009, Trupa Mbrojtëse e Kosovës (TMK), do të shndërrohej në Forcë të Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo do të kishte në qeveri rang ministrie, pra juridikisht, nga ai moment, ajo është ushtria e Kosovës, siç e pohon edhe Albert Rohani, zëvendësndërmjetësuesi ndërkombëtar i Ahtisaarit.

Ushtria në çdo vend është pjesë e Forcave të Armatosura, madje pjesë qendrore e saj. Krahas saj janë policia, shërbimet inteligjente, garda kombëtare e tjerë. Këto të fundit Kosova i ka ndërtuar. Ushtria e Kosovës, e quajtur FSK, nuk është e kompletuar. Për t’u kompletuar një ushtri duhet t’i ketë forcat tokësore, forcat ajrore, e tjerë. Ky kompletim do të kërkojë kohë, sepse ndërtimi i tyre do të bëhet me një gradualitet të caktuar.

Problemi më i ngutshëm është se Kosova e vitit 2017 është e papërgatitur ushtarakisht. Nuk mund t’i plotësojë kështu detyrat e saj të brendshme dhe në kuadrin e aleancave dhe miqësive të saj. Për të qenë në gjendje të përmbushjes së këtyre detyrave, moshat aktive, nga 18 deri 55 vjeç duhet përfshirë në shërbimin paraushtarak, në shërbimin nën armë dhe në shërbimin rezervë.

Doktrina e re e Amerikës së Trumpit kërkon nga të gjithë aleatët dhe miqtë e Amerikës, në NATO dhe jashtë saj, të bëjnë pjesën e tyre në kuadrin e sfidave me të cilat sot përballet Amerika, Perëndimi dhe Bota. Kosovës i takon të marrë pjesën e saj, sado të vogël në kuadrin e këtyre sfidave. Ushtria e Kosovës të kompletohet me një program të përbashkët me Amerikën dhe NATO-n.

Është absolutisht e konfirmuar se askush nuk rrezikohet nga kompletimi i Ushtrisë së Kosovës. Serbia, me një mbrojtje të armatosur deri në dhëmbë me të gjitha mjetet bashkëkohore, nuk mund të mëtojë se rrezikohet nga kompletimi dhe aftësimi bashkëkohor i Ushtrisë se Kosovës.

Sa është e domosdoshme prania ushtarake perëndimore, kryesisht amerikane në Kosovë, aq është e domosdoshme një Kosovë e përgatitur ushtarakisht në mënyrë bashkëkohore. Këtë, natyrisht, ta përmbushë nën përkujdesjen e plotë të SHBA dhe NATO-s.

Në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe në cilësinë e veçantë të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur këto ditë vendosmërinë për ta kompletuar sa më shpejt e sa më tërësisht Ushtrinë e Kosovës. Kjo vendosmëri meriton përkrahjen e plotë të të gjithë faktorëve të interesuar dhe të përkushtuar për suksesin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe për paqen e stabilitetin afatgjatë në rajon e më gjerë.

Filed Under: Opinion Tagged With: pa ushtri, si mbeti Kosova, Skënder Buçpapa

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT