Shkruan: Habib Morina/
Është kohë fushate dhe politikanët enden me thesin e premtimeve mbi shpinë në tentim që premtimet t’i shëndërrojnë në para. Të gjithë gënjejnë. Politikani më i ndershëm gënjen më pak. Kësisoj ata krijojnë një pamje të rreme, një iluzion optik, të cilin më lehtë se njerëzit me njohuri të mëdha për çështjen mund ta deshifrojnë njerëzit që mendojnë ndershëm për çështjen. Megjithëse kjo nuk është e lehtë. Ne këtu kemi interesa materiale dhe emocionale që na vënë në lëvizje. Kemi edhe shumë urrejtje për njëri-tjetrin, madje po të mos ishte kjo, partive politike do tu mungonin shumë duartrokitje.
Por, po të mund të mendohej qoftë edhe vetëm për disa minuta pa këto ngarkesa, pa llogaritur përfitimin material ose emocional, atëherë do të mund të shihnim atë që partitë politike shpesh herë e fshehin prej nesh, interesin tonë. Sa më qartë që ne ta shohim interesin tonë, aq më të interesuar do të jenë politikanët të punojnë për të, në të kundërt ata punojnë për vete. E interesi ynë është t’i shikojmë veprimet e tyre e jo të përqëndrohemi në atë çfarë ata thonë, sepse në bazë të fjalëve këta të gjithë janë patriotë të devotshëm, e që do të bënin çdo gjë për të mirën tonë, por po t’i shohim veprimet, shohim se ata që janë zotuar t’i rregullojnë punët tona i kanë rregulluar vetëm punët e veta e të njerëzve përrreth. Njerëzit thjesht përshtaten. Në një qeverisje të mirë ata bëhen të dobishëm për vendin, ndërsa në një qeverisje të keqe ndodh e kundërta, ata bëhen të dobishëm për pushtetarët dhe përfitojnë prej tyre aq sa munden duke e vënë veten në dispozicion të tyre.
Por pushtetarët nuk mund të kenë me gjithë popullin marrëdhënje klienteliste, as nuk ka përfitime për të gjithë se ndryshe do t’ishte në rregull, prandaj rëndësi të madhe i kushtohet manipulimit me popullin. Manipulimi gjithmonë ka qenë industria më fitimrurëse, dhe jo vetëm këtu. Manipulimi me gjëra të shenjta, me fenë dhe me patriotizmin janë treguar shumë dobisjellëse. Manipulimi ndjek njeriun nevojtar, dhe pikërisht janë vendet e varfëra që sjellin përfitim nga këto gjëra. I varfëri është si i sëmuri që kërkon ilaq, e njerëzit e shfrytëzojnë këtë. Madje po të ishte zoti i palindur, ai do të lindej në një vend të varfër. Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për patriotizmin. Në një vend të varfër ka pak patriotizëm, megjithatë përfitohet nga kjo sepse njerëzit që zotohen të punojnë për të mirën e vendit duhet të thirren dikund.
Edhe këtu tek ne është përfituar shumë nga patriotizmi. Njerëzit janë pasuruar duke u thirrur në patriotizëm. Por sa patriot mund të jetë një njeri që pasurohet duke vjedhur vendin e vet?! Kjo duhet të kihet parasysh, që të mund të ndahet shapi nga sheqeri.
Këtu tek ne në Kosovën e pasluftës, skena politike përveq tjerash ka funksionuar thuajse pa opozitë. Kjo për meritë edhe të pranisë ndërkombëtare dhe për arsye të njohura. Është lejuar edhe përfitimi i paligj ku të gjithë kanë qenë të ftuar. Edhe opozitës i ishte lënë hapsirë e mjaftueshme për përfitim. Madje jo vetëm këtu, ku pozita nuk e kishte pushtetin e njëmendtë, e për këtë arsye as opozita nuk mund të ishte e mirëfillt, por në të gjitha vendet ku ka këso keqpërdorime të mëdha, ato nuk mund të bëhen pa pjesmarrjen e opozitës. Tek ne roli i opozitës ka qenë mbajtja nën kontroll e pakënaqësisë popullore. Kjo e ka ndihmuar pushtetin, por edhe opozitën që ka qenë pjesëmarrëse në përfitime të paligjshme. Ta zëmë, opozitarët vazhdimisht akuzojnë qeverinë se nuk po bënë sa duhet në luftën kundër korrupcionit, duke ditur që nëse kabineti qeveritar nuk përfshihet në korrupcion dhe në pasurim të paligjshëm, lufta ndaj korrupcionit është e fituar. Po t’i mëshohet kësaj të vërtete, do të mund të thuhet që opozita e kryen detyrën si duhet. Por ata nuk e bëjnë këtë, sepse secili pëfiton paligjshëm. Kuptohet sipas takatit. Këta janë si prokurori i shitur në një çështje penale, që megjithatë e përfaqëson akuzën. Këta në kritikat e tyre asnjëherë nuk prekin atë që është thelbësore, sepse tek përfitimi i paligj janë bashkë, janë si armiq që lundrojnë me të njëjtën anije, ku edhe përkundër urrejtjes për tjetrin, asnjëri nuk do guxonte të dëmtonte anijen, sepse do t’fundosej edhe vet. Prandaj këta asnjëherë nuk janë të gatshëm që seriozisht ta prekin përfitimin e paligj, për asnjërin, por luftën e bëjnë në fusha të tjera dhe atë përnjëmend.
Këtu gjërat janë kurdisur për t’i shkuar për shtati një grupi njerëzish, e ndër shumë të tjera duhet përmendur edhe mosinteresimin e qeveritarëve, madje të klasës politike, për t’i ndihmuar prodhuesit, sepse një prodhues i vogël është më i pavarur se një tregtar i madh. Politikani ynë i kësaj skene të cilës ne i duartrokasim, e di këtë sepse e ka përqëndruar vëmendjen tek interesi i vet, ndërsa edhe po të dojë ta mbrojë interesin tonë, gjë që s’diskutohet që ka raste kur dëshiron, ai nuk mundet, nuk ka ide sepse vëmendja e tij ka qenë e përqëndruar tjetërkund, dhe për kohë të gjatë.
Megjithatë, unë nuk mendoj se të gjitha partitë politike janë njësoj, e as kemi politikanë të ndershëm, prandaj për fund, si një njeri që mendoj për Kosovën një minutë në muaj, por që besoj se është një minutë i ndershëm, kam menduar t’i jap disa mendime për partitë politike parlamentare, duke u nisur jo nga numri i votuesve por në bazë të një hierarkie të së keqës, ku partia më e dëmshme është radhitur e para.
Partia demokratike e Kosovës – Parti që në bërthamë të saj ka disa ish udhëheqës të luftës së fundit, të cilët mendojnë se kanë punuar shumë për Kosovën e tani Kosova duhet të punojë për ta. Kosova duhet të paguaj mundin e tyre dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve sepse shumica e dëshmorëve janë të kësaj partie, përkatësisht kjo parti i ka në mbrojtje e ne shfrytezim. Pjesë e kësaj partie ka qenë, ose edhe është, Shërbimi informativ i Kosovës, që përveq tjerash, ka pasur për detyrë t’i bind të pabindurit që krerët e partisë kanë bërë shumë për Kosovën dhe se ata e duan Kosovën si askush tjetër. Duke mos harruar edhe ruajtjen e vlerave të luftës, që s’është gjë tjetër veqse një mjet që ish luftëtarët e përdorin për nënshtrimin e të tjerëve, sepse në thelb gjë më të palogjikshme se të ruash vlerat e luftës nuk ka. Fuqizimi i kësaj partie për Kosovën sjellë diktaturë dhe prapambetje.
Aleanca për ardhmërinë e Kosovës – është parti gjithashtu e dalë nga lufta, e cila për nga mendësia është e përafërt me PDK-në. Kjo parti ka pasur një shtrirje deri diku të dhunshme ne rrafshin e Dukagjinit, ku lideri i kësaj partie ka vepruar gjatë luftës. Së bashku me PDK-në prijnë në përfitimet e paligj dhe në pushtimin e administratës shtetrore me militant partiak, ku gjithçka bëhet në emër të një kontributi të dhënë në luftë, që më shumë se i dhënë shpesh herë është vetëm i deklaruar.
Lidhja demokratike e Kosovës – Votat që një parti merr normalisht duhet të konvertohen në ndikim në skenën politike, por kjo nuk ndodh me LDK-në. Kjo parti nuk ka as gjysmën e ndikimit në krahasim me votat që merr. Ka marrë pjesë në përfitimet e paligjshme por në krahasim me partitë pararendëse kjo ka mbledhur thërrimet, megjithatë është bërë pjesëmarrëse. Kësaj partie i mungon guximi për të vepruar e për tu marrë me prolemet prandaj edhe ndjekësit kanë ardhur duke iu pakësuar.
Këto tri parti janë keqpërdorueset më të mëdha të shtetit për interesa grupore a personale. Këtu gjallojnë e duartrokiten shkelësit më të mëdhenjë të ligjit, e që ironikisht shumica e ligjeve janë miratuar nga po këta.
Karaktereistikë tjetër e përbashkët e këtyre tri partive është se janë kujdesur të ngrisin e ta kenë në krahë nga një familje të respektuar, gjegjësisht PDK-ja i ka thurrur vazhdimisht lavde familjes Jashari dhe luftëtarit të madh e të rënë për lirinë e Kosovës Adem Jasharit, i cili nuk ka dyshim se kontriboi për Kosovën sa ishte gjallë, siq nuk ka dyshim që si i vdekur kontriboi për PDK-në. Kjo nuk ia ulë vlerat megjithëse figura e tij duhet t’i merret kësaj partie dhe t’i jepet historianëve.
AAK-ja si kundërpeshë ngriti familjen Haradinaj, gjithashtu familje e respektuar, ndërsa LDK-ja familjen Rugova, familjen e Ibrahim Rugovës së ndjerë, të cilin LDK e përdor në fushatë elektorale edhe pas kaq vitesh nga vdekja e tij.
Vetëvendosje – është parti e mohimit të gjithçkaje që kanë bërë e bëjnë kundërshtarët politikë, qoftë kjo e mirë ose e keqe. Kjo lëvizje e shfrytëzoi kundërshtimin e negociatave me Serbinë si një trampolinë për tu ngjitur në skenën politike. Kundërshtimi i negociatave të atëhershme ishte joparimor siq ishte joparimor edhe kundërshtimi i planit Ahtisari vetëm sa për të kundërshtuar e jo edhe për të nxjerr diçka nga ai kundërshtim. Këta që e kanë hallin e gjithë shqiptarisë duhej që së paku deklarativisht të jepnin pajtimin që plani i Ahtisarit të zbatohej në Kosovë nëse ky plan apo diçka e ngjashme të mund të zbatohej edhe në Maqedoni e Mal të zi ku shqiptarët e atjeshëm do të barazoheshin në gjithçka me maqedonët , përkatësisht malazezët, në të kundërt të këmbngulnin që ky plan të mos zbatohej as në Kosovë. Ky do të ishte një qëndrim më parimor për këtë grup që deklarativisht ka hallin e gjithë hapsirës shqiptare. Këta e përdorin patriotizmin si shkallë për tu ngjitur tek pushteti, e që nëse iu vie radha ndonjëherë të ngjiten atje do të detyrohen të ndryshojnë sjellje qysh ditën e parë, e që besoj do ta bëjnë me gjithë qejf.
Aleanca për Kosovë të re – Duke marrë parasysh që qëllimi që synohet të arrihet përcakton edhe njerëzit që duhen grumbulluar, kjo parti ka mbledhur rreth vetes njerëz profesionist e të ndershëm, të cilët kanë treguar përkushtim në punë e të cilët nuk përfliten për afera korruptive meqenëse kanë qenë pjesë e pushtetit. Lideri i kësaj partie Behgjet Pacolli, për aq pak kohë sa ishte kryetar i Kosovës pati zgjuar shpresat e njerëzve se ky vend mund të bëhet më i mirë në çdo drejtim. Ky njeri energjik dhe i përkushtuar ishte gati të shkatërronte skëmën e patriotizmit përfitues e të rremë, prandaj u përdor gjykata kushtetuese, e cila me një vendim që tejkalonte kushtetutën, e largoi atë nga posti.
Është kohë zgjedhjesh dhe të gjithë premtojnë shumë. Si çdoherë premtohet gjithçka që mungon, e këtu mungon shumëçka. Ka shumë për tu bërë, e do të varet nga ne nëse gjërat do të lëvizin apo do t’i dëgjojmë edhe pas katër vitesh të njëjtit njërëz të na bëjnë të njëjtat premtime për të njëjtat gjëra që mungojnë. Le të prodhojmë një qeverisje të mirë, sepse ndër arsyet kryesore pse një vend është i pasur apo i varfër është qeverisja e mirë ose e keqe që ky vend ka pasur.