-KQZ shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë/
-Në Kuvendin e Kosovës, koalicioni i PDK me 33,74% të votave do t’i ketë 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë, ndërsa koalicioni i LDK me 25,53% të votave – 29 deputetë/
-Kosova votoi në 11 qershor 2017 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të gjashtat në 18 vjet liri, të tretat në 9 vjet pavarësi, tre vjet pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit/
-SPECIALE- E akredituar për zgjedhjet nga KQZ, Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 29 Qershor 2017/ Në Kuvendin e Kosovës të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, sipas rezultateve përfundimtare, të saposhpallura sot pasdite zyrtarisht nga KQZ, koalicioni i PDK me 33,74% të votave do t’i ketë 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë, ndërsa koalicioni i LDK me 25,53% të votave – 29 deputetë.
Rezultati nuk i mundëson asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme edhe nëse do të kenë mbështetjen e të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 të serbëve e 10 të tjerëve, të Kuvendit të Kosovës me gjithësej 120 deputetë.
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti deputetë – 9, me 6,12% të votave, ka Iniciativa Qytetare Lista Serbe (Građanska Inicijativa Srpska Lista).
Kryetarja e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Valdete Daka, derisa shpalli sot Rezultatet Përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, fillimisht falënderoi të gjithë qytetarët që morën pjesë në këto zgjedhje, duke treguar para botës shembullin për zgjedhje të lira, demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Po ashtu, falënderoi edhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare për ndihmën që kanë dhënë gjatë këtij procesi zgjedhor.
Në fund të konferencës, u bë e ditur se duke filluar nga tani fillon të rrjedhë afati 24 orësh për subjektet politike dhe kandidatët për të bërë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Në zgjedhjet e 11 qershorit për Kuvendin e Kosovës, sipas të dhënave të KQZ, votuan 41.30% e 1,888,059 votuesve të regjistruar.
Zgjedhjet u monitoruan nga gjithësej 29.264 vëzhguesë vendorë e ndërkombëtarë të akreditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës. Vëzhguesit ishin 160 nga 8 ambasada, 301 nga 7 organizata ndërkombëtare, 8.830 nga organizata joqeveritare vendore, 3.657 nga partitë politike e 15.78 nga koalicionet pjesëmarrëse në zgjedhje, 27 nga institucione ndërkombëtare (trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës), 1 nga 1 institucion vendor, 468 që përfaqësojnë media vendore dhe 36 nga media ndërkombëtare, mes të cilave organi i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA – Gazeta DIELLI me korrespondentin në Kosovë.
Një muaj para zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, në 10 maj, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash të mocionit të mosbesimit për qeverinë e zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.
Prandaj, Kosova votoi në 11 qershor 2017 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të gjashtat në 18 vjet liri, të tretat në 9 vjet pavarësi, tre vjet pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, në 22 tetor, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, të njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB.