• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dielli” special i Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar u nis për në vatrat Kuq e Zi

November 26, 2021 by s p

Sokol Paja/

Gazeta “Dielli” si Organi Zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA mori rrugën për në çdo cep e në çdo skaj të mërgatës shqiptare që jeton e vepron në Amerikë dhe Kanada. “Dielli” special i Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar u nis për në vatrat Kuq e Zi, aty ku flitet shqip, mësohet shqip, këndohet shqip dhe gëzohet shqip.Ky është numri im i parë i Diellit special si Kryeditor i gazetës me rastin e festave të Nëntorit.U shpreh vlerësim të posaçëm, falenderim të përzemërt dhe mirënjohje të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij numri të jashtëzakonshëm: Akademik Beqir Meta, Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, Prof. Dr. Musa Ahmeti, Prof. Dr. Ardian Ndreca, Prof. As. Dr. Bernard Zotaj(Mjeshtër i Madh), Prof. As. Dr. Jonela Spaho, Prof. As. Dr. Rudina Mita, Dr. Paulin Marku, Dr. Naim Musliu, Dr. Besim Muhadri, Dalip Greca, Eugjen Merlika, Rafael Floqi, Zef Ujkaj, Ndue Bacaj, e pena të tjera të spikatura në Diasporë. Gazeta po rritet çdo ditë falë mbështetjes e vëmëndjes suaj. Bashkëpunimi i Diellit me botën akademike shqiptare e ka kthyer gazetën në një qendër të fuqishme të mendimit kritik, atdhedashurie, informimi, edukimi, shkencor dhe informativ.Jam i privilegjuar që bashkëpunojnë me “Diellin” mendjet më të mprehta, penat më të shkëlqyera dhe më të arrira të botës shqiptare që nga “Zëri i Amerikës”, mediat prestigjioze në Tiranë e Prishtinë, Akademikë, kërkues shkencorë në Fakultete dhe Njësi Kërkimi, analistë e kritikë letrarë, përkthyes, poetë, historianë, diplomatë, personalitete të shkencës, ekspertë të ekonomisë, turizmit, arkivistikës dhe kibernetikës, veprimtarë, humanistë e patriotë që na bëjnë të ndihemi krenarë nga sukseset dhe veprat e mira.Gazeta “Dielli” ka në fokus komunitetin shqiptar në Amerikë, Kanada e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarë që me suksesin e tyre lartësojnë e krenojnë kombin tonë. Gazeta “Dielli” ka në themel historinë, kulturën, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, data, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar. Qëllimi i gazetës është informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare në mërgatë, promovimi i suksesit dhe thithja e mendimit intelektual në gazetën Dielli, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës dhe Kanadasë, gjithashtu të jetë si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqipfolëse.Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ju që mbështesni gazetën më të vjetër të botës shqiptare, gazetën “Dielli” që nga 15 Shkurti i vitit 1909. GËZUAR 109 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË DHE FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Shoqata humanitare “Duart e Hapura” festoi ditën e falënderimeve

November 23, 2021 by s p


Sokol Paja/


Në pragun e festës së falënderimeve, vullnetarët e shoqatës humanitare Shqiptaro Amerikane “Duart e Hapura” pasi dhuruan gjela deti familjeve në nevojë, rreth 50 vullnetare u bashkuan për të festuar së bashku dhe falënderuar njëri-tjetrin për punën e palodhur, me përkushtim, e devotshmëri që bëjnë çdo javë për tu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Vullnetarët dhe shërbyesit e komunitetit e meritojnë përpara gjithkujt falënderimin dhe respektin për angazhimin dhe sakrificat e tyre. Drejtuesi i shoqatës z.Aleksandër Nilaj në fjalën e falenderimit shprehu vlerësim emër për emër ndaj të gjithë vullnetarëve për punën voluminoze në dobi të komunitetit dhe përkushtimin e treguar sidomos në kushtet e jashtëzakonshme të pandemisë globale. Në drekën falenderuese morën pjesë: State Committee Man Joseph McManus, Presedentja e Brady Court Jeannette Wilson.Perfaqësues nga Vatra dhe Dielli, Christian Amato community organizer si anetar i CB11, përfaqësuesja e organizatës Mutual Aid Organizer dhe autore Adama Bah, Robert Press gazetar në disa gazeta në Bronx dhe Miriam Quin gazetare dhe fotografe e Norwood News. Dreka e falënderimeve u përgatit nga Dila Kocaj, Violeta Yzeiraj, ndërsa pijet nga Tonny Tush Musaj. Për Diellin e Vatrës z. Nilaj u shpreh se kjo drekë vëllazërore do kthehet në një traditë të përvitshme në shenjë respekti, falenderimi dhe vlerësimi ndaj këtyre vullnetarëve e shërbestarëve të dalluar në komunitet.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sokol Paja

SHKOLLA E GJUHËS SHQIPE NË BOLONJA, KULTURA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË ITALI

November 23, 2021 by s p

Valbona Toçi nga “Shkolla Shqipe Bolonja” në Itali rrëfen për “Diellin” e Vatrës në New York historinë e themelimit të shkollës, organizimin e mësimit shqip në Bolonja, bashkëpunimin prindër-nxënës, ndikimin e pandemisë në mësimin shqip, dhe sfidën për të ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën kombëtare shqiptare në Itali. Me Valbona Toçin bisedoi Editori i Diellit Sokol PAJA.

SHKOLLA E GJUHËS SHQIPE NË BOLONJA TË ITALISË

Historia dhe lindja e Shkollës se gjuhës Shqipe në Bolonja të Italisë i ka fillimet në vitin 2019. Lënda “Gjuha Shqipe” si fillim dhe shkolla filloi me një numër të reduktuar nxënësish dhe me një tekst libri të blerë privatisht në Shqipëri në verën e vitit 2018. Sigurisht dihen vështirësitë për hapjen e një shkolle të gjuhës mëmë në vend të huaj s’është aspak e lehtë pasi nuk ke mbështetje nga vendi jot dhe s’mund të presim nga shteti ku ne kërkojmë mëkëmbjen e gjuhës tonë të ëmbël. Personalisht ideja e hapjes së një klase të gjuhës shqipe ishte pasi punoj si ndërmjetëse me fëmijë jo të shoqëruar nga prindërit në Itali, si ndihmëse e gjuhës Italiane. Më lindi ideja “Po fëmijët tanë përse mos të mësojnë gjuhën Shqipe”? u interesova për te bashkëpunuar me presidenten e “lidhjes se Mësuesve ne Itali ” zonjën Ariana Kosova dhe vet presidentja me regjistroi në database të Lidhjes se mësuesve. Pastaj bëra të mundur përdorimin e zyrës së ndërmarrjes ku unë punoj si ndihmëse e plotësimit të dokumenteve të ndermarrjeve shqiptare me banim ne Bolonja dhe pronari i ndërmarrjes na dha mundësinë që mësimin ta zhvillonim në prezencë një herë në javë, çdo të shtunë nga ora 15.00 deri në orën 17.00 dhe përdorimin e mjeteve teknologjikë të zyrës ishte një ndihmë e madhe për ne.

VËSHTIRËSITË E SHKOLLËS SHQIPE GJATË PANDEMISË

Siç e kemi të qartë të gjithë për motivin e pandemisë mësimi u ndërpre në shkurt të vitit 2020. Në tetor të vitit 2020 rifilloi mësimi duke u regjistruar me shumë se 13 fëmijë, falë angazhimeve tona numri i fëmijëve u shtua, pra një rol të rëndësishëm luajtën prindërit dhe fëmijët dhe kjo na bëri të ndjehemi më pozitivë dhe më të kënaqur pasi ndoshta kishim gjetur çelësin e duhur meqë ishin prindërit që ishin të interesuar dhe kërkonin vetë ata regjistrimin e fëmijëve për ndjekjen e mësimit shqip. Menjëherë pas dorëzimit të librave mësimi filloi në modelin online megjithatë viti 2020-2021 edhe pse në kushte të vështira ishte një vit shumë frytdhënës duke marrë parasysh rrethanat e ambientit mësimi në prezencë nuk ishte i mundur por rritja e interesit të prindërve dhe fëmijëve ishte ndoshta për ne një shtytje, një realizim i arritur i objektivit të shkollës tonë në vazhdim, që të arrijmë një sukses ne të gjithë se bashku për vazhdimin e ruajtje së gjuhës shqipe në Diasporë. Duke ditur që prindi ka rolin më të rëndësishëm në këtë proçes. Është ai i cili duhet t’ia ushqejë fëmijës dashurinë për rrënjët nga vijnë, t’i flasë në shqip, t’i japë kohë fëmijës që të dëgjojë, të mësojë dhe të flasë shqip kur ata janë gati. Pra, mbill sot, korr mot. Vetëm atëherë nxënësi është i përgjegjshëm dhe ka dëshirë të mësojë më tepër gjuhën shqipe. Gjithashtu ne si shkollë na u mundësua dhurimi i teksteve dy gjuhëshe Shqip-Italisht të mësimit për dy nivelet 1 -2 pasi mosha e fëmijëve vijon nga 6 – 14 vjeç.

NDIHMA E MEDIAS DHE TEKNOLOGJISË

Po të njëjtin vit shkollor me ndihmën e Zonjës Iris Gjinovci, dhe lidhjes se mësuesve u bë i mundur një program mësimor shumë tërheqës, me një përmbledhje nga lëndë të ndryshme siç është historia, gjuha, leximi, gjeografia, muzika etj, dhe shumë ndihmës në shpjegimin e argumenteve dhe një gërshetim në lidhje me tekstet që ne kemi në dispozicion duke e bërë më të këndshme dhe më tërheqëse orën e mësimit. Sigurisht në organizmin e shkollës unë nuk kam punuar asnjëherë vetëm pasi kam pasur ndihma edhe nga dy pjesëmarrës të tjerë në mënyrë vullnetare të cilët janë Geraldina Topalli që ka mbaruar gjuhët e huaja në Shqipëri, e cila më mbështet gjatë gjithë orëve të mësimit qofte onlinë apo në prezencë. Ndërsa Artur Toci me ndihmën e regjistrimeve, formimin e linkut e gjatë përgatitjeve të koncerteve që së bashku me nxënësit dhe ndihmën e prindërve kemi prezantuar përgjatë këtyre dy viteve. Do të veçoja dy prezantimet në TV Shqiptarë falë gazetarit Artur Bejzade i cili i kushton një rëndësi të madhe mësimdhënies dhe ruajtjes së gjuhës shqipe në Diasporë si dhe në seminarin e datës 7 nëntor ku falënderojmë për mirënjohjen e punën kryetaren e lidhjes se mësuesve që këtë vit zgjodhi “Shkolla e gjuhës Shqipe të Bolonjës” në prezantimin e seminarit ku ishin të ftuar autoritete e Komunës së Bolonjës e ftuar nga shkolla jonë dhe na nderuan me pjesëmarrjen e tyre për të njohur komunitetin shqiptar. Në qytetin e Bolonjas banojnë mbi 8 mijë banorë me origjinë nga Shqipëria, një pakicë nga Kosova dhe Maqedonia. Në pjesëmarrjen e konferencës sigurisht nuk mungonin dhe personalitete të ambasadave shqiptare dhe të Kosovës si dhe mësues nga Rajoni Emilia Romagna pa harruar dhe prezencën e prindërve dhe mbi 20 fëmijë që me theksin dy gjuhësh duke marrë parasysh vështirësitë e shqiptimit të bashkëtingëlloreve apo theksin e ngjashmërisë të disa shkronjave siç është Z me S në gjuhen Italiane. Nxënësit shkëlqyen dhe recituan, kërcyen, kënduan duke përcjellë emocione të paharrueshme dhe na bënë të ndjehemi krenar ku e gjithë salla i shoqëroi me duartokitje që s’kishin të mbaruar.

GJUHA ËSHTË IDENTITETI I NJË KOMBI

Neve si brezi i parë i emigrimit nëse nuk vendosim rrënjët dhe bazat tek fëmijët tanë, pra brezi i dytë është humbja e një populli, humbje identiteti, humbja e një Kombi dhe kjo s’duhet të ndodhë, duhet të kontribuojmë, të motivojmë fëmijët që ata të flasin shqip, duhet të mbjellim sot që të korrim nesër, pra e ardhmja e një kombi janë këta fëmijë të apasionuar dhe përkushtuar pas mësimit shqip . Ne emigrantët e 30 viteve deri diku e kemi mohuar identitetin tonë për tu integruar në vendin që na dha mundësinë e punësimit, “mohim jo me zemër dhe i përhershëm por i përkohshëm” jo sepse nuk duam të jemi Shqiptar, por nevoja e gjuhës së dytë, mënyra e integrimit në shtetin fqinje e motive të tjera na detyronin të neglizhonim identitetin. Pra duhet që ne të vendosim “themelet“ dhe gurë – gurë bëhet mur“ bëhet mure, që në të ardhmen fëmijët tanë ose brezi i dytë siç mundet të quhen, do të jenë Identiteti i një kombi, të jenë kureshtarë që të kërkojnë rrënjët e tyre e pse jo mbase dhe të kthehen e të punojnë të investojnë për vendin tonë që në pamundësi prindërit e tyre kanë braktisur. Kudo që ndodhemi në emigrim një rëndësi të veçante është bashkëpunimi mes emigranteve dhe ne si shkollë kemi një bashkëpunim shumë të mirë me prindërit e nxënësve pasi njihemi nga afër; tashmë për disa prindër është viti i tretë i mësimit, dhe në çdo koncerte që kemi realizuar ishte mbështetja dinjitarë e këtyre prindërve pa llogaritur kohën apo distancën nga një qytet në tjetrin siç ishte vitin e kaluar me festen e një qershorit në bashkëpunim me mësuesen e qytetit të Ferrarës me të cilën bashkëpunuam dhe realizuam koncertin e mbylljes së vitit shkollor duke festuar 1 Qershorin të gjithë së bashku.

SHKOLLA SHQIPE DHE BINJAKËZIMI ME SHQIPËRINË, KOSOVËN DHE MAQEDONINË

Por kjo është pak në krahasim me çfarë kemi dëshirë të realizojmë; kemi dëshire që me nxënësit të bëjmë një binjakëzim në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të paktën për një javë duke ndjekur nga afër ndonjë orë mësimi në ndonjë shkollë apo duke vizituar ABC në Korçë, Manastirin, Prishtinën, Tiranën etj. Sigurisht për të arritur këtë objektiv duhet një Buxhet që ne si shkollë nuk e kemi në dispozicion. Por mos harrojmë sepse të tilla mundësi janë një shtytje me optimiste për nxënësit duke e pasur një shpresë, një motivim PëR Të ARDHMEN…”të japish mësim nxënësve nuk do të thotë të mbushesh një shishe me ujë, por të ndihmosh ata që të rriten si një lule duke e vaditur çdo ditë”. Një nga nxënësit e klasës nuk ka qenë asnjëherë në Kosovë, pra në vendlindjen e prindërve, dhe do të ishte me të vërtet një mrekulli, siç me tha babai i saj, që ta dërgojë të bijën Kosovë që të njohë të afërmit e saj por s’kemi mundësi.Mbështetja e institucioneve është mënyra më frytdhënëse le të themi modeli kyç jo vetëm për bashkëpunimin por edhe në mbështetjen ekonomike, trajnimin e mësuesve me teknologjitë dhe përdorimin e tyre. Çdo mësueses duhet ti ishte bërë e mundur një kurs për përdorimin e teknologjive të reja duke ecur me hapat e kohës sepse edhe edukimi ndryshon me kohën. Dikur mjaftonte një laps, një libër dhe një fletore por tashmë nuk është i njëjti mjet që mundet të japë rezultatin e duhur për të arritur suksesin e kërkuar. Unë personalisht pata fatin që nga universiteti që vazhdoj më mundësuan ndjekjen e kursit për përdorimin e Google Meet, Zoom, azhurnimin e kalendarit duke regjistruar ditarin e ditës etj. Kjo metodë që unë përdor në praktikën me shoqërinë “SAVE THE CHILDREN” më shërben si një pasuri edhe për zhvillimin e mësimit të gjuhës sonë amtare. Me sakrifica dhe me energji të pashterrshme, ky është viti i tretë që me përpjekjet tona unë së bashku me dy ndihmësit në shkollën tonë vazhdojmë të japim kontributin vullnetar në shërbim të komunitetit shqiptar në zhvillimin dhe ruajtjen e gjuhës amtare pasi në Bolonja është e vetmja shkollë e gjuhës shqipe.

BASHKËPUNIM INSTITUCIONAL PËR FORCIMIN E MËSIMIT SHQIP

Duhet akoma shumë punë pasi kërkesat e interesimit të gjuhës janë në rritje dhe kjo shihet qartë nga interesi i prindërve për të regjistruar fëmijët në shkollë. Në të ardhmen neve kërkojmë bashkëpunim me institucione përkatese për zhvillimin e mësimit në ambiente shkollore me një klasë dinjitoze, shpresojmë që shumë shpejt do ta realizojmë kërkesën e bërë nëpër shollat e Bolonjës që gjuha jonë të njihet në CV shkollore duke njohur dhe vlerësuar punën tonë, me ndonjë program bashkëpunimi mes institucioneve Shqipëri-Itali-Kosovë dhe duke bërë thirrje prindërve me banim në qytetin e bolonjës dhe në periferi që të gjithë së bashku të kontribuojmë “Për të njohur kulturën, historinë dhe vlerat e Shqipërisë si dhe të mos shuhet interesi por duhet t’ia përcjellim gjuhën amtare të trashëguar brez pas brezi, fëmijëve tanë. Gjuha, kultura, identiteti ynë janë ata që bashkojnë origjinën, gjakun tone jashtë atdheut. Nuk janë vetëm thirrjet që duhet të ngrejë zërin por edhe një falenderim special për juve dhe gazetën tuaj për përkushtimin, kohën dhe rëndësinë që i kushtoni jo vetëm popullatës shqiptare në Amerikë që gjeje rastin ta përshëndes përzemërsisht por të gjithë popullin me origjinë shqiptare kudo që ndodhen në diasporë. “Gjaku s’bëhet ujë”, meqë jemi në pragun e festave të nëntorit ju uroj të gjithë kombit Shqiptar pa përjashtim gegë e toskë malësi jalli, jemi një komb: Gëzuar festat e Nëntorit.

VALBONA TOÇI NË SHËRBIM TË FËMIJËVE

Valbona Toçi ka lindur në Dibër, në 1998 u regjistrua në universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan në degën cikli i ulet. Në vitin 2011 u diplomua në Ekonomin aziendale dhe filloi punë në një zyrë të përberë nga profesionistë të ndryshëm që punonin me ndërmarrjet shqiptare. Në vitin 2015 mbaroi disa prej kurseve që kishin një kohëzgjatje prej 2/3 vitesh. Vazhdonte të punonte me komunitetin Shqiptar nga Shqipëria e Kosova, dhe Maqedonia. Më pas në vitin 2019 filloi të punojë me fëmijë shqiptarë, e maqedonas jo të shoqëruar nga prindërit për ti integruar në shkolle dhe duke i ndihmuar me detyrat, si dhe vendosje në kurse kualifikimi. Po në vitin 2019 filloi Universitetin për Edukatore dhe Formatore ku ende vazhdon studimet. Ndërsa ne vitin 2020 mbaroi kursin si ndërmjetëse e gjuhës me nxënësit duke u specializuar me moshat shkollore nga 6-18 vjeçare. Vazhdon të punojë me fëmijët e shkollës fillore dhe tetëvjeçare me shoqërinë “Save The Children” dhe si ndërmjetëse e gjuhës Itali/shqiptare në shërbimin social e sanitare.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

“BALLKANI I HAPUR” ËSHTË I PA PRANUESHËM PA KOSOVËN DHE MALIN E ZI

November 22, 2021 by s p

Nikollë Camaj, Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën politike në Mal të Zi, shqiptarët si faktor politik përcaktues në skenën politike malazeze, sfidat e Komunës së Tuzit me administrim shqiptar, iniciativën “Ballkan i Hapur” pa Kosovën e Malin e Zi dhe takimet me diasporën shqiptare në Amerikë. Me z. Nikollë Camaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol PAJA.

SITUATA E PËRGJITHSHME POLITIKE NË MAL TË ZI

Asnjëherë më e ndërlikuar, dhe me më shumë të panjohura. Me një qeveri “ekspertësh”, e cila nuk gëzon përkrahjen e shumicës që e ka zgjedhë, por e cila nuk merr guximin për ta shkarkuar, edhe pse, gjasat janë se shkarkimi është i pashmangshme. Pastaj parlamenti me retorikën e viteve të 90-ta, nuk premton asgjë të mirë. Një situatë e këtillë nuk mund të mbahet gjatë, por askush nuk e di zgjidhjen. Se a do ketë rekonstruktim të kësaj qeverie, rikuperim forcash politike për një qeveri të re, apo zgjedhje të parakohshme, si epilog i krejt kësaj,  nuk i dihet, por shpresoj të mos pritet gjatë.

SHQIPTARËT SI FAKTOR POLITIK NË MAL TË ZI

Statusi i shqiptarëve edhe tutje mbetet i pazgjedhur. Them edhe se jemi në një pozitë të pa lakmueshme, mes dy blloqeve të papranueshme për të ardhmen e vendit. Në njërën anë pushtetarët klero-fashistë , në anën tjetër opozita e krimit të organizuar,  e që pret përkrahjen tonë për të rrëzuar këtë qeveri, e për të formuar të renë. Në një situatë të re, që shpresojmë se do të ndoll, duhet të prihemi nga interesat tona kombëtare, e assesi nga ajo që është “interes i madh shtetëror” siç ishte rasti më 1997-ta, pastaj në kohën e referendumit për pavarësi të Malit të Zi, apo të integrimit në NATO. 

“BALLKAN I HAPUR” PA MALIN E ZI DHE KOSOVËN, SI ËSHTË PRITUR NË PODGORICË DHE CILI ËSHTË GJYKIMI JUAJ

Podgorica zyrtare nuk e ka mbështetur, ndërkohë që nënkryetari i Qeverisë D. Abazoviq, gjatë një vizite në Tiranë i ka premtuar përkrahje në këtë drejtim, z. Rama. Për mua është një projekt e papranueshëm, derisa të mos zgjidhen raportet Kosovë Serbi. Nuk mund të krijohet një bashkësi e tillë, me dikë që ka pretendime territoriale. Duaje kojshinë, por mos e prish portën, thotë një fjalë e urtë. Sidoqoftë, jam për bisedimet të çdo lloji me fqinjët, por të vendoset vetëm për variante, të leverdishme e të pranueshme për kombin në përgjithësi, e jo të pjesëve të tij.

ÇDO NDODH NË TUZ? SI PO E QEVERISIN SHQIPTARËT KOMUNËN SHQIPTARE

Tuzin po e qeverisin subjektet që u angazhuan, disa prej tyre me dekada, për themelimin e komunës së plotë, dhe kjo ishte jo vetëm e arsyeshme, por është gjëja më e mirë që ka mundur t’i ndodhë Tuzit, në mandatin e parë të administrimit autonom. Kryesisht jemi të orientuar në rregullimin e infrastrukturës,  të lënë mbas dore me dekada, si edhe në mirëmbajtjen e ambientit. Po ashtu, jemi në bisedime edhe me investues,  për hapje të vendeve të reja të punës, e që disa janë në fazën përfundimtare. 

TAKIMET ME DIASPORËN NË AMERIKË

Takimet me diasporën janë gjithherë të veçanta dhe kuptimplote. Përpos takimeve të drejtpërdrejta, ata na hapin shumë dyer të administratës amerikane, aq të nevojshme për ne. Siç dihet, diaspora jonë, përpos ndihmave materiale vendlindjes, që janë të shumta, dha kontribut të madh në jetësimin e idesë për komunë të plotë, si edhe në marrjen e pushtetit nga partitë që po e qeverisin. Nga kjo vizitë, do të veçoja takimet me shoqatat shqiptare ne New York,  Michigan e Californi, si edhe vizitën Federatës panshqiptare Vatra. Një pritje të ngrohtë organizoi edhe majori i qytetit-motër Rochester Hills. Po ashtu, isha edhe në departamentin e Shtetit, për të shkëmbyer informacione mbi statusin tonë. Të gjitha këto dëshmojnë se Malësidashësit përherë i rrinë pranë vendlindjes së vet.

THIRRJE PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA QË TË BASHKOHEN DHE TË KONTRIBUOJNË PËR VENDLINDJEN

Ata nuk kanë nevojë për thirrje; kanë nevojë vetëm për sinqeritetin tonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Nikolle Camaj, Sokol Paja

PAOLA RRAPAJ, NJË TALENT SHQIPTAR NË KONSERVATORIN E PRAGËS

November 20, 2021 by s p

Paola Rrapaj, pedagoge e pianos në Pragë, rrëfen për editorin e Diellit të Vatrës Sokol Paja, rrugëtimin e saj artistik, shkollimin në Universitetin e Karlit dhe Konservatorin e Pragës, pjesëmarrjet e saj në koncerte në shtet më kryesore në botë dhe përgatitjet për audicione doktorature në University of North Texas dhe Southern Methodist University në Dallas.

PAOLA RRAPAJ, NJË SHQIPTARE PEDAGOGE E PIANOS NË PRAGË

Fillimisht ju falenderoj për mundësinë për të qenë pjesë e shkrimeve tuaja, veçanërisht kur redaksia e kësaj gazete ndër vite mban emrat e vizionarëve shqiptarë si F. Noli e F. Konica apo A. Frashëri. Aktiviteti im si mësuese e më pas pedagoge e pianos ka nisur rreth 9 vjet më parë. Mësimdhënia është një ndër pasionet e mia prandaj kur ka nisur në fillim ka qenë në mënyrë vullnetare, më pas privatisht atje ku jetoja, vend të cilin e ktheva në studio personale në një farë mënyre, e më vonë mu ofrua puna në një shkollë muzike çeke ku jepja veç bazat e pianos, sëbashku me teori e këndim. Ndjesë nëse po mburrem pakëz tani, për të arritur në shkollat e muzikës shtetërore, lice apo konservator nuk mu desh asnjëherë të kërkoja punë e të aplikoja por puna vinte tek unë dhe kisha mundësi zgjedhje, kjo pasi rrethi i muzikantëve ështe i vogël e për mua, shqiptaren, se ç’thuhej se isha e përgjegjeshme dhe e mire në punën me studentët. Shkollimi im nga Universiteti i Karlit ishte “double master” dhe përveç mësimdhënies në lice artistik , praktikat për mësimdhenie teorike në histori muzike, analizë forme e harmoni nuk kanë munguar. Mendoj se të qenurit mësues, pedagog, edukator nuk është një profesion por një mision. Kemi në dorë formimin e brezave të ardhshëm për ti frymëzuar, ndikuar apo ndryshuar sado pak. Mësimdhënia është dashuri e madhe siç është edhe përgjegjësi e madhe.

PASIONI PËR KËNGËN DHE MUZIKËN KLASIKE

Dëshira për të kënduar ka nisur në fëmijërinë e hershme. Kam në memorie kujtime të çmuara që lidhen me këtë rrugëtim që nga festivalet e fëmijeve në Vlorë ku babai e vëllai im, Maks e Mario Rapaj, kryesisht kompozonin këngët e mia, më pas më kujtohen festivalet e këngëve popullore, apo “Sofra Vlonjate” ku ishte vërtet privilegj ti bashkohesha muzikantëve e këngëtarëve të afirmuar të qytetit në atë moshë. Nuk mund të shmang figurat drejtuese të festivaleve në Vlorë si Vahit Kuçaj, drejtuesi artistik apo prof. Guri Gjeçi që me shumë dashuri e karizëm prezantonte hyrjet e mia në skenë. Më pas kam pas qenë soliste në korin e ashtu quajtur “Zërat e paqes” në kishën katolike të Vlores, aty ku edhe jam pagëzuar e është një ndër vendet shumë të dashura të qytetit tim. Kjo nën drejtimin e këngëtares shumë të dashur jo vetëm për mua por për gjithë shqiptarët, Rovena Ibrahimit. Nga ana tjetër muzika klasike ka qenë dashuri e sfidë më vete. Pasioni për muzikën klasike ka ardhur me kohën. Vështirë një 6-vjeçar të kuptojë mjeshtërinë e Bachut apo Mozartit. Shumë kanë besuar e influencuar tek une këshillat e Prof. Krenar Zanko, prof. Vasil Çuni e prof. Alqi Lepuri (artist i merituar). Pra u deshën vite studimi e leximi e këshillash të vyera e patjetër edhe rrugëtimi im në Pragë që ti jepte botëkuptim e sy më të mprehtë perceptimit tim për muziken klasike. U jam mirënjohëse kujtdo mësuesi , kolegu apo miku që me lojën e tyre, me njohuritë e tyre kanë ndikuar në formimin tim artistik.

STUDIMET NË UNIVERSITETIN E KARLIT DHE KONSERVATORIN E PRAGËS

Edhe pse jetojmë në shekullin e filtrave më lejoni të flas pa filtra. Studimet në Universitetin e Karlit dhe Konservatorin e Pragës kanë qenë të gjata e të mundimshme. Në moshen 18 vjecare, ashtu ëndërrimtare dhe moskokëçarëse vendosa të studioj në Pragë e të mësoj gjuhën çeke e të hyj në audicione në këto shkolla prestigjioze që kanë shënjuar muzikën klasike botërisht. Po studioja aty ku Dvořák e Smetana kanë lindur, aty ku Mozart ka patur premieren e operës “Don Giovanni”,aty ku kanë performuar Liszt, Chopin e Tchaikowsky, aty ku kanë lindur Franz Kafka, Gustav Mahler apo Milan Kundera. Ndryshimet kulturore nuk ishin të pakta por sipas çekëve, çekishtja ime ishte shumë e mirë dhe kjo më bëri të isha më lehtë pjesë e tyre, të kuptoja më mirë kulturën , ndjeshmërinë në poezi por edhe shakatë. Ndoshta duket sikur e egzagjeroj por 10 vjeçari im në Pragë, studimet, eksperiencat e sakrificat që mu deshën të kaloj aty janë aq të shumta sa do të më duhej të shkruaja libër për to. Autori amerikan Alan Levy kur ka jetuar në Pragë ka pas thënë : Mrekullia e jetës sime është, të ngrihem çdo mëngjes në shekullin e 21 në Pragë. Përtej atyre çka përmenda, kështu ndihem edhe unë kur flasim për Pragën.

RRUGËTIMI ARTISTIK DHE PERFORMANCA TË SHKËLQYERA NË ÇEKI, ITALI, SUEDI , SLLOVAKI, AUSTRI , ZVICËR, GJERMANI DHE AMERIKË

U bë 22 vjet që merrem me piano. Konkurset kanë qenë pjesë e rëndëshme e motivimit tim si fëmijë por me kohën kjo u zbeh. Kam marrë çmime të para por edhe inkurajuese kjo nuk është domosdoshmërisht një matës nëse je apo jo i mirë. Muzika është relative dhe gjithmonë do të jetë dikush që do ta sjellë një interpretim ndryshe nga ti. Të jesh autentik në loje, dhe jo perfeksionist për mua ështe më e rëndësishme. Të arrish të gjesh prekjen dhe tingullin tënd është suksesi më i madh. Gjithsesi nga ana pedagogjike dhe roli i mësuesit, konkurset motivojnë dhe zhvillojnë rrugëtimin artistik, ku perballim aftësitë tona dhe frymëzohemi për zhvillim të mëtejshëm.
Kam patur fatin e mirë të luaj në Çeki, Itali, Suedi, Sllovaki, Austri, Zvicër, Gjermani e Amerikë. Deri më tani, eksperienca e Verbier Festival në Zvicër ka qenë ndër më shënjueset për mua nga ana emocionale por absolutisht edhe ajo profesionale. Të isha duke mësuar e përjetuar atë eksperiencë në orkestrën e festivalit nën drejtimin e muzikantëve më të mirë botëror si Valery Gergiev, Gianandrea Noseda, Esa-Pekka Salonen, apo Daniel Barenboim ishte ëndërr më vete.

PËRGATITJE PËR AUDICIONE DOKTORATURE NË UNIVERSITY OF NORTH TEXAS DHE SOUTHERN METHODIST UNIVERSITY NË DALLAS

Momentalisht jam në Amerikë, periudha e covid për muzikantët nuk ka qene e lehtë dhe ky vendim erdhi si dëshirë e të paturit familjen time afër. Momentalisht po përgatitem për audicione doktorature në University of North Texas dhe Southern Methodist University këtu në Dallas, që do të jenë vazhdimësi e studimeve pianistike me degë minore “music business” ose “music production”. Jam ende në proces kështu që planet do të stabilizohen pas disa javëve të tjera.
Pas publikimit në YouTube të këngëve të mia “Mon Amour” dhe “Ti” po shkruaj këngë e po punoj për një duet që dua ta finalizoj nga pranvera, kur të kthehem shkurtimisht në Shqipëri.

ARTI DHE MUZIKA SI AMBASADORË TË KOMBIT SHQIPTAR

Shqipëria jonë, ai vend i bukur e i dielltë mbart shumë muzikalitet, ka nxjerrë shumë talente ndër vite që sot gjenden në skenat botërore e na bejnë krenar, kjo nga muzika pop e deri tek ajo klasike. Më besoni sa krenari kam ndjerë kur si studente e konservatorit shtetëror të Pragës, përpara një provimi oral, pasi morrën vesh nga vija, është përmendur emri i të ndjerit Mustafa Krantja, themeluesit të shkollës se dirizhimit në Shqipëri, dhe ish student i konservatorit të Pragës në vitet e komunizmit shqiptar, e bashkë me të në Pragë kanë studiuar e lënë gjurmët e tyre muzikantë e artistë të tjerë shqiptarë si Simon Gjoni, Ferdinand Deda, Kristaq Antoniu, Kadri Roshi, Pirro Milkani, por edhe Marie Kraja e cila edhe pse studionte në Graz të Austrisë, performonte shpesh në Pragë.

NJË MESAZH I FORTË PËR ARTISTËT E RINJ

Mesazhi im për artistët e rinj është të mos heqin dorë edhe kur ndihen të pafuqishëm për ta vazhduar këtë rrugëtim. Të bërit art e muzikë nuk kërkon vetëm inteligjencë, koordinim, vullnet e shumë aftësi që jo domosdoshmërisht lidhen me njëra tjetrën por kërkon gjithë energjinë e brendshme, pra ndonjëherë nuk është vetëm lodhje mendore por edhe emocionale. Kjo rrugë është e gjatë dhe ka uljet e ngritjet e saja por kurrë nuk duhet të dorëzoheni kur gjërat vështirësohen. Artistët e rinj apo edhe femijet e vegjel që i kanë hyrë botës së artit duhet ta dinë që kjo rrugë s’është aspak e lehtë, dhe jo, me kalimin e kohës nuk vjen duke u lehtesuar dhe ky fakt duhet pranuar ama shpërblimi shpirtëror, që të jep çdo lloj arti që bëni ,dëgjoni apo krijoni vet s’ta jep asgjë tjetër. Arti ynë , instrumenti, piktura a poezia, na lejon të shprehim veten e ndjesitë tona në mënyrën më të sinqertë. Arti është një ndër bekimet më të mëdha që na është dhënë ne, humanëve.

NJË MESAZH PATRIOTIK PËR SHQIPTARËT NË DIASPORË

Në çdo cep të botës, nga Europa, nga ndonjë qytezë çeke, nga rrugicat e Venecias e deri në mes të Manhattan, ashtu pa plan ndodh që takon shqiptar kudo e dëshira e shqiptarëve për të punuar e për tu përmirësuar është e pamasë. Vërtet besoj se shqiptarët janë popull me inteligjencë dhe mprehtësi e kur këtë energji dinë ta venë në punë bejnë mrekullira. Nuk kam domosdoshmërisht mesazh por vlerësim e respekt për të gjitha sakrificat qe shqiparët e diaspores kanë kaluar. Ndoshta kjo e vërtetë dhemb por mendoj se s’jam e vetmja. Të jetuarit jashtë, na bën pak të huaj në vendin tonë, sa herë kthehemi çdo gjë ndryshon, shokët e fëmijërisë janë larguar gjithashtu , e me kohën humbim gjyshërit e pjesën tjetër të familjes që kemi lënë pas . Ndonjëherë ndihemi më të huaj në vendin tonë se sa aty ku jetojmë prandaj ndoshta mesazhi im modest do të ishte të mos e harrojmë rrugëtimin tonë, sakrificat, atë nga kemi ardhur dhe sot, mundësinë të barazohemi e punojmë krah njerëzve që vijnë nga vende shumë më të zhvilluara sesa Shqipëria. Mikpritja dhe bujaria e shqiptarëve më bëjnë të mendoj se shqiptarët në vend të zemrës kanë diell e ky diell s’duhet të shuhet kurrë. A mos ndoshta kjo është edhe një ndër arsyet e emrit të gazetës suaj?

Filed Under: Featured Tagged With: Paola Rrapaj, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT