• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, shoqata kulturore që synon integrimin dhe shkëmbimin kulturor

July 9, 2024 by s p

Skender Lazaj, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali dhe Lori Duka sekretare dhe drejtore artistike e shoqatës në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetës “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” në New York, nëpërmjet editorit Sokol Paja, tregojnë jo vetëm historinë dhe aktivitetet kulturore, komunitare e atdhetare të shoqatës por dhe rolin e fuqishëm që LSHASHI luan për integrimin dhe shkëmbimin kulturor të artistëve shqiptarë në Itali.

Kush është Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali?

Shoqata kulturore me qendër në Gardone Val Trompia në Itali, e njohur edhe me shkurtimin LSHASHI, është një organizatë jofitimprurëse e themeluar më 14 prill 2015, e cila vepron në të gjithë territorin kombëtar italian. Për nga natyra e saj, bashkon të gjithë shkrimtarët dhe artistët shqiptarë që banojnë në Itali dhe e ushtrojnë artin e tyre në diasporë. Për t’u anëtarësuar mjafton të jesh banues në Itali, të ushtrosh çdo formë arti dhe të paguash tarifën vjetore.

Organizimi aktual

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, ka një organizim horizontal, jo fort hierarkik. I vetmi organ ekzekutiv, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është Bordi Drejtues, që organizon dhe kujdeset për çdo aspekt ligjor dhe administrativ në garantimin e suksesit dhe jetëgjatësisë së shoqatës. Më pas, secili prej anëtarëve është në kontakt të drejtpërdrejtë me të tjerët për të shprehur lirshëm çdo ide, dyshim, projekt apo nevojë. Aktualisht anëtarët e bordit janë: Skender Lazaj (kryetar), Mimoza Leskaj (nënkryetare), Valbona Jakova (përkthyese dhe shkrimtare), Lori Duka (sekretare dhe drejtore artistike), Rajmonda Mara (arkëtare dhe redaktore), Fabiola Sali (redaktore) dhe Fatmir Gjata (poet).

Cili është misioni i LSHASHI – it?

Shoqata lindi me objektiv kryesor krijimin e një mjedisi, hapësire të favorshme, për të nxitur lirinë e shprehjes dhe promovimin e artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë në të gjithë Italinë. Në këtë mënyrë do të mund të krijohej një kanal krahasimi mes subjekteve që kishin të njëjtin pasion. Më pas, me kalimin e viteve, veprimtaria e shoqatës u gërshetua fort me komunitetin pritës, pra atë italian, duke krijuar kështu aktivitete promovuese ndërkulturore dhe artistike, të afta për të përcjellë mesazhe të forta, duke përfshirë më të rëndësishmin: integrimin e komunitetit shqiptar në kulturën e vendit pritës.

Çfarë lloj aktivitetesh organizon shoqata?

Veprimtaritë që zhvillohen gjatë gjithë vitit, kanë të bëjnë me prezantimin e veprave letrare të poetëve, deri te konkurset poetike kushtuar të rinjve, pa harruar dhe takimet e ashtëquajtura “reading”. Por nuk mbaron këtu, sepse çdo vit mbahet eventi më i rëndësishëm që është “Arti në Lëvizje”, i cili paraqet punën e artistëve të ndryshëm: nga piktura në skulpturë, nga letërsia te këndimi, nga teatri te punimet e dorës. E gjithë kjo me një qëllim të vetëm: promovimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare në diasporë! Vitet e fundit, shoqata ka rritur ndjeshëm bashkëpunimin e saj edhe me organizata të tjera jofitimprurëse si shoqata “Komuniteti Shqiptar në Itali” me qendër në Brescia, Proloco of Ghedi (provincë Brescia), shoqata kulturore “Alba”, qendra ndërkulturore “METE” po në Brescia, dhe shumë të tjerë. Ndërsa një ndër bashkëpunimet më frytdhënës për ne, është ai me Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Milano dhe qendrën kulturore SlowMill.

Për çfarë projektesh po punon LSHASHI?

Po punojmë drejt disa horizonteve. Na pëlqen të përmirësohemi gjithnjë e më shumë dhe të mësojmë nga shembujt e të tjerëve. Që nga viti 2022 kemi krijuar antologjinë e parë poetike të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali. Një projekt që vazhdon akoma sot dhe që së shpejti do të shohë dritën e botimit vëllimi i dytë. Në radhën e nismave në plan për të vazhduar, është edhe ekspozita piktoreske me titull “Zërat e dygjuhësisë”, e cila u inaugurua më 21 prill 2024 në qytetin e Inzino-s (Itali). Është një projekt i mbështetur fuqishëm nga Bordi Drejtues dhe do të ketë si protagonistë kryesorë piktorët dhe artizanët e shoqatës sonë. Gjithashtu, po punohet për dhurimin e një numri të konsiderueshëm librash, të botuar nga shkrimtarët dhe poetët shqiptarë të shoqatës, për bibliotekën e një qyteti italian. Kjo me qëllim që t’i jepet mundësia komunitetit shqiptar që jo vetëm të lexojë libra në gjuhën amtare, por edhe të pasurojë italishten nëpërmjet teksteve të përkthyera në dy gjuhë. Më në fund, shoqata synon të sjellë në vëmendje edhe rubrikën “artisti online”. Një tryezë e rrumbullakët virtuale e fokusuar tërësisht te letërsia – poezia, proza ​​dhe romani. Është një projekt i nisur nga ne gjatë pandemisë dhe për shkak të suksesit që pati, është propozuar sërish që të realizohet në vazhdim.

Si po ecën komunikimi i shoqatës?

Angazhimi i Lidhjes së Shkrimtarëve në frontin e komunikimit nëpërmjet mass medies, është gjithashtu shumë i rëndësishëm, duke marrë pjesë në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme, në programe televizive (emisioni URA) dhe radiofonike (Radio Projekt 21 Kopenhagen), publikime në shtypin e shkruar dhe në kanalet e rrjeteve sociale. Ekipi ynë beson se ka disa baza të komunikimit që nuk ndryshojnë kurrë: thelbi i artit dhe ai i atyre që e shprehin atë, nevoja që çdo artist të shprehet nëpërmjet gjuhës së tij (artistike sigurisht) dhe të flasë në mënyrë tërheqëse me bashkëbiseduesit e tij. Dhe nga ky këndvështrim, digjitalizimi ka hapur dhe vazhdon të hapë rrugë të mëdha komunikimi.

Linkografia

https://www.youtube.com/@lidhjaeshkrimtarve
https://www.facebook.com/groups/478213179004200?sub_confirmation=1

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

90 VITE JETË, 63 VITE NË FEDERATËN VATRA

June 24, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 22 qershor 2024 – Tonin Mirakaj, një ndër aktivistët më të veçantë të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festoi 90 vjetorin e lindjes. Një atdhetar i flaktë, patriot i dalluar, aktivist i zjarrtë, antikomunist i vendosur, besimtar i devotshëm dhe qytetar model, për mbi 6 dekada Tonin Mirakaj dha kontribut të jashtëzakonshëm në komunitetin shqiptar në Amerikë. Në një festë private me familjarë e miq të ngushtë, me bekimin e Dom Nikolin Përgjinit e Diakon Marash Shkrelit, e bija Diana Mirakaj Finerti dhe nipat Poul e Anthony Evangelista mbajtën fjalën kryesore të drekës festive teksa shprehën dashuri e mirënjohje për Toninin e dashur e të shtrenjtë, për mirësinë, dashurinë, këshillat, përkujdesjen, humorin, zgjuarsinë, sakrificat e gjithçka ai i ka dhuruar familjes në 90 vite jetë.

Tonin Mirakaj shqiptaro-amerikan i natyralizuar që në vitin 1967, ka lindur më 5 Korrik 1934 në Iballë të rrethit të Pukës, në familjen “Mirakaj”, e njohur për persekutimin e qëndrim antikomunist, që në vitet e para të marrjes së pushtetit diktatorial që sundoi në Shqipëri afro 50 vjet. Tonin Mirakaj jeton në Amerikë që nga data 24 Shkurt 1961, i ardhur nga kampet 2 UN të Italisë. Në këto kampe kaloi 6 muaj. Në Amerikë erdhi me garanci të Komitetit Shqipria e Lir, dhe ndihmë të International Rescue Committee. Shkrimin e parë për botim pas ardhjes në Amerikë ia dërgoi editorit të gazetës “Shqiptari i Lirë” Profesor Nexhat Peshkopia. Ai e lidhi me Federatën Vatra dhe i dha një kopje të Kanunores, të cilën e ruan edhe sot me fanatizëm. Tonin Mirakaj u regjistrua si anëtar në Vatër në verë të vitit 1961. Për herë të parë ishte delegat në Kuvendin e Vatrës në vitit 1971. Tonin Mirakaj u zgjodh anëtar i Kryesisë, kryetar i degës 29 NY/NJ, kryetar kuvendi, sekretar, reporter kuvendesh disa herë, dhe n/kryetar i Federatës Vatra për 4 vjet në vitet: 81, 82, 83 dhe 85. Ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me gazeten Dielli, kryesisht me editorin Xhevat Kallajxhi, bashkëpunim që e ruan edhe sot. Tonin Mirakaj është aktiv dhe ndër figurat kryesore të Vatrës e veprimtarisë patriotike në USA që nga viti 1971 deri më 1997. Anëtar i disiplinuar dhe shembull që nga 1961 e në vazhdim. Në mediat e shkruara në Amerikë Tonin Mirakaj ka kontribuar në gazetat: “Shqiptari i Lirë”, “Dielli”, “Koha e Jonë”, “Illyria” dhe “Jeta Katolike”. Tonin Mirakaj ndihmoi shumë emigrantë në integrimin e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me punë e përkthime në emigracion. Gjatë jetës së tij u takua me shumë politikanë shqiptarë ndër ta veçon Doktor Rugovën, Doktor Berishën, Mejdanin, Moisiun etj.

Tonin Mirakaj u vlerësua dy herë nga Vatra, veçojmë më 26 dhjetor 2017 me rastin e 105 vjetorit të themelimit: “Anëtar i Përjetshëm” i saj, për anëtarësi të shkëlqyer, për qëndrim të denjë ndaj çështjes shqiptare, dhe shembull i qytetarit shqiptaro-amerikan. Tonin Mirakaj u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta më 9 qershor 2022 me Titullin e Lartë: “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut” në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e spikatur në demokratizimin e Shqipërisë, forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, lartësimin e imazhit shqiptar e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me kishen katolike shqiptare në New York Tonin Mirakaj fillon aktivitetin e tij me formimin e Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane (The Albanian American Cathilic League) më 16 Qershor 1962. Me 21 Korrik 1962 zgjidhet Këshilli i parë i Lidhjes: Tonin Mirakaj zgjidhet sekretar. Gjatë periudhës 1962 – 2000, ka kryesuar Këshillin e Kishës në 4 mandate, në periudha të ndryshme. Ka kryesuar aktivitete si Seminarin Internacional me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjeter Bogdani, mbajtur në Fordham University më 7 Tetor 1989, i cili në mes të tjeresh solli në Amerikë për të parën herë Profesor Ibrahim Rugovën. Në atë rast, filloi aktiviteti i tij diplomatik dhe politik që solli rezultate të përmasave historike për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar. Tonin Mirakaj organizoi Festivalin e parë shqiptar më 28 Tetor 1991, suksesi i të cilit filloi një traditë që po vazhdon për më shumë se 30 vite. Kryesoi shtegtimin në Vatikan dhe Audiencën me Shenjtërinë e Tij Papa Gjon Pali i dytë, Shtegtimin në Tokën e shenjtë etj. Kontributi dhe veprimtaria e Tonin Mirakajt do të ishte e pamundur pa mbështetjen e bashkëshortes së tij Miliana dhe vajzave Eleonorë e Diana, djalit Danjel të cilët kane qenë në çdo hap me Toninin dhe aktive në veprimtaritë e Kishës Katolike Shqiptare në New York duke kontribuar në korin e Kishës e në grupin Rozafati që prej fillimit. Jeta e Tonin Mirakajt është një frymëzim për brezat, mbi 6 dekada aktivizëm e kontribut thelbësor për komb e komunitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tonin Mirakaj me jetën e tij aktive e veprimtarinë shumplanëshe, përfaqëson një plejadë patriotësh që shënuan një emër të ndritur në historinë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Faleminderit dhe mirënjohje për gjithçka Tonin Mirakaj.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sokol Paja, Tonin Mirakaj

27 vite shërbim në policinë e Hoboken, Shqiptarët e Amerikës nderuan Edmond Drishtin

June 9, 2024 by s p

Sokol Paja/

Hoboken, New Jersey, 8 Qershor 2024 – Pas 27 viteve shërbim e përkushtim në policinë e Hoboken, miq, familjarë, kolegë, artistë, personalitete të shquara të diasporës, shoqata e organizata patriotike në New Jersey, New York, Connecticut e shtete të tjera nga Amerika nderuan patriotin Edmond Drishti në mbrëmjen e tij festive të lamtumirës nga Policia e Hoboken. Vite të mbushura me krenari, sukses, devotshmëri e respekt. Edmond Drishti filloi punën si polic rrugor në Hoboken bashkë me vëllain e tij Arbenin në vitin 1997. Në vitin 2006 mori gradën “Rreshter” ndërsa në vitin 2019 fitoi gradën “Komandant Toger” duke shërbyer dhe në policimin komunitar. Ai drejtoi për dy mandate sindikatën e policisë në Hoboken. Ai është nderuar e vlerësuar “Life Saving Award” për ndihmën në shpëtimin e jetëve njerëzore në disa episode. Edmond Drishti ka qenë polic i dalluar në të gjitha katastrofat, fatkeqësitë apo rastet e jashtëzakonshme ku ka ndërhyrë policia si në 11 Shtator, përmbytjet në New Jersey apo Covid-19. Afro 27 vite shërbim në “vijën blu” mes kaosit e rregullit, ai kishte si moto që u kthye në frymëzimin e jetës së tij në polici: “Gjithçka për të ndihmuar e shpëtuar qëniet njerëzore”. Thënia e Maja Angelou: “

I’ve learned that people will forget what you said, people will forget what you did, but people will never forget how you made them feel” ishte moto në shërbimin, kujdesin, modestinë, marrëdhëniet dhe trajtimin e problematikave të qytetarëve në raport me policinë.

Në fjalën e hapjes Arben Drishti falenderoi pjesëmarrësit dhe shprehu krenari e dashuri për punën e shkëlqyer të vëllait Edmond Drishti ndër vite. Rrugëtimin policor, dedikimin ndaj familjes, mbështetjen prej bashkëshortes, miqve e kolegëve të tij, Edmond Drishti e përcolli para të pranishmëve me nota humori dhe shumë emocione. Mesazhet e përshëndetjet në monitor nga familjarë e miq nga Shkodra, sollën shumë emocione e mallëngjim për të gjithë të pranishmit. Një fjalë të veçantë që kujtoi babain e Edmond Drishtin, Bahri Drishtin e familjen e tij e mbajti Arvid Hoxha. Kapiten Romano vlerësoi suksesin e Edmond e Arben Drishtit bazuar në familjen e shkëlqyer shqiptare. Ai i vlerësoi me mirënjohje vëllezërit Drishti për shërbimin e shkëlqyer në policinë e Hoboken. Bujar Ademovi humoristi shkodran recitoi disa bejta gazmore ndërsa shefi i shkollës së Policisë në Hoboken Mr.Griffith e vlerësoi me mirënjohje për rezultate të shkëlqyera në punë Edmond Drishtin e Arben Drishtin duke qenë shembull për përkushtimindhe dedikimin e tyre. Mbrëmja argëtuese vazhdoi deri në orët e vona në nderim, vlerësim e respekt të Edmond Drishtit, patriotit e veprimtarit të shkëlqyer të çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

MEDIA, PROPAGANDA ATEISTE DHE REGJIMI TOTALITAR SHQIPTAR

June 8, 2024 by s p

Aspekte të propagandës ateiste në revistën “Vatra e Kulturës” përgjatë regjimit komunist  1965-1975.

Sokol Paja

PJESA 2

Zhdukja e fesë në Shqipëri, pjesë e projektit shtetëror ateist

Përgjatë aksionin kombëtar komunist të zhdukjes së fesë, në propagandën ateiste dhe në rrethin e punës së zinxhirit ateist shtetëror, komunizmi përdori edhe nxënës dhe mësues që u përfshinë masimalisht në luftën kundër mbeturinave të ideologjisë fetare. Puna ideologjike sipas S. Sinanit në shkrimin “Luftë e pandërprerë kundër mbeturinave të ideologjisë fetare”, botuar në revistën “Vatra e Kulturës” më 1975, e bërë nga organizatat e Partisë së bashku më prindër, nxënës mësues, të edukuar me mësimet e partisë, kanë afirmuar norma të reja dhe kanë zhdukur ritet dhe festat fetare. Normat dhe konceptet e vjetra sipas Sinanit po luftohen në çdo normë dhe formë të shfaqjes së tyre. “Fjalori fetar pothuajse nuk përdoret nga nxënësit e shkollës. Edhe vënia e emrave të tillë si petrit, agim, arta për zonën e Qelës me ish-besim katolik është një fitore”[1] që sipas autorit, flet qartë për goditjen në çdo formë të ideologjisë së vjetër fetare dhe afirmimim e të resë socialiste. Sipas Sinanit, në luftën kundër fesë dhanë ndihmesë çelja e ekspozitës “Feja opium për Popullin”, libri “Gjurmët të çojnë në qelë”, “Veprimtaria reaksionare e klerit”. Këto shfaqje të organizuara nga shtëpia e Kulturës në Qelë, sipas Sinanit, mbajtën ndezur luftën kundër mbeturinave fetare dhe demaskuan me orë të tëra në debate e leksione rolin reaksionar të fesë. Çdo mësues sidomos në Pukë, sipas autorit Sinani dha një kontribut në këtë aksion kombëtar për çrrënjosjen e fesë duke zhvilluar detyra konkrete me tema edukimi, informacione dhe punime të veçanta. Si objektiv i punës së vazhdueshme të nxënësve dhe mësuesve për zhdukjen e mbeturinave të ideologjisë fetare del: harmonizimi i punës edukative dhe aksionit me punë jashtëshkollore jo vetëm më nxënësit por edhe fshatarët, të evidentohet rezultatet e arritura, të bëhen analiza në mënyrë që lufta të mos jetë me fushata por e vazhdueshme, fletërrufetë dhe aktivitete kulturore-artistike të demaskojnë gjithnjë e më shumë fënë dhe ideologjinë fetare.Në shkrimin e Rakip Mustafaj me titull “Këtu shërohen njerëzit” botuar në revistën “Vatra e Kulturës” më 1968, flitet për teqenë e Martaneshit e cila kishte shfrytëzuar përgjatë gjithë veprimtarisë së saj popullin. “Teqeja ishte një qendër parazitësh e dembelësh ku ditën dhe natën derdhej si lumë rakia e mishi i pjekur”[2] ku për të plotësuar qejfet dhe dëshirat e Babait të Teqesë punonin një numër i madh hysmeqarësh dhe në tokat e Babait të teqesë një numër i madh fshatarësh. Sipas autorit Mustafaj, njerëzit e zotit që rrinin në këtë teqe nuk ishin veçse injorantë e të pashkollë, shfrytëzues të paster të popullit deri në palcë. Teqeja sipas Mustafajt, ishte një qendër për sëmundje të ndryshme pasi besimtarët pinin ujin e bekuar në një gjym dhe shumë të tjerë sëmureshin rëndë duke fjetur në Teqene e shtruar me çemento me qëllim për të gjetur shërim. Organizatat e masave dhe të partisë me qëllim suksesin dhe masivizimin e luftës kundër fesë filluan një punë të diferencuar me masën e nxënësve, me rininë, gratë, pleqtë etj. Për të gjitha brigadat shtëpia e kulturës shfaqte shfaqje të ndryshme duke sulmuar fenë me qëllim ndërgjegjësimin e njerëzve për punën dhe gjithpërfshirjen në aksionin ideologjik. Puna e gjerë propagandistike dhe demaksimi i veprimtarisë së teqesë në Martanesh, sipas Rakip Mustafaj, bëri që në publik të dilnin të gjithë të palarat e Babait të Teqesë në Martanesh i cili pohoi në mbledhje para mbarë popullit se feja ka qenë një rrugë reaksionare dhe se ai kishte mashtruar popullin me qëllim për të jetuar si parazit në kurriz të njerëzve të ndërshëm e punëtorë socialistë.

Propaganda ateiste dhe zhdukja e fesë

Propaganda ateiste gjithnjë në rritje ishte mënyra më efikase sipas ateistëve shqiptarë për zhdukjen e fesë dhe praktikave fetare. Feja në zonën e Burrelit në mënyrë djallëzore kishte depërtuar sipas Skender Tunës në shkrimin “Ne për propagandën ateiste-shkencore ”, botuar në revistën “Vatra e kulturës” më1968, duke përfituar nga mënyra e jetesës së fshatarëve dhe nëpërmjet përdorimit të zakoneve të mira si besa, guximi, ndershmëria etj. Si fillim i suksesit të luftës kundër fesë bëhej demaskimi i veprimtarisë së klerit dhe përgatitja e mirë ideologjike me botëkuptim marksist-leninist. Sipas Tunës, pasi populli u bind për kotësinë e fesë dhe natyrën shtypëse dhe gënjeshtare, u organizuan mbledhjet e pelqve për ti kthyer xhamitë nga vatra për helmimin e ndërgjegjes sënjerëzve, në qendra arsimi, kulture dhe edukimi dhe për zëvendësimin e festave fetare me festat kombëtare. Pas bindjes dhe aprovimit popullor njëra xhami në Gurrë ta Matit u kthye në shkollë dhe tjetra në magazinë të koperativës, ndërsa një hoxhë që nuk ishte dakord për këtë u nxor në autokritike nga pleqtë u vu me shpatulla aps murit dhe u demaskua roli i tij dhe fesë që përfaqëson duke ia nxjerrë në shesh të gjithë të palarat. Në shkrimin e Trifon Dafës me titull “Si u përgatit një kumtesë”, botuar në revistën “Vatra e Kulturës” më1968, shigjetohet teqeja e Sukës në Përmet ku kjo teqe që në vitet e paraçlirimit e pasçlirimit ka qenë një qendër për shtypjen e fshatarëve, ishte një qendër injorance, vatër që përhapte besime të kota, shfrytëzonte e mashtronte. Sipas shkrimit propagandistik, me qëllim që masa e punonjësve të bëhej përvete dhe revolucioni të kishte përkrahje sa më të madhe duheshin gjetur në popull deklarata të veprimtarisë së kësaj teqe në mënyrë qëtë demaskohej totalisht veprimtaria e saj. Angazhimin më të madh në këtë aksion në lidhje me veprimtarinë shfrytëzuese dhe shtypëse të teqes së Sukës, e morën mesuesit e shkollës 8-vjeçare të fshatit. Ata gjejnë dëshminë e një plaku Çuli Kano i cili deklaron në shkrimin propagandistik ateist të autorit se Teqeja e Sukës “ i ka tmerruar bujqit. Rrahje, uri, vuajtje, mjerime, ja kush kanë qenë dhuratat e saj për fshatarët”[3]. Veprimtaria e kësaj teqeje, sipas Trifon Dafës është shumë armiqësore pasi feja tentonte të depërtonte edhe tek ritet dhe marrëdhëniet familjare të popullit, ku Babai apo Dervishi ndërhynin tek të gjithë bujqit dhe ua fejonin vajzat ku donin edhe sikur burri të qe një plak apo anormal, mjafton që babai të mbushte xhepin, këmbëngulte propagada ateiste e regjimit komunist ateist.

Lufta kundër “paragjykimeve fetare” në Shqipërinë ateiste

Në regjimin diktatorial, nuk lejohej asnjë ideologji tjetër përveç ideologjisë marksiste-leniniste që ishte ideologjia shtetërore. Në luftën për zhdukjen përfundimtare të fesë si njollë e së kaluarës, sipas Arif Gashit në shkrimin “Si mund të punohet kundër paragjykimeve e mbeturinave fetare”, botuar te revista “Vatra e Kulturës” më 1974, kërkohet kujdes i veçantë në specifikat e seciëls lagje, fhsat apo zonë dhe të zbulohen e studjohen njollat që shfaqen rastet e format e shfaqjes, arsyet e shfaqjes së këtyre normave, moshat e mbartësve, dëmet që sjellin këto shfaqje, ndikimet tek të rinjtë e fëmijët që kanë shfaqjet e normazve e zakoneve prapanike e fetare. Në luftën ndaj fesë sipas Gashit, mjeti shumë i fuqishëm i propagandës antifetare është organizimi i ekspozitave anti-fetare. Në to duhet të pasqyrohen tematikat: “Roli reaksionar i klerikëve të zonës, krahinës, fshatit, të qytetit, format e shfrytëzimit e të mashtrimit që kanë përdorur klerikët, organizim përçarjesh e ngatërresash në masë nga klerikët, shtimi i pasurisë sëtyre më anën e shfrytëzimit të ceremonive fetare të lindjeve, të vdekjeve, të përshpirtjeve, të martesave, të taksave, dallaveret e priftërinjve për të grabitur pasurinë e atyre që vdisnin, duke thënë se gjoja ia kishin lënë amanet kishës, dhuratat e shumta për shpirtin e të vdekurve, mjetet e mashtrimit e të magjisë fetare si hajmalitë, nuskat etj, kultivimi i përçarjes e armiqësisë midis besimtarëve dhe atyre që nuk besonin”[4]ku përveç këtyre, nga propaganda e koës sugjerohej edhe përdorimi i karikaturave si mjet për ta bërë më të kuptueshëm teorinë. Zbërthimi ateist i dogmave të fesë, sipas autorit, çon në sqarimin e tyre dhe nxit agjitacionin kundër praktikave e dogmave fetare. Si një mjet shumë efikas në propagandën ateiste ishte diskutimi rreth tryezës ku biseda të ishte e mirëpregatitur dhe shumë tërheqëse. Në këto biseda ateiste duhet që përmbajtja e temës, zhvillimi i dialogut, i shoqëruar me skeçe, parodi, kuplete, recitime, këngë, pyetje-përgjigje, të cilat tërheqin masën dhe ndikojnë në ngritjen peshë të opinionit shoqëror kundër njollave fetare dhe në forcim e formim të individid me idealet marksiste-leniniste. Një formë efikase si mjet i fuqishëm propagande ishte organizimi i pyetje- përgjigjeve në skuadra e brigada në kohën e lirë. Në këtë komunikim propagandistik, regjimi synonte që pyetjet të ishin të përcaktuara e konkrete, përmbajtja e pyetjeve të ketë alegori pa fyrje sepse gjallërohet humori dhe diskutimi bëhet më interesant nxitës dhe tërheqës. Në propagandën ateiste-shkencore rol të rëndësishëm kishte libri duke përfshirë letersinë artistike, romanet, dramat, tregimet, novelat etj dhe kjo punë me librin kërkonte rekomandime, biseda, lexime në rrethe të ngushta, propagandim me tabela e fletë fshikulluese ndaj fesë.Xhavit Mëzezi në shkrimin “Çajupi demaskon fenë”, botuar në revistën“Vatra e Kulturës” më1967, propagandon se në shkrimet e poetit Çajupi vihen në lojë priftërinjtë që me dinakërinë e tyre kanë futur heshten e përçarjes në trupin e Shqipërisë me politikën përçaj e sundo dhe kanë hedhur vrer kundër shqiptarëve. “Feja shenjtëron zakonet prapanike në jetë dhe në familje. Ajo mbron çdo gjë konservatore dhe është kundër çdo gjëje të re. Ajo përbuz gruan duke e quajtur qënie të ulët”[5]. Çajupi, sipas Mëzezit, në poezinë “Vaj” ngrihet në mbrojtje në nënave e grave të cilat feja i ka zhytur në errësirë, nënshtrim dhe në padije. Sipas autorit Mëzezi, në poezitë e Çajupit lexohet qartë kritika që i bën shkrimtari traditave të popullit dhe disa zakoneve fetare e prapanike që kanë mbajtur popullin të zhytur në injorancë të ardhura këto sipas predikimeve boshe të Biblës. Sipas autorit në veprat e Çajupit flitet edhe për imoralitet dhe poshtërsi të njerëzve të fesë të cilët sjanë asgjë tjetër veç njerëz me moral të ulët. Edhe në Komedinë “14 vjeç dhëndërr” sipas autorit Mëzezi, arrin pika kulminante e akuzës që Çajupi i bën kishës duke e quajtur priftin një hokatar, qejfli, pijanec dhe njeri të ulët.

BIBLIOGRAFIA

  1. Arendt, Hannah, Origjinat e totalitarizmit, DIJA, Prishtinë 2002
  2. Fuga, Artan, Shtigje drejt guvës së gjarprit, Ora,  Tiranë 2004
  3. Fuga, Artan, Majtas jo Djathtas, Ora, Tiranë 2003
  4. Fuga, Artan, Monolog, Dudaj, Tiranë, 2010
  5. Hajati, Marash, Dera e prapme e shtypit, Logoreci, Tiranë 1998
  6. Ngjela, Spartak, Përkulja dhe rënia e Tiranisë Shqiptare 1957-2010, UET Press, Tiranë 2011
  7. Repishti, Sami, Nën hijen e Rozafës, Onufri,  Tiranë 2004
  8. Revista  “Vatra e Kulturës”,  monitorim viti 1965-1975
  9. Velo, Maks, Esse për diktaturën komunistë, Tiranë 2003

[1] Sinani, S. “Luftë e pandërprerë kundër mbeturinave të ideologjisë fetare”, Vatra e Kulturës nr:1, Tiranë 1975, faqe 29

[2] Mustafaj, Rakip “Këtu shërohen njerëzit”, Vatra e kulturës nr: 2, Tiranë 1968, faqe 11

[3] Dafa, Trifon, “Si u përgatit një kumtesë”, Vatra e kulturës nr: 3, Tiranë 1968, faqe 11

[4] Gashi, Arif “Si mund të punohet kundër paragjykimeve e mbeturinave fetare”, Vatra e Kulturës, nr:4, tiranë 1974, faqe 42

[5] Mëzezi, Xhavit, “Çajupi demaskon fenë”, Vatra e Kulturës, nr: 4, Tiranë 1967, faqe 39

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

KURSI I GJUHËS, KULTURËS DHE TRADITËS SHQIPTARE TE SHOQATA “BESËLIDHJA”, GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT E ITALISË

June 4, 2024 by s p

Dila Rrapi, mësuese në kursin e Gjuhës, Kulturës dhe Traditës Shqiptare pranë shoqatës “Besëlidhja”, në Rovereto, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Rovereto, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës, kulturës shqipe dhe historisë kombëtare. Me mësuesen Dila Rrapi bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I KURSIT TË GJUHËS, KULTURËS DHE TRADITËS SHQIPTARE TE SHOQATA “BESËLIDHJA” NË ROVERETO

Mësimi i Gjuhës Shqipe në emigrim ishte dhe është një nevojë e domosdoshme. E dimë tashmë të gjithë që një komb kur humbet gjuhën ka humbur gjithçka dhe nuk mund ta quajmë më komb. Në emigrim, integrimi është kaq i fortë dhe kaq i domosdoshëm, sa shumë herë gjuha mëmë mbetet në plan të dytë, gjë që nuk është aspak e drejtë….Duam apo nuk duam ne, çdo nënë kur përkëdhel fëmijën, i flet nga shpirti në gjuhën e saj. Pastaj kur fillon kopshti, shkolla…, për motive të ndryshme, përqëndrimi është në gjuhën e vendit pritës. Duke parë këto vështirësi dhe nga ana tjetër domosdoshmërinë dhe dëshirën për të ruajtur dhe trasmetuar brezit të ri gjuhën, kulturën dhe traditën tonë të bukur, shoqata “Besëlidhja”, me datën 7 Mars të vitit 2013 i krijoi mundësinë komunitetit shqiptar me banim në Rovereto dhe përreth, të ketë për fëmijët e tyre kursin e Gjuhës, Kulturës dhe Traditës Shqiptare. Kjo gjë u arrit me inisiativën e kryetarit dhe njëkohësisht mësuesit të parë z. Osman Parruca së bashku më mësuesen Nereida Xhakolli. Mësimi organizohej dhe vazhdon të organizohet edhe sot në ambientet e shoqatës dhe falas pa asnjë lloj detyrimi nga ana e prindërve. Për motive shëndeti largohen mësuesi Osman Parruca dhe një vit më vonë në Mars të vitit 2016 mësuesja Nereida Xhakolli. Në Prill të vitit 2016 disa anëtarë të shoqatës propozuan emrin tim si mësuese vullnetare, mision të cilin e mora me dt 30 Prill 2016 dhe vazhdoj ta ushtroj me shumë dashuri dhe pasion edhe sot. Ndërkohë në shkollë jepte mësim z.Esat Barjami i cili u largua në fund të vitit. Për vitin shkollor 2017-2018 shkollës sonë i bashkëngjitet mësuesja Erjona Belegu e cila tashmë jeton me familjen në SHBA. Me rritjen e numrit të nxënësve afrohen si mësimdhënëse në ndihmë të mësuëseve edhe tre prindër: Ertugela Dervishi, Merita Ujupi dhe Jonilda Dervishaj. Ertugela dhe Merita japin një ndihmë të madhe në mbarëvajtjen e shkollës. Merita largohet në vitin 2022, ndërsa Ertugela në vitin 2023. Mësuesja Jonilda Dervishaj e cila ka mbaruar studimet e larta në Itali, vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm si mësuese vullnetare dhe njëkohësisht anëtare e këshillit dhe sekretare e shoqatës. Disa herë janë afruar mësues por për motive të ndryshme nuk kanë vazhduar gjatë. Numri i nxënësvë ka arritur edhe në 40 nxënës në një vit shkollor, por ka rënë edhe në 20 nxënës. Për vitin shkollor 2023-2024 kemi 25 nxënës të regjistruar. Gjatë periudhës së pandemisë COVID mësimi nuk është ndërprerë por ka vazhduar në Classroom dhe në Meet, platforma më të cilat punonte edhe shkolla publike në Itali. Aktualisht për vitin shkollor 2023-2024 jemi katër mësuese, Jonilda Dervishaj mbaruar studimet e larta në Trento Itali, Minire Ferati mbaruar studimet e larta Pedagogjike në Maqedoni, Shotë Zana mbaruar studimet e larta në Shqiperi në degët Gjuhë-Letërsi dhe Cikël i Ulët dhe unë. Mësimi zhvillohet çdo ditë të shtunë në ora 15 – 17. Por kur kemi një aktivitet apo duhet që fëmijët të jenë edhe gjatë javës, disponibiliteti është gjithmonë si nga ana e mësueseve ashtu edhe nga ana e prindërve dhe e fëmijëve. Fëmijët i kemi ndarë sipas grupmoshave dhe sipas aftësive komunikuese. Këtë vit kemi edhe grupin e parashkollorëve që lindi si ide për të ndihmuar prindërit që sjellin fëmijët më të rritur. Në këtë grup ndihmojnë shumë edhe ish nxënësja e shkollës sonë Alissa Shullazi se bashku me Anxhela Saliun të cilat me shumë pasion e dashuri, nëpërmjet lojës, vizatimit dhe muzikës ndihmojnë fëmijët e këtij grupi të mësojnë të flasin në gjuhën shqipe. Anxhela bëri edhe disa orë të praktikës mësimore si nxënëse e shkollës së mesme. Një ndihmesë mjaft e madhe për ne si mësuese dhe për nxënësit e jep edhe studentja Mirela Mhilli e cila studion në universitetin e Trentos dhe tek shoqata jonë është orientuar te kryejë një pjesë të praktikës mësimore.

KURRIKULA MËSIMORE, ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP

Kurrikula që përdorim është kurrikula e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë. Në bazë të kësaj kurrikule brenda një mësimi të vetëm nxënësi merr njohuri për letërsinë, artin, historinë, gjeografinë, kulturën dhe zakonet, si edhe fiton shprehi gjuhësore për të kuptuar dhe për të shprehur në mënyrë korrekte njohuritë që i propozohen. Nëpërmjet kësaj kurrikule ne mundemi ta organizojmë mësimin në kohë dhë në hapësira të ndryshmë. Këngë, vjersha, dramatizime për fëmijë, lojë, ekskursione etj… Në vitin shkollor në bazë të kurrikulës ne kemi në dispozicion 72 orë mësimi. Kurrikula është ë shtjelluar në 5 tematika kryesorë, ku për secilën tematikë sugjerohen edhe tema mësimore të ndryshme ku ne mundemi të përzgjedhim në bazë të nivelit të fëmijëve.

1- IDENTITËTI IM – Gradualisht flasim për identitetin kombëtar, për gjuhën dhe veçoritë e saj.

2- SHQIPTARËT NË HAPSIRË DHE KOHË – Nxënësi njihet me koordinatat dhe me hartën e vendosjes hapësinore të shqiptarëve ndër shekuj.

3- SHOQËRIA DHE KULTURA – nxënësit i jepen disa njohuri se si është ndërtuar shoqëria shqiptare që në kohën e ilirëve. Këtu përfshijmë: historinë, artin, muzikën, zakonet dhe traditat, trashëgiminë, monumentet e kulturës, parqet natyrore, vendet turistike etj….

4- NJË BOTË PËR TË GJITHË – Në këtë tematikë nxënësi përdor njohuritë e marra duke krahasuar historinë dhe kulturën shqiptare me historinë dhe kulturën e vendit ku jeton.

5- MËSIMI, PUNA, LOJA, KOHA E LIRË – Përmes kësaj tematike nxënësi njihet më mirë dhe më konkretisht me mësimin, shkollën, punën, lojën, kohën e lirë, pushimet në atdhe etj…. Gjithashtu përmes kësaj tematike nxënësi pasuron fjalorin dhe aftësohet për të bërë edhe krahasime me vendin ku jeton. Është normale që shumë herë hasen edhe vështirësi në trajtimin e temave të ndryshme për mungesë të bazës materiale, grupmoshave të ndryshme, niveleve të ndryshme Brenda një grupi etj etj….Gjithsesi ne si staf mësuesish kemi patur gjithmonë mbështetjen dhe përkrahjen e prindërve dhe të shoqatës ku bëjmë pjesë. Përfitoj nga rasti të falenderoj prindërit, ish kryetarin e shoqatës në kohën kur unë fillova si mësuese, z. Miltiadh Ziu dhe kryetarin aktual z. Dashamir Kërtusha për përkrahjen, mbështetjen dhe ndihmën që vazhdojnë të na japin në mbarëvajtjen e shkollës.

BASHKËPUNIMI ME KOMUNITETIN SHQIPTAR NË ROVERETO

Prindërit janë forca jonë në mbarëvajtjen e shkollës, janë baza e punës sonë. Prindërit i kemi gjithmonë përkrah në organizimin e festave, në mirëmbajtjen e ambienteve, në sigurimin e bazës materiale për ekskursionet mësimore që zhvillojmë, etj…. Kjo ndihmë, kjo përkrahje e bën më të lehtë punën tonë dhe motivon më shumë fëmijët të mësojnë dhe të marrin pjesë me kënaqësi në shkollë apo në aktivitete të ndryshme. Me ndihmën e prindërve disa herë janë organizuar ekskursione në natyrë, ku synimi kryesor ka qenë të afrohen fëmijët dhe të kutojnë se si piqet mishi ne zgarë, zarzavatet etj pa patur furrë me korent apo me gas, si bëhet byreku, si përgatiten perimet për tu ruajtur për një kohë të gjatë pa u prishur etj etj…. Pra fëmijët kanë mundësinë të mësojnë nëpërmjet praktikës dhe duke qenë vetë protagonistët kryësorë. Meritë të jashtëzakonshmë për këtë ka grupi i punë së shoqatës: Dashamir Kërtusha, Miltiadh Ziu, Gjovalin Gjergji, Luljeta Çereku, Jonilda Dervishaj, Ertugela Dervishi, Aida Sena dhe prindër të nxënësve në shkollën tonë, Olta, Bukra, Blendi, Arjani, Hajdija, Beqiri, Denada, Sandri, Doriana, Arbeni, Doruntina, Admiri etj.

THIRRJE PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR

Dikush që e shikon nga larg këtë bashkëpunim , shoqatë – mësues – prindër – nxënës, mundet të thotë apo të mendojë se është humbje kohe, mundet të thotë apo të mendojë edhe një mijë e një gjëra të tjera, por unë e them me bindje se nuk ka investim më të vlefshëm në jetë se të investosh për të ardhmen e fëmijës tënd, për të ardhmen e kombit tënd, dhe, e ardhmja e kombit tonë janë fëmijët, këta filiza të njomë të cilët pa patur asnjë faj po rriten larg atdheut të tyre, larg kushërinjve dhe të afërmve të tyre. Ndaj të dashur bashkatdhetarë që jetoni në emigrim, bashkohuni, bashkëpunoni për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e kombit tonë. Është e drejta e çdo fëmije të lindur dhe të rritur në emigrim të dijë të flasë dhe të shkruajë, të njohë zakonet dhe traditat e kombit të tij ashtu si të gjithë bashkëmoshatarët e tij të cilët jetojnë në Shqipëri. Një komunitet sa më i lidhur të jetë mes bashkatdhëtarësh aq më i fortë dhe i sigurtë do të jetë edhe pse në dhe të huaj, gjithashtu edhe integrimi bëhet më i lehtë dhe pa shumë vështirësi duke qenë të bashkuar. Ne kemi shembullin më të mirë për tu ndjekur ARBËRESHËT tanë, të cilët ndër shekuj janë integruar më së miri por kurrë nuk kanë harruar apo lënë pas dore gjuhën, traditat dhe kulturën e atdheut tonë të dashur. Emigrimi ka ekzistuar dhe do të ekzistojë, por, duke qenë të bashkuar ne respektojmë veten tonë, respektojmë vendin nga kemi ardhur, kështu edhe vendi ku jetojmë e ka më të lehtë të respektojë dhe të identifikojë ne si një komunitet të bashkur dhe të vetë identifikuar me punë dhe me sakrificë. Shoqata “Besëlidhja” në Rovereto mirëpret në radhët e saj çdo individ apo familje që ka në zemër dashurinë për atdheun e tij dhe dëshirën e mirë për tu identifikuar me emrin më të bukur Shqiptar, cdo individ apo familje që ka dëshirë të kontribuojë sa do pak për komunitetin e tij për vëllezërit e tij bashkatdhetar, për të qenë të bashkuar, për të ruajtur dhe trasmetuar brezave të rinj, gjuhën, kulturën dhe traditën e bukur shqiptare, dashurinë për Shqipërinë tone te bukur dhe me shumë vlera. Përfitoj nga rasti të informoj komunitetin shqiptar me banim në Rovereto dhe përreth: Shoqata “Besëlidhja” mirëpret të gjithë bashkatdhetarët në ambientet e saj në rrugën “MOZART” nr.5, Rovereto TN. Për informacione mund të kontaktoni në numrat e telefonit: 00393208068719 dhe 00393271303858. Çdo ndihmë e juaja sado e vogël të jetë është një investim i rëndësishëm për të ardhmen e komunitetit tonë që jeton në Rovereto, është një investim me shumë vlerë për të ardhmen e fëmijëve tanë që po rriten në emigrim, larg atdheut të tyre të dashur, larg kushërinjve apo familjarëve të tyre.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR

Të gjithë e dimë se një ndër simbolet më të rëndësishme të një kombi është gjuha, e dimë gjithashtu se duke jetuar në dhe të huaj nuk është aspak e lehtë por jo e pamundur të ruhet dhe të trashëgohet ndër breza gjuha, kultura dhe tradita Unë si prind por edhe si mësuese e them me bindje se fëmijët shqiptarë që ndjekin së bashku kursin e gjuhës shqipe dhe që janë në vazhdimisht në kontakt me bashkëmoshatarë të tyre me të cilët flasin të njëjtën gjuhë e kanë shumë herë më të lehtë të mësojnë gjuhën shqipe, por edhe traditën, kulturën. Fëmija që ndjek kursin e gjuhës shqipe jo vetëm që mëson gjuhën por edhe muzikën, artin, traditën dhe kulturën shqiptare. Është bukur kur fëmijët vijnë nga qytete të ndryshme. Duke sjellë në klasë informacione të zonave të ndryshme, ata e kanë mundësinë të mësojnë dhe të shkëmbejnë informacione për Shqipërinë, Kosovën apo Maqëdoninë dhe për qytete të ndryshme nga vijnë. Sa më shumë mësojnë për atdheun e tyre, aq më të sigurt dhe krenarë ndihen në vendin ku jetojnë. Fëmija mëson se ka edhe ai një identitet, ka një histori dhe nuk është thjesht një fëmijë emigrant i lindur në Itali, por, është fëmijë shqiptar me gjuhë, traditë dhe kulturë ndër më të lashtat në botë. Duke u identifikuar si shqiptar që në fëmijëri gjithmonë rritet dashuria dhe dëshira për të njohur akoma më shumë vendin e të parëve të tij, dhe, pse jo, mund të kthehet dhe të kontribuojë për atdheun e tij.

SHOQËRIA ITALIANE NË ROVERETO E MIRËPRET DHE E PËRKRAH MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE

Populli italian është popull artdashës dhe me kulturë. Për këtë, them me bindje se shoqëria italiane në Rovereto e mirëpret dhe e përkrah mësimin e gjuhës shqipe. Gjithmonë kemi patur dhe vazhdojmë të kemi mbështetjen e shoqërisë italiane, në gjetjen dhe shfrytëzimin e ambienteve të ndryshme për mësimdhënie. Bashkëpunimi me autoritetet vendase ka qenë mjaft frutdhënës në mbarëvajtjen e shoqatës dhe të shkollës. Shumë herë janë të pranishëm në takimet dhe në festat tona. Gjithmonë na presin dhe na ndihmojnë në probleme apo vështirësi të ndryshme. Këtu vlen për tu përmendur dhe për tu falenderuar nga ana jonë si komunitet, kryetarja e komunës në Rovereto, znj Giulia Robol e cila gjithmonë ka qenë e pranishme jo vetëm fizikisht por edhe me ndihmën e madhe që na ka dhënë me sigurimin e ambienteve për shkollën dhe për shoqatën. Me dt 20 Prill të këtij viti, shoqata jonë festoi inagurimin e selisë së re dhe 16 vjetorin e krijimit. Bashkëpunim me shumë vlera ka qenë dhe vazhdon të jetë bashkëpunimi me dy konsullatat tona në Milano (Shqipëri dhe Kosovë), me Qendrën e Botimeve për Diasporën, me FNAI (Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali), me Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Itali dhe së fundmi por jo me më pak rëndësi, me Lidhjen e Shkollave Shqipe në Itali. Dëshiroj të përshëndes dhe të falenderoj në emrin tim personal por edhe në emër të të gjithë grupit, oficeren e diasporës pranë Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano znj. Luljeta Çobanaj, Konsullin e Pergjithshëm të Kosovës z. Diamant Kastrati dhe kryetarin e Lidhjes së Shkollave Shqipe në Itali z. Dritan Mashi, për mbështetjen dhe ndihmën e madhe që na kanë dhënë me prezencën e tyre në festat dhe takimet tona dhe jo vetëm…Edhe bashkëpunimi me shoqatat shqiptare ka qenë mjaft i mirë dhe me vlera. Mundem të përmend shoqatën “AssoAlbania” në Asti, Piemonte ku ndër shkollat e tjera edhe ne ishim pjesëmarrës në konkursin e diturisë, Shoqata “Shqipet” me kryetar Klaudio Findiku kemi bashkëpunuar për aktivitete të ndryshme. Klaudio ka qenë një ndihmë mjaft e madhe edhe për ne si shoqatë. Kemi mardhënie shumë të mira me LSHASHI (Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali), e cila nxit dhe stimulon fëmijët në recitime në gjuhën shqipe, nëpërmjet konkursit të poezisë. Kemi bashkëpunim dhe shkëmbim eksperiencash me shoqatën “Nënë Tereza” në Trento, shkollën “Artur Lleshi” në Trento dhe Bolzano. me shkollën shqipe “Gjergj Fishta” në Levico Terme. Bashkëpunojmë me Associazzione “Acquila Albanese” në Arco, me shoqatën “Rinia” në Riva Del Garda, me shoqatën dhe shkollën shqipe “Zëri i Atdheut” në Montebelluno etj

MËSIMI PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT MË DY GJUHËSI

Vështirësitë në mësimdhënie me fëmijët me dy gjuhësi janë jo të pakta. Ne si mësues për të lehtësuar të kuptuarit nga fëmijët shumë herë përdorim të dy gjuhët, por shikojmë që nga ana tjetër fëmijët mësojnë shpejt. Ndihmë e madhe për këtë janë edhe prindërit të cilët në shtëpi flasin me fëmijët në gjuhën shqipe. Në klasë përdorim video projektorin por pa lënë pas dore dërrasën dhe fletoret për të shkruar. Falë Qendrës së Botimeve për Diasporën dhe aplikacionit Albas e-libër kemi edhe librin Gjuha Shqipe dhë kultura shqiptare në variantin material (liber) dhe digjital, në mënyrë të tillë që nxënësit çfarë shikojnë dhe lexojnë në libër e dëgjojnë dhe e komentojnë të gjithë së bashku nëpërmjet aplikimit digjital. Njëkohësisht përdorim edhe aplikime të ndryshme si: Schoolme Education, WordWoll, G-Suite For Education, Kahoot etj, aplikacione të cilat janë të pasura me video, rebuse, lojra, pyetësorë etj…. Këto aplikacione e bëjnë më të lehtë mësimdhënien nga ana jonë si mësues dhe mësimnxënien dhe të kuptuarit nga fëmijët.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Shihet qartë që fëmijët që ndjekin shkollën për mësimin e gjuhës shqipe janë më të prirur në ruajtjen dhe përdorimin e simboleve, kulturës dhe traditave të kombit tonë. Këta filiza të bukur me shumë dashuri shpalosin flamurin tonë nëpër festat tona por edhe në festa italiane, me shumë dashuri mësojnë vjershat dhe këngët popullore, me shumë dashuri, përkushtim dhe vullnet mësojnë vallet tona të bukura. Këtë vit me fëmijët e shkollës është krijuar edhe grupi i valleve, ku një ndihmë shumë të madhe e jep edhe ish nxënësja e kësaj shkolle, tani edhe valltare e grupit të të rriturve, Alissa Shullazi, e cila punon me shumë fantazi, passion dhe dashuri. Alissa që e vogël me shumë dëshirë këndonte, vallzonte dhe recitonte në gjuhën shqipe, ka qënë gjithmonë një ndër nxënëset më të mira dhe më të përkushtuara. Tani Alissa është koreografe e grupit të fëmijëve dhe soliste në grupin e valleve për të rritur.

KUSH ËSHTË MËSUESJA DILA RRAPI ?

Jam Dila Rrapi, vij nga qyteti i Rrëshenit. Kam mbaruar studimet e larta në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, dega mësuesi për Ciklin e Ulët. Për rreth 10 vite kam punuar si mësuese informatike në gjimnazet e qyteteve Rrëshen – Rubik, mësuese në shkollën e mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor” në Rrëshen dhe si instruktore kompjuteri me anë të kurseve private për fëmijë dhe të rritur për qytetin e Rrëshenit dhe të zonave përreth ( pjesë e Qendrës Didaktike “IRISOFT”, me qendër në Tiranë, ku jepej edhe provimi për certifikimin ). Jam ndier e vlerësuar në të shumtën e rasteve nga rezultatet e nxënësve dhe të personave që kryenin kursin pranë qendrë që drejtoja në Rrëshen. Jam vlerësuar shumë nga dy profesorët e mi të Qendrës Didaktike “IRISOFT”, Genci Brahimaj dhe Esmeralda Tasho të cilët i falenderoj pa masë per ndihmën, përkrahjen, mbështetjen dhe kurajon që më kanë dhënë gjithmonë. Për motive familjare, kam emigruar në vitin 2008 në Rovereto TN ku vazhdoj të jetoj me familjen edhe sot. Me dt 30 Prill të vitit 2016 kam patur fatin të jap orën e parë të mësimit me nxënësit e kursit të gjuhës shqipe pranë shoqatës “Besëlidhja” në Rovereto TN. Pas një shkëputje prej shumë vitesh nga arsimi, ka qenë shumë emocionues rikthimi në ëndrrën time të realizuar me mjaft mund e sakrificë në vendin e lindjes, në mësimdhënie. Nuk ka gjë më të bukur për një mësues se sa te jetë i rrethuar nga zërat e ëmbël të fëmijëve. Cicërimat e dallëndysheve në klasë janë vetë jeta e mësuesit, për këtë falenderoj shumë të gjithë prindërit të cilët më kanë mbështetur, ndihmuar, përkrahur në misionin tim të bukur, falenderoj shumë prindërit të cilët prej 8 vitesh vazhdojnë të më besojnë fëmijët e tyre ketu ne Rovereto. Bashkëpunimi me prindërit ka qenë forca më e madhe për të ruajtur gjuhën shqipe, kulturën dhe traditën tonë të bukur Falenderoj shoqatën “Beselidhja” e cila më ka vlerësuar me stimuj të ndryshëm mirënjohjeje, jo vetëm kaq, por më ka mbështetur dhe ndihmuar në çdo hap të ecurisë së shkollës, të realizimit të programeve, të sigurimit të bazës materiale dhe të organizimit të ekskursioneve të ndryshme. Falenderoj edhe koleget e mia të cilat për 8 vite radhazi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë forcë e madhe bashkëpunimi për të kontribuar së bashku në ruajtjen dhe trasmetimin e gjuhës, kulturës dhe traditës tonë të bukur. Së fundmi, por jo të fundit nga dashuria dhe respekti që kam për ta, dëshiroj të falenderoj me zemër kolegët e mi, Esmeralda Sadiku në shkollën “Artur Lleshi” në Bolzano, Eleni Spahiu në Merano, Irena Vuka dhe Dritan Mashi në shkollën “Gjergj Fishta” në Levico Terme TN, për mbështetjen, përkrahjen dhe ndihmën e madhe si nga ana profesionale, morale, por edhe për shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimin mes kolegësh dhe shkollash. Faleminderit edhe ju i nderuar z. Sokol për intervistën, për respektin dhe durimin që keni treguar në drejtimin tim. Me respekt Dila Rrapi mësuese vullnetare pranë shoqatës “Besëlidhja” Rovereto TN, Itali.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës zhvilloi mbledhjen përgatitore të Kuvendit të 25 Prillit 2026
  • “Thinking of You”
  • Kosova mes krizës politike dhe sfidës së pjekurisë demokratike
  • NGA AMERIKA ME SHPIRT E ZEMËR PËR EPOPENË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
  • Narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca politike, pengesat kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë
  • Një jetë në shërbim të historisë shqiptare
  • Kush do ta zgjedhë liderin e Iranit?
  • Një monument letrar për viktimat e diktaturës…
  • Familja Qiriazi, Shtylla Historike e Arsimit Shqiptar dhe e Formësimit të Identitetit Kombëtar
  • Muhamet Kërpaçi, ambasadori i artit shqiptar
  • 𝐆𝐞̈𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐃𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐌𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈ 𝐦𝐣𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞̈𝐫𝐯𝐞 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞̈𝐭𝐨𝐫𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐞̈𝐭𝐢𝐣 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢
  • Mësuesit çamë, ata që u sakrifikuan me dashuri për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe
  • Në ditëlindjen e 94 të shkrimtarit Naum Prifti
  • E ARDHMJA ESHQIPËRISË VARET NGA PUNA E MËSUESVE
  • “Dilema e Ismailit”, një film sfidë e kinematografisë shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT