• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SATELITËT E RINJ NË HAPSIRË DHE PROBLEMET E SIGURISË NË APLIKACIONIN ZOOM

June 8, 2020 by dgreca

Besmir Semanaj, Inxhinjer IT PlaytechBGT, rrëfen në një intervistë ekskluzive për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, përballjen e shtetit austriak me pandeminë globale, siguria dhe problemet e komunikimit në aplikacionin zoom, 5G dhe konspiracioni Covid-19, situatën e shqiptarëve në Austri etj. Me inxhinjer Besmir Semanaj bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.

AUSTRIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Në momentin që flasim kemi diku tek 16854 persona të infektuar me Covid-19 ndër të cilët vetëm 622 janë aktiv. Austria është ndër shtetet me menaxhimin më të mirë të kësaj krize globale. Shteti me ndërhyrjet që ka bërë hap pas hapi, i ka dhënë frymë ekonomisë duke ndihmuar biznesin për personat e punësuar me subvencion në rroga dhe në mbështetje direkte. Gjithashtu Austria në asnjë moment nuk ka pasur një Lock Down tipik por më shumë është këmbëngulur në distancim social. Lëvizja e lirë dhe transporti publik bashkë me shërbimet bazë ka qenë funksional si në ditët normale para pandemisë. Aktualisht mund të themi që në Austri janë hapur të gjitha aktivitetet dhe jeta është kthyer në normalitet. E vetmja gjë që ndryshon nga koha para Covid-19 është mbajtja e maskës në transport publik dhe në qendra tregtare.

SHQIPTARËT NË AUSTRI


Fatmirësisht nga të dhënat zyrtare nuk kemi asnjë të prekur me covid-19 nga komuniteti ynë. Ambasada Shqiptare vazhdimisht na ka mbajtur të informuar dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Për zhvillimet dhe masat që duhet të merren. Duke qenë se nuk kemi pasur një Lock Down klasik siç e theksova dhe më lart kemi vazhduar takimet në mënyrë normale por kësaj here më shumë në parqe duke shmangur ambjentet e mbyllura.

COVID-19 DHE 5G, NJË KONSPIRACION I MADH

Një gjë mund të them me bindje të plotë si nga ana profesionale gjithashtu dhe njerëzore, 5G dhe Covid-19 nuk kanë asnjë lidhje dhe është thjesht një fake news. Gjatë Covid-19 kemi pasur një mori me “Fake News” që e lidhin Corona Virus me 5G.  Këto janë lajme keqdashëse, të cilat kanë çuar në një histeri kolektive. Në shumë vende të botës janë djegur dhe antena të telefonisë mobile, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me 5G duke nxjerrë jashtë përdorimit edhe shërbimet e emergjencës. Një ndër personat e parë që ngriti një teori të till ishte Prof. Dr. Thomas Cowan, video e tij u përkthy në 5 gjuhë të botës dhe u bë virale. E gjithë kjo teori ishte e ngritur mbi mashtrim dhe keqpërdorim të dhënash. Cowan pretendonte që Covid-19 u shfaq në Vuhan, sepse atje ishte bërë implementimi i parë i 5G, ndërkohë implementimi i parë dhe shteti me numrin më të lartë të 5G është Koreja e Jugut, që është një ndër shtetet që e ka menaxhuar më së miri pandeminë. Nga ana tjetër, kemi Iranin i cili nuk ka 5G, por është një ndër shtetet me të prekura dhe me një vdekshmëri të frikshme. Në shumë vende të botës gjithashtu edhe në Austri 5G po implementohet në kampuse universitare ku pedagogët dhe shkencëtarët e këtyre institucioneve kanë dhënë miratim të plotë. Ajo që më vjen keq është keqpërdorimi i teorive konspirative dhe nga persona që mbajnë grada shkencore. Ky është një fenomen që po ndodh rëndom në Shqipëri, persona që e mbajnë veten si koka të ndritura gënjejnë popullin dhe përhapin panik me fakte të shtrembëruara dhe shifra të pa vërteta. Ajo që na takon neve si ekspertë të fushës është marrja për bazë e studimeve shkencore dhe hedhja e hapave në çdo teknologji duke u bazuar aty. 5G do sjellë shumë benefite dhe jam i sigurtë që përdoruesit e parë do jenë ata që sot po e sulmojnë.

PROBLEMET E SIGURISË NË APLIKACIONIN ZOOM

Shpërthimi i pandemisë së Covid-19 i kapi të papërgatitura shumë shtete, që iu drejtuan teknologjisë për të mundësuar takime të cilat s’mund t’i zhvillonin më si dikur në tryezë të përbashkët. Kësisoj gjatë kësaj kohe nisi përdorimi masiv i aplikacionit “Zoom” që mundësoi video-konferenca nga më të ndryshmet, duke nisur nga kurset e Jogës, deri te takimet mes mësuesve dhe nxënësve, apo takime të kabineteve qeveritare. Mjafton të përmendim këtu faktin që ZOOM ka pasur vetëm gjatë muajit Prill me shume se  200 milionë  përdorues ditorë, përkundër 10 milionë që kishte në vitin 2019, për të kuptuar rritjen e shpejtë të përdorimit të tij. Por gradualisht shumë vende nisën ta ndalonin përdorimin e “Zoom”-it për shkak të të metave që paraqet ai për sa i takon sigurisë. Në Shqipëri aplikacioni nisi të përdoret që nga zhvillimi i orëve mësimore në shkolla e universitete, e madje në mbledhje të tilla të rëndësisë së veçantë si Këshilli i Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë presidenti Meta, kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Ruçi, kreu i PD-së Basha, dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të qeverisë. Shqetësimi lidhet me të dhënat që “Zoom”-i merrte dhe shpërndante me palët e treta, si “Facebook”-un dhe të tjera, duke ndarë me këto platforma të dhëna personale. Gjithashtu gjatë kësaj kohe kemi pasur dhe mbi 10 thyerje të sigurisë tek ky aplikacion.  Përshembull Shteti i NeëYork e ndaloi përdorimin pasi zbuluan që një pjesë e trafikut kalonte në serverat të cilët ishin të hostuar në Kinë. Për përdorim biznesi dhe përdorim privat Zoom është një ndër aplikacionet më të mira, por kur vjen puna te mbledhjet e Sigurisë Kombëtare është një shkelje e çdo protokolli shtetëror dhe nuk duhet të realizohet, kjo ka qenë dhe arsyeja që unë si njohës i fushës kam reaguar në shumë media duke e kundërshtuar fuqimisht. Kjo pasi informacioni duhet të jetë i inkriptuar dhe në rrjet të klasifikuar, kjo bën që Shqipëria të humbë besueshmërinë si shtet. Nga ana tjetër mund të themi që zoom pas kaq muajsh ka mbyllur pjesën më të madhe të problemeve me sigurinë dhe shumë shtete që e patën ndaluar kanë nisur ta përdorin sërish. Në kushtet aktuale nuk shoh asnjë problem në përdorimin e këtij programi me përjashtim institucionet e rëndësisë së veçantë shtetërore.

SATELITËT NË HAPSIRË

Kohët e fundit nga qiejt e gjithë botës mund të shohim disa drita lëvizëse që duken si yje. Ato s’janë asgjë tjetër veçse një mori satelitësh në orbitë të ulët të lëshuar nga kompania Spacex të cilët quhen StarLink. Këto janë satelitë të vegjël të cilët do mundësojnë mbulimin me internet me një vonesë transmetimi të vogël dhe do i japin mundësinë e aksesit në rrjet dhe atyre vendeve që deri më sot e kishin të pamundur. Kjo tregon dhe një herë supermacinë e biznesit Amerikan dhe benefitet që këto kompani do i sjellin njerëzimit.

MESAZHI PËR DIASPORËN NË USA DHE LEXUESIT E DIELLIT

Pikë së pari do doja t’ju falënderoja për intervistën dhe mundësinë që të kemi një dritare komunikimi me një ndër komunitetet më të rëndësishme dhe patriotike mbarëshqiptare, komunitetin shqiptar në USA. Për më tepër në gazetën e parë Shqiptare dhe më të vjetër Dielli. Mund të them me plot gojë që ky komunitet është pika e frymëzimit dhe referimit për shumë grupime dhe komunitete që ne po mundohemi të krijojmë sot në Europë. Ju përshëndes nga zemra dhe ju uroj shumë suksese.

Filed Under: Politike Tagged With: Ing Besim Semanaj, Problemet e Sigurise, Sokol Paja, Zoom

Heronjtë mantelbardhë

June 6, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA / DIELLI/

Çdo kohë ka heronjtë e saj. Mjekët sot janë kryefjalë botërore. Bluzat e bardha janë heronjtë global të kohëve moderne. Deri dje ishim mësuar vetëm më një fytyrë të caktuar heroi si: burri gjigand i Ciklit të Kreshnikëve, Muji që pi qumështin e zanave të malit, heroi mitologjik, heroi biblik, heroi kuranor, Mic Sokoli që i vë gjoksin topit të armikut, Adem Reka që jep jetën për ndërtimin e socilizmit, e deri heronjtë e lirisë moderne me armë në dorë për të garantuar paqen dhe sigurinë globale. Fatkeqësia na zbuloi një hero të ri: Mjekun. 

Pandemia botërore covid-19 na mësoi e zbuloi heronjtë e bardhë. Fatkeqësia globale na zbuloi se heronjtë e vërtetë paskan qenë gjithmonë pranë nesh. Të heshtur dhe sakrifikues. Këta heronj janë mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit e shëndetësisë të cilët shpëtojnë jetë duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Mjekët tanë sot janë heronjë pasi çdo ditë shpëtojnë jetën në grahmat e vdekjes, ngjallin shpresë në një kohë të zymtë, japin kurajo në një dorëzim global, ushqejnë besim në kohë pesimizmi total, ofrojnë garanci në panik dhe japin siguri në një kohë të frikshme. Mjekët tanë janë heronjtë e vërtetë të përditshmërisë sonë të në një kohë jo të zakontë. Ata shpëtojnë jetë përditë, pa bërë bujë, pa medalje, pa spektakël, pa kamera, por kokëulur, profesionistë, të palodhur e dinjtozë.

Humanizmi i mjekëve tanë është një sakrificë biblike përkundër trajtimit njerëzor e shtetëror. Ne mjeranët që shtrihemi sot para këmbëve të tyre dhe falemi si mëkatarë në objekte kulti fetar, mjekët tanë, heronjtë e sotëm, deri dje i kemi rrahur, i kemi linçuar publikisht, i kemi shantazhuar me video, i kemi quajtur tradhtar se kërkuan kushte e dinjitet në perëndim. Prapë se prapë ata na kanë falur dhe sot na shërbejnë me përkushtim e dinjitet. Mjekët në Shqipëri sakrifikojnë duke lënë fëmijët, bashkëshortët e prindërit të vetmuar e duke u vënë në shërbim të kujtodo që ka nevojën e tyre. Ajo që të bën sot të ndjehesh dyfish krenar janë mjekët shqiptar kudo në botë. Këta mjekë janë një tjetër dimensin i heroit shqiptar. Ata janë në vijën e parë të frontit të luftës së keqes, punojnë në katedra mjekësie, janë pjesë e ekipeve kërkimore shkencore në zbulimin e vaksinës anti-covid, drejtojnë departamente kërkimi, janë pjesë e laboratorëve më të evancuar në kërkimet mjekësore. 

Nëse Shqipëria ka me çfarë të krenohet në 108 vjet shtet, padyshim janë edhe mjekët dhe specialistët e shëndetësisë. Ata sot bëjnë krenar çdo shqiptar. Suksesi i tyre përndrin edhe qiellin e zymtë të Shqipërisë sot. Mjekët tanë, këta heronjë gjigantë mbajnë barrën më të rëndësishme të fitores ndaj së keqes, të cilën qeveria e përvetëson si sukses të saj. Mjekët tanë janë heronj dhe meritojnë gjithë përuljen e qënies sonë për rrezikun, devotshmërinë, punën e palodhur, sakrificat, profesionalizmin dhe humanizmin e jashtëzakonshëm. Është e paktët të themi mirënjohje të thellë dhe falenderim për përkushtimin dhe sakrificat sublime. Asnjë fjalë e jona nuk e përshkruan dimensionin gjigand të këtyre heronjve. Mjekët shënojnë kohën tonë, ata shpëtojnë jetën tonë. Ata do jenë përherë të skalitur në memorien e shoqërisë dhe të kombit mbarë. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Heronjtë mantelbardhë, Sokol Paja

PSE PARTIVE POLITIKE NË SHQIPËRI NUK U INTERESON VOTA E DIASPORËS?

June 5, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA / DIELLI/

Vota e emigrantëve ka qenë ndër premtimet më të bujshme në fushatat elektorale të forcave politike shqiptare në tranzicionin politik 30 vjeçar. Edhe pse është pemtuar sa herë ka pasur zgjedhje, prapë se prapë, përfaqësimi i diasporës ka mbetur në vend numëro. Partitë në Shqipëri kanë bërë marrëveshje dhe emigrantët kanë mbetur gjithmonë të papërfaqësuar. Shqiptarët në diasporë kudo ku jetojnë e punojnë, një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të tyre jetësor ia kushtojnë atdheut. Komuniteti shqiptar bashkohet dhe organizohet në shoqëri patriotike, kulturore, historike, atdhetare, sportive e muzikore. Shqiptarët investojnë familjarisht në shkolla shqipe, në organizata kulturore e patrotike duke e mbajtur të ndezur zjerrin e atdhedashurisë të pasardhësit e tyre.Votën e emigranteve shteti shqiptar e ka detyrim dhe borxh moral të përjetshëm. Shteti shqiptar e ka për detyrë si çdo detyrë tjetër shtetërore që të garantojë të drejtën e votës të gjithë shtetasve shqiptarë jashtë atdheut. Pra çdo shqiptar që mban një pasaportë shqiptare, që ka mbushur moshën e për të votuar, që nuk ka hequr dorë nga nënshtetësia, që gjendet në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, që ka aftësi dhe zotësi për të vepruar ka të drejtën kushtetuese të ushtrojë vullnetin e tij politik. E drejta e votës së lirë, të fshehtë dhe të barabartë është një nga të drejtat themelore dhe të patjetërsueshme të njeriut, e garantuar nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Kushtetuta e Republikës dhe ligjet e shtetit shqiptar. Shteti shqiptar e ka detyrim të panegociueshëm ofrimin dhe garantimin e të drejtës së votës shqiptarëve kudo gjenden jashtë kufijve territorialë shtetërorë. 

Pse partive politike nuk u intereson vota e diasporës?

Partitë Politike në Shqipëri nuk janë aspak të interesuara që shtetasve të tyre tu mundësojnë të drejtën e shprehjes së vullnetit politik me anë të votës. Partitë politike nuk e duan votën e diasporës pasi këtë votë: nuk e kntrollojnë dot, nuk e manipulojnë dot, nuk e shantazhojnë dot, nuk e blejnë dot. Liderët shqiptarë duan ushtarë të bindur, jo personalitete dhe individualitete që dalin kundër urdhërit të kryetarit të partisë. Kryetarët kontrollojnë gjithçka e vendosin për gjithçka. Një personalitet me kulturë oksidenti nuk do të mund të qëndronte gjatë në një mjedis politik orjentalist.Elektorati shqiptar në kohë zgjedhjesh është nën një presion të jashtëzakonshëm. Partia në pushtet kryesisht dhe ato që pretendojnë të vijnë kërcënojnë elektoratin me asistenca, bursa, kempe, heqjen e familjarëve nga puna, vërsulje mbi shpinë të strukturave shtetërore, ulje në detyrë, transferim në detyrë, e deri në shkarkime masive si pasojë e mos mbështetjes së forcës politike në pushtet. Fushatat karakterizohen me gjuhë urrejtjeje dhe kërcënimi. Zgjerimi i votës e bën pushtetin që të mos e ketë nën kontroll sjelljen e elektorarit dhe opozitës i jep një mundëësi më shumë që të përqafojë të pakënaqur. Partia në pushtet sa herë ka zgjedhje futet më e avantazhuar në betejë, ka administratën që e shtrëngon me anë të presionit, kontrollit, shantazhit e kërcënimit, ka frymën e krijuar e trashëguar prej qeverisjes disa vjeçare, ka buxhetorët që varen direkt prej financimeve të qeverisë, ka faktorin diplomatik dhe kryesisht shumicën e mediave në mbështetje. Një interferim nga jashtë pozitës kryesisht i prish mozaikun zgjedhor dhe kalkulimet për pushtet. Vota e diasporës do ta bënte pushtetin më të përgjegjshëm dhe opozitën më reale në premtimet e saj. Përfshirja e diasporës do rriste nivelin e përfaqësuesve në institucione. Diaspora do e zgjeronte alternativën politike dhe shtetformuese. Kontributi i diasporës do ishte jetik për vendin pasi vitet e fundit nga Shqipëria si pasojë e keqqeverisjes janë larguar specialistët më të mirë: mjekë, infermjerë, arkitektë, inxhinjerë, mësues, ekonomistë etj. Çdo shtetas shqiptar në diasporë, nëse një ditë shteti shqiptar do vihej në shinat e vlerave dhe të meritokrcisë, nuk do e mendonte dy herë kthimin për të kontribuar në Atdhe. Me qëllim që Shqipëria të mos shpopullohet kombëtarisht dhe intelektualisht, pikë së pari ajo duhet tu mundësojë votën shtetasve të saj anëmbanë globit. Vota e diasporës është detyrim ligjor e patriotik i panegociueshëm.  

Filed Under: Politike Tagged With: nuk u intereson, Pse Partive Politike, Sokol Paja, Vota e Diaspores

SHQIPËRIA NË SYTË E ADI KRASTËS

June 4, 2020 by dgreca

“Tetë vjet janë të mjaftueshëm për të shkatërruar shpirtin dhe mëndjen e një vendi”/

Adi Krasta, prezantuesi i njohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar, ka rrëfyer dhe analizuar ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA New York, Shqipërinë aktuale dhe betejën e shtetit shqiptar ndaj Covid-19, keqqeverisjen e vendit në kohë pandemie, dështimin e reformës në drejtësi, kohën për rrotacion të domosdoshëm politik, shëmbjen e Teatrit Kombëtar si akt tinëzar, opozitën shqiptare dhe kryesorja apeli për diasporën shqiptare kudo në botë për të kontribuar në betejat e Shqipërisë për një jetë më të mirë. Me Adi Krastën bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.

COVID-19 DHE SHQIPËRIA

Sipas prezantuesit të mirënjohur Adi Krasta “Covid-19 e gjeti botën të papërgatitur. Është paradoksale por si të gjithë vendet komuniste e diktatoriale Shqipërinë e dikurshme nuk do e gjente kaq gafil. Mosmbyllja e rrugës me Italinë e Veriut që në janar, nxitimi për të bërë tendera të dyshimtë të maskave, komunikimi vetëm nga Kryeministri me FB dhe zgjatja e bllokimit u konsideruan gabime të qeverisë në ballafaqimin me pandeminë globale”- citoi ai.

MANIPULIM DHE PROPAGANDË

Administrimi shtetëror i Shqipërisë në kohë pandemie u shoqërua me : masa estreme izolimi, urdhra shproporcionalë, tejzgjatje e gjëndjes së fatkeqësisë natyrore, dhunë policore ndaj qytetarëve etj. Sipas Krastës “ka patur padyshim edhe nga këto që përmendni. Por unë gjej manipulimin, mungesën e çiltërsisë dhe propagandën si defekte serioze” – shpjegon ai.

REFORMA NË DREJTËSI, GJUETI SHTRIGASH

Reforma në sistemin e Drejtësisë në Shqipëri e trumbetuar si reforma më e rëndësishme e dekadave të fundit, sipas Adi Krastës ka qenë një dështim i plotë. “Jam i mendimit që reforma në drejtësi ka dështuar. Ka qenë boshe, selektive, bazuar mbi pritshmëri jo realiste. Roli i ambasadoreve amerikanë ka qenë naiv dhe i pasinqertë. Nga pala shqiptare, dëshira për reformë u shoqërua siç ndodh gjithmonë me klientelizëm dhe gjueti shtrigash” – arsyeton Krasta.

TETË VITE MJAFTOJNË PËR TË SHKATËRRUAR GJITHÇKA

Adi Krasta këmbëngul që rrotacioni i pushtetit politik në Shqipëri është një domosdoshmëri. “Unë e ndjek politikën nga larg. Kulisat i dinë ata që janë afër establishmentit. Unë nuk kam qenë kurrë. Kam folur vetëm për atë që ka qenë para syve të mi. Ajo që kuptoj unë është se tetë vjet janë të mjaftueshëm për të shkatërruar shpirtin dhe mëndjen e një vendi. Rrotacioni është imperativ” – thekson Krasta.

LYPSET NJË KRYEMINISTËR NDRYSHE

Sipas Adi krastës “sytë e shqiptarëve janë tek Kryeministri i të ardhmes, cilido qoftë ai. Bën mirë që ky kryeministër të jetë seriozisht i ndryshëm nga paraardhesit e tij. Dhe po. Një parti politike mundet të vijë në pushtet pas tetë vjetësh opozitë. Problemi është se çfarë do sjellë në pushtet? Të njëjtën çmenduri, arrogancë, kurrupsion dhe hajvanllëk politik të përjetshëm? Shpresoj që jo” – lutet Krasta.

KRASTA SHOW, OPOZITË NGA EKRANI

Monologu i Adi Krastës ka qenë një formë e shkëlqyer gazetarie për të ndërgjegjësuar publikun dhe për të nxjerrë në pah anën tjetër të politikës, asaj që njerëzve u fshihet nga propaganda qeveritare. Modestisht këtë Krasta e arsyeton kështu: “Kam folur si një njeri i zakonshëm por që punon në televizion. Jam i lumtur se konstatoj që më kanë dëgjuar. Nuk kam pretendime iluminuese. Nuk e kam marrë asnjëherë seriozisht veten. Por më është dukur e domosdoshme ti flas shpirtit kundërshtues të popullit tim si një njeri i medias” – mbyll shpjegimin e tij Krasta.

SHËMBJA E TEATRIT AKT I SHËMTUAR E TINËZAR

Sipas Adi Krastës “shembja e Teatrit Kombëtar ka shkaktuar një shembje në shpirtin tim. Ka qenë kaq e parashikuar, burracake, tinëzare dhe e shëmtuar. Jam i bindur se Teatri dhe ata që vdiqën të nderuar dikur sepse punuan në të do jenë Karma për ata që guxuan ta rrënojnë” – shprehet i revoltuar Krasta.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË

USAAdi Krasta e quan diasporën shqiptare kudo në botë si pjesë të pandashme të shpirtit e zemrës së Shqipërisë. Ai kujton se “në vitin 1996 kam bërë një dokumentar në USA. Intervistova Gergian, një zonjë në të 80-tat që ishte me origjinë nga Korça. Kishte kindur në Amerikë por fliste një shqipe të shkëlqyer. Kam një veneracion për brezat e shqiptarëve që jetojnë në Usa. Kishin një guxim të admirueshëm që kërkuan Tokën dhe Jetën e ëndrrave. Shpresoj që ata do gjejnë gjithmonë kohë të jenë të pranishëm në jetën dhe betejat e Shqipërisë për një jetë më të mirë. Distanca nuk do të duhet ti bëjë këta shqiptaro-amerikanë të mos e kuptojnë më shpirtin dhe sjelljen e shqiptarëve që jetojnë ende në vendin e vogël nga ku u larguan. Ne kemi nevojë për solidaritet jo për paternalizëm. Vlerësojmë ndjeshmërinë jo marrjen e pozicioneve të prera. Ne kemi nevojë që shqiptarët e Amerikës dhe të të gjithë botës të vazhdojnë të jenë pjesë e jetës dhe zemrës sonë” – mbyll prononcimin e tij për gazetën Dielli prezantuesi i 

Filed Under: Featured Tagged With: Adi Krasta, shqiperia, Sokol Paja

ÇRREGULLIMET E SHËNDETIT MENDOR GJATË PANDEMISË COVID-19

June 3, 2020 by dgreca

Gjergji Merja, mjek psikiatër në St. Vinzenz Hospital në qytetin e Dinslaken, Gjermani, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, veçoritë e çrregullimeve të shëndetit mendor te njerëzit gjatë karantinës dhe gjithë fazës së pandemisë globale, intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

ANKTH DHE DEPRESION

Me procesin e karantinimit për shkak të Corona Virusit është vënë re një rritje në numër e disa çregullimeve të shendetit mendor që kanë të bëjnë me ankthin dhe depresionin. Kjo për shkak të disa faktorëve që kanë ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të tërthortë në përditshmërinë e çdokujt dhe mënyrën e programimit të jetës. Ndër faktorët kryesorë që bie në sy është pasiguria dhe frika për të ardhmen, kësaj i bashkangjitet edhe nivelet e rritura të vigjilencës të amplifikuara nga masa e madhe e informacionit për një infektim të mundshëm nga Covid-19. Çdo kush nga ne i përgjigjet një situate stresuese në mënyra të ndryshme por mekanizmi i cili çon në pergjigjen tonë është pothuajse i njëjtë dhe ka të bëjë me ndryshimin e nivelit të disa neurotransmetuesve dhe hormoneve kryesore siç është serotonina, dopamina dhe adrenalina. Ndryshimi i Serotoninës sjell përshembull çregullime në ritmin e gjumit me zgjatje të fazave zgjuar që është edhe një nga simptomat e para të çregullimeve të ankthit apo fazave depresive. Duke qenë që serotonina dhe dopamina luan një rol kyc në modulimin e humorit dhe qetësisë së brëndshme çdo ndryshim që ndodh në ciklin e këtyre hormoneve ka një impakt thuajse të menjëhershëm në shfaqjen e simptomave si lodhja, frika e shtuar, mungesa e përqëndrimit, ulja e nivelit të urisë dhe në disa rase rritje të sjelljeve agresive. Është një pjesë normale e jetës të përjetosh ankth të rastin kur rreth nesh ndodhin dryshime dhe disa ekuilibra prishen përkohësisht, siç është në këtë rast për shkak të pandemisë, ekuilibri socio-ekonomik. Por mund të ndodhë të pësoni një ankth që është këmbëngulës, në dukje i pakontrollueshëm dhe mbizotërues. Nëse është një frikë e tepruar, jo racionale për situatat e përditshme, mund të jete e veshtirë për tu kontrolluar dhe ndikon ndjeshëm në atë që ne quajmë cilësinë e jetës. Kur ankthi ndërhyn në aktivitetet e përditshme, mund të keni një çrregullim ankthi që mund të avancojë deri në sulme paniku apo ndjenja të forta depresiviteti. 

SI TË SHMANGIM PANIKUN

Në këto situata është e nevojshme një ndryshim në këndvështrimin e jetës, pra të forcohet ai që quhet mekanizmi adaptues që na lejon ne të rregullojmë dhe përmirësojmë sjelljen tonë për të kapërcyer ndjenjat e forta të frikës që lidhen me mundësinë e infiektimit si dhe ndjenjën e të qënit të izoluar e të vetmuar që lind shpeshherë në kohë pandemie. Çdo situatë e cila na krijon ndjenja të forta ankthi ja vlen të izolohet edhe të vlerësohet për të zbërthyer mekanizmin i cili çon në panik apo depresivitet. Duke bërë këtë ne mund të përmirsojmë sjelljen tonë në momentet e ankthit, të kuptojmë më thjeshtë se çfarë përfaqëson ankthi për ne, ta njohim atë më mirë dhe pse jo ta pranojmë si pjesë tonën pa ju trembur.  Një mundësi e mirë është të përdorim izolimin për tu fokusuar te vetvetja, të marrim kohë për tu kujdesur për ne, për trupin dhe mëndjen tonë. Kjo është një mundësi për ta ulur pak nivelin e alarmit, për ta kaluar fokusin nga ajo që na rrethon për momentin dhe për tu përqëndruar më shumë te gjendja jonë e përgjithshme, për tu angazhuar me dëshira që kemi patur gjithmonë por për shkak të angazhimeve të mëdha nuk kemi mundur ti realizojmë. Provoni të mbani të pandryshuar rutinën e ditës që nga ditët e para-karantinës. Shpeshherë të qënit për një kohë të gjatë të izoluar dhe nën ndikmin e stresit të shkaktuar nga situata e pandemisë rritë eksponencialisht frymën e të menduarit negativist apo katastrofizues që është në themel të çregullimeve të ankthit dhe depresionit. Sa më të aftë të jemi ta mbushim rutinën tonë me aktivitete pozitive aq më të mbrojtur do jemi ndaj këtyre problemeve të shëndetit mendor. 

SI TË TRAJTOJMË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR

Kuptohet që jo e gjithë shoqëria do përjetojë gjëndje depresive apo ankthi sepse kjo varet nga vulnerabiliteti dhe predispozicioni që ka çdo kush nga ne për t‘u prekur nga të tillë çregullime. Un do të këshilloja të jemi të kujdesshem dhe ti kushtojmë vëmendje siptomave të lart përmendura duke mos i anashkaluar ato por duke reaguar sa më pareë. Në këtë proces mund të na ndihmojë mbajtja e një ditari duke hedhur aty mendimet dhe ndjesit tona në mënyrë për të bërë një reflektim të mëvonshëm. Kto do të ishin disa nga mundësitë që ne kemi për të parandaluar zhvillimin e çregullimeve Të ankthit apo depresionit por ja vlen të përmenden edhe mundesitë e trajtimit. Përpos mjekimit me antidepresiv SSRI apo SNRI të cilët janë të shumtë në numër dhe ka një efikasitet të lartë në trajtimin e këtyre çregullimeve të shëndetit mendor, një alternativë mjaft e vlefshme dhe që ja vlen të praktikohet me shpesh është psikoterapia. Psikoterapia synon të trajtojë çregullimin në themel të tij, ndryshe nga sa bëjnë mjekimet me antidepresiv që kontrollojnë më shumë simptomat e shfqura. “Cognitive behavioral treatment“ apo i përkthyer trajtimi njohës i sjelljes, synon të analizojë veprimet që çojnë në situata paniku apo ankthi, përmirësimi i rregullimit emocional, dhe zhvillimi i strategjive personale të përballimit që synojnë zgjidhjen e problemeve aktuale. Këto terapi jan bazuar në studime që tregojnë se shtrembërimet e mendimit dhe sjelljet jo të përshtatshme luajnë një rol në zhvillimin e çrregullimeve psikologjike, dhe se simptomat dhe shqetësimet shoqëruese mund të zvogëlohen duke mësuar aftësi të reja të përpunimit të informacionit dhe mekanizma të përballimit të situatave të ndryshme. Çdo kush nga ne ka mundësi që me ndryshime të vogla në përditshmëri ta bëjë sa më pak të vështirë këtë proces i cili duhet kaluar pa trauma. 

Filed Under: Featured Tagged With: çrregullimet mendore, dr.Gjergj Merja, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT