• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KATËR“BOMBAT BIOLOGJIKE” QË PARALIZUAN SPANJËN

May 27, 2020 by dgreca

Mjeku shqiptar Prof. Kita Sallabanda Diaz, Mjek Neurokirurg në Spitalin Klinik Universitar San Carlos në Madrid, skanon Spanjën në përballjen ndaj Covid-19, intervistë ekskluzive për gazetën Dielli, dhënë gazetarit Sokol Paja.

ÇFARË NDODHI NË SPANJË 

Më 14 mars 2020, Qeveria spanjolle shpalli gjëndjen e Alarmit Shëndetësor. Gjithë vendi filloi të mbyllet nëpër shtëpija, ndërpritet i gjithë aktiviteti jetësor, punojnë vetëm ndërmarrjet e rëndësishme jetike që merren me ushqimin e popullatës, energjisë elektrike, telefonike si dhe shëndetësia, policia, pastrimi etj. Pas kësaj dite shifra e të infektuarve ka filluar të rritet në mënyrë të ndjeshme dhe numri i të vdekurve arrin në tre javë në 950 persona në ditë. Sistemi shëndetësor u kolapsua, nuk kishe vende nëpër spitale, nuk kishte vende në repartet e reanimacionit, nu kishte respiratorë disponibël, nuk ka medikamente të mjaftueshme, nuk ka ekipe mbrojtjeje individuale, nuk ka personel mjekësor të mjaftueshëm. Vendi është totalisht i paralizuar. Shkollat që para dy javësh të mbyllura, industria nuk punon, transporti publik në minimo.

PSE NDODHI KATASTROFA? 

Duke analizuar situatën mendojmë se masat u morën me vonesë. Qeveria italiane kishte mbyllur vendin një javë përpara po në Spanjë vinin përditë dhjetëra avionë nga Italia pa kontroll, u lejuan ndeshje futbolli me ekipe italiane, Atlanta me Interin, reth 3000 tifozë spanjollë zhvendosen në Milano pa kontroll në kohë kur Lombardia ishe në pikun e infeksionit. U lejuan manifestimet me qindra mijëra pjesëmarrës për 8 marsin, u lejua një kongres i një partie politike ku shumë drejtues të sajë ishin të infektuar, këto u quajtën 4 bombat biologjike (Taransporti Publik, Ndeshja e futbollit, Kongresi, dhe manifestimet me mijëra pjesëmarrës të 8 marsit).

SHIFRAT QË JAPIN SHPRESË

Në 9 mars njoftohet popullata për situatën dhe në 14 mars shpallet në buletinin Shtetëror gjendia e Alarmit. Ka kaluar dy muaj e gjysëm që nga ajo ditë, situata aktuale është e përmirësuar, në një ditë numërohen reth 30-40 të vdekur dhe numri qytetarëve të infektuar ka rënë, gjithësej në ditën e sotme në Spanjq janë 28.000 të vdekur, (shifrat lëvizin) 278,188 të infektuar, 150.000 të shëruar. Një situatë e pazakonshme u krijua me personelin shëndetësor, reth 52.000 të infektuar 57 të vdekur. Pa mjete mbrojtëse në fillim të pandemisë dhe në një situatë psikologjike të rënduar. Shumë shoqatë të mjekeve kanë shprehur preokupimin e tyre për një situatë të rënduar psikologjike më disa mjekëve e infermierëve, kemi shumë personel shëndetësor që ka marrë raport mjekësor për ngarkesë psikologjike. Mësues, edukatorë, kanë frikë, mjekët kanë frikë, po të gjithë vazhdojmë të punojmë në vijën e parë.

DENONCIME KUNDËR QEVERISË

Shoqatat zyrtare të mjekëve, infermierëve, dhe farmacistëve kanë bërë denoncime të shumta pranë organeve gjygjësore ndaj qeverisë së Spanjës dhe ndaj qeverive lokale, 3600 familjare të të vdekurve kanë denoncuar qeverinë, ministrinë e shëndetësisë dhe organizmat e emergjencës shtetërore për mungesë masash e informacioni. Aktualisht kemi kaluar në fazën e ¨desescalades¨ siç quhet në Spanjë, të masave liruese në formë graduale. Gjithësesi nuk mund të zhvendosemi nga një krahinë në tjetrën, maskat e fytyrës janë të detyrueshme në ambientet publike, nuk lejohen takime më me shumë se dhjetë persona, janë hapur vetëm baret e restorantet në natyrë, Universiteti vazhdon i mbyllur, shkollat e kopshtet po ashtu. Shumica e aktivitetit zhvillohet on-line.

PASOJAT PSIKOLOGJIKE TË KARANTINËS

Popullata u ambientua mirë në fillim me situatën e izolimit, karantinës, po më mbrapa karantina më shumë se dy muaj shkaktoi një gjëndje të rënduar psikologjike, dhe mbyllja a shumë ndërmarrjeve bëri që për një dite papunësia të rritet me 700.000 të papunë dhe sot reth 1.500.000 kanë humbur punën dhe mbahen me ndihma nga shteti por pa pasur siguri që do fillojnë hapjet, Turizmi ka humbur pjesën më të madhe të kontraktimeve dhe është pjesa e ekonomisë që me shumë po e vuan. Turizmi në Spanjë jep reth 12-13% të GDP dhe është në situatë të kolapsit. Shpresojmë që nga fillimi i korrikut të përmirësohet kur të hapen rrugët ajrore dhe të lëvizin turista të europës. Turizmi i brendshëm është me frikë, njerëzit kanë frikë të levizin edhe brënda Spanjës, shpresojmë që me kalimin e ditëve kjo situatë të përmirësohet.

KOMPLIKACIONET PREJ COVID-19

Si mjekë kemi parë që shumë të sëmurë e kanë kaluar shumë keq infeksionin me Covid 19, kanë humbur 5-10 kile peshë, janë të dërrmuar psikologjikisht, nuk duan të kthehen më në punë. Kemi parë shumë komplikacione të reja, si tromboza të enëve të gjakut. Miokardite, Mialgji, reaksinone inflamatore të fuqishme, dhe te fëmijët sindromin e Kaëasakit.

Një tragjedi e madhe ka qenë vdekja e reth 20.000 të moshuarve nëpër rezidencat e të moshuarve, është numri më i madh i vdekjeve, në muajin prill nga sistemi i pensioneve u zhduken 37-40000 pensonistë që nuk e dimë se ku janë. Është hera e parë në historinë e Spanjës që shpenzimet në pensione kanë rënë dukshëm. Ajo që shqetëson më tepër aktualisht spanjollët është gjendja katastrofike ekonomike dhe virusi është në vend të dytë. Dalë nga dalë po dalim dhe gjendja shëndetësore po përmirësohet, por ajo ekonomike është e vështirë.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Të dashur miq, lexues të gazetës Dielli, të dashur bashkatdhetar në USA, është një nder dhe kënaqësi për mua t’ju përshëndes nëpërmjet gazetës Dielli, gazetë me histori si historia e brezave të diasporës në USA. Si mjek dhe si bashkatdhetar dua t’ju them që të gjithë bashkë do ta kalojmë me siguri këtë situatë, por duhet të mësojmë të kujdesemi, të kemi higjienë, të mbajmë maska dhe të mbrojmë të moshuarit, prindërit tanë. Temperaturat e larta dhe higjena do ta mposhtin virusin. Ne mjekët sot jemi më të përgatitur, kemi mësuar si ta mjekojmë sëmundjen dhe shpejt do kemi vaksinën. Përqafime të gjithëve!

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Kita Sallabanda, Sokol Paja

KOMPLOTI KUNDËR REFORMËS NË DREJTËSI

May 26, 2020 by dgreca

TË PËRNDJEKURIT POLITIKË TË SHQIPËRISË DENONCOJNË KAPJEN E DREJTËSISË NGA XHELATËT E DIKTATURËS/

Nebil Çika Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë letër e hapur Znj.Yuri Kim, Ambasadore e SHBA në Shqipëri!/

 NGA SOKOL PAJA/

KOMPLOTI KUNDËR REFORMËS NË DREJTËSI/

Duke vlerësuar shqetësimin tuaj publik për Reformën në Drejtësi dhe duke besuar në korrektësinëe ndershmërinë e shqetësimit tuaj për bllokimin dhe degradimin e saj mendojmë se ndajmë të njëjtin dyshim me Ju: Ka një komplot kundër saj. Ne të përndjekurit politikë antikomunistë të Shqipërisë ndjehemi shumë të shqetësuar nga zhvillimet dhe sidomos produkti i deritanishëm i reformës në drejtësi të cilën Jusi SHBA kenimarrë përsipër ta monitoroni bashkë me BE gjë e sanksionuar kjo nga kushtetuta e Shqipërisë e cila ja ka ngarkuar OMN këtë detyrë. Ne si shtresa e interesuar e vendosjes në vendit tonë të shtetit ligjor, pasi për 45 vjet diktaturë komuniste, por jo vetëm, kemi qenë viktimat e padrejtësisë, kemi pritur që reforma në drejtësi të hedhë bazat e shtetit të së drejtës në këtë vend dhe kemi mbështetur çdo përpjekje për ta arritur këtë. Mirëpo, me keqardhje dhe shqetësim të madh konstatojmë se deri tani produkti i reformës nuk është ai që prisnim.

VETTINGU NË SHKELJE TË LIGJIT

Kemi konstatuar me keqardhje dhe shqetësim se procesi i Vetingut ka injoruar në vendimet e marra pjesëmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në proceset politike gjyqësore të diktaturës komuniste duke konsumuar hapur e në mënyrë të përsëritur një shkelje të ligjit. Kjo ka bërë që në institucionet e reja të drejtësisë madje edhe në krye të tyre të emërohen ish pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit, policisë politike të diktaturës, hetues, prokurorë e gjyqtarë që kanë qenë pjesë e proceseve politike ndëshkimore ndaj kundërshtarëve të rrëgjimit komunist, që karakterizoheshin dhe në të cilat përfshihen; tortura, montime, falsifikime dhe dënime të ashpra jo vetëm për ata që dënoheshin ekzekutoheshin ose burgoseshin por edhe për familjarët e tyre përfshi, gra pleq e fëmijë, që internoheshin e u mohoheshin të drejtat themelore të njeriut. Nuk bëhet fjalë për pak individë por, sipas vetë statistikave të Sigurimit të Shtetit rreth 35% e popullsisë shqiptare u përndoq politikisht gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri dhe e gjithë kjo u realizua nëpërmjet proceseve dhe vendimeve të hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të diktaturës komuniste. Ne kemi denoncuar rast pas rasti kalimin e Vetingut dhe emërimin në krye të drejtësisë të persekutorëve tanë politikë por nuk kemiparë asnjë reagim, as nga Ju për këtë fenomen tejet negativ.

KUSH JANË XHELATËT E DIKTATURËS NË DREJTËSINË E RE NË SHQIPËRI

Për ta bërë më konkret këtë shqetësimin tonë po ju tregojmë disa nga emërimet e fundit të xhelatëve tanë në institucionet e Drejtësisë, si produkt Reformës:

1-Emërimi në krye të SPAK-ut të Arben Kraja, një ish hetues i Sigurimit të Shtetit në Shkodër 1987-1992.

2-Emërimi Zëvendësprokuror i Përgjithshëm i ThomaJano, hetues dhe shef i hetuesisë së Sigurimit të Shtetit në Krujë 1980-1991 autor i dhjetëra proceseve hetimore politike komuniste.

 3-Emërimi në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) të Ardian Dvoranit nga një prokuror komunist që ka dhënë dënime të rënda politike për kundërshtarët e regjimit komunist si prokuror i diktaturës në Shkodër përfshi edhe ata që rrezuan bustin e Stalinit në 1990.

4- Emërimi në Këshillin i Lartë Gjyqësor (KLGJ) si anëtare e Fatmira Luli, gjyqtare në kohën e diktaturës; ka dënuar qytetarët pse morën pjesë në rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991 apo për hyrjen në ambasada.

5-Emërimi në Këshilli i Emërimeve në Prokurori (KLP) të Bujar Sheshit ish hetues i Sigurimit të Shtetit autor i shumë arrestimeve torturimeve dhe dënimeve politike si hetues në Rrethin e Fierit, sipas AIDSSH edhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

6- Emërimi në Këshilli i Emërimeve në Prokurori (KLP) e Nurihan Seiti, gjyqtare e diktaturës komuniste, ka dënuar disa persona me akuzat për agjitacion propagandë dhe tentim arratisje nga kufiri. Për të gjitha këto ne i jemi drejtuar zyrtarisht dhe publikisht edhe znj.Gjinovefa Calavera drejtueses së OMN dhe përgjigja e saj ka qenë fyese dhe jo korrekte për ne. Besoj se këto raste që ju përmenda më lart tregojnë qartëse produkti i vetëm Reformës në Drejtësi deri tani është: rikthimin në krye të institucioneve kryesore të drejtësisë të ish persekutorëve. Dua t’iu theksoj që bëhet fjalë për krime të rënda, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid të cilat si nga ligji shqiptar edhe ai ndërkombëtare nuk parashkruhen.

BLLOKIMI I GJYKATËS SË LARTË DHE GJYKATËS KUSHTETUESE

Ne besojmë në standardet dhe vlerat e SHBA dhe Presidentit Donald Trump që Ju përfaqësoni në Shqipëri dhe ndajmë me Ju shqetësimin tonë edhe për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës se Lartë, mungesa e të cilave ka dëmtuar seriozisht interesat e njerëzve tanë. Me vakumine Gjykatës Kushtetuese ne kemi humbur çdo mundësi për të kundërshtuar ligje të qeverisë që kanë prekur drejtpërdrejtë interesat e të përndjekurve politike antikomuniste dhe me mosfunksionim e gjykatës së lartë shumë nga njerëzit tanë janë prej vitesh në pritje të përfundimit të proceseve gjyqësore shumë jetike, si për pronat e sekuestruara nga komunistet, dëmshpërblimet për persekutimin, pushimet politike nga puna etj. Prandaj ne mbështesim çdo përpjekje tuajën për të normalizuar drejtësinë shqiptare! Nuk e di si e shikoni ju por për ne është e qartë që reforma në drejtësi, jo tani, por, qe kur nisi, është deformuar e bllokuar nga një komplot komunist që nuk synon, pastrimin dhe normalizimin e saj por kapjen e drejtësisë nga politika ish komuniste shqiptare. Ne besojmë se palët apo personat politikë e zyrtarë të Shqipërisë apo edhe ndërkombëtarë me të cilët ju bisedoni e bashkëpunoni për këtë çështje nuk e kanë integritetin moral dhe vullnetin politik për të bërë një reformë reale e të ndershme në drejtësi. Sot shteti shqiptar drejtohet në shumicën e tij nga autorët e krimeve komuniste. Parlamenti, për shembull, institucioni kyç në kryerjen e reformës drejtohet nga ish ministri i fundit i brendshëm i diktaturës komuniste Gramoz Ruçi, autor i drejtpërdrejt i krimeve kundër njerizimit dhe gjenocid. Fotoja e tij ndodhet sot në muzeun e krimeve të komunizmit si autor i tyre (gjë që mund ta vërtetoni lehtësisht) ndërkohë që ai është edhe nr. 2 i shtetit shqiptar.Vërtet besoni se ai dhe te tjerë si ai janë partnerë normal Tuajt, sidomos për Reformën ne Drejtësi? Këto njerëz me të cilët ju po përpiqeni të bashkëpunoni kanë qënë për vite të tera armiq të lirisë demokracisë dhe veçanërisht SHBA-ve. Besoj e dini sa njerëz janë pushkatuar, burgosur e intenuar nga komunistet se ishin por-amerikanë apo dyshoheshin si të tillë?!Ne besojmë se ju keni zgjedhur partnerin e gabuar për të bërë reformën në drejtësi e shtetin ligjor si garant të demokracisë në Shqipëri. Nisur nga deklarata Juaj  publike për një “komplot” ndaj Reformës në Drejtësi dëshiroj të besoj se e keni kuptuar me në fund ku qëndron problemi, që për ne kanë qenë janë dhe mbeten komunistët antiamerikanë, me maskë demokratesh filo-amerikanë! Sa të vazhdoni të konsumoni kohë nerva e parame ta vetëm komplote do te keni! Së fundi ne mendojmë se me forcën e shtetit më të fortë e më demokratik në botë,mik i shqiptarëve do të mundni të imponoheni për të ndryshuar gjendjen e rëndë të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri por besojmë dhe këmbëngulim se kjo nuk mund të arrihet me partnerë të gabuar të cilët e kanë cilësuar Presidentin Tuja të nderuar shkëlqesinë e tij, Z. Donald Trump “turpin e njerëzimit”. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Letra, Nebil Çika, Sokol Paja

MEDVEGJA, BUJANOVCI DHE PRESHEVA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

May 26, 2020 by dgreca

Shqiprim Veliu dhe Mirlinda Xhelili bashkëshortët mjekë shqiptarë nga Presheva rrëfejnë për “Diellin” sistemin e shëndetësisë në “Luginë” dhe gjëndjen në Landin Gjerman Sachsen ku ata po specializohen në Mjekësi Interne në “Paracelsus Klinik”, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja. 

ANALIZË E SISTEMIT SHËNDETËSOR NË MEDVEGJË, BUJANOVC DHE PRESHEVË

Nuk do të na  mjaftonin orë të tëra për të treguar se nga cfarë vuan dhe cfarë mungon atje në Luginën e Preshevës. Besoj se edhe ju e dini tashmë se këto tre qytete janë të vogla duke përfshirë diku rreth 100000 Banorë që jetojnë dhe veprojnë atje. Duke parë nurmin e popullatës shtrohet pytja: A e gëzojnë kjo popullatë një Spital interdiciplinar, ku qytetarët mund të drejtohen dhe të kërkojnë ndihmë për shëndetin e tyre?! përgjigja është JO. Këto qytete nuk kanë një spital ku mund të drejtohen dhe të kërkojnë ndihmë shëndëtsore, pavarësisht sigurimeve shëndëtsore që i paguajnë shtetit të Sërbisë. Në këto qytete ka vetëm Poliklinika ambulatore ku mjekët që punojnë atje është për të ardhur keq në lidhje me kushtet në te cilat ata  punojnë , nuk kanë as gjërat primare për tju dhënë ndihmë, duke u nisur që nga ilaçet e mos të flasim për paisje tjera mjeksore bazike. Çfarë ndodhë pastaj ?! këtu shfaqen problemet dhe pakënaqësit me popullaten duke ofenduar mjekët që japin gjithcka nga vetja por që nuk kanë kushte, detyrohen të përgojohen mjekët se nuk na dhanë ndihmën, nuk na dhanë ilacet, nuk na gjetën zgjidhje. Nga ana tjetër dhe populli nuk ka fajë përshkak se stresa që jeton atje shumica janë me të ardhura mesatare që një antarë familje punon dhe i mbanë gjithë pjestarët tjerë te familjes. Ata detyrohen që të shkojnë të kërkojnë ndihmë në Sërbi në Qytetin më të afërt që ka spital. Kjo ju kushton shumë si nga ana ekonomike ashtu dhe nga kërkesat dhe procedurat burokratike të panevojshme që ju bëhen. Ajo çfarë i nevojitet këtyre qyteteve dhe popullatës që jeton atje është një Spital përshkak se Presheva plotëson kushtet si nga numri i popullatës po ashtu dhe pozita strategjike e Luginës së Preshevës e cila shtrihet mes 3 shteteve: Kosovës, Maqedonisë dhe Sërbisë. Ajo që do të doja është që përmes Gazetes Dielli të lobojmë të gjithë së bashku e veçanërisht lobit shqiptaro-amerikan që nëpermjet ambasades Amerikane në Beograd si dhe tek qeveritë e dy shteteve Shqiptare (Kosova dhe Shqipëria) të nisin një iniciative në lidhje me ndërtimin e një spitali rajonal në Luginën e Preshevës. Kjo do të ishte një frenim i diskiriminimit të vazhdueshëm që po i bëhet asaj popullate.

SITUATA E COVID-19 NË LANDIN SACHSEN GJERMANI 

Situata aktuale në qytetin ku punojmë Landin Sachsen është relativisht stabile. Numri  i rasteve të reja është në rënie, por zonat per rreth sidomos qytetet më të vogla janë akoma zona të ashtëquajtura zona të nxehta me më shumë raste të reja brenda 24/h të fundit. Ajo për çfarë jemi të lumtur është se numri i te prekurve dita ditës po bie, dhe simptomat aktuale që shfaqin pacientët janë më të lehta në krahasim me rastet që kemi hasur në fillimet e pandemisë. Në spitalin ku punojmë ne të vdekur nga COVID nuk ka pasur. Ata që fatkeqësisht kanë vdekur dhe kanë pasur një corona test pozitiv shkak i vdekjes nuk ishte Corona,  por ishin sëmundjet tjera kronike nga të cilat vuanin pacientët.

PUNA DHE NDIHMA NDAJ SHQIPTARËVE NË LANDIN SACHSEN 

Ndihma e dhënë ndaj shqiptareve në Gjermani në lidhje me angazhimin në grupin e punës në Sachsen, është bërë në kuadër të angazhimit te shoqata e mjekeve shqiptarë në Gjermani. Shoqata e mjekëve shqiptare në Gjermani në këtë situatë pandemie ka dhënë një kontribut të madhë qoftë në shpërndarjen e informacioneve mes kolegesh në lidhje me protokollet e fundit me menyrat e trajtimit, ashtu dhe në angazhimin për tju ardhur  në ndihmë të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani përkatsisht ne Landin Sachsen. Numri i shqiptarëve që jetojnë në këtë Land nuk është dhe shumë i madh, por ne kishim vënë në dispozicion të gjitha mundësit e komunikimit me mjekët e shoqatës si numrat e telefonit, email adresat në mënyrë që t’ju ofrohej një mënyrë më e lehtë kontaktimi me neve mjekët, pa rrezikuar ardhjen në spital dhe kontaktin me pacientet e infektuar. Kemi pasur shqiptarë që ishin për momentin në këtë kohë krize në Gjermani por ishin pa siguracione shëndetësore. Me ata kemi kontaktuar përmes telefonit dhe u kemi dhënë këshilla si dhe i kemi dëgjuar për ankesat që kishin. Në shumicën e rasteve shkak ishte dhe paniku që mbizontronte tek të gjithe jo vetem tek ata, kshtu që jemi munduar ti kursejmë. Ka pasur dhe nga ata që kemi hasur në urgjencën e spitalit, kemi plotsuar formularin në lidhje me ankesat dhe kriteret nese i plotësonin për një test  kundër Covid. Ata që nuk kam plotsuar kriteret nuk u kemi bërë testin në mënyrë që ti kursejmë, se siç e ceka dhe me lartë shumica ishin pa sigurime shëndetësore. Ne u kemi sqaruar të gjitha kriteret dhe i kemi dhënë këshilla në lidhje me mënyrën e mbrojtjes nga infeksioni.

KUSH JANË ÇIFTI BASHKËSHORT SHQIPRIMI DHE MIRLINDA

Shqiprimi dhe Mirlinda kanë lindur në Preshevë ku kanë mbaruar shkollën 8 vjeçare dhe Gjimnazin. Studimet për mjekësi i kanë mbaruar në Tiranë në Universitetin e Mjekësisë. Pasi mbaruaan studimet si shumë nga kolegët e tyre në pamundësi për të punuar dhe vepruar në vendilindje kanë migruar në Gjermani. Në shtetin gjerman u janë ofruar mundësitë që të zgjedhin drejtimin ku duan të specializohen dhe aktualisht po zhvillojnë specializim në drejtimin  Mjekësi Interne në “Paracelsus Klinik”. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Shqiprim Veliu, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË AUSTRALI DHE BETEJA E SHTETIT AUSTRALIAN NDAJ COVID-19

May 25, 2020 by dgreca

Miranda Xhilaga PhD në Virology, Monash University Melbourne, Australi, rrëfen ekskluzivisht për Gazetën Dielli, betejën e shtetit Australian ndaj Covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja

SITUATA E COVID-19 NË AUSTRALI 

Australia numëron më shumë se 7079 raste të konfirmuara infeksoni me SARS-CoV2, nga të cilët 6440 janë shëruar dhe 100 kanë humbur jetën. Numrat e ulët në krahasim me USA e shumë vende të tjera të Europës janë pasqyrim i masave të menjëhershme për izolimin dhe gjurmimin e kontakteve të të infektuarve me anëtarë të komunitetit. Shumica e këtyre rasteve janë identifikuar si qytetarë australianë që janë kthyer nga udhëtime në vende ku virusi kishte filluar të përhapej. Tani këtu ka vetëm 1000 raste aktive, dhe gjatë javës së kaluar, shkalla e infeksionit ditor ka mbetur e ulët. Testimi mbetet i lartë, me më shumë se 730,000 teste të ndërmarra deri tani. 

MASAT E MARRA NGA QEVERIA AUSTRALIANE 

Që në fillim u morën masa të rrepta: u mbyllën kufinjtë ajrorë me jashtë dhe kufinjtë tokësorë mes shteteve. U mbyllën shkollat, restorantet, vendet publike, u anulluan aktivitete, u mbyll pothuajse e gjithë ekonomia, u izoluam të gjithë nëpër shtëpitë tona dhe filloi testimi i menjëhershëm ndërsa spitalet vunë në dispozicion gjithcka mund të duhej. Ky quhet Niveli 3 izolimit. Shumica e të punësuarve vazhdojnë të punojnë nga shtëpia. Për shkak të grushtit që mori ekonomia, shumë humbën punën por qeveria australiane iu erdhi në ndihmë të gjithëve pothuajse me paketa të vecanta ndihme. Paketa e parëishte $131 billion, përfshirë ndihmë jo vetëm për individët por edhe për bizneset e vogla etc. Fëmijët kanë pothuajse dy muaj që mësojnë online.

SI PARAQITET KURBA E TË INFEKTUARVE 

Tashmë kurba është sheshuar. Kabineti qeveritar kombëtar ka përgatitur një plan për hapjen graduale të ekonomisë, tani ne mund të mblidhemi deri në 500 persona jashtë dhe 100 persona në ambjente të brendshme. Mund të ftojmë miq në shtëpi, të frekuentojmë restorantet, të bëjmë ushtrime fizike në grupe, të mund të vizitojmë shtëpi që shiten dhe fëmijët fillojnë shkollën gradualisht duke filluar nga data 26 Maj. Por mesazhi është i qartë: cdo hap që bëjmë drejt këtyre relaksimeve duhet të shoqërohet me një angazhim mbarë-kombëtar për t’iu qëndruar besnikë këtyre rregullave: qëndrim 1.5 metra larg nga individë të tjerë, të vazhdojmë larjen e duarve dhe respektojmë higjenën e kollës / tështitjes, të qëndrojmë në shtëpi kur nuk jemi mirë, dhe të testohemi nëse kemi vështiresi në frymëmarrje ose ethe, të shkarkojmë aplikacionin COVID-Safe që të mund ta ndjekim përhapjen e virusin shpejt, dhe të zhvillohen plane të sigurta COVID për vendet e punës ndërsa shume prej nesh kthehemi ne pune. I gjithë suksesi për të parandaluar një valë të dytë varet nga zbatimi i këtyre rregullave.

SHQIPTARËT NË AUSTRALI 

Në Australi jeton një komunitet shqiptar që përfshin më shumë se 11 000 individë ardhur nga të gjitha trojet shqiptare. Nuk ka shifra për minoritete të caktuara prekur nga pandemia në Australi në media. Ky është një komunitet i bashkuar dhe shifra të tilla egzistojnë vetëm për studime të ardhshme në fushën e shëndetit publik ndoshta.  Por ajo që di është se qeveria australiane, duke marrë parasysh nivelin e ndryshëm të njohjes së gjuhës angleze, është kujdesur të publikojë informacione rreth COVID 19 në gjuhën shqipe. Radio SBS në shqip, drejtuar nga Z. Sani Kajtazi në Melbourn, ka bërë gjithashtu një punë të shkëlqyer për ndërgjegjësimin e komunitetit shqiptar.

MESAZHI PËR LEXUESIT E GAZETËS DIELLI DHE DIASPORËN NË USA

Dua të theksoj se ndërsa gjendja në Australi përmirësohet nga dita në ditë, në vende si USA, Europën, Rusia etj, vazhdon lufta e përditëshme për të shpëtuar sa më shumë jetë e për të ulur numrin e infeksioneve. Jemi në këtë situatë së bashku. Shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë dhe që humbjet e kaq shumë jetëve të na jenë bërë mësime të rëndesishme për epidemi të ardhshme. Ju uroj uroj lexuesve të Gazetës Dielli shëndet të mire. Ruani veten për të ruajtur njëri tjetrin. 

Filed Under: Featured Tagged With: Astrali, Dr. Miranda Xhilaga PHD, Sokol Paja

PËRJETIMET QË MBETEN NË JETËN E NJERIUT PAS PANDEMISË COVID-19

May 23, 2020 by dgreca

Dr. Fejzulla Nebiu, Mjek Psikiatër në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, rrëfen për gazetën Dielli New York, problemet e shëndetit mendor tek njerëzit post Covid-19, intervistë dhenë gazetarit Sokol Paja./

PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR NË SHOQËRINË POST-COVID-19

Pas pandemisë dhe situatave të pazakonta shoqëritë dhe individët me shumë gjasa do të përballen me probleme në shëndetin mendor. Shtimi i stresit dhe ankthit janë çrregullimet mendore nga të cilat mund të preken më së shumti individët në mbarë globin. Kjo diçka e panjohur (Covid 19) të bën të ndihesh i stresuar, të jesh në siklet, të ndihesh më shumë frikë, pasiguri për vete, paqëndrushmëri në shoqëri e familje, me ndryshime në rutinën e përditshme. Këto dhe shumë gjëra të tjera mund të sjellin luhatje të mendimeve negative, deri edhe në ekstreme. Shumëçka varet nga personaliteti dhe emocionet që përjetohen në ato situata. Pra covid kalon, por përjetimet dhe mendimet mbeten në jetën e secilit prej nesh.

SI TA ADMINISTROJMË LIRINË

Periudha drejt kthimit në normalitet (nga brenda shtëpisë në liri) ka të mirat, por edhe pasojat e veta. Aktualisht është e nevojshme të vazhdojmë të mbajmë distancën, por të komunikojmë më shumë mes veti, ende nuk ka përfundur gjithçka. Duhet të flitet dhe të pranohen hapur vështirësit, t‘i qëndrojmë afër nevojtarit dhe ta duam më shumë njeri tjetrin-solidaritet dhe humanizëm. Ishim në situatat kur të gjithë kemi qenë pothuajse të izoluar. Fëmijët nuk shkonin në çerdhe, nxënësit nuk vijonin mësimet nëpër shkolla, dikush humbi biznesin apo vendin e punës, pleqët mbeten tërësisht të izoluar dhe pa kontakte, dikush humbi më të dashurit. U prish rutina dhe planet e jetës. Tash pas kësaj faze mbeten postraumat e tek një numër do të paraqiten edhe probleme me shëndetin fizik e mendor.

SI TË SHMANGIM STRESIN, ANKTHIN, PANIKUN

Personat e prekur nga Covid e që e kanë kaluar ndihen të stigmatizuar pa fajin e tyre, por duhet të ballafaqohen me realitetin e krijuar dhe t‘u jepet mundësia të flasin për përjetimet. Nëse është e nevojshme duhet ofruar mbështetje, rehabilitim, pse jo dhe trajtim. Jo të gjithë reagojnë njësoj në situata të tilla. Dalja, komunikimi, marrja me hobi, muzikë, lexim, sporte të ndryshme ua lehtëson dhe mundëson më lehtë të menaxhojnë stresin, ankthin, panikun e frikën. Ka dhe efektet pozitive kjo situatë: përafrimi dhe ndeja me familjarët, kthimi në zanatet dhe traditat e vjetra, gatim i ushqimit në shtëpi, njohja më mirë me jetën e tjera.

SFIDAT E SHËNDETËSISË NË PRESHEVË

Duke marr parasysh pozitën gjeografike që ka Presheva dhe Lugina në tërësi, numrin e popullatës dhe ndarjet kufitare me trungun shqiptarë me Kosovën dhe Maqedonin e veriut, vërtet jemi të kufizuar dhe të izoluar në çdo aspekt të jetës normale. Masat lehtësuese për covid të lenë përshtypjen sikur shumëçka ka përfunduar, për çka edhe këto masa respektohen shumë pak. Por ngarkesat me stresin, ankthin dhe pasojat tjera lidhur me shëndetin mendor tek sa kanë nisur. Lugina e Preshevës ka shumë vështirësi sa i përket sistemit shëndetësor. Ka vetëm shtëpinë e shëndetit, nuk ka spital, ballafaqohet me mungesa të mëdha të kuadrove e apataturave, barnave dhe materialeve tjera medicinale, por edhe me mungesë të sigurimeve shëndetësore kjo më shumë si pasojë e papunësisë së madhe. Reformat shëndetësore, sikur edhe gjithçka tjetër kanë ngecur.

MESAZH PËR LEXUESIT E DIELLIT

Diaspora shqiptare kudo që është ka treguar dhe dëshmuar atdhedashurinë në çfarëdo forme që është kërkuar. Kontribut të veçantë kanë treguar shqiptarët në Amerikë. Kjo tregon se mendjet e tyre jetojnë me ne, së bashku në trojet stërgjyshërore. Shëndet dhe mirëqenie për diasporën shqiptare dhe lexuesit e ”Diellit“.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Fejzulla Nebiu, Presheve, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT