Nga Arben LLALLA/
Lajmi për hapjen e Universitetit Nënë Tereza në Shkup duhet pritur si diçka pozitive nga shqiptarët, por duhet kritikuar mënyra primitive e lajmit për hapjen e këtij universiteti.
Dëshira për të patur shqiptarët një universitet në gjuhën shqipe në Shkup, në kërthizën e shqiptarisë ka qenë e ka hershme, por ngjarjet historike dhe kushtet kishin imponuar anashkalimin e kësaj qendre shqiptare. Një grup intelektualësh dhe politikanësh shqiptar duke vërejtur se Shkupi tashmë ka nevojë më shumë se kurrë për tju rikthyer vendi i nderit që i takon si stacioni qendror i trekëndëshit kombëtar Tiranë-Prishtinë-Shkup, nxituan hapat për themelimin e universitetit në gjuhën shqipe “Nënë Tereza” në Shkup. Kjo ide për të hapur universitet në gjuhën shqipe vjen edhe si rrjedhojë për tju treguar Gruevskit dhe VMRO se projekti Shkupi 2014 është një mit i ndërtuar mbi një histori të vjedhur, të falsifikuar sepse Shkupi ka një histori të vërtetë të shkruar me gjak shqiptari.
Projekti për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe ju paraqit Ali Ahmetit i cili këtë ide e parashtrojë në BDI dhe më tej në qeverisë. Projekti është paraqitur në fillim të vitit 2015 dhe është punuar dalëngadalë me hapat e breshkës, por të sigurt. Projekti përfundimtar për universitetin “Nënë Tereza” përfundoj në qershor dhe kishte të gjithë mundësitë që të fillonte me punë në tetor 2015, por ekzistonte frika që ky projekt të keqpërdorej për propagandë në fushatën e zgjedhjeve të prillit 2016, prandaj grupi ideator i përbërë nga politikanë, intelektual dhe diplomatë shqiptar e të huaj vendosën që ky universitet të filloj me punë në shtator 2016. U hodh ideja që rektori të jetë një i huaj, jo shtetas i Maqedonisë me qëllimin e mirë që mos të ketë keqpërdorime në punësimet e profesorëve dhe administratorëve me librezë partie në pushtet.
Përplasje të ashpra ka patur midis përfaqësuesve të koalicionit VMRO dhe BDI, por zgjedhjet e detyrueshme të parakohshme të prillit 2016 e detyruan Nikolla Gruevskin të lëshojë pe për zyrtarizimit e universitetit në fjalë si dhe për bustin e Isa Boletinit në Saraj.
Prandaj nuk mendoj se nuk ka shqiptar që është kundër hapjes së Universitetit në gjuhën shqipe “Nënë Tereza” në Shkup, por janë kundër mënyrës së përvetësimit të këtij projekti nga ana e ndonjë ministri që ka diplomuar piratisht. Mendoj se zërat kundër të shprehur për hapjen e këtij Universitetit nuk janë për realizimin e këtij projekti, por ata kanë frik se do të keqpërdoret politikisht ky universitet ashtu siç janë keqpërdorur nga politika ditore hapja e USHT, shkollave, muzetë dhe institucionet e tjera kulturore në Maqedoni. Unë besoj se të gjithë shqiptarët e kanë pritur me gëzim themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup si një arritje politike dhe arsimore për shqiptarët në Maqedoni. Shpresojmë se dëshirat për keqpërdorimin politikisht të kësaj vatre të re shqiptare arsimore do të izolohen.
Tashmë Shkupit ku ndodhen përmendoret e Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit i shtohet edhe vatra më e re e arsimit shqip Universiteti “Nënë Tereza”. Pra, ta gëzojmë edhe këtë vepër, pavarësisht se kush e projektojë, kush çirret dhe kush e realizon, e rëndësishme është se aty do ligjërojnë profesorët shqiptar përpara studentëve që do të ndihen edhe më të nderuar në Shkupin shqiptar.