-Drejt një faze të re të dialogut e zbatimit të marrëveshjeve e normalizimit të marrëdhënieve/
-Takim i presidëntëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini/
-Të gjitha takimet kryeministrore e presidenciale Kosovë-Serbi në Bruksel, kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA/
*Pas Takimit:-Presidenti Thaçi pas takimit në Bruksel kërkon themelimin e shpejtë të institucioneve dhe ekipin e unitetit/
PRISHTINË, 31 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve janë në fokus të takimit që po zhvillohet sot në Bruksel të presidëntëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Sipas zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiç, “dy presidentët do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, pas pajtimit të tyre, në muajin korrik, që të fillojnë përgatitjet për një fazë të re të dialogut”.
Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi të inauguruar në muajin prill 2016 dhe presidentin Vuçiç të inauguruar në qershor 2017, takimi i sotëm është i dyti, pas të parit në 3 korrik të këtij viti.
Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin presidencial. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, në nivelin më të lartë me pjesëmarrje edhe të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të dy takimeve presidenciale, që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.
Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.
Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre e më pastaj ministre e Dialogut.
Kosova të përfaqësohet nga Ekipi i Unitetit
-Presidenti Thaçi pas takimit në Bruksel kërkon themelimin e shpejtë të institucioneve dhe ekipin e unitetit/
-Thaçi pas takimit me Vuçiç: “Sot, mes Kosovës dhe Serbisë, kemi një komunikim më normal se që ka qenë më herët. Marrëveshja përfundimtare do të jetë ndihmuese për njëra-tjetrën, por edhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton marrëveshje për paqe dhe stabilitetin për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”/
BRUKSEL, 31 Gusht 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiqin, i lehtësuar nga Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.
Njoftimi i sapodërguar thekson se, pas takimit, presidenti Thaçi ka thënë se ka qenë një takim korrekt, në të cilin janë diskutuar hapat e mëtutjeshëm për fillimin e një faze të dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe pajtim.
“Edhe Kosova edhe Serbia, qytetarët e dy vendeve kanë nevojë për një marrëveshje përfundimtare që u hap perspektivë të dy vendeve tona”, ka theksuar ai.Sipas tij, Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura dhe si fqinjë ekziston një domosdoshmëri për komunikim. Presidenti ka ritheksuar se kjo fazë e re e dialogut duhet të fillojë sa më shpejt që është e mundur dhe të kryhet sa më shpejt që është e mundur.
“Ne kemi besim të plotë në rolin udhëheqës të zonjës Mogherini, që duhet të ketë një unitet të qëndrueshëm të Bashkimit Evropian dhe një mbështetje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ai.
Duke folur për përmbajtjen e takimeve të ardhshme, presidenti Thaçi ka thënë se do të diskutohen tema që kanë mbetur ende të hapura, që janë të nevojshme të përmbyllen njëherë e përgjithmonë për t’i dhënë fund armiqësive njëshekullore.
“Sot, mes Kosovës dhe Serbisë, kemi një komunikim më normal se që ka qenë më herët. Marrëveshja përfundimtare do të jetë ndihmuese për njëra-tjetrën, por edhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton marrëveshje për paqe dhe stabilitetin për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi nga Brukseli ka bërë thirrje që sa më parë të krijohen institucionet e Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit. “Ftoj gjithë spektrin politik që sa më shpejt të formohet Qeveria, të konstituohet dhe të funksionalizohet Kuvendi i Kosovës”, ka shtuar ai.Presidenti ka thënë se pas krijimit të institucioneve, në mënyrë sa më konsensuale të mundshme, përmes Ekipit të Unitetit, Kosova të përfaqësohet në këtë pjesë finale, përmbyllëse, historike të shtetndërtimit.
Ai ka thënë se çdo zgjidhje përfundimtare do të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.“Për këtë arsye kam thirrur për krijimin e një baze të gjerë përfaqësuese të spektrit politik kosovar dhe të shoqërisë civile, të medieve dhe opinionbërësve”, ka shtuar ai./b.j/