Presidenti Nishani dhe Zonja Nishani morën pjesë në pritjen e dhënë nga Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Michelle Obama/
Presidenti Nishani merr pjesë në Segmentin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në kuadër të 30-Vjetorit të Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim/
22 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani mori pjesë në Segmentin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në kuadër të 30-Vjetorit të Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim, që u hap nga Sekretari Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.
Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve Kreu i Shtetit shqiptar theksoi mes të tjerash që: “Shqipëria vazhdon të ndërmarrë në vazhdimësi reforma institucionale, ligjore, ekonomike për përmbushjen e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për një jetë me sa më shumë dinjitet, me kushte, liri dhe mundësi të barabarta për këdo, duke synuar zhvillimin e vendit, ku më jetikja e miratuar së fundmi ka qenë ajo në fushën e Drejtësisë.”
Presidenti Nishani duke nënvizuar rëndësinë e së Drejtës për Zhvillim, vuri në dukje se ajo përbën një motivim shumë të mirë për të lidhur strategjitë e zhvillimit në një qasje të të drejtave të njeriut bazuar në zhvillimin e tij, çka do ta bënte këtë të Drejtë një realitet të prekshëm për të gjithë dhe se Shqipëria vazhdon të mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar në përmirësimin dhe implementimin e së Drejtës për Zhvillim, si një detyrim i patjetërsueshëm dhe përgjegjësi thelbësore ndaj qytetarëve të vendeve tona.
Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani:
“I nderuar President i Asamblesë së Përgjithshme, zoti Peter Thompson,
Lartësia Juaj, Princ Zaid Ra’ad Al Hysein,
Zonja dhe zotërinj!
Ndihem i nderuar dhe i privilegjuar t’i drejtohem sot para jush këtij segmenti të nivelit kaq të lartë për të përkujtuar 30-vjetorin e Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim.
Shpallja e të Drejtës për Zhvillim si e drejtë e patjetërsueshme e njeriut sipas së cilës të gjithë njerëzit kanë të drejtë të marrin pjesë e të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe politik në të cilin të gjitha të drejtat themelore të njeriut dhe liria mund të përmbushen plotësisht, është një parim sa njerëzor aq dhe universal, i cili duke theksuar me përparësi mirëqenien e individit, e angazhon me më shumë përgjegjësi politikëbërjen e vendeve tona.
Viti 2016 shënon 30-vjetorin e Deklaratës që mundëson çdokënd të gëzojë të drejtën për të qenë pjesëmarrës e për të kontribuuar në zhvillimet botërore. Megjithatë ende është shumë i madh numri i fëmijëve, burrave e grave, aktorë dhe faktorë të zhvillimit, që jetojnë çdo ditë me nevojën e madhe të realizimit të të drejtës së tyre për dinjitet, liri, barazi shansesh, çka përkthehet direkt në përballimin e një sërë sfidash bashkëkohore dhe mbrojtjen e një numri të drejtash civile, politike, ekonomike, sociale e kulturore.
Shqipëria ka qenë e gatshme për të plotësuar angazhimet që rrodhën nga nënshkrimi i Deklaratës së Mijëvjeçarit. Institucionet shtetërore shqiptare janë të përfshira në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke e reflektuar këtë angazhim në miratimin e një agjende zhvillimi, në “Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020”, si dokument i rëndësishëm që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit.
Shqipëria vazhdon të ndërmarrë në vazhdimësi reforma institucionale, ligjore, ekonomike për përmbushjen e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për një jetë me sa më shumë dinjitet, me kushte, liri dhe mundësi të barabarta për këdo, duke synuar zhvillimin e vendit, ku më jetikja e miratuar së fundmi ka qenë ajo në fushën e Drejtësisë.
Gjithashtu, vendi im është i angazhuar dhe jep një kontribut të qenësishëm në forcimin e marrëdhënieve shumëpalëshe rajonale. Shqipëria nxit seriozisht procesin e bashkëpunimit rajonal duke qenë pjesëtare aktive në të gjitha nismat që veprojnë në rajonin e Evropës Juglindore. Ne besojmë se ky angazhim i shërben jo vetëm promovimit të fqinjësisë së mirë, forcimit të sigurisë dhe stabilitetit midis vendeve të rajonit, por edhe zhvillimit të vendeve tona, si rrjedhojë përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë.
Ne besojmë se sfidat aktuale me të cilat përballemi sot, si: lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar, korrupsionit, etj., mund të përballohen vetëm duke forcuar partneritetin dhe bashkëpunimin midis vendeve tona.
Ndaj dhe e Drejta për Zhvillim përbën një motivim shumë të mirë për të lidhur strategjitë e zhvillimit në një qasje të të drejtave të njeriut bazuar në zhvillimin e tij, çka do ta bënte këtë të Drejtë një realitet të prekshëm për të gjithë.
Shqipëria vazhdon të mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar në përmirësimin dhe implementimin e së Drejtës për Zhvillim, si një detyrim i patjetërsueshëm dhe përgjegjësi thelbësore ndaj qytetarëve të vendeve tona.
Duke përfituar nga rasti i kësaj veprimtarie kaq të rëndësishme plenare, urojmë suksese në vijimësi për të paraqitur dhe ndarë bashkërisht praktikat më të mira, përvojën e vyer, ide dhe sugjerime të vlefshme se si mund të zhvillojmë më tej përparimin e ta masim atë në vazhdimësi.
Ju falemnderit!”/
Kreu i Shtetit shqiptar takohet me Presidentin e Kongresit Botëror Hebraik (WJC), Ronald Lauder
22 shtator 2016, Nju-Jork
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takua dhe zhvilloi disa takime pune me Presidentin e Kongresit Botëror Hebraik (WJC) dhe delegacionin që e shoqëronte, me përfaqësues të organizatës hebreje B’Nai B’rith, si dhe me themeluesin dhe drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore, Dr. Gregory Lafitte.
Zoti Lauder dhe anëtarët e tjerë të KBH-së e falënderuan Presidentin Nishani për qëndrimin që vendi ynë ka mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duke vlerësuar Shqipërinë si një vend miqësor ndaj hebrenjve dhe Izraelit.
Duke vënë në dukje se mes kombit shqiptar dhe atij hebre ekzistojnë një miqësi dhe partneritet i veçantë historik dhe vlera e parime të përbashkëta, të cilat u forcuan edhe më shumë gjatë periudhës së errët të Holokaustit, Presidenti Nishani theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë si me Shtetin e Izraelit, ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të thellohen e të zgjerohen edhe më tej, sidomos në fushën ekonomike.
Duke pasur parasysh burimet e shumta e të pasura natyrore, klimën dhe pozicionin gjeografik të favorshëm, legjislacionin lehtësues, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Presidenti Lauder ndanë bindjen e përbashkët se investimet e sipërmarrësve izraelitë dhe atyre hebreo-amerikanë duhet të jenë më të pranishme dhe në rritje me projekte konkrete në Shqipëri për vetë potencialet dhe mundësitë e mëdha që vendi ynë ajo ofron në fusha si turizmi, hoteleria, bujqësia, etj.
Drejtuesi Gary Saltzman dhe anëtarët e tjerë të Organizatës B’Nai B’rith, e cila shquhet për rolin e saj në mbrojtjen dhe avokacinë e hebrenjve dhe Izraelit, vlerësuan veçanërisht strehimin dhe shpëtimin mbresëlënës që Shqipëria u ofroi hebrenjve gjatë Holokaustit.
Duke ndarë të njëjtën pikëpamje me Presidentin Nishani, ata u shprehën se ky shembull pozitiv historik i shqiptarëve duhet të promovohet edhe më tej në botë, sepse duke pasur parasysh sfidat dhe rreziqet e terrorizmit, të ekstremizmit e të antisemitizmit në ditët e sotme, ai shpëtim i rrallë, së bashku me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, mbeten shumë aktuale dhe frymëzuese edhe në ditët e sotme.
Presidenti Nishani, duke nënvizuar se historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka hasur një jehonë të gjerë edhe përtej kufijve të kontinentit evropian e më gjerë, i çmoi këto takime si shprehje e miqësisë së konsoliduar dhe partneritetit mes dy kombeve, u shpreh se duhet: “Të ruajmë kulturën, identitetin, civilizimin dhe vlerat e përbashkëta që po kërcënohen seriozisht nga terrorizmi, ekstremizmi i verbër dhe urrejtja”.
“Kjo përvojë pozitive si dhe miqësia e konsoliduar historike i ka forcuar më shumë marrëdhëniet e gjithanshme mes popujve tanë, por edhe mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit, si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.
Ndërsa në takimin me Dr. Gregory Lafitte, drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore Kryetari i Shtetit shqiptar vërejti se gjesti fisnik i shqiptarve në shpëtim dhe strehim të hebrenjve si dhe modeli unik i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vendin tonë, mund të shërbejnë jo vetëm si shembuj për të rritur imazhin e Shqipërisë, por edhe si mjete efektive për diplomacinë kulturore në përpjekjet e saj të luftës kundër mungesës së tolerancës dhe ekstremizmit, si dhe për shkëmbimin e kulturave dhe trashëgimisë së vyer për brezat e ardhshëm.
Presidenti Nishani ndau me bashkëbiseduesit gjatë këtyre takimeve pikëpamjen e përbashkët se mbështetja aktive e Kongresit Botëror Hebraik dhe organizatave të tjera të ngjashme hebreje në Izrael, Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, padyshim që do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.
Presidenti Nishani depozitoi pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara instrumentin e ratifikimit të Marrëveshjes së Parisit për Klimën/
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, mori pjesë në ceremoninë e Nivelit të Lartë për Hyrjen në Fuqi të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, si dhe i dorëzoi Sekretarit të Përgjithshëm, krahas shumë krerëve të tjerë të shteteve, instrumentin e ratifikimit të kësaj marrëveshje nga Shqipëria, e cila ka si objektiv luftën kundër ndryshimeve klimatike, si dhe rakordimin e veprimeve dhe investimeve drejt një të ardhme me karbon të ulët, të qëndrueshme dhe përmirësim të aftësive ripërtëritëse.
Marrëveshja u nënshkrua nga pala shqiptare, më 22.4.2016, në Nju Jork dhe u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, më 14.07.2016.