Analizë nga Rafael Floqi –
A janë gati Kosova dhe Serbia të përgatitura që në këtë kohë të bëjnë kompromise për arritjen e një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë?
Jo, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Thomas Countryman. Ai shton se nuk mund të pritet shumë nga ky dialog dhe më e pakta që mund të arrihet është një nxitje që të dy liderët të angazhohen më shumë në dialogun e Brukselit. Ish-përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, tash drejtor i bordit të Asociacionit për Kontrollin e Armëve, Thomas Countryman, thotë se edhe nëse kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të bënte kompromise me Serbinë, ai e ka të vështirë të sigurojë miratimin e tyre në Kosovë, për shkak të rivaliteteve politike që aktualisht po ndodhin brenda Kosovës.
Realpolitika e qëndrimit amerikan
Por takimi i 2 shtatorit krahas se tjerash, po tregon kujdesin e amerikanëve ndaj Kosovës dhe se administrata Trump e di se nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm pa normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Z. R. Grenell, para së gjithash, shprehu edhe njëherë kujdesin e miqve amerikanë ndaj Kosovës si dhe raporteve të Kosovës me Serbinë, ngase administrata amerikane e ka të qartë, se në Ballkanin perëndimor, por edhe më gjerë Evropa, nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm pa normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Por a është kjo gjë se kështu na pëlqen ne të besojmë, apo mendojnë kështu vërtet amerikanët? ,Se krahas atyre pozitive për kombet e vegjël e të shtypur, realpolitika e qëndrimit amerikan ka edhe një shembull “negativ” në qëndrimin i amerikanëve ndaj kurdëve pas largimit nga Siria. Real politika na mëson se edhe politika e jashtme dhe ndihma e superfuqive sado demokratike është çështje interesash.
Një gjë është e qartë presioni amerikan ndaj Serbisë është rritur. Vuçiçi tha pas pranimit te ftesës për mediat serbe, se Serbia nuk është në pozicionin që ta refuzojë këtë takim dhe të tjerët. Ai ka konfirmuar, njëjtë sikurse kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, se temë e bisedimeve do të jenë çështjet ekonomike. “Në negociata do të marrim pjesë, tema do të jetë ekonomia, kjo është e rëndësishme për ne dhe është temë e mirë”, i tha Vuçiçi, “B92.net”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka konfirmuar takimin e 2 shtatorit me Serbinë në Uashington, edhe ai ka konfirmuar se temë e diskutimit do të jetë ekonomia. “SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës tha ai. Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka”, ka shkruar ai në Facebook.
Megjithëse është deklaruar hapur se bisedimet në SHBA janë ekonomike dhe ato nuk rivalizojnë bisedimet politike të BE-së. Përsëri në Kosovë ka një farë dyshimi mbi rezultatin e këtyre bisedimeve edhe kur Thaçi është jashtë konferencës. Hija e ndryshimit të territoreve përsëri shkakton shqetësim. Nga ana tjetër dhe entuziazmit i Hotit duhet marrë me rezerva. Në përcaktimin e dobësive ekonomike të një shteti të vogël, elementët kryesorë përfshijnë hapjen ekonomike dhe lidhjen midis vogëlsisë dhe largësisë, dhe niveleve të ulëta të zhvillimit. Në diplomacinë ekonomike, është e rëndësishme të merret në konsideratë qëndrueshmëria që kanë shtetet e vogla ndaj cenueshmerisë ekonomike dhe mënyrën se si këto cenueshmëri ndikojnë në diplomacinë e tyre ekonomike. Ka një pyetje këtu sa dëmtohet Kosova nga përmbytja me mallra serbe?
Kauboj i Kurtit dhe hijet e shkëmbimit të territoreve
Duhet te jemi optimist në procesin e Brukselit në kuptimin afatgjatë, sidomos nëse Shtetet e Bashkuara bëjnë më shumë për të bashkëpunuar dhe për t’u koordinuar me Bashkimin Evropian. Pra, jam optimist në kuptimin afatgjatë të procesit. Jam shumë i sigurt, se z. R. Grenell dëshiron me çdo kusht, që midis Prishtinës dhe Beogradit të arrihet ndonjë marrëveshje, të cilën ai do mund ta paraqes gjatë fushatës zgjedhore si sukses të administratës së presidentit D. Trump, dhe kjo vetëm sa do t’i forconte edhe më shumë marrëdhëniet miqësore me miqtë tanë amerikanë.
Por, çfarë mund të presë Kosova nga një takim i tillë dhe sa ka shanse që së shpejti të kemi një marrëveshje në mes të dyja vendeve? Por kreu i Vetëvendosjes reagoi sërish pas atij të një dite më parë ku hodhi akuza të ashpra ndaj emisarit special të SHBA-ve për dialogun, Richard Grenell. Kur këtë të fundit, Kurti e quante “kauboj” që nuk i interesojnë vuajtjet e Kosovës.
Këto deklarata të Kurtit janë naive dhe të kuptueshme po të kihet parasysh realpolitika. ” se pse ai mendon se takimi i 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë është i gabuar. Sipas tij, e para është se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është eliminuar nga tavolina e dialogut. “Fillimisht, mungon besueshmëria dhe transparenca. Ideja e ‘shkëmbimit territorial’ është mohuar vazhdimisht, por është dëshmuar se ekziston nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, ambasadori John Bolton, i cili ka thënë se ideja ka ardhur nga dy presidentët (Thaçi & Vuçiç). Kjo ka dëmtuar besimin në këtë proces”, ka shkruar ai.
Pse ky takim pikërisht tani ?
Por për mendimin tim eliminimi i Thaçit nga bisedimet , pa ndonjë reagim të madh nga administrata amerikane, pas thirrjes së Gjykatës Speciale , dhe vetë “rrëzimi i Haradinajt dhe Qeverisë Kurti, nuk janë bërë pa një gisht të amerikanëve, krahas interesave të klasës politike kosovare.
Koncepti i realizmit politik në marrëdhëniet ndërkombëtare i referohet një kornize teorike që synon të ofrojë shpjegime për ngjarjet në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Teoria e realizmit politik rrjedh nga supozimi se shtetet – si aktorë në arenën ndërkombëtare – ndjekin interesat e tyre duke praktikuar Realpolitikën. Në të kundërt, Realpolitika mund të përshkruhet si ushtrimi i politikave që janë në përputhje me teoritë e pranuara të realizmit politik dhe jo ideologjisë në drejtim të ndjekjes së mbijetesës ose sigurisë kombëtare.
Arsyeja e dytë, sipas Kurtit janë çështjet e mbyllura që nuk kanë nevojë të rihapen. “Së dyti, mungojnë njohuritë rreth çështjes. Kosova është vend i pavarur dhe sovran, i cili as nuk është në konflikt që të ketë nevojë për marrëveshje për paqe, dhe as nuk ka status të pazgjidhur, që kërkon negociata. Këto janë pohime të pavërteta”, ka shkruar ai. E sipas tij, nuk po diskutohet për esencën e marrëveshjes por për nënshkrimin final të saj.“ Së treti, koha dhe dedikimi. Një marrëveshje për normalizim me Serbinë kërkon zgjidhjen e të gjitha çështjeve, rrjedhimisht një proces të gjatë. Me zgjedhjet presidenciale në nëntor, është e qartë se rëndësia nuk qëndron te përmbajtja e marrëveshjes, por te nënshkrimi në fund të saj”, ka shkruar tutje Kurti.“. Në argumentet qe paraqit Kurti mund të ketë shqetësime po të bëhej fjalë për një marrëveshje përfundimtare, por kjo qysh në premisa nuk është e tillë. Diplomacia në vetvete është arti i të mundshmes dhe në këta argumente ka dhe një farë dufi personal për arsye që dihen, megjithatë unë bashkohem me të se “Lidhja dhe besnikëria e Kosovës me Shtetet e Bashkuara mbetet e pathyeshme, por shtytja drejt marrëveshjeve të këqija për hir të një fushate politike është e gabuar”.
Vuçiçi: Ne nuk do t’i trajtojmë kosovarët si shtet i pavarur
Por këtu askush këtu nuk po flet për marrëdhënie përfundimtare, madje vetë kreu i shtetit serb ka thënë se Kosova merr pjesë në bisedime për shumë arsye, ndër të tjera, sipas tij, për të treguar edhe se është shtet i pavarur. “Duan të tregojnë se janë shtet i pavarur, kështu i trajton SHBA-ja, por edhe në Bruksel. Ne nuk do t’i trajtojmë kështu”, ka thënë Vuçiçi.
Përderisa Kosova insiston se asnjë marrëveshje nuk do të arrihet nëse nuk është pjesë e pakos që nënkupton njohje të ndërsjellë, Serbia insiston se do të flitet për gjithçka pos për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e BE-ja nuk sqaron se cili është qëllimi i dialogut, pse nuk mund të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje konkrete, por për blerje kohe në dialog. BE-ja nuk do të jetë e zhgënjyer nëse nuk do të ketë marrëveshje, sepse dështimin do t’ua faturojë palëve.
Dhe kjo deklaratë e Vuçiçit duket se bëhet më shumë për konsum të brendshëm, sa partitë opozitare serbe e kane thënë hapur, në një intervistë për media në Beograd, Vuk Drashkoviç lider i partisë SPO ka folur për situatën e përgjithshme duke thënë se ai “Personalisht mendon se statusi përfundimtar për Kosovën është zgjidhur para 14 viteve, bazuar në rezolutën 1244 dhe asokohe kemi marr një dokument të shkëlqyer si bazë të marrëveshjes së ardhshme mes Kosovës edhe Serbisë” ka thënë Drashkoviç. Ai potencoi se “jo marrëveshje mes Beogradit e Prishtinës sepse nuk po flasim prefektët e dy qyteteve dhe ky është një iluzion. Popullit i serviret mashtrimi se këto bisedime që udhëhiqen janë bisedime mes Serbisë dhe krahinës së saj. E assesi mes shtetit të Serbisë dhe shtetit të Kosovës, që shteti nuk e njeh, por i duhet të arrijë marrëveshje” tha ai.
A mund ta çojë takimi i 2 shtatorit përpara procesin paqësor?
Mundet. Ndërsa, se cila do jetë agjenda e këtij takimi, mendoj se askush nuk mund ta dijë paraprakisht se çfarë do bisedohet, përveç temave ekonomike të cilave vetë z. Grenell, që kur gjendet në këtë mision, iu ka dhënë përparësi ndaj çështjeve politike, sepse ai bashkë me presidentin D. Trump, janë të bindur se normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, së pari duhet të ndodhë në fushën e marrëdhënieve ekonomike.
Sipas ish funksionarit të Administratës Obama, Thomas Countryman : Gjëja e parë që është e rëndësishme të kuptohet është që i vetmi prioritet për Shtëpinë e Bardhë këto ditë është rizgjedhja e presidentit (të Shteteve të Bashkuara, Donald) Trump. Ajo çfarë Shtëpia e Bardhë po synon, është një mundësi për një fotografi, ku presidenti do të mund të pretendonte një sukses të politikës së jashtme, pasi ai ka pasur zero suksese në politikën e jashtme në tre vite e gjysmë. Këtu mund të kuptohet një njëanshmëri e tij, një bias i qartë mjafton vetëm vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe UAE, Emirateve të Bashkuara Arabe mjafton për ta hedhur poshtë këtë. Nga ana tjetër, çfarë bëri administrata Obama dhe nënpresidenti Biden gjatë 8 vjetëve të administratës Obama, vetëm sa kultivoi status quonë?
Ndërkohë Ambasada amerikane në Serbi, tha se takimi i paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë do ta shtynte përpara dialogun e Brukselit dhe do të sillte më shumë stabilitet në rajon. Ne fakt, Shtëpia e Bardhë do të nxisë të dy liderët të angazhohen në mënyrë më aktive dhe konkrete në dialogun e Brukselit. Kjo është më e pakta që një takim i tillë do të duhej të arrinte. Dhe sado pak progres të ketë do të jetë më pozitiv se staus quo-ja.
Diplomacia ekonomike apo status quo-ja?
Diplomacia Ekonomike synon të sigurojë të përballojë sfidat në kryqëzimin e politikës ekonomike dhe sigurinë kombëtare, deri tek sfidat në zhvillim, për ta përdorur fuqinë ekonomike për të ndjekur interesat e sigurisë kombëtare. Ndërsa fuqia ekonomike zhvendoset nga SH.B.A. ajo vendos instrumente ekonomike për të promovuar interesat gjeopolitike dhe kjo është ajo që synohet me këto bisedime.
Megjithatë ka mundësi të mos presim diçka më shumë se kjo nga ky takim. Sipas këndvështrimit tim, thotë ai asnjëra nga qeveritë nuk është vërtetë e përgatitur, në këtë kohë, që të marrë vendime të vështira në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje. Kryeministri Hoti nuk gëzon një bazë të pavarur politike. Në Kosovë aktualisht po zhvillohen manovra të mëdha politike.
“Nuk mendoj shton Countryman, se nëse ai arrin kompromise, thelbësore me Serbinë, do të mund të siguronte miratimin e tyre në Kosovë Por, unë mendoj se ai (Vuçiçi) shpreson se një marrëveshje me Kosovën do të mundësonte anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai është fokusuar gabimisht. Për mendimin tim nuk duhet të ketë perspektivë për Serbinë që të anëtarësohet në BE para se ajo të bëjë reformat të thella në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe respektimin e lirisë së mediave. Fatkeqësisht në të gjitha këto fusha Serbia ka lëvizur prapa”. Por mungesa e “karrotës” nga BE-ja do ta bënte këtë proces të gjatë dhe të vështirë. Çështjet janë teknike, por në të njëjtën kohë shumë politike. Në këtë moment, nuk shoh që ndonjëra prej qeverive do të ishte e gatshme të bënte kompromise në çështje të mëdha politike, përfshirë njohjen e dyanshme. Pasi “Diplomacia është arti i shitjes së një marrëveshje që nuk u dëshironi njerëzve që nuk u besoni për arsye që nuk do të pranoni.”
Kosova, Serbia dhe fushata e Trumpit
Natyrisht që Presidenti Trump është i interesuar nëse do të kishte marrëveshje kjo do t’i ndihmonte në fushatën zgjedhore. Ndërsa mendoj se Grenell është i interesuar për një sukses personal. Ka pasur sukses të kufizuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Por, është një pyetje e hapur nëse Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin këtë si një interes që nuk është për përfitim të drejtpërdrejtë të Donald Trump. Bashkimi Evropian po e ndërmjetëson një proces dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe ai gjithnjë ka dështuar. Në fakt nuk ekziston një rivalitet mes Uashingtonit dhe Brukselit që të mundësohet arritja e një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë me deduksion pa teori konspiracioni, koha kur Thaçi u akuzua nga Gjykata speciale, kur ndoshta kishte me marrëveshje në parim, tregon qe dikush nga administrata amerikane, BE apo kundërshtarët e Trumpit nga Departamenti i Shtetit, nuk donin një farë suksesi të Grenellit dhe natyrisht të Trumpit. Nga ana e tij Countryman, mendon se nuk ka të bëjë me rivalitet, por qartazi me një mungesë bashkëpunimi midis BE-së dhe SHBA-së. Bashkimi Evropian udhëheq një proces më sistematik sesa ai i SHBA-së. BE-ja është e fokusuar në zgjidhjen e një spektri më të gjerë të çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë, në vend të një deklarimi politik të udhëheqjes së dy qeverive. Qasja e SHBA-së është e ndryshme.
Unë nuk mendoj se do të ketë çfarëdo suksesi, derisa SHBA-ja dhe BE-ja të bëhen bashkë në të njëjtën frekuencë. Në kohën aktuale kjo duket joreale. Jo çdo gjë që hamendësohet, megjithatë mund te mos pritet asgjë prej këtij takimi të fundit, e as prej dialogut në përgjithësi, duke e konsideruar si një dredhi serbe për t’i marrë kohë Kosovës, sidoqoftë, tani që shkëmbimi i territoreve me Serbinë ka vdekur.
Por rezultati do të varet nga fakti se sa amerikanet do të luajnë me kartën e detyrim përcaktimit me palët dhe kryesisht me Serbinë. Ju jeni tani në Amerikë,” shkruante Jim Butcher, në librin e tij Turn Coat (Xhaketa e kthyer). “Ideja jonë e diplomacisë është një figure me një kobure në njërën dorë dhe një sanduiç në dorën tjetër, që të pyet se cilën do të preferonit.”
Që diplomacia të jetë efektive, fjalët duhet të jenë të besueshme – dhe askush tani nuk mund t’ia bëj dysh fjalën e Amerikës.