Nga Ilir Levonja-Florida/
Se kush duronte më pa qarë, kur Edi Rama të rrihte gjoksin.Të siguroj që në Shqipëri do ishte shtuar një dëshmor potent. Edhe pse jo i tillë. Shqipëria do kishte vrapuar të bënte një përmendore të madhe. Aq më tepër që tani po riplanifikon sheshin Skënderbej.
Zot të falem. Kjo e puna e terrorit me armiq njerëzit e thjesht. Me ata valixhexhinjtë. Punëtorët muhaxhirë. Nxitonjësit për të kapur trenin. Ka brenda edhe dosjexhinj. Ata që merren me tratativat e shteteve. Janë të gjithë humbamen. Ca haxhiqamilë, ca esatpashë… e megjithatë shpallen heronj.
Të thjeshtit dashnorë, të njeriut për njeriun, edhe pse nxitojnë e ofrojnë dashuri. Nuk e kanë kurrë shancin të bëhen dëshmorë.
Ata janë armiqtë e terrorit. Ata që nuk janë.
Ata iktarët e blloqeve të lindjes. Asaj të mesme dhe largët. Ata iktarët e Afrikës së madhe. Ata vendallinj të rinj që akademikët e mykur në vendet e origjinës… Nuk i konsiderojnë kombe, përshembull edhe Belgjikën. Apo edhe Amerikën e madhe. Për shkak pikërisht të këtyre ardhacakëve.
Megjithatë vendi ku kufiri është një nocion edhe nën një tavolinë trotuari. Një vijë që shkelet. Ku mund të pish kafe me kufirin mes shalëve. Eshtë atdheu i tyre. Atdheu që kurrë nuk e ndërtuan këta të mënçurit. Haxhiqamilët e vendeve të origjinës. Me planifikimet, interpretimet dhe sponorizimet që i bëjnë barutit të terrorit.
Dhe kur vinë aty, vinë për tu imponuar. Pikërisht me dështimet e tyre.
Kërkojnë suport sa për tu dukur. Se fakt asgjë nuk është e vështirë. Por bëhet e tillë.
Nga ana tjetër bëjnë selfie për memecllakët dhe dordolecët në vendin e tyre. Ata që i gëzon pamja buçko e njëshit. Teksa u shet pordhë zyrave të përkrahjes sociale të Brukselit. I ofron dhe mburret me dështimin e vet shekullor. Tamam aty, kur dikur… Një gjeni teksa ecte rrugëve. I zbritur nga Andet. Nga lartësitë e kondorit. I tha gjyshit të vet në vargje. Tani po e shoh se përse duart e tua janë plot pluhur dhe lavdi. Dhe a e di, vendi i tij kishte në histori një galeri luftrash civile. Suksesi më i turpshëm i njeriut.
Megjithatë të lumturit ardhacakë, nga të katër qoshet. Vërshojnë mes mjegullës. Jetojnë aty edhe me një përkrahje. Të paktën ajo nuk është një filxhan kafeje për të tallur menderen. Siç bëjnë modelistët në vendet e origjinës.
Zot të falem se kush i duronte pastaj. Propogandën. Kushedi se sa rrugëve do u ndërroheshin emrat. Kushedi se sa ndërrmarrjeve. Kushedi se sa shkollave në rajonin e Librazhdit. Kushedi se sa netë Kuvendi i shqiptarëve do debatonte.
Kushedi se sa statute lamtumire do shikonim në fb.
Sa dedikime !
Zot të falem që na e kurseve Taulantin.