“Hudënishti në rrjedha të historisë” me autor Muharrem Xhydollari (Hudënishti)në rrjedha të historisë”/
Nga Dhimitër GEGPRIFTI/
Botime të letërsisë dokumentare, ku autorë të ndryshëm tentojnëtë shkruajnë historikun e fshatrave të tyre pjesërisht apo dhe të plotë. Pavarësisht nga nivelet, ato kanë vlerat e tyre, se tentohet të dokumentohet një copëz nga ajo histori e madhe e këtij populli arbëror. Autori M. Xhydollari (Hudënishti) me librin “Hudënishti në rrjedha të Historisë”, Tiranë, 2015 është autori më i ri, që sjell para lexuesit pogradecar, por edhe më gjerë një botim më të arrirë, me një nivel më të lartë, me një strukturë ndryshe nga të tjerët, me një prurje të konsiderueshme të
një materiali jetësor, të punuar e kompozuar me kujdes nga ana grafike. Është interesant të nënvizojmë se leitmotivi për të shkruar këtë libër është i hershëm për autorin.
Ai ka qenë gjithmonë i pranishëm në jetën e përditëshme të autorit deri sa arriti momentin final, botimin e këtij libri kushtuar Historisë dhe jetës së banorëve të këtij fshati nga lashtësia dhe deri në ditët tona.
Xhydollari motivhet nga ide të mëdha, të cilat e kanë çuar të grumbullojë e të përpunojë një material të bollshëm për historikun dhe njerëzit e fshatit të tij, të cilët i përshkruan me kujdes dhe i vendos në situata historike të caktuara.
Ndër të tjera ai motivohet nga kultura e popujve europianë në këtë fushë, kur shkruan: “… popujt e vendeve të qytetëruara e kanë bërë shumë kohë përpara”.
Por jo vetëm kaq, ai motivohet edhe nga vlerësimet për historinë si shkencë dhe roli i saj në jetën e një populli.
Nuk duhet të harrojmë se Hudënishti, vendlindja e autorit, është pjesë e gjerdanit të fshatrave buzëliqenorë të Ohrit, duke filluar nga gadishulli piktoresk i Linit e duke mbaruar me gjirin dhe fshatin e bukur të Tushemishtit Jo pa qëllim autori e fillon historikun me Liqenin e Ohrit. Sa e lashtë është historia e këtij Liqeni, po aq e lashtë është dhe historia e këtyre banorëve nga prehistoria deri në historinë bashkëkohore. Materialin faktik jetësor autori e ka shtrirë në mënyrë lineare, duke e vendosur sipas periudhave historike.
Kjo i ka dhënë dorë që të tregojë rrjedhshëm pa komplekse kompozicionale strukturore dhe ideore historinë e këtij fshati deri në detaje: deri në llojet e insekteve, që fluturojnë e jetojnë në këto hapësira.
Një veçanti e këtij botimi është fakti se autori ka përfshirë gjithë jetën me të mirat dhe të këqiat e saj në këtë fshat, sipas politikave
dhe ngjarjeve të mëdha historike, që kalonte vendi. Kështu historia e këtij fshati është historia e këtij vendi dhe kombi, është një copëz e vogël e historisë së madhe kombëtare.
Kjo është arsyeja që autori jo në pak raste përdor refrenin (ashtu si në të gjithë Shqipërinë). Autori nënvizon kontributin e banorëve (Hudënishtarëve), që nuk është i pakët, por deri më sot nuk është ditur dhe nuk është vlerësuar. Ai ishte i shpërndarë në memorien e njerëzve të ndryshëm, të cilin Xhydollari e ka mbledhur me kujdes si nektar për të prodhuar historinë me kujtesën e tij historike. Pasojat në fshatin Hudënisht nga pushtimi fashist nuk janë të vogla, por jo më pak solli sistemi komunist në fushën e marrëdhënieve sociale, ekonomike, me të “famshmen” luftën e klasave, me spiunimet, burgosjet, internimet, dasitë midis njerëzve, që kishin përballuar me sukses gjithë ato dallgë të historisë.
Patriotë hudënishtarë bëhen nismëtarë të lëvizjeve politike të grupuara në kahun e kundërt të komunizmit sllav (Jugosllavo-Stalinist): Balli
Kombëtar dhe Legaliteti, deri në organizimin e Kongresit të Dunicës në Mokër Sipër, që evidentohet për herë të parë. Kjo tregon se sa i madh ishte aktiviteti patriotik i bijve të tij,me në krye Muharrem Hudënishtin, Nuri Hudënishtin dhe një plejadë e tërë pas tyre. Lidhjet farefisnore me figurae patriotë me vlera kombëtare në histori: Selman Blloshmi, Aqif Pashë Elbasani, Ismail Dërdusha e Seit Zagorçani, Kajo Babjeni, Themistokli Gërmenji e Hysen Dishnica. Roli i grave në këto lëvizje të mëdha shoqërore: Selime Xhydo (Dërdusha) një nga mbesat e Kajo Babjenit, Drita Xhydo (Baruti), bashkëshortja e Nuri Hudënishtit “ e para nuse në Hudënisht, që kishte kryer studimet e larta në Fakultetin e Arteve Figurative në Universitetin e Stambollit” një tjetër tregues i këtyre vlerave. Këta patriotë ishin të lidhur dhe bashkëpunonin me patriotët e Gorës e të Mokrës, duke e bërë Hudënishtin epiqendër të lëvizjeve të kohës.
Autori M. Xhydollari i ka vënë vetes synim të pasqyrojë deri në imtësi historikun dhe jetën me imtësi florë dhe faunë, iktiofaunën e Liqenit të Ohrit, arsimin, kulturën, traditat e mira dhe zakonet e këtyre njerëzve, toponimet, zhvillimet sociale, kryepleqtë, funksionarët shtetëror e partiak në periudha të ndryshme. Autori, jo vetëm tregon ngjarjet, politikat e kohës në të gjitha aspektet, por edhe nënvizon pasojat e tyre, pasojat e sistemit, duke i stigmatizuar ato.
Xhydollari, megjithëse prej vitesh banon me familje në SHBA, nuk e harroi detyrën, që i kishte vënë vetes t’i lërë ” me shkrim, të dokumentuar: përbërjen e Hudënishtit me pozitën gjeografike, atë historike, kulturore e sociale, resurset e këtij teritori e kryesisht gjenetikën e fiseve të këtyre banorëve”. Fotot piktoreske nga natyra e këtij fshati janë një vlerë e shtuare këtij botimi. Kjo vetëm nga dashuria për vendlindjen, për vendin e të parëve, për t’u lënë brezave të ardhshëm, jo thjesht një historik, por një momument të shkruar për fshatin, si gur themeli për të kërkuar e shkuar më tutje.