TIRANË, 25 Dhjetor/ Me rastin e Krishtlindjeve Institucioni i Presidentit të Republikës ka hapur sot dyert për publikun për të parë nga afër kopjen e Mesharit të Gjon Buzukut, libri i parë në gjuhën shqipe i botuar në vitin 1555. Kjo vepër e rrallë, me vlera historike dhe kulturore, u bë dhuratë nga Ati Shenjtë, Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë më 21 shtator 2014.
Interesimi i vizitorëve që duan të shikojnë nga afër këtë libër ka qenë i madh. Këshilltari për Trashëgiminë Kulturore i Presidentit, Ols Lafe thotë se vetëm 30 minuta, pasi janë hapur dyert e institucionit, numërohen mbi 500 vizitorë që janë ndalur për të parë kopjen e rrallë.
Vepra e Mesharit, tha ai, qëndron e hapur në një faqe të veçantë të tij që lidhet me ritualin e Krishtlindjeve. Meshari është një vepër liturgjike që përmban në vetvete informimin mbi besimin fetar, mbi festat e ndryshme apo mbi shenjtorët. Dy boshtet kryesore të saj janë Krishtlindjet dhe Pashkët, thotë Lafe.
Pas vizitës së Papës më 21 shtator u mendua që kremtimi i Krishtlindjeve, do të ishte momenti më i përshtatshëm që publiku të njihej me këtë vepër të rrallë.