• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA:Fishta- Nga testamenti te vlerësimet për korifeun e letrave shqipe

January 1, 2019 by dgreca

Demalia kujton përvjetorin e vdekjes së Fishtës: Nga testamenti që la te vlerësimet për korifeun e letrave shqipe-/

1 demalia-fishta

  • LIR DEMALIA/Më 30 dhjetor të vitit 1940, në moshën 69 vjeçare, pas një plomonie që kishte marrë gjatë një vizite në Troshan, në fillim dhjetor 1940, atje ku kishte filluar jetën shërbestare dhe letrare, kthehet në Shkodër, i sëmurë rëndë, dhe pushon për të shkuar në amshim, Ai, i cili, sundoj për gati gjysëm shekulli letrat shqipe, politikën, diplomacinë,..

1 fishta1

  • Ai që na dha alfabetin latin në Kongresin e Manastirit si kryetar i Komisisë letrarë të Alfabetit, i cili, me dijen, autoritetin, dashurinë për vendin dhe kombin, detyroi kongresin që mos futeshin harfet turke dhe ciriliket, por, alfabeti i Shoqerise Bashkimi krijuar nga kleri franceskan, Abati Mirditës Prenk Doçi dhe nga Ndoc Nikaj e Pashk Bardhi dhe at Fishta. Vigani-veriut, me alfabetin latin  e niste Shqipërinë nga Europa Perendimore nën pushtimin Otoman 500 vjeçar.

1 fishat2

Para se me mbyllë sytë Vigani Veriut At Gjergj Fishta, i rrethuar nga françeskanët e populli i Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, të përlotur për dhimbjen që po I shkaktonte njeriu që kishte punue për pese dekada për popull e komb e vend të vetin, At Fishta lëshoj këtë testament:

2 fishta3

  • “Nuk po më vjen keq se po des, mbasi të gjithë atje do të shkojmë, por deka po më vjen e randë, se tan jetën e kam shkri për me pa një Shqipni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive të huaja.
  • Po des. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje.
    Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë. “
  • Në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe atë botërore  nuk mund të gjëndet një figure kaq e larte, kaq poliedrike.
  • Meshtar, politikan, poet, publicist, linguist, arkitekt, piktor, diplomat, filozof të gjitha këto në një shkallë të epërme
  • Këtë Vigan të tokës shqiptare e gjen kudo.
  • Si maratonomak I pavarsisë.
  • Si njeriu I alfabetit shqip.
  • Si mbrojtës i çështjes shqiptare në Kancelarite Europiane dhe deri në Washington me argumentat dhe charmin e tij troditi kancelaritë.
  • Si mësues që hapi shkollat shqipe dhe pregatiti nje program brilant për sistemin shkollor, në nje kohë që 90% e shqiptarëve nuk dinin shkrim e këndim. Me që jemi në aktualitetin e krizës universitare, ja çfarë shkruan Vigani Veriut ne programin e tij:
  • “Po këtu,  gjithkund e prej gjithkuj po bahet politikë… E mbas këso qëllimesh politike e fetare kjo ministri ep bursat shkollore, emnon mësuesit e drejtorët e shkollave, dan materialin shkolluer
  • Unë,ma tepër Ministrinë e arsimit e padis se shkollat nuk i çilë mbas nji kriteri të arsyeshëm, të caktuem e të parashkoqitun mbas interesave të përbashkëta t’Atdheut, por mbas hamendjes së Ministrit apo të këshilltarëve të tij, thue se në këtë veprim ishin tuj përdorue gjanë e pasuninë e vet e jo të komit”
  • Të flasësh për at Fishtën poetin që ka 64 mij vargje e dyti botë mbas Nekrasovit të Rusisë, dhe për njeriun që ka pasuri leksikore të pakrhasueshme, 14 mij fjalë në veprën tij, i dyti mbas Shekspirit, i cili ka 17 mij fjalë, do të duhen  fashikuj pafund gazetash e librash.
  • Le ta kojtojmë sot këtë njeri që i  dha aq shumë kombit dhe ende nuk e ka një monument!!! Eshtë njësoj sikur Italia mos të ketë monument për Dante Aligerin, Gjermania për Gëten, Anglia për Shekspirin, Franca për Balzakun, Rusia për Nekrasovin apo Pushkinin, e…
  • Shtëpia ku jetoj vigani rrënohet, varrin ja shkatërruan komunistët të cilët e ndaluan çdo gërmë të veprës së tij, sa nu e përmendnin as si kryetar I Komisisë Letrare të Kongresit Manastirit.
  • O Zot, -shkruante Vigani,- pse gjuen me rrufe lisa e male kot?!
  • Tradhëtarët na lane pa atdhe.
  • Le ta kujtojmë sot me çfarë kanë thënë për Padren e madh, nga elita e mendimit europian dhe shqiptar për të thyer heshtjen e qeverive qe bëhet për këtë vigan, të cilin e nderoj Europa me titujt ma të naltë dhe në 1936 ishte kandidat për çmimin Nobel, megjithese nuk i përmndet.
  • Kurorë Argjëndi, nga Klubi “Gjuha shqipe” i Shkodrës (1911).
  • Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke (1912).
  • Dekorata Ritterkreuz, nga Mbretëria e Austrisë (1912).
  • Penë floriri, nga qyteti i Beratit (1913).
  • Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI (1925).
  • Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit françeskan (1929).
  • Dekorata Phoenix, nga Greqia (1931).
  • Anëtar i shtatë akademive europiane, të Francës, Austrisë, Malit Zi, Greqisë, Italisë, Turqisë, Kroacisë.
  • Ja çfarë thonë për At Fishtën të cilin elita francize e ka quajtur “Tirteu Shqipërisë”
  • “Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del at Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji furi të çuditshme ther e pren aty ku djeg.”
  • Albanologu Fulvio Cordignano
  • “Fishta është ndër të parët e ndër më të mëdhenj atdhetarë, të cilët në kohë më të vështira bënë çmos për t’a mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke, kundër lakmisë dhelpërake serbe dhe kundër propagandës greke. Kudo që shtrohej çështja e Shqipërisë, At Fishta gjëndej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e tij të gjallë, zgjonte nga gjumi më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë.”
  • Geatano Petrotta
  • “Fishta, shikuar n’atë qënien e vet, pa dyshim është krejtësisht romantik. Rëndësija e tij mbi kombësin, zgjedhja e lëndës, fuqija, gjallnija e nderimi i shprehjevet të tija, sidomos trajta e përmbajtjes së veprës së tij kryesore Lahuta e Malcís – me mbishkrimin tërhjekës të dokeve e të zakoneve kombëtare e bëjnë dëshmí mjaft t’qartë … Fishta, ky gjenueni i rrënjosun në tokën amtare të popullit shqiptar, qi për shkak të njohjes së thellë të tij mbi literaturën e popujve klasikë e mbi jetën shpirtnore të kombeve të tashme të Evropës, u kap në majë ma të naltat të kulturës.”
  • Dr. Norbert Jokl
  • “… Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës, jo vetëm që ka rândësi në pikëpamje artistike, por ajo, porsi vêna e mirë që sa mâ shumë vjet kalojnë aq mâ vlerë merr, tue qenë se ajo âsht pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave e përpjekjeve, e luftës dhe e vdekjes së shqiptarëve: me nji fjalë, Lahuta âsht shprehja mâ e kjarta e dokeve të fshatarëve, banorë të Maleve të Veriut. E prejse doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm kanë për t’ia dijtë për nder në dhetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i cili në Lahutë të Malsisë na la nji ritrat (portret) të shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarëve njikohsorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit të XX-të, me atë ndryshim të vogël që shqiptari pësoi ç’prej kohëve të largëta të iliro – thrakëve.”
  • Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes
  • I rrënjosur krejtësisht në popullin e vet, Fishta ka dashur të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e nëmëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gjë e ka shkrirë me mjeshtri në poezitë e veta”.
  • …”Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna.
  • Maxmilian Lambertz
  • Aq sa mund të kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Dante Aligerin, Anglia pa Shekspirin, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Franca pa Balzakun, aq mund te kuptohet dhe Shqipëria pa At Gjergj Fishtën.
  • Gustav Mayer
  • “Patër Fishta njihët si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli… Si këte kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora.”
  • Erwin Stranik
  • “Patër Fishta…me veprat e tij në poezi e në prozë arriti të kurorëzohej me dafinë si më i madhi poet kombëtar, ai është tharmi i poezisë popullore shqiptare dhe më i kulluari shkrimtar i Arbërisë.”
  • Anton Baldacci
  • “Fishta mori prej popullit gjithçka që gjet të hijshëm, të madhnueshëm e të fuqishëm, e porsi një piktor i Zoti, e shndrroi në shpirtin e vet, tue e riprodhue në një mënyre e cila asht vetëm e tija, prandej, origjinale.”
  • At Anton Harapi
  • “Atë Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në
    të gjitha ka qenë i suksesshëm. Mirëpo, jashtë Shqipërisë ai është i njohur vetëm si autor i Lahutës së malcis”, një epope pastorale e kalorsiake, përkthimi gjerman i së cilës botuar në Laipsig është i dobët, meqë nuk ka qenë e mundur të përkthehet muzika e ritmit Fishtës dhe coloriti tij.
  • Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës.”
  • Faik Konica
  • “Tue lexue Lahutën e tij, përplot me teprica kangësh rapsodike të pa emën, të duket se je tu e vështrue popullin shqiptar kah i këndon vedvetit, me fjalët e Fishtës, ma t’kulluetën kangë, e cila shpërthen nga një gjak misterioz që rrjedh në zemrën e tij Ilire”.
  • Ernest Koliqi
  • “Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar,ky është si të thesha monopolitetioliteti” gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit…
  • Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e Zotit, ideja e Atdheut!
  • Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit- anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: … fundi i fundit, dhè Kombi ka të drejta mi mua
  • Lasgush Poradeci
  • Ne vitin 1935 At Fishta pat përfunduar “Lahutën e Malcis”. Ati i dërgon Lahutën Eqerem Cabejt i cili ishte në Viene sëbashku me një kartolinë urimi për Vitin e e Ri. Pas dy tre muajsh Cabej i kthen përgjigje At Fishtës, ku ndërmjet të tjerave i shkruan:
  • “Padre, të falenderoj për urimet e Vitit te Ri, por të falenderohem njëmijë herë për veprën që më dërgove Lahuta Malcis, të cilën, pasi e lexova dhe rilexova mbi 100 herë, jam dashurue aq shumë e këtë vepër sa po më detyron të bëhem katolik.”
  • Në vitin 1936, gjuhëtari i shquar dhe studiuesi i letërsisë, albanologu më i madh, Eqerem Çabej në studimin “Për gjenezën e literaturës shqipe”, kur flet për Fishtën dhe veprën e tij, ndër të tjera shprehet: Një provë që nuk e kishte bërë me sukses letërsia shqipe më parë, bëhet me sukses të jashtëzakonshëm nga ky autor. Me Lahutën e Malcisë, Gjergj Fishta na tregohet poet me fuqi epike të lindur, rrëfimi i tij është plot gjallëri dhe rrjedhje. Vepra e këtij autori është e mbështetur në këngët e veriut mbi trimëritë të cilat në veprën e re thuren duke u përsosur e fisnikëruar.
  • Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar në njësinë e madhe të kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe mbërrin ke Abdyl Frashëri me Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjëroj botën në një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën në një brendi kombtare. Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar
    … duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një eposballkanik. Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si nëdukje të zanave që u përngjajnë Dianës e Atenës
    Gjergj Fishta është bërë sidomos me Lahutën e Malcisë përfaqësuesi më i parë i literaturës së sotme shqiptare.
  • Eqerem Çabej
  • ” Lahuta e Fishtës çfaq ndjesitë më të thella dhe karakteristikat me të kristalizuara që i ruajti raca shqiptare përmes shekujve plot shtrëngata…Shqipëria e tërë përfshihet e dehur nën vargjet e kësaj Lahute, e cila bëhet pronë kombtare, mish e gjak, ndjenjë e mish i përbashkët”.
  • Sterio Spase
  • “Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahnitun mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj“
  • Aleksandër Xhuvani (Fjala e tij ne varrimin e Fishtës)
  • “ Fishta është elefant i mbuluar nga pluhri gjatë regjimit komunist”
  • Petro Marko
  • “Lahuta Malsisë” një vepër për analfabetët, për çobanët, për ambientet pastorale, për antishqiptarët, proitalian, për zyrtarët, që nuk u pononte truri për me gjetë thelbin e saj monstruoz. Siç ndodhte shpesh me krijimet që kanë vulën e nacionalizmit, vepra e Fishtës, e sidomos “Lahuta Malsisë”, fitoi një popullaritet të veçantë, qoftë me rrethet zyrtare, sidomos ato proitaliane e më pas kuislinge, qoftë me shtresa të prapambetura e disa herë analfabetë të popullsisë, të cilat nuk ishin në gjëndje të kapnin thelbin e saj, por e shihnin ate pjesërisht si një zinxhir episodesh.
  • Veprës së Fishtës, sidomos “Lahutës së Malsisë” i u ngrit një kult e iu u bë një reklamë e tillë , saqë rrezikonte ta kthente në një gur varri sa ti merrte frymën gjithë letërsisë shqipe.”-Ismail Kadare.
  • Kortezi-Panorama

Filed Under: Opinion Tagged With: Fiskat, Ilir Demalia, TESTAMENTI, Vleresimet

TESTAMENTI I MUSTAFA KRUJЁS

December 29, 2018 by dgreca

60  vjet  mё  parё  ndёrroi  jetё  MUSTAFA MERLIKA  – KRUJA/

1 Mustafa Kruja

(Krujё 1887 – Niagara Falls 1958)

   nga Karl Gurakuqi/ Shejezat/

            Me 20 shtatuer 1958 Mustafa Merlika Kruja, mbas radhitjes së titujvet të dorshkrimevet të veta të pabotueme, më shkruente, ndërmjet tjeravet, edhè këto fjalë… “kaq, e mbas këtyne mos të presë mà Shqipnija shkrime prej meje!… unë kam dekun tashmâ e asaj Zotynë i lashtë bijt e tjerë…” Parandiesí e idhtë! Mbas tre muejsh, me 27 dhetuer t’atij vjeti, i ndiemi i la lamtumirën për gjithmonë kësaj bote në Niagara Falls n’Amerikë.

Nuk duhej të vdiste, pse Shqipnija kishte ende nevojë për pendën e tij. E ndryshme dhe e dendun ka qênë veprimtarija e Mustafa Krujës, thuej në pikpamje politike, thuej edhé në fushën e letrave shqipe.

Historija e kohёs sё rè shqiptare, sidomos ajo e prej vjetit 1921, datё e nji kthese nё jetёn kombtare, pikёnisje e nji perjudhe qi do t’i hudhte themelet nji shteti kushtetues, nuk âsht shkrue endè, as nuk mund tё shkruhet ashtu nё kambё e nё dorё. Janё endè gjallё njerz, qi , mirё a keq, e kanё dhânё ndihmesёn e vet nё themelimin e kёsaj shoqnije shqiptare, dikush me pjesёmarrje tё drejtpёrdrejtёshme nё jetёn politike, dikush me armё e dikush me pendё.

Nё çdo ndёrmarrje, nё fillimin e punvet, ngjajnё gabime, po thuej se janё tё pashtёmangёshme. Shpesh herё rrethanat e kohёs e shtrёngojnё njerín tё marrё nji rrugё, qi ndoshta pёrfundon keq; rryma e ngjarjeve e merr rrёshqanthi dhe e shpjen aty ku ai nuk kishte pasё mend me dalё; janё disá rasa nё jetёn e njeriut qi e shtŷjnё me bâ ndonji hap tё gabuem; nga ndonji herё hŷn padashtas nё valle dhe âsht i shtrёnguem tё kёrcejё kundra vullnetit tё vet.

Të shumta e të ndryshme kanë qênë peripetít nëpër të cilat âsht përshkue kjo Shqipnija e jonë e mjerë; të mëdhaja kanë qênë rreziqet qi e kanë ndjekë.; lojna tё papёlqyeshme janё luejtё mbí kurriz tё saj; ferra nepёr kâmbё i kanё qitё anmiqt, qi dojshin me i a zânё frymёn nё ditёt e para tё jetёs. Shqiptarёt, tё parysun, pse tё dalun nga nji zgjedhё shumvjeçare, shum herё, padashtas, u bânё veglat e atyne qi kёrkojshin me zânё peshk n’új turbull. Mjerisht ká pasё edhè asish qi qёllimisht kanё bâ lojёn e anmikut, por kёta numurohen ndёr gishta. Pyll pá derr nuk ká, i thonё njaj fjale.

Por të gjitha këto i a lamë kohës t’i gjykojë, atëherë kúr të jenë mbledhë provat pro e contra, kúr të jenë shue pasjonet, kúr të jenë hapë fletët e dokumentavet, kúr do të mund të flitet me gjak të ftoftë, larg nga interesat vetanake e nga partizanít, me nji fjalë, kúr të shkruhet historija e vërtetë.

Mustafa Merlika Kruja ká qenë nji personalitet shqiptar i radhës së parë: ká marrë pjesë aktive në jetën kombtare qyshë prej krijimit të shtetit në Vlonë në Kongresin e vjetit 1912 si përfaqësues i qytetit të vet. Qeverija e Ismail Qemalit e emnoi si závendës-prefekt në qytetin e shpalljes së vetëqeverimit, por nuk vonoi shum e i u ngarkue sekretarija e kryesís së Këshillit të Ministravet. Nolens volens prá ká qênë i detyruem të ndiqte rrugën e jetës politike shqiptare deri në mbarimin e vjetit 1944. Sot për sot âsht punë e vështirë të jipet nji gjykim krej i pa-anshëm i veprimit të tij në këtë lâmë kaq të përshtjellueme. Tue i a lânë prandej historís të gjykojë veprën e tij si burr shteti, po shёnojmë vetëm ndihmesën qi i ká dhânë lavrimit të gjuhës shqipe.

Ndonëse i diplomuem në shkencat politike (në Instambul në vjetin 1910), mori rrugёn e mësuesís. Kishte nji shpírt arsimtari. Natyra e tij e pat shtŷ qyshë në riní me u marrë me arsimin e popullit, pse prej arsimit Shqipnija priste zhvillim e përparim sidomos n’atë kohë kúr duhej me i vû themelet shtetit të ri, të dalun nga errsina shekullore. Auktoritetet shtetnore, tue vrejtё prirjen e tij e tue i ardhё dishirit tё çfaqun prej si, e panё tё rrugёs me i ngarkue drejtorín e arsimit nё prefekturёn e Elbasanit. Kёtu u tregue nё naltёsín e misjonit tё rrokun, tue punue me ndёrgjegje e me at zellin e madh, qi e ka shque gjithmonё sá qe gjallё. Kúr nё vjetin 1914 diplomatija evropjane zgjodhi pёr mbret tё Shqipnís Princ Wilhelm Wiedi-in, u hodh nё Durrёs pёr tё dhânё ndihmёn e vet n’organizimin e arsimit si kёshilltar nё ministrín.

Edhè atëherë kúr rrethanat e shtynë të ndiqte rrugën e politikës vepruese, nuk e la mbas dore lavrimin e gjuhës. I fali kësaj studime të matuna e të frytshme gramatikore e sintaksore. Mjafton të përmendim Fjalorin e madh të shqipes, rreth të cilit ká punue gadi krejt jetën, pá u lodhë, tue mbledhë visarin gjuhësuer të malit e të fushës. Ky fjaluer, i pajuem me shembuj e fraza tё nxjerruna nga goja e gjallё e popullit, me sinonime tё qemtueme me nji zéll tё mrekullueshёm, pat qênё miratue nga Instituti i Studimeve Shqiptare tё Tiranёs, i cili pat vendosё tё shtypej, por qi mjerisht u pengue nga gjendja e kapёrdîme. Fjalori ká qênё 2400 faqesh formati tё madh me 30.000 fjalё, tё spjegueme shqip. Nuk dijmё nё se dorёshkrimi ká shpёtue nga rebeshi i kohёs.

Shkrimet e Mustafёs janё tё shumta e tё ndryshme; janё tё shpёrdamё andej e kёndej nёpёr fletore e revista: pat nisё tё shkruente nё moshё shum tё ré mâ sё pari turqisht me pseudonimin A.XH. (Asim Xhenan). Mâ vonё e vijoi veprimin fletorár nё vjetin 1914 nё fletoren e Barit “Il Corriere delle Puglie”, e cila botonte trí herё nё javё nji faqe nё gjuhёn shqipe nёn redaksín e Sotir Gjikёs. Ky pat themelue nё vjetin 1918 nё Romё tё pёrjavёshmen politike “Kuvêndi”, e cila e vijoi botimin deri nё numurin 81 tё 3 korrikut 1920. Mustafa Kruja gjatё gjithё kёsaj kohe punoi nё shtyllat e saja me shkrime tё ndryshme me pseudonimin Mak , por edhè pá tê. Rreth kёsaj reviste ishin mbledhё pendat mâ tё mira: Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Kolё Kamsi, Kostandin Cipo, Milto Sotir Gurra, Faik Konica, Dhimitёr Berati, Visarjon Dodani, Mehdi Frashёri, Aleksandёr Stavri Drenova (Asdreni), etj.

Prej vjetit 1920 deri mё 31 maj 1923 pat dalё nё Vlonё fletorja “Mbrojtja Kombёtare”; drejtori i kёsaj tribune luftarake, Don Mark Vasa, e ftoi Mustafёn pёr bashkёpunim. Edhè kёtu penda e tij e vlefshme dha nji ndihmesё tё çmueshme me artikuj gjithfarё ngjyre.

Mustafa Kruja bashkёpunoi gadi nё tё gjitha fletoret dhe tё pёrkohёshmet shqipe mbrendё dhe jashtё Atdheut deri nё ditёt e fundit tё jetёs. Gjatё mёrgimit, nё kohёn e regjimit tё Zogut, kur gjindej nё Zara, tue mos lânё nё njênё anё vijimin e pёrpilimit tё Fjalorit, qi ishte qёllimi i jetёs sё tij, e vijoi luftёn e vet politike me artikujt e botuem nё fletoren “Lirija Kombtare” tё Gjenevёs nёn drejtimin e Omer Nishanit dhe ne fletoren “Shqipёrija e Ré” tё Kostancёs nё Rumaní.

Por prodhimi i tij mâ frytdhânёs gjindet nё studimet gjuhёsore qi pat botue nё tё pёrkohёshmet “Hylli i Dritёs” t’Etёnvet Françeskanё tё Shkodrёs, “Leka” t’Etёnvet  Jezuitё tё Shqipnís, “Illyria” tё Tiranёs, “Shêjzat” tё prof. Koliqit nё Romё, etj.Tё gjitha kёto studime i ndiemi i ká mbledhё nё nji vёllim tё vetёm me titullin “Kritiqizёm gjuhёsore” me qёllim botimi. Janё kёto nji kritikё ndёrtimtare qi u bâhet shtrêmbnimeve gjuhёsore t’ Aleksandёr Xhuvanit, Mati Logorecit, Koço Tasit, etj. I nёnshkruente gjithnji me pseudonimin Shpend Bardhi. Nё krejt ketё kritikё frŷn nji frymё e pastёr, pá pasjone, pá mёní, themelue vetёm nё shkencё, sikursè i ka hije nji studimtari.

Si libra tё botuem, po pёrmendim pёrkthimin nga serbishtja tё librit tё Vladan Djordjeviq-it “Shqiptarёt dhe Fuqít e Mёdhá” (Zara 1928), ashtu edhè “Abetari-n e tё Mёrguemit” (Aleksandrí 1952).

Pyetjes s’eme, se shka po i lînte Shqipnís, i përgjegji tre muej para se të vdiste tue më dërgue listën e dorëshkrimeve gatí për shtyp. Po i rradhis kёtu qi tё njifen prej publikut shqiptár me shpresë se mund të dalë ndonji Mecenat, i cili tue u a çmue vleftën, t’i a japë shtypit.

Dorёshkrimet prá janё kёto simbas radhitjes sё vetё auktorit: “…. E tash, lum Karl’ i im, mё ká mbetun me tё kallzuem edhè ç’punё kam mujtun me bâmё gjatё kёtij mёrgimi deri ditёn qi u nisa prej France pёr kёtu (Niagara Falls). Qe prá me rend kronologjik se ç’ká shkarravitun vllai i yt”:

  1. Mёsim i gjermanishtes pâ mundim (mbas methodёs Assimil).
  2. Kritiqizёm gjuhёsore (kritikё shtrêmbnimesh gjuhёsore ndёr artikuj tё botuem nepёr revista tё ndryshme e tё mbledhun nё nji volum pёr t’i ribotuem).
  3. Ludwig von Thallòczy, Illyrische – albanische Forschungen pёrkthyem shqip (Vёzhgime iliro-shqiptare) Vetёm volum’i I (pjesa historike).
  4. Historija e Monarqís Maqedone.
  5. Aleksandri i Madh.
  6. Pyrri prej Plutarkut, pёrkthyem nga frêngjishtja me komentime tё gjâna.
  7. Ilirёt e Indogjermanizimi i Evropёs, vepёr e prof. Hans Krahe, pёrkthyem nga gjermanishtja nё bashkёpunim me zotin Ago Agaj.
  8. Pelasgjit e Shqiptarёt (pёr t’u botuem nё nji revistё asè broshurё mbё vete)
  9. Emni dhe origjina e jonё (themelisht nji studim qi kam pasё botuem nё “Albanie Libre”)
  10. Monarqít Ilirjane e Epirote – Aventurat madhёshtore tё Pyrrit.
  11. Kronologji Ballkanike.
  12. Introdukte ndёr Studime Historike.
  13. Historija e Faraonёvet.
  14. Sprovё pёr nji fjaluer kritik (vetёm A e B).
  15. Fjalor’ i Frangut tё Bardhё: monografi kritike (veçanё nga sá ká botuem revista “Shêjzat”).

Mustafa e pёrfundon letrёn me kёto fjalё testamentare: “Tё tâna kёto shkrime, mbas dekёs s’eme, i dashuni Karl, mbesin nё dorё tё Xhires (motrёs) dhe pronё e saj absolute: i djeg, i fal, bân ç’ti detё kokrra e qejfit me to, por jam tue i a lânё me porosí testamentare qi personalisht asnji sakrificё nuk do tё bâjё pёr botimin e tyne”.

               I ndiemi ká mbajtë nji korrespondencë të papreme me eksponentat e politikës e të letërsis shqiptare. Letrat e tija janë nji burim i mirë për historin e vjetvet të fundit të Shqipnís. Po të mblidheshin, do të sajojshin nji gurrë të vlefshme për të qitë në shesh disá anë të panjoftuna të jetës shqiptare, në të cilat ai ká luejtë nji rrol me randësi.

 

            Marrё nga “Shêjzat”, Vjeti i III, N. 11 – 12, Nanduer- Dhetuer 1959

            Pronar Ernest Koliqi, Kryeredaktor Martin Camaj

Filed Under: Politike Tagged With: I MUSTAFA KRUJЁS, Karl Gurakuqi, TESTAMENTI

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT