• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hashim Thaçi: “Serbia po armatos serbët e veriut”

January 25, 2017 by dgreca

1 Thaci caniSerbia: Ajo kërcënon me destabilizimin e Kosovës. Dialogu: Duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës. Skenari i Krimesë në veri… janë vetëm disa nga temat, për të cilat flet presidenti Hashim Thaçi me Deutsche Wellen.

Deutsche Welle: Zoti president, cilat janë pritjet tuaja nga kjo fazë e dialogut dhe cilat janë temat që do të shqyrtoni?

Hashim Thaçi: Nuk është specifikuar për këtë takim ndonjë temë e veçantë, por unë do të kërkojë nga zonja Mogherini që të jetë e qartë dhe e saktë në raport me Beogradin. Beogradit duhet t’i bëhet presion i fuqishëm që të mos cënojë edhe më tutje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Beogradi duke parë heshtjen e Brukselin, po inspirohet edhe më shumë në planet e tij për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkangjitjen e saj me Serbinë. Diçka e tillë nuk do të ndodhë, sepse Kosova do t’i përgjigjet me fuqinë e saj kushtetuese dhe ligjore çdo pretendimi për agresion të Serbisë.

DW: Ju keni thënë se nga kjo fazë e dialogut nuk pritet shumë. Pse?

Thaçi: Unë dua që të ndodhë një marrëveshje e madhe politike,  që do të çonte deri tek normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi, si shtete dhe të ndodhë procesi i pajtimit shqiptaro – serb. Por në të njëjtën kohë ne si Kosovë duhet të jemi të përgatitur që t‘i përgjigjemi planeve ogurzeza të Serbisë, për aneksimin dhe ndarjen e Kosovës. Beogradi është bërë sërish epiqendër e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me pretendimin për krijimin e Serbisë së Madhe. Mendoj se është momenti që BE të tregojë zotësi, sepse Serbia nuk mund të jetë pjesë e familjes evropiane dhe të sillet me idetë, mendimet dhe pretendimet e Sllobodan Millosheviqit.

DW: Cilat tema duhet të trajtohen në këtë fazë të dialogut, sepse marrëveshjet e arritura deri tani nuk janë realizuar?

Thaçi: Marrëveshja e arritur në prill të vitit 2013 ka qenë një marrëveshje e paqës. Shumica e marrëveshjeve janë realizuar, por tani është momenti që ky proces të avancohet në nivelin më të lartë dhe të përmbyllet procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve tona.

DW: Mendoni se ka ardhur koha e trajtimit të njohjes së Kosovës si shtet nga Serbia, apo kanë mbetur edhe gjëra të tjera që kanë prioritet?

Thaçi: Nuk kemi çfarë të bisedojmë për gjëra të tjera. Jemi dy vende sovrane dhe për gjërat tona të brendshme nuk do të bisedojmë me Serbinë në asnjë rrethanë. Nuk do të lejojmë që Serbia të manipulojë dhe viktimizojë serbët e Kosovës për qëllime të veta politike apo ekspansioniste. Ata janë qytetarë tanë. Por unë mbetem ithtar i dialogut dhe bashnkëpunimit, me qëllim që këto shtete të jenë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Pa fqinjësi dhe bashkëpunim të mirë mbi bazat e vlerave demokratike nuk mund të ketë anëtarësi  në këto organizma.

DW: Kohët e fundit është kërkuar shumë ndërprerja e dialogut me Serbinë, sepse nuk ka dhënë rezultatet e duhura. Kjo është thënë në veçanti në kuadër të debatit pas arrestimit të Ramush Haradinaj. Do të trajtohet edhe çështja e fletëarresteve në këtë dialog?

Thaçi: Askush nuk duhet të pres që unë të ndikojë tek Begoradi për fletëarreste, sepse edhe unë vetë jam në fletëarrestet e Serbisë, jam ndaluar sikur dhe shumë komandantë dhe bashkëluftëtarë të mi. Këtë autoritet e ka vetëm BE-ja, e cila duhet të jetë e prerë në kërkesat që Serbia të ndërpresë provokimet ndaj Kosovës dhe të ndërpresë agjendën për destabilizimin e Kosovës. Ndaj BE-ja duhet të jetë më e fokusuar në kërkesat që Beogradi të heqë ato fletëarreste, sepse janë nga periudha e Sllobodan Millosheviqit dhe janë nga koha kur Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Por e përsëris, Serbia e ka humbur luftën në Kosovë, e ka humbur betejën në negociata dhe sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Tani Serbia pretendon që ta prezantojë Kosovën para botës si një shtet i dështuar. Kosova është shtet i konsoliduar, storje suksesi dhe Serbia do ta humbë edhe këtë betejë.

DW: Kohët e fundit në Kosovë kanë ndodhur disa gjëra jo të këndshme, siç ishte muri në Mitrovicë, treni laraman, arrestimi i Haradinajt… Ka pasur madje edhe spekulime për konflikte të armatosura. Sa realist është ky skenar?

Thaçi: Të gjitha këto incidente janë të njëpasnjëshme dhe të lidhura mes vete, të provokuara direkt nga Beogradi – muri, arrestimet dhe treni. Muri është çështje e Kosovës dhe Kosova duhet ta heqë në tërësi këtë muri. Nuk guxon të ekzistojë një mur i këtillë në Mitrovicë dhe këtë çështje nuk do ta diskutojmë fare me Beogradin. Sa i përket trenit ai ishte me motive të qarta provokuese për Kosovën dhe i inspiruar me modelin rus, por vendosmëria e Kosovës bëri që ai tren të mos i afrohet kufirit te Republikës së Kosovës. Ndryshe, sikur të afrohej, nuk mund të them se nuk do të fillonte ndonjë konflikt i armatosur. Kosova ka qenë e gatshme t’i përgjigjet në mënyrë shtetërore këtij provokimi. Ne kemi informacione se në tren ka pasur armatim dhe njerëz paramilitarë me qëllim që të futen në Kosovë dhe destabilizojnë Kosovën. Njëkohësisht e njohim edhe planin serb për ndarjen e Kosovës, por e dimë po ashtu se Serbia po i armatos serbët në veri.

DW: Keni ju dëshmi konkrete për këto pohime, për armatimin e serbëve të Kosovës, sepse një gjë e tillë është shumë e rrezikshme dhe vërtetë mund të çojë deri te  konfliktet?

Thaçi: Definitivisht, Serbia është duke përdorur modelin rus në Ukrainë. Po dërgon civilë, por edhe njerëz me uniforma në veri dhe është duke armatosur serbët me armë dore, por edhe me armë të tjera, në mënyrë që të jenë të përgatitur për t‘u mbrojtur nga kinse sulmet shqiptare. Por unë i ftoj serbët që të mos bien pre e politikës nacionaliste të Beogradit, të një politike, e cila i ka shkaktuar dhimbje të mëdha serbëve edhe më parë. Në vend të thirrjeve të Serbisë për luftë, unë serbëve të Kosovës ju bëj thirrje për paqë dhe dialog. Në vend të thirrjeve për ndarje etnike dhe territoriale, unë ju bëj thirrje për integrime në NATO dhe BE.

DW: Këto ditë edhe nga intelektualë të njohur në Kosovë janë dëgjuar propozime për ndarjen e Kosovës. Ekziston ky skenar si mundësi?

Thaçi: Jo, ne jemi kundër ndarjeve, sepse ndarjet janë vetëm hyrje në koncepte të rrezikshme që mund të përfshijnë tërë Ballkanin Perëndimor. Kosova angazhohet për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.

DW: Heqja e murit ka qenë e parashikuar për datën 20 janar, por kjo nuk ka ndodhur. Kur do ta hiqni murin në Mitrovicë dhe a keni frikë se atje mund të ketë konflikte?

Thaçi: Muri duhet të hiqet, është dashur të hiqet dje, por duhet të hiqet sa më parë që është e mundur, sepse nesër mund të jetë vonë.

DW: Kur do të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse këtë obligim e keni marrë Ju në Bruksel?

Thaçi: Kosova i ka marrë obligimet e veta dhe kjo është pika e parë në marrëveshjen e arritur në vitin 2013. Asociacioni është e drejtë kushtetuese dhe ligjore, për të cilin e ka dhënë mendimin edhe Gjykata Kushtetuese. Me rëndësi për ne është të respektojmë ligjet dhe Kushtetutën. Ky asociacion nuk do të ketë fare mandat legjislativ dhe ekzekutiv, por do të mundësojë bashkëpunimin e komunave, sikur që mundëson edhe asociacioni i komunave me shumicë shqiptare.

DW: Kur do të themelohet ky asociacion, sepse kjo marrëveshje është kundërshtuar shumë në parlament dhe në rrugë?

Thaçi: Ne shtetin nuk mund ta ndërtojmë vetëm me hapa elektoral apo politikë ditore. Ne shtetin do ta konsolidojmë vetëm duke marrë vendime madhore në interes të vendit dhe qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnike për një Kosovë demokratike dhe multietnike. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e rrezikon Kosovën. Përkundrazi formimi e rrezikon agjendën e Serbisë dhe futjen e serbëve të Kosovës në agjendat e Beogradit.

DW: Çfarë prisni nga BE dhe Gjermania për zgjidhjen e këtyre tendosjeve në Ballkan, sepse tendosje ka jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje, Maqedoni dhe vende të tjera?

Thaçi: BE nuk është duke treguar lidership dhe vision në raport me Ballkanin Perëndimor. Brukseli është duke u vonuar dhe këtë hapësirë po e shfrytëzojnë elementet antievropianë. Ndërsa Gjermania ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm pozitiv, konkret dhe vizionar. Mendoj se BE duhet të ketë një politikë kohezive përballë sfidave në Ballkan. Pikërisht kjo vonesë e BE ka krijuar pakënaqësi dhe e ka ngritur tonin nacionalist në Beograd, ndërsa ne duhet t’i përgjigjemi atij si vend i pavarur dhe sovran. BE duhet përfundimisht të fillojë të trajtojë Kosovën si vend sovran.

DW: Zoti president, si do të ndikojë marrja e postit të presidentit të SHBA nga Donal Trump, sepse ka zëra që thonë se ai do të tërheqë trupat nga Ballkani dhe këtë rajon do ta lë nën influencën ruse?

Thaçi: Unë pak ditë më parë kam qenë në Uashington dhe kam biseduar me senatorë, kongresmenë dhe miq të Kosovës. Kam biseduar edhe me njerëz nga administrata e presidentit Trump. Një gjë mund të konfirmoj dhe të sigurojë qytetarët e Kosovës: SHBA punon si një sistem dhe mbi bazën e vlerave. Neve na kanë konfirmuar se SHBA do të vazhdojë të ketë vëmendjen tek Ballkani dhe Kosova. Dhe në asnjë mënyrë, gjithë ai investim i viteve të fundit nuk do të vihet në pyetje. Përkundrazi, do të kemi një pragmatizëm të qartë sa i përket ruajtjes së paqëe, stabilitetit dhe fuqizimit të frymës euroatlantike në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova do ta ketë një theks të veçantë.

DW: Do të thotë ky është një premtim dhe jo supozim? Keni ju premtime nga administrate ameikane se nuk do të tërhiqen trupat nga Ballkani dhe Kosova?

Thaçi: Unë kam besim të plotë dhe kam pasur diskutime serioze ku është thënë se SHBA do të vazhdojë interesimin e fuqishëm për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor dhe nuk do të lejohet hapësira, të cilën e ka lejuar BE për elementë antievropianë në këtë rajon.

DW: Sa e fuqishme është influence ruse aktualisht në veri të Kosovës, sepse ditët e fundit ka pasur informacione madje edhe për kapjen e spiunëve rusë atje?

Thaçi: Serbia është duke shfrytëzuar stilin, metodat dhe format ruse sikur në Ukrainë. Dhe atje janë futur edhe rusë, të cilët janë duke bashkëpunuar ngushtë me Beogradin dhe janë duke përgatitur njësi paramilitare, ende pa uniforma, por të armatosur me armë moderne të dorës. Kjo po bëhet direkt nga autoritetet e Beogradit.  Unë e kam ngritur këtë shqetësim edhe në BE dhe heshtja e tyre është shqetësuese. Një vonim i tillë ka ndodhur dikur edhe në Bosnje në vitet 90-të, një heshtje e tillë ka ndodhur edhe në Kroaci dhe Kosovë dhe i kemi parë pasojat. Ndaj BE duhet të kujtojë sjelljet e Beogradit nga kohërat e mëparshme, të cilat nuk dallojnë nga ato të sotmet.

DW: Këto informacione janë nga shërbimet e Kosovës apo dhe shërbime të tjera?

Thaçi: Këto janë informacione të sakta, të vërtetuara dhe të konfirmuara. Këto informaicone i kanë edhe autoritetet evropiane në Kosovë. Ndërsa përveç uniformës së NATO-s në Kosovë, ne çdo uniform tjetër do ta konsiderojmë si pushtuese dhe armiqësore dhe do ta marrë përgjigjen kushtetuese dhe ligjore dhe me forcën e shtetit.

DW: Zoti president, homogu juaj serb, Tomisllav Nikoliq ka paralajmëruar se në rast vrasjeje të ndonjë serbi, do të dërgojë ushtrinë në Kosovë. Keni frikë nga konfliktet ushtarake?

Thaçi: Presidenti Nikoliq ka ardhur në Kosovë edhe në vitin 1999, por ka ikur me bisht nën shalë. Çdo ardhje e trupave serbe në Kosovë do të përfundojë siç ka përfunduar edhe ushtria dhe policia e Sllbodoan Millosheviqit. Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë cënimin e sovranitetit të Kosovës.

DW: Zoti president, prej fillimit të këtij viti ka nisur punën edhe Gjykata Speciale. Do t’i përgjigjeni ju kërkesave për bashkëpunim me këtë Gjykatë?

Thaçi: Qëndrimi i shtetit të Kosovës është i qartë: Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Këtë barrë të rëndë Kosova duhet ta largojë nga vetvetja dhe duhet të bashkëpunojë edhe me këtë insitucion. Politika duhet të largohet nga ky proces dhe duhet t’i hapë rrugë drejtësisë.

DW: Mendoni se të gjithë do t’i përgjigjen këtij bashkëpunimi, sepse në opinion spekulohet se edhe Ju jeni në listën e të akuzuarve të mundshëm?

Thaçi: Unë mendoj se ka qenë vendim i drejtë për shtetin që të krijohet kjo Gjykatë, ndonëse i kuptoj ata që e kundërshtojnë. Ky proces nuk duhët të individualizohet, sepse është përgjegjësi shtetërore e çdo qytetari të Kosovës që të jetë i përgjegjshëm për sfdidat që na presin. Por ne duhet t’i besojmë drejtësisë. Ne kemi përvojën e bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës dhe me gjykatat në Kosovë. UÇK ka bërë luftë të drejtë dhe e ka çliruar Kosovën.

DW: Si njeri që keni qenë në të gjitha proceset e dy dekadave të fundit, mendoni se vërtetë ka pasur trafikim organesh gjatë luftës?

Thaçi: Në asnjë rrethanë nuk mund të them që ka ndodhur një gjë të tillë, por nuk mund të them se nuk ka pasur keqpërdorime të uniformës së UÇK. Dua të them se në ditën e parë pas luftës në Prizren ka pasur vetëm rreth 400-500 ushtarë. Ndërsa vetëm tri ditë pas çlirimit të Kosvës kanë arritur rreth 5000 persona me uniforma nga Shqipëria. Kështu që ka pasur sjellje të pa pranueshme dhe të pa pëlqyeshme, aspak etike për normat e procesit demokratik.

Filed Under: Interviste Tagged With: serbet e veriut, Thaçi: "Serbia po armatos

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT