• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Roli i Klerit Ortodoks Shqiptar në themelimin e “Vatrës”, kontributi për Pavarësinë e Shqipërisë dhe formimin e Shtetit Shqiptar

December 20, 2023 by s p

Nga Arhimandriti +THEOFAN (Koja) Ph.D./

Kur përpiqemi të flasim sot për Federatën Gjithë-Shqiptare në Amerikë, akti i krijimit të saj është i pandashëm me rolin vendimtar të Klerit Ortodoks Shqiptar këtu në SHBA, dhe ky është një fakt i pamohueshëm.

Ndonëse Federata “VATRA” u themelua 111 vjet më parë, nuk mund të harrojmë paraardhësen e saj: Organizatën “BESA-BESËN” e themeluar më 6 janar 1907 nga Fan Noli, i cili dy vjet më vonë, boton Gazetën “DIELLI”, më 15 shkurt 1909. Ishte kjo organizatë, njerëzit e saj, themeluesi dhe gazeta e saj që u bënë thelbi dhe shtylla e asaj që do të bëhet organizata më e madhe shqiptare nga të gjitha të tjerat.

Figura më e shquar në historinë e Federatës “VATRA” është prifti i atëhershëm ortodoks i sapo dorëzuar Fr. Theophan (Fan) Noli, i cili ishte jo vetëm një nga organizatorët e Federatës “VATRA”, por për shtatë vjet ai disa herë ka qenë redaktor i Gazetës Shqiptare “DIELLI”. Në vitin 1918 ishte themelues i revistës mujore “THE ADRIATIC REVIEW” (“Pasqyra e Adriatikut”), e cila u bë më vonë botim i “VATRËS”. Ai ishte edhe themelues i së përjavshmes “REPUBLIKA”.

Vitet më të rëndësishme dhe vendimtare për Federatën “VATRA” ishin 1915 dhe 1917 kur At Theofan (Fan) Noli u zgjodh Kryetar i “VATRËS”. Si një organizatë e sapoformuar, “VATRA” duhej të organizohej mirë, të afirmohej, duke fituar popullaritet jo vetëm në mesin e bashkëatdhetarëve shqiptarë, por duke u bërë një organizatë më e madhe dhe shndërruar atë një institucion të respektuar mbarëbotëror në qarqet politike, diplomatike, kulturore të asaj kohe.

Në atë kohë, Federata “VATRA” gjeti personin e duhur që i përshtatej në mënyrë të përkryer nevojave të saj, duke e shndërruar atë në një organizatë jashtëzakonisht aktive, e cila mund të lobonte me sukses në favor të Çështjes Kombëtare Shqiptare.

Që nga ajo kohë e tutje, At Theofan (Fan) Noli do të bëheshe zëri zyrtar i Federatës “VATRA” në botë, veçanërisht në Lidhjen e Kombeve, si dhe në pothuajse të gjitha kryeqytetet dhe qeveritë më të rëndësishme evropiane të asaj kohe. Ai u bë një maratonist i vërtetë që vrapoi për kauzën e kombit të vet, duke mbajtur lart në dorë pishtarin me dritën e lirisë shqiptare, duke u bërë në fund të atij vrapimi të gjatë i njëjti pishtar që ndriçoi ata që kishin më shumë nevojë.

Është një fakt i njohur tashmë, se për shkak të Luftës së Parë Botërore, gjatë asaj kohe, Shqipëria nuk kishte qeveri, prandaj Këshilli Ekzekutiv i “VATRËS” veproi si një qeveri shqiptare në mërgim.

Vlen të theksohet këtu se “VATRA” ka ndihmuar financiarisht At Theofan (Fan) Nolin gjatë gjithë karrierës së tij diplomatike, madje edhe më pas kur u dorëzua në Gradën Peshkopale më 21 nëntor 1923, duke u bërë Kryepeshkop i Shqipërisë.

Një tjetër figurë e shquar e Federatës “VATRA” është At Vasil Marku, i cili u dorëzua prift dhe u emërua prift i Kishës Ortodokse Shqiptare së Shën Dhimitrit, Dëshmor i Madh, në St. Louis Missouri. At Vasil Marku ishte tejet i përfshirë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, veçanërisht në çështje të rëndësishme që kishin të bënin me pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare nga Patriarkana Ekumenike.

At Vasil Marku e kuptoi fare mirë në atë kohë se për të pasur një shtet të pavarur shqiptar ishte e domosdoshme që Kombi Shqiptar të kishte edhe një Kishë Ortodokse të pavarur, duke iu referuar rregullit të përgjithshëm “Kishë e pavarur në Shtet të pavarur”. Ai ishte shumë aktiv në përpjekjet e tij për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare.

Puna e tij e jashtëzakonshme u finalizua me veprën më të madhe; thirrjen Kongresin e Parë Panortodoks në Berat të Shqipërisë më 10 shtator 1922 i cili do të hyjë në historinë shqiptare si Kongresi Themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai u zgjodh në këtë Kongres si Kryetar i Këshillit të Lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Për shtatë vjet, nga viti 1922 deri në vitin 1929, ai drejtoi punët e Kishës Ortodokse Autoqefale të sapoformuar të Shqipërisë, duke ndjekur hap pas hapi platformën e planifikuar dhe hartuar me kujdes, ndërsa ndodhej në Shtetet e Bashkuara së bashku me At Theofan (Fan) Nolin dhe me At Vangjel Çamçen.

At Vasil Marku punoi pa u lodhur dhe me zell të madh për organizimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, për rritjen e saj dhe vendosjen e marrëdhënieve me kishat e tjera ortodokse simotra në mbarë botën, duke punuar njëkohësisht në drejtim të njohjes së saj.

Si rezultat i këtyre shtatë viteve të suksesshme dhe të frytshme, erdhi koha për të thirrur Kongresin e Dytë Panortodoks që u mbajt në Korçë të Shqipërisë më 16 qershor 1929, ku u deklarua se puna për një Kishë Ortodokse Autoqefale e cila ishte e organizuar dhe plotësisht funksionale ishte kryer me sukses dhe kishte përfunduar. Ky Kongres miratoi Statutin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe krijimin e Sinodit të Parë Ortodoks Shqiptar.

Kongresi e nderoi At Vasil Markun duke i dhënë titullin “Ikonom i Madh Mitrofor” (Mitërbartës) më 24 shkurt 1929, si dhe duke e bërë atë, anëtar të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Në vitin 1923 At Vasil Marku udhëhoqi delegacionin shqiptar në Kostandinopojë për të diskutuar çështjen e Autoqefalisë.

I lindur në Vlorë, në vitin 1857, shkollën fillore e mbaroi në Vlorë. Ai u rrit me tregimet që tregonin të parët për trimat, luftërat dhe shenjtorët e vjetër të Spiranicës dhe Manastirit të Zvërnecit. Shkollën e mesme dhe të lartën e bëri në Janinë. Më vonë, Marko Moçka, me dëshirën patriotike dhe fetare i thirrur nga Perëndia shkoi në SH.B.A., ku studioi më tej nga ku diplomohet me tituj e grada teologjike. Në vitin 1911 të Vjeshtës së Parë, një grup studentësh shqiptarë në Amerikë të udhëhequr nga At Marko Moçka u takuan me Presidentin e 28-të të SHBA-së, Uillson, takim që mund të quhet edhe si fillimi i marrëdhënieve midis personaliteteve shqiptare dhe amerikane të asaj kohe, nga ku morën mesazhin dhe dakordësinë për moscopëtimin e Shqipërisë dhe Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë.

Pas këtij suksesi kthehet në Shqipëri dhe hyn në lidhje me Ismail Bej Qemalin. Nga Londra, Plaku i Urtë e përgëzon për këtë nisëm shpirtërore dhe patriotike, ku midis të tjerave i shkruan: “Siç kemi biseduar herë të tjera, duhet të ngremë së bashku Flamurin tonë”. Ndërsa At Marko Moçka i përgjigjet: “Mirë se të vini Ismail Bej, besimtarët, patriotët dhe e gjithë Shqipëria ju presin dhe mirë se të vini si një burrë i Kombit”.

Në 28 Nëntor 1912, në mes të tribunës së Pavarësisë, ku valëvitej Flamuri i Skënderbeut, Ismail Bej Qemali i drejtohet përballë At Marko Moçkës dhe i thotë: “U lodhe, o At”? “Ismail Bej, – ia ktheu Ati, – Po u mor me punë të mëdha e të ndritura, njeriu i Zotit nuk lodhet kurrë!” Të dy burrat rrokën duart dhe puthën Flamurin Kuq e Zi. Kështu, midis përfaqësuesve të tre komuniteteve fetare u bekua flamuri i ynë, në ditën e Flamurit. Kjo ngjarje pati jehonë të madhe në Shqipëri dhe Amerikë: “At Marko Moçka nga SHBA-ja në Vlorë për Ditën e Flamurit”… ishte titulli i artikujve të shkruar në gazetat “DIELLI”, “ILIRIA”…, një kartolinë austriake paraqet daljen ceremoniale të Ismail Qemalit në datën 28 Nëntor 1912, ora 17-30, duke ngritur flamurin, me Luigj Gurakuqin, Hoxhën Haxhi Muhametin, Priftin Marko Moçka etj., në Sarajin e Selamllëkut të familjes Vlora.

Presidenti i SHBA-së Uillson e ka vlerësuar At Marko Moçkën, Shqipërinë dhe në një takim tjetër me të. Këtu kemi një pjesë të mesazheve midis tyre, si vijon: “I nderuari z. President i SHBA-së, Pavarësinë e Shqipërisë e shpallëm! … Mesazhin tuaj për moscopëtimin e tokave shqiptare dhe për mos qenë të varur e lexuam Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor 1912 dhe u prit me duartrokitje e brohoritje të fuqishme, Shqipëria dhe shqiptarët do t’i jenë mirënjohës SHBA-së dhe juve Z. President”! Pas kësaj, Presidenti Uillson i përgjigjet duke shkruar: “Gëzohem shumë që ju takoj përsëri Z.Marko dhe u informova se gjithçka shkoi shumë mirë. Ta gëzoni Pavarësinë! … Këtë takimin tonë mund ta quajmë edhe si fillimin e marrëdhënieve miqësore shqiptaro-amerikane; apo jo, z. Marko”?!

 Në vitet e mëpasme At Marko Moçka i futet një aktiviteti fetar për mëmëdhenë duke predikuar në meshat e tij frymën patriotike, dashurinë për atdheun dhe për një Shqipëri të lirë demokratike. Duke pasur dhe përkrahjen e patriotëve të mëdhenj si; Petro Nini Luarasi, Thimi Mitko, Jani Vreto, e zgjeroi këtë aktivitet duke e shtrirë edhe në kishat e tjera të vendit. Në vitin 1922 në Berat zgjidhet anëtar i Këshillit të Lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me Kryetar At Vasil Markun.

Kur flitet për veprën më të madhe në jetën e Kishës Ortodokse Shqiptare që është Autoqefalia e saj, ka edhe një tjetër figurë aktive në personin e At Vangjel Çamçes.

Ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1913 ku menjëherë spikati si një aktivist i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai u dorëzua prift në vitin 1919 në Jamestown, Nju Jork dhe më vonë u zhvendos në Natick Massachusetts, ku themeloi një komunitet të ri të Kishës Ortodokse Shqiptare të Shën Mërisë.

Ai u kthye në Shqipëri në vitin 1921 ku një vit më vonë në 1922 u ngrit në gradën e Arhimandritit dhe iu dha emri Agathangjel. Në shkurt të vitit 1929 dorëzohet peshkop nga Hirësia e Tij Peshkop Visarioni dhe Hirësia e Tij Peshkop Viktori, duke u emëruar në Dioqezën e Beratit, Vlorës dhe Kaninës. Në vitin 1941 Imzot Agathangjeli u fronëzua si Mitropolit i Korçës në Shqipëri.

At Vangjel Çamçe bashkëpunoi ngushtë me At Theofan (Fan) Nolin në Boston dhe me At Vasil Markun në St. Louis për të krijuar the Kryepeshkopatën Ortodokse Shqiptare të Amerikës, e cila u themelua më 16 mars 1919 në Kongresin e Kishave Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Siç e përmendëm më lart, mes këtyre tre klerikëve ekzistonte një marrëdhënie e veçantë, jo vetëm si miq të mirë, por edhe si organizatorë të mirë dhe persona me vizion të madh për të ardhmen e Kishës Ortodokse Shqiptare në veçanti dhe të Kombit Shqiptar në përgjithësi.

Një figurë e rëndësishme e Komunitetit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara është dhe At Stathi Melani. Ai është bërë sinonim i rezistencës dhe luftës për një Shtet të Pavarur Shqiptar, të lirë nga pushtuesit, të tokës ku njerëzit mund të flasin, këndojnë dhe luten në gjuhën e tyre të bukur dhe një vend ku fëmijët dhe brezi i ri mund të arsimohen në shkolla ku gjithçka mësohet në gjuhën e tyre amtare.

Pasi doli nga burgu në Shqipëri ku ishte burgosur për veprimtarinë e tij të fortë patriotike, u largua për në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të dhjetorit ai arriti në Boston dhe u prit me nderime të mëdha.

Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara jo sepse kishte frikë nga armiku i vendit dhe ishte i frikësuar për jetën e tij, por erdhi këtu për të ndërgjegjësuar komunitetin shqiptar në SHBA për situatën e rrezikshme në Shqipërinë e asaj kohe, duke bërë thirrje për mbështetje morale dhe materiale. Ai ishte gjithmonë në lëvizje nga një cep i vendit në tjetrin, duke u përpjekur t’i bindte njerëzit të ktheheshin në atdhe dhe të luftonin për vendin e tyre.

Pasi qëndroi këtu në SHBA për tre vjet, në fillim të vitit 1917 vendosi të kthehej në Shqipëri. Ai u përfshi menjëherë në lëvizjen patriotike për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit.

At Stathi Melani ishte mjaft i njohur ndër udhëheqësit e tjerë patriotë, si Mihal Grameno etj.

Atij i zunë pritë dhe u vra barbarisht nga grekët në Vigjiljen e Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1917. Atij i’u pre koka dhe i’u dërgua në Greqi për t’ja u treguar atyre që vendosën një çmim për kokën e tij, duke dhënë urdhrat për vrasjen e tij.

Vrasja e tij krijoi një reagim të madh tek shqiptarët në Shqipëri dhe jashtë saj. Një pikëllim i madh u shpreh për figurën madhështore të At Stathi Melanit, madje edhe At Theofan (Fan) Noli shkruajti: “Nuk jam në gjendje t’i përshkruaj shërbimet e mëdha dhe të jashtëzakonshme që ai i bëri atdheut. Por shërbimet e tij të larta dhe të rralla do të mbeten në histori. Nuk ka zemër shqiptare që të mos brengoset për vdekjen e tij. Nuk ka asnjë sy shqiptari që nuk do të derdhë lumenj lotësh për martirin e madh heroik dhe të pavdekshëm të Shqipërisë, At Stathi Melani”. Për ta nderuar atë, At Theophan (Fan) Noli mbajti një shërbesë përkujtimore në Worcester të Massachusetts.

Në fjalën përmbyllëse mund të themi se Federata Gjithë-Shqiptare e Amerikës “VATRA” ka qenë që nga themelimi i saj një mbështetëse e fuqishme e Komunitetit Shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm, ka qenë një faktor kyç në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për unitetin tonë kombëtar në mbarë botën.

“VATRA” shqiptare përgjatë këtij shekulli ka krijuar dhe promovuar vlera të mëdha në arsim, letërsi, botime, arte, fe, politikë dhe diplomaci.

Ky ka qenë një shekull i mbushur me suksese dhe arritje të mëdha që na bën të gjithëve krenarë që jemi të lidhur me të, një pasuri e trashëgimisë sonë të lavdishme kombëtare, një organizatë e shkëlqyeshme, një diamante, që edhe pas 100 vjetësh, ende shkëlqen mrekullisht.

Zoti e bekoftë “VATRËN” shqiptare.

Perëndia i bekoftë shpirtrat e themeluesve të “VATRËS” shqiptare dhe i prehtë në paqe!

Perëndia e bekoftë Amerikën, atdheun e trimave dhe tokën e lirisë ku patriotët shqiptarë, ata të atëherëshmit dhe këta të sotshmit, kanë lulëzuar dhe kanë pasur mundësinë të luftojnë dhe të punojnë për atdheun e tyre, Shqipërinë tonë të shtrenjtë dhe të dashur!

(Botuar me shkurtime)

Filed Under: Politike Tagged With: THEOFAN (Koja)

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT