Nga Timothy Less/Foreign Affairs*/
Në shqip: Lindita Komani/
Kuadri politik në ish-Jugosllavi është duke u zhbërë. Në Bosnjë, shteti më i dobët në rajon, si serbët ashtu edhe kroatët, po zhvillojnë një sfidë të koncertuar ndaj marrëveshjes së paqes së Dejtonit, në vetvete një tërësi delikate kompromisesh që e mban bashkë vendin. Në Maqedoni, personalitetet politike nga minoriteti i gjerë shqiptar po bëjnë thirrje për një federalizim të shtetit sipas vijave etnike. Në Kosovë, minoriteti serb po insiston në krijimin e një rrjeti të enklavave të vetëqeverisura me pavarësi efektive nga qeveria qendrore. Në luginën e Preshevës në Serbi, shqiptarët po përpiqen për autonomi më të madhe. Në Mal të Zi, shqiptarët kanë kërkuar një entitet vetëqeverisës. Dhe në Kosovë dhe Shqipëri, ku shqiptarët e kanë pavarësinë, nacionalistët po shtyjnë drejt një shteti shqiptar të unifikuar.
Është e lehtë që ta zbosh gjithë këtë nga mendja, si e nxitur nga politikanë oportunistë. Por do të ishte gabim të injorohej vullneti i elektorateve të cilët vazhdimisht kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre lidhur me status quo-në multietnike dhe po kërkojnë ndryshim. Zgjedhja me të cilën perballen politikëbërësit perëndimorë është ose të njohin legjitimitetin e këtyre kërkesave dhe të ndryshojnë në mënyrë radikale përqasjen e tyre ose të vazhdojnë me politikën aktuale dhe të rrezikojnë një konflikt të ri.
NJE IDE E BUKUR
Kur Jugosllavia ra në fillim të viteve 1990, nuk pati asgjë të parashikuar lidhur me çka do të vijonte. Një mundësi ishte ngritja e shteteve komb, të krahasueshme me ato kudo në Europë. Një mundësi tjetër ishte krijimi i shteteve multietnike bazuar në kufij të brendshëm administrativë. Në fund, Perëndimi vendosi për natyrën e kuadrit pas-Jugosllav, duke njohur pavarësinë e republikave të vjetra jugosllave brenda kufijve ekzistues. Duke vepruar kështu, ata drejtoheshin jo vetëm nga besimi se kjo do të promovonte drejtesinë dhe sigurinë, por gjithashtu edhe duke u bazuar në bindjen ideologjike se nacionalizmi ishte burimi i paqëndrueshmërisë në Europë. Multietniciteti u pa si princip organizues i mundshëm, madje i dëshirueshëm.
Fatkeqësisht ky vendim qe kundër interesave më bazike të grupeve të minoriteteve, të cilët e panë veten të dënuar me statusin e qytetarëve të dorës së dytë në shtetin e dikujt tjetër. Në vitet ’90 shumë prej tyre morën armët për të siguruar ndarje formale. Si pasojë, kudo ku dështuan, minoritetet janë përpjekur të sigurojnë sa më shumë autonomi që të jetë e mundur brenda shteteve që i kanë adoptuar. Duke parë rezistencën e grupeve të shumicës lidhur me fragmentimin e qeverive të tyre, këto përpjekje për ndarje kanë krijuar tension në vetë sistemin nervor të shteteve të shumta multietnike në rajon.
Si rezultat, Perëndimi ka qenë i shtrënguar që për dy dekadat e fundit të detyrojë ketë kuadër të caktuar mbi ish-Jugosllavinë përmes misioneve civile të drejtuara nga OKB dhe trupave të NATO-s si policë rajonale. Si fillim, Uashingtoni mori drejtimin, por pasi Shtetet e Bashkuara e pakësuan praninë e tyre në Ballkan përgjatë dekadës së fundit, përgjegjësia primare për mbajtjen në këmbë të kuadrit pas-Jugosllav i kaloi Bashkimit Europian. Bashkimi Europian zëvendësoi pushtetin e fortë të ushtrisë amerikane me pushtetin e butë të zgjerimit të vet. Supozimi i tyre ishte që vetë akti i përgatitjes për anëtarësi në BE do t’i transformonte shtetet e varfra autoritare në shoqëri me prosperitet, demokratike e që respektojnë ligjin, në të cilat minoritetet e prekura do të ishin të kënaqura të jetonin.
Për një periudhë të shkurtër drejt fundit të dekadës së shkuar, politikat dukej se po funksiononin. Megjithatë, shqetësimi i minoriteteve e bëri të qartë që përqasja e BE-së nuk i zgjidhte dot problemet e krijuara nga multietniciteti. Përfytyrimi kryesor i gabuar ishte që minoritetet do t’i jepnin prioritet më të lartë reformës politike dhe ekonomike sesa ankimeve që ata kishin për territorin dhe sigurinë, e të cilët nuk do të ishin më temë pas hyrjes në BE. Kjo gjë kishte kuptim për europianët që jetonin në parajsën e tyre pas-historike, por nuk kishte lidhje me minoritetet e vendosura në botën hobesiane në Ballkan, që nuk kishin mundësinë të plotësonin edhe nevojat e tyre primare – sigurinë e tyre, të drejtat dhe prosperitetin. Përkundrazi, çështjet e qeverisjes dhe ekonomisë, deri edhe çështje më periferike si edukimi dhe mjedisi u shtynë mënjanë, ndërkohë që institucionet polike u bllokuan nga çështjet e vështira të territorit, identitetit dhe balancës mes pushtetit qendror dhe rajonal. Për çdo ditë, Bosnja, Kosova dhe Maqedonia u zhytën në mosfunksionim politik, stanjacion ekonomik dhe korrupsion institucional, madje dhe kur fqinjët e tyre më homogjenë, sikurse Shqipëria, Kroacia dhe deri edhe Serbia, filluan të përparojnë.
Politika komplikohet edhe më tej nga Euroskepticizmi tashmë shtrirë anembanë në Europë, i cili kërcënon shpresën e mbetur që integrimi mund të çojë në stabilizim. Sipas një sondazhi Eurobarometri të vitit të shkuar, vetëm 39 përqind e shtetasve të BE janë pro zgjerimit dhe 49 përqind e tyre e kundërshtojnë atë. Më herët këtë vit, votuesit në Hollandë vendosën në një referendum që të bllokojnë integrimin e Ukrainës në BE. Në fakt ishte një votë kundër zgjerimit. Qeveri të mëparshme në Austri dhe Francë kanë kërkuar kushtëzimin e zgjerimit të ardhshëm me referendume në nivel kombëtar.
Si rezultat, procesi i zgjerimit është ndalur. 13 vjet pas lançimit të tij në samitin e Selanikut, katër nga gjashtë shtete jo të BE-së në rajon duhet ende të hapin negociatat për anëtarësim në BE. Serbia ka filluar si në tentativë, dhe Mali i Zi që është shteti më i përparuar i rajonit, katër vite pas fillimit të punës ka mbyllur përkohësisht dy nga 35 kapitujt e negociimit. (Në kontrast me këtë, vendet e Europës Qendrore e kanë përfunduar krejt procesin e negociimit brenda të njëjtit kuadër kohor.)
Si për t’i komplikuar çështjet, Rusia po përdor influencën e saj për të prishur procesin e integrimit, duke inkurajuar minoritetet e pakënaqura si serbët e Bosnjës që të eskalojnë kërkesat e tyre për ndarje dhe duke kërcënuar qeverinë pro-integrimit në Malin e Zi. Turqia po jep mbështetje për myslimanët e prekur, si boshnjakët dhe shqiptarët e Maqedonisë. Dhe Kina po jep fonde për qeveritë anembanë në rajon, për investime në infrastrukturë, duke dëmtuar përpjekjet e Perëndimit që të promovojë reformat e brendshme duke lidhur me kushte dhënien e fondeve apo përparimin drejt BE-së.
Debati mbi Ballkanin ka qenë i dominuar për një kohë shumë të gjatë diplomatët dhe akademikët perëndimorë të cilët mohojnë atë që është e qartë për thuajse këdo në terren: që multietniciteti në rajon është një ide e bukur dhe një realitet i mjerueshëm.
Thuajse çdo shtet ka përjetuar në kohët e fundit trazira serioze ndërkohë që njerëzit kanë humbur besimin në fuqinë e BE-së për t’i larguar ata nga gjendja e tyre e mungesës së shpresës, varfërisë dhe korrupsionit. Duke shkuar përtej këtyre tensioneve, minoritetet po përpiqen të marrin fatin e tyre në kontroll duke kërkuar të drejtën për një territor të ndarë në vende ku qeveria qendrore i jep pashmangshëm prioritet interesave të grupit të shumicës. Ky kombinim faktorësh është tashmë duke destabilizuar Ballkanin dhe për pasojë duke kërcënuar rrëzimin e kuadrit pas-Jugosllav.
Për momentin, aftesia e BE-së për të ruajtur status quo-ne në Ballkan nuk është shuar krejtësisht, kjo për shkak të vetos kolektive mbi ndryshimin e kufijve në rajon. Ndërkohë, Brukseli po vazhdon të shtrydhë çdo grimcë influence nga politika e tij e integrimit. Në vitet e fundit ka shtyrë gjithë vendet e prapambetura të rajonit si Shqipëria, Bosnja dhe Kosova, një hap më pranë anëtarësisë.
Por BE po mundohet fuqimisht që të imponojë autoritetin e saj. Diplomatët europianë nuk qenë të aftë që të zgjidhnin krizën politike dyvjeçare në Maqedoni që filloi kur partitë qeverisëse të cilat sapo fituan zgjedhjet e parakohshme, ishin përfshirë në regjistrime që zbulonin korrupsion madhor dhe kriminalitet të hapur. BE gjithashtu dështoi në përpjekjen që të arrinte një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. (Në fakt, marrëdhëniet mes dy qeverive janë duke u përkeqësuar.)
Ndoshta si më serioz shfaqet rasti i Republikës Srpska në Bosnjë, e cila procedoi më tej me zhvillimin e referendumit të diskutueshëm në tetor, pavarësisht protestave të BE-së, për mbajtjen e ditës së pushimit të festës kombëtare, gjë të cilën Gjykata e Lartë e Bosnjës e konsideroi si diskriminuese ndaj jo-serbëve dhe për të cilën diplomatët perëndimore thanë që shkeli kushtetutën e Dejtonit që e mban Bosnjen bashkë. Paaftësia pasuese e BE-së për të dënuar drejtuesit serbe të Bosnjës përmes sanksioneve, mund t’i trimërojë ata më tej drejt organizimit të një referendum pavarësie.
NJE REALITET I MJERUESHEM
Çfarë do të ndodhë më tej, sigurisht që është një çështje spekullimi. Me gjithë gjasat, kuadri pas-Jugosllav do të vazhdojë të qëndrojë ligjërisht. Por grupe separatiste mund të fitojnë një lloj pavarësie funksionale duke mohuar autoritetin e qeverisë qendrore, në pritje për rrethana më të favorshme si kolapsin e BE-së, për të formalizuar ndarjen. Mbetur jashtë kontrollit, gjendja rrezikon të shkasë drejt një konflikti të ri, teksa popullatat shumicë do të luftojnë për të ruajtur integritetin e shteteve të tyre.
Nëse ky është rreziku, atëherë si duhet të përgjigjen politikëbërësit? Konsiderimi kyç për t’u bërë është që politika ekzistuese e stabilizimit përmes integrimit, në atë masë që funksionoi, e ka kryer krejt ciklin e vet, duke pasur parasysh fundin efektiv të zgjerimit të BE-së. Duke punuar më tej me një politikë të kotë që bazohet në një shpërblim të pakapshëm dhe pa pasur në dorë sanksione ndaj mospërmbushjes së kushteve, Perëndimi po ia kalon pushtetin e nismave revizionistëve lokalë dhe sponsorëve të tyre të jashtëm, si Rusia dhe Turqia, që ndjekin politikat e tyre me interesa vetjake që shkojnë kundër objektivave të Perëndimit.
Disa argumentojnë që politika ekzistuese mund të vihet në funksionim nëse Brukseli do të përpiqej pak më shumë duke mbështetur premtimin e saj për anëtarësim në BE me më shumë përpjekje per promovimin e bashkëpunimit rajonal, demokracisë, transparencës, zhvillimit ekonomik, e kështu me radhë. Megjithatë, kjo mbetet vetëm dëshirë. Premtimi i anëtarësimit në BE është thyer dhe çdonjëra nga këto nisma është provuar e riprovuar në 20 vitet e fundit.
Të tjerë, veçanërisht grupe të shumicës në terren, argumentojnë që Europa duhet të bëhet e rreptë me politikanët që lobojnë për separatizmin, sikurse Uashingtoni ka bërë në të shkuarën. Kjo mund të funksionojë nëse Europa është e gatshme të ndërhyjë në rajon për një kohë të pacaktuar. Por konteksti politik ka ndryshuar në mënyrë radikale përgjatë dekadës së fundit. Askush nuk do një mision tjetër civil, dhe të kërcënosh një grup si serbët e Bosnjës do të thotë që t’i shtysh ata me dëshirë në krahët e hapur të Rusisë.
Për këtë arsye kërkohet një përqasje e re radikale që të farkëtojë paqe të qëndrueshme duke adresuar burimin e paqëndrueshmërisë në Ballkan: mospërputhjen mes kufijve politikë dhe kombëtarë. Eksperimenti dydekadësh me multietnicitetin ka dështuar. Nëse Perëndimi dëshiron që t’i qëndrojë qëllimit të vet afatgjatë të ruajtjes së paqes në Ballkan, atëherë çasti ka ardhur që të vendosë në rang të parë pragmatizmin përballë idealizmit dhe të planifikojë një tranzicion gradual drejt shteteve-kombe, popullatat e të cilëve mund të plotësojnë interesat e tyre bazike politike.
Duke pasur parasysh ndarjet në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e nevojshme që të behen përpara dhe të kontrollojnë procesin. Në periudhë afatshkurtër, Uashingtoni duhet të mbështesë fragmentimin e brendshëm të shteteve multietnike ku minoritetet e kërkojnë një gjë të tillë – psh, duke pranuar kërkesën e shqiptarëve për federalizimin e Maqedonisë dhe kërkesën e kroatëve për një entitet të tretë në Bosnjë. Në periudhë afatmesme Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të lejojnë që këto territore të ndryshme të krijojnë lidhje politike dhe ekonomike me fqinjët e tyre me të mëdhenj, si psh përmes lejimit të shtetësisë së dyfishtë dhe krijimit të institucioneve të përbashkëta, ndërkohë që mbeten ende formalisht pjesë e shteteve ekzistuese.
Në fazën përfundimtare, këto territore do të mund të ndaheshin nga shtetet ekzistuese dhe të bashkoheshin me vendin amë, ndoshta fillimisht si rajone autonome. Një entitet kroat në Bosnjë do të shkrihej me Kroacinë; Republika Srpska dhe veriu i Kosovës do të shkriheshin me Serbinë; Lugina e Preshevës, Maqedonia Perëndimore dhe shumica e Kosovës do të shkriheshin me Shqipërinë. Ndërkohë Mali i Zi, i cili mund të humbë enklavat e vogla shqiptare, mund të mbetet ose i pavarur ose të bashkohet me Serbinë e zgjeruar. Duke ndjekur këtë plan, Shtetet e Bashkuara nuk do të shkelnin territor të ri, por thjesht do të ringjallnin vizionin e Uilsonit të një Europe që përmban kombe vetëqeverisëse – por këtë radhë në atë pjesë të kontinentit ku ky vizion nuk është aplikuar ndonjëherë.
Padyshim qe do të ketë vështirësi dhe rreziqe, ndonëse jo aq serioze sa ato ekzistuese që rriten brenda përqasjes politike aktuale të dështuar. Serbia do të duhej të hiqte dorë nga Kosova minus veriun e saj, por kompensimi do të përbënte realizimin e një shteti-komb serb në territorin e të cilit mbizotërojnë serbët. Shqiptarët gjithashtu do të duhej të hiqnin dorë nga Kosova e veriut. Më problematikë janë rastet e boshnjakëve dhe maqedonasve, të cilët do të duhej të pranonin humbjen e territorit me të cilin janë të lidhur sentimentalisht pa një kompensim domethënës në territore. Në të vërtetë, ky skenar do të ishte thjesht formalizimi i realitetit ekzistues. Por Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Europa do të duhej të lehtësonin tranzicionin duke investuar fort në zhvillimin e tyre ekonomik dhe duke përfshirë një tërësi partnerësh ndërkombëtarë për të marrë përsipër sigurinë e tyre, përfshi këtu Turqinë, Rusinë dhe shtetet kyče të rajonit, Shqipërinë, Kroacinë dhe Serbinë.
Por ky do të ishte një angazhim i përkohshëm, ndryshe nga vendosja aktuale e nevojshme për të mbajtur një status quo jolegjitime e 4300 trupave në Kosovë, duke përfshirë rreth 600 trupa nga SHBA, si dhe 600 trupa në Bosnjë. Në fund të fundit, është më e lehtë të detyrohet ndarja sesa një bashkëjetesë e bërë pa qejf. Këto sugjerime mund të shokojnë ata që kanë investuar fort në politikën aktuale të multietnicitetit. Por debati mbi Ballkanin është dominuar për një kohë tepër të gjatë nga diplomatët dhe akademikët perëndimorë të cilët mohojnë atë që është e qartë për thuajse këdo në terren: multietniciteti në rajon është një ide e bukur por një realitet i mjerueshëm.
Nuk ka dyshim që zhbërja e kuadrit ekzistues do të ishte e komplikuar. Megjithatë, një proces i manaxhuar i ndarjes së grupeve me interesa të ndryshme kombëtare, më shumë se një bashkëjetesë e detyruar për hir të qëllimit ideologjik abstrakt, do të eliminonte rrezikun më serioz me të cilin përballet rajoni, e pikërisht, dezintegrimin e pakontrolluar dhe një konflikt të ri. Në një këndvështrim afatgjatë, ky process do t’u jepte edhe vendeve si Bosnja dhe Kosova një mundësi më të mirë për t’u zhvilluar. Kjo është jashtëzakonisht më e parapëlqyer sesa status quo-ja.
Pas shumë viteve të humbura kot, Perëndimi duhet të ketë besimin në vetvete që të përqafojë një përqasje të re e cila rrëzon supozime të ngurtësuara. Administrata e re tashmë ka një mundësi të paprecedent për të rimenduar politikën që ka qenë e metë që nga gjeneza vetë. Në një akt përfundimtar në shërbim të Ballkanit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përfundojnë punën e nisur kaq shumë kohë më parë, këtë radhë njëherë e përgjithmonë.
*(Publikuar në Foreign Affairs, 20 dhjetor 2016)
Solli në shqip: Lindita Komani