• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Turizmi i Krujës, mes shenjtërisë dhe historisë

September 6, 2017 by dgreca

1 Ylli Xhaferri 21 Sari_Saltek2 Malilegend_02SARI-SALLTIK

Turizmi i Krujës, mes shenjtërisë dhe historisë/

NGA YLLI XHAFERRI/-Reportazh/

Rruga dredhonte si një balerinë elegante, hollake dhe gjelbëroeshe, ngjitej butë e ëmbël, midis një peizazhi të thepisur malor. Shkonim drejtë Vendit të Shenjtë, Sari Salltëkut të Krujës që ndodhej në Majën e Liqenit në lartësinë 1724 metra të Malit të Skënderbeut. Me ne shkëmbeheshin makina që ktheheshin nga vizita e bekuar, njerëzit uronin pa na njohur: “Ju ndihmohtë”! Ishte një përshëndetje miqësie, paqeje, harmonie, dashurie dhe solidariteti njerëzor që se kisha hasur kund. Me këtë formë dëshiroreje të përshëndesnin pleq, vajza, turistë të huaj, fëmijë, emigrantë të malluar, djem, plaka të veshura me kostumin e zonës përreth, por edhe të Zadrimës së largët, burra, misse, kosovarë, gjimnazistë, të fejuar, gra, cilido që kishte bërë nijet për tu ngjitur në vendin e shenjtëruar. Ndjeheshe mirë e ngrohtë mbështjellë nga ky urim sa njerëzor aq edhe bestyd. Me siguri këtyre anëve do të kishte dalë njeriu që pati thënë i pari: “Pa miq, bota është e shkretë”. Këtu të bëheshin miq zot e njerëz, shkrepa dhe rrëpira, përrenj dhe humnera, mali i Skënderbeut, luginat e Drojës dhe Gallatës poshtë në fushë, gurë graniti dhe frashër, panja, shkoza, ahe e pisha, deri lumi i Hurdhazës që derdhej në Mat dhe ai i Zezës që derdhej në Ishëm. Peizazhi ishte një grishje për në lartësim shpirtëror, moral dhe atdhetar. Poshtë gurgullonte si baladë krutane lumi i Drojës, në të cilin ishin hedhur nga Shkëmbi i Vajës plot 90 vajza, lulja e bukurisë krutane, që mos të bëheshin robinja të pushtuesit turk. Peizazhi formëndryshonte, ndërsa çatitë e qytetit shpaloseshim si shami feste, valviteshin si flamuj të kuq, uronin ardhësit e shumtë si të qe pelerina e purpurt e kështjellarit legjendar, Vrana Konti. Pas kishim lënë guroret, këto dinosaur të natyrës, shpërthimet tronditëse, pluhurin e zhultë që ngrihej si tym djegiesh, duke i dhënë peizazhit të qetë krutan një hije të përzishme. Ullinjtë, kumbullat, pishnaja në hyrje të qytetit, mbjelljet nëpër kodrina, vreshtat, gjithçka e gjallë, dukej si e thinjur. Një gri e egër, asfiksuese. Ishte shfrytëzimi pa kriter i shkëmbinjve të Krujës, këtyre karakollëve të lirisë dhe monumenteve të gjalla, ku “Atleti i Krishtërimit”, Skëndërbeu, kishte shkruar simfoninë e pavdekshme të lirisë si mbrojtësi i qytetërimit europian. Vetëm Krujës nuk i shkonin ato thinja pluhurore dhe ato tymtarë gëlqeresh, ndaj të cilëve duhej bërë patjetër diçka në mbrojtje të ekosistemit dhe ekologjisë. Krutanët janë punëdashës, përgjegjësia e saj ndjehej ngado, natyra sikur thonte: për çdo njeri ka një lloj pune me të cilën bëhet i dobishëm për familjen, qytetin dhe shoqërinë, duke gjetur aty njëkohësisht edhe lumturinë e vet. Vështrimi nuk kishte ku të ndalej më parë, mrekullia e natyrës harminzohej me ditën e kthjellët, qiellin e kaltër, ku si qengja të bardhë luanin disa re të vogla. Nëpër kthesa të rrugës, treteshin nga errozioni furrat e shuara të gëlqeres, dëshmi e resurseve të pashembullta të këtij masivi shkëmbor jetëdhënës. Jo më kot kronikanët turq e kishin quajtur “Qyteti i bardhë”. Gëlqerja e Krujës, graniti i saj, guri i bardhë, pse jo rëra, granili, çimentoja, janë me emër në fushën e ndërtimtarisë për të gjitha viset shqiptare. Makina i vinte rrotull Malit të Skënderbeut, si t’i blatonte një valle, një rit, një baladë të kohës. Isa Halili, përqëndruar në timon, nuk mungonte të shijonte magjinë e peizazheve alpine që çeleshin në spektrin e plotë të ngjyrave të ylberit. Të bëhej sikur mëma natyrë po shfletohet para teje një album të rrallë. Arritëm në Sari Salltëk. Legjendat flasin për një njeri të shenjtë, figurë gojëdhënash bektashjane, për të cilin mendohet se kishte qenë dervish në oborrin e Sulltan Orhanit (1326-1360) dhe dishepulli i drejtpërdrejtë i Haxhi Bektash Veliut, themeluesit të Bektashizmit. Gjurmët arkeologjike dhe lashtësia e tyre tregojnë se më shumë gjasa ka që Sari Salltëku të ketë qenë një figurë ballkanase e agimeve të historisë, të cilën Bektashinjtë e shfrytëzuan, për popullaritetin që gëzonte, si simbol të sinkretizmit dhe toleancës fetare islame, për përhapjen e doktrinës së tyre. Për herë të parë, Sari Salltëku, përmendet nga gjeografi maroken Ibn Battuta, (1304-1377) i cili pohon se për të ka patur shtatë varre, në çdo njërin prej tyre gjendej një pjesë e trupit të martirit. Varr për Sari Salltëkun nuk ka vetëm në Krujë, por edhe në majën e malit të Pashtrikut në Has, në kishën e Shën Naumit në brigjet jugore të Liqenit të Ohrit, etj. Studiusi holandez, Machiel Kiel, ka zbuluar së fundmi në një regjistër perandorak Osman të viteve 1567-1568, një shënim për ndreqjen e rrugës që të shpie nga qyteti i Krujës për tek varri i Sari Salltikut, ku thuhet: “ Në malin e Krujës është varri i Sari Salltëkut, ku njerëz nga trevat vijnë për peligrinazh. Rruga e përmendur është mjaft e pjerrët dhe e mundimshme për tu ngjitur nga vizitorët”…,”…janë ngarkuar të shtrojnë, të sheshojnë e të ndreqin rrugën kurdo e kudo që ajo të prishet”…

Ndjehesh i mrekulluar. Të bëhet vetja si në ballkonin e perëndive. Syri rrokte gjithë Shqipërinë. Tiranën. Detin. Tomorrin. Kepin e Rodonit. Rrugën e Arbrit. Malin e Shëngjinit. Malin me Gropa. Lagunën e Patokut. Ishmin e piktorit të shquar, Ibrahim Kodra, etj. Një arrë e madhe, çuditërisht e vetme, gjallonte si monument qindravjeçar. Kujtesa e kohërave. Miku im. Isuf Neli, më tregoi se ajo majë, kishte qenë bazë e raketave në kohën e diktaturës. Vërtetë për tu çuditur! Ishte një antitezë e mahnitëshme me historinë, namin dhe simbolikën e vendit. Sari Salltëku, dëshmonte legjenda, kishte qenë një dervish i thjeshtë, kishte mbërritur në Krujë në kohën kur një Kuçedër që e kishte shtëpinë në shpellën majë malit, kërkonte nga qyteti t’i blatonin për të ngrënë çdo ditë një burrë dhe një grua. Dervishi i moshuar me mjekër të bardhë ishte dukur teksa ecte rrugëve me një degëz qiparisi në duar, kurse në brez kishte ngjeshur vetëm një shpatë druri, dëshmi e misionit paqtues. Legjenda thotë se radha i kishte ardhur vajzës së bukur të princit, e cila sypërlotur po i ngjitej malit për tu flijuar. Aty ndeshi dervishin, që edhe pse veshur me zdranga e zhele nuk e trembi vajzën. Pasi dervishi mori vesh gjëmën që priste vajzën, e shoqëroi për tek Kuçedra. Vendi ishte tharë e përcëlluar nga fryma e përflakur e Kuçedrës. Vajza po digjej nga etja. Dervishi plak kishte ngulur shkopin në shkëmb, nga ku kishte gurgulluar uji i freskët. Me shpatën e drunjtë dervishi plak ia preu Kuçedrës të shtatë kokët. Nuk pranoi ta merrte për grua bijën e re të princit, por kërkoi që të jetonte në shpellën majë malit. Legjenda vazhdon se me mushkën e tij Sari Salltëku me katër hapa arriti Korfuzin. Gjurmët e tij duken edhe sot e kësaj dite në Fushë Krujë, Shijak dhe Durrës…

Sari Salltëku kishte përjetuar tmerrin ateist-komunist. Më 1967 ishte shembur vendi i shenjtë, por krutanët nuk ishin shkëputur nga besimi. Netëve, merrnin të përpjetën e mundimshme me dashin në krah, bënin kurbanin dhe ktheheshin pa iu trembur rrokullimës për në zgafellat e thella të malit. I ruante dhe prunte Sari Salltëku. (Të ndihmohtë!) Bektashinjtë i përbahen formulës: “Eline, diline, beline sahip ol”, që do të thotë “të mos vjedhësh, të mos gënjesh e të mos flasësh kot, dhe të mos bësh tradhëti bashkëshortore”. Për të mbrojtur këtë besim është masakruar martiri i besimit, Baba Myrtezai i Krujës, i cili pasi u turturua dhe gjymtua, u hodh nga dritarja e burgut në vitin 1946.

….Ky njeri se ç’më kujtoi rilindasin tonë të madh, Naim Frashërin, me veprën “Fletore e Bektashinjet”, ku shprehet: “Besa e Bektashinjve është udha e gjerë që ka përpara dritën, urtësinë, vëllazërinë. Miqësinë, dashurinë, njerëzinë dhe gjithë mirësitë. Më një anë ka lulet e diturisë, më anën tjetër të së vërtetës. Pa dituri e pa të vërtetë dhe pa vëllazëri, s’mund të bënetë njeriu bektashi i vërtetë”…

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Turizmi i Krujes, Ylli Xhaferri

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT