Studim/ Dy fjalë përkujtimore në 100 vjetorin e lindjes së Prof.Dr. Isuf Luzaj-21 shkurt 1913- 2 dhjetor 2000/
Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/
Ishin vitet e para pas rënies së diktaturës komuniste. Ende nuk kisha nisur të vija në jetë ëndrrën time, ato pak prirje të spikatura dikur nga mësuesët e mi dhe më pas nga ish nxënësit e mij. Ishte koha e një presioni psikologjik që më bëhej prej bashkëshortit tim Fitim Haxhiraj, i cili ngulte këmbë që idetë e mija t’i hidhja në letër. Qysh nga viti 1991 nisa të merresha me publicistikë, lëvrimi i së cilës ringjalli besimin e humbur, shpresat e vrara dhe ëndrrat e shuara qysh herët tek unë. Gjithsesi më dukej se isha shumë vonë për të dhënë vlera. Gruas së viteve të shkuara, në moshën 50 vjeçare, i dukej vetja plakë. Ndaj nuk ma merrte mendja që të shpalosja dhuntitë e mija aq vonë dhe që mund të realizoja diçka me vlerë për vete dhe të tjerët. Teksa punoja për hedhjen e themeleve të demokracisë si dhe me problemet e gruas: të drejtat dhe liritë e saj, me barazinë gjinore, që gjithmonë kanë qenë e janë edhe sot prezente dhe tejet shqetësuese, më dukej sikur gjeja veten duke u marrë si shumica e shqiptarëve, me demoktacinë tonë të brishtë dhe emancipimin e gruas, e këtij segmenti të rëndësishëm. Sesionet shkencore organizuar me gratë, sidomos me nënat dhe vajzat e reja për problemet sociale, referuar nga intelektuale të fushave përkatëse, kundër dukurive negative si: krimi, droga, abortet e adoleshenteve, alkoolizmi, trafiku i qenieve njerëzore, korrupsionin dhe pasojat negative të tyre, edhe pse kishin vlerën e tyre zbutëse të këtyre fenomeneve, se me kohë nuk ishin më dukuri por u shndërruan në probleme të rënda, madje të organizuara. Këto më dukeshin një vlerë e mjaftueshme krahasuar me “Asgjënë” që më kishin shndërruar deri në vitin 1990. Pas zhvillimit të një sesioni shkencor të LDG zhvilluar në Himarë, nën drejtimin tim, ku u përfshinë gra Demokrate të Vlorës dhe Himarës dhe u referuan temat:”Himara autoktone shqiptare” dhe “Shkolla e parë shqipe në Himarë“, ndodhesha në Tiranë pasi kisha takim me Ambasadorin italian T. Kardili, në lidhje me kërkesën time për legalizimin e emigrantëve shqiptarë dhe bashkimin me familjet, pasi Vlora mbante vendin e parë në këtë arratisje masive. Të gjitha këto përpjekje, si dhe përballja me problematikën sociale shqetësuese të tranzicionit, e cila kishte pritur vetëm kohën e duhur që të bëhej faktor shqetësues për familjen dhe shoqërinë shqiptare, më bënë të vrasë frikën.
Kishte pak kohë që poeti brilant, Akademiku Xhevahir Spahiu ishte kthyer nga ShBA-të i ftuar nga Prof.Dr.Isuf Luzaj. Ndërsa dola nga Ambasada italiane u përballa me shokun e shkollës Pedagogjikes, poetin Xh. Spahiu. Një takim i tillë pas shumë vitesh mes shokësh ka shumë për të thënë. Kurse ne vetëm sa mësuam diçka për njëri-tjetrin dhe familjet tona, ai e kalonte bisedën në ShBA, mbi përshtypjet, ndryshimet mes vendit të demokracisë dhe vendeve socialiste, sidomos vendit tonë. Por ajo që i kishte lënë mbresë dhe i ishte ngulitur në ndërgjegje ishte personaliteti i të zotit të shtëpisë, një njeri i mençur, erudit me shumë kulturë dhe jashtëzakonisht i thjesht, Prof.Dr. Isuf Luzaj. “Çdo fjalë, çdo shprehje e tij ishte një filozofi më vete…Ishte kënaqësi të bisedoje me të! Kam ngelur i mrekulluar dhe tejet i kënaqur që m’u dha mundësia ta njohë atë personalitet botëror, gjë që po më jep kënaqësinë që të kujdesem për të realizuar botimin e një vepre filozofike të tij,me titull “Ekzistenca dhe Boshësia”– shprehu admirimin Xhevahiri për të.
Që Isuf Luzaj ishte njeri i madh, një personalitet, e kisha mësuar qysh në fëmijëri nga im Atë, por për fat të keq nuk kisha asnjë vepër të tij.
Vetëm më 1 nëntor të vitit 2000, rastësisht mes librave që shiten në rrugë, në Sheshin e Flamurit gjeta “Gloria e Çmendjes”, ku në faqen e parë të tij vendosa mbishkrimin: “Më fal Profesor, më fal! Më vjen shumë keq që s’të njoha dot më parë!” Ishte si një ndjesë kohore, e vonuar dhe jo për faj të tij dhe as timin. Ishte fatkeqësi që koha e egër ua mohoi këtë të drejtë legjitime shqiptarëve, njohjen e njërit prej 7 filozofëve më të mëdhenj të botës në shek e XX. I vlerësuar me sa e sa çmime ndërkombëtare, ky shef Katedre që për 35 vite ka dhënë dilploma sa e sa studentëve që kanë drejtuar apo drejtojnë politikën botërore, zhvillimin e demokracive perëndimore, i nderuar me titullin “Profesor i Amerikës”me Medalje Ari, dhënë me dorë nga Presidenti i Sh.B.A-ve, antikomunisti Ronald Regan, kurse ne si bashkëkombas nuk e njihnim.
Ndërsa bota i korrte vlerat, ndërseavendi i tij nuk dinte se ekzistonte një personalitet i tillë deri më 1995, kur doli nga botimi “Gloria e Çmendjes” dhe më 1996 u botua “Ekzistenca dhe Boshësia”. Atëherë u shkrua për të. Fare pak i njohur, ose aspak për shumicën e shqiptarëve, Prof.Dr. Isuf Luzaj ky kolos i mendimit intelektual botëror, ky ambasador shqiptar pjesë e kulturës botrore, meriton të studiohet në katedrat e filozofisë, sociologjisë dhe drejtësisë. Jam e lumtur, natyrisht jo vetëm, por me përkrahjen e dhjetëra e qindra vlonjatëve, me mbështetjen e intelektualëve shqiptarë në atdhe dhe në Botë, u arrit që ai të marrë titullin “Nder i Klubit ‘Petro Marko“ dhe Urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Prof.Dr.Bamir Topi.
I përjetshëm qoftë emri dhe vepra e tij! Uroj që të kujtohet me nderim në shekuj nga brezat që do të vijnë, jeta dhe vepra e Prof.Dr. Isuf Luzit, pasi emri i tij nderon Kombin!
I mbijetuari Prof. Dr. Isuf Luzaj i dënuari nga Mbreti Zog, Fashizmi, Stalini, dhe Enveri, ky filozof me përmasa botërore, vlerësuar e respektuar nga bota, e meriton pa hezitim të vlerësohet nga vendi i tij me Urdhrin “Nder i Kombit”
Rruga e filozofisë Luziane (I. Luzit) në “Ekzistenca dhe Boshësia”
Analizë e veprës(studim)
“Prof.D.Luzaj me përmasat që mori si filozof,
u vetënxorr nga harrimi dhe u vetëshndërrua në kujtesë,
e cila pasuron kulturën dhe ripërtërin historinë e vërtetë.”
Të analizosh një nga veprat e Prof.Dr. Isuf Luzit, si “Ekzistenca dhe Boshësia” duhet jo vetëm të kesh lexuar, por studiuar së paku disa libra, si: “Filozofia e Bukurisë”, “Rindërtim i Fuqive Shpirtërore”, “Përtej së Mirës dhe së Ligës“, si dhe “Gloria e Çmendjes“, ku përmes dhjetëra sinonimeve ai spjegon dhe ta ngulit mirë në memorie një koncept në lidhje me ekzistencën dhe inekzistencën e njeriut, të Zotit, dogmave fetare, euforisë komuniste apo ideve sociologjike dhe filozofike të kohërave. Kurse ky libër” Ekzistenca dhe Boshësia” të tregon më së miri zhvillimin e mendimit filozofik në shekuj, ku përmes një qëndrimi analitik nga ana e tij, Prof Luzi, një intelektual i formuar, e quan veten të paditur në fillimet e punës pas laurimit në Sorbonë. Edhe pse me tituj shkencor, rrugën e zhvillimit, horizontin drejt dijes Dr.Luzit ia hapi studimi i sociologjisë dhe filozofisë botërore, veçanërisht i filozofisë e Evropës Perëndimore, ku përballë njëra -tjetrës vuri idetë dhe teoritë e secilit dijetar. Pa nënvleftësuar asnjerin, por me një qëndrim kritik, ai jo vetëm evoloi, por u formua si personalitet filozofik, duke e rrjeshtuar veten me më të mëdhenjtë filozof të shekullit. Me përmasat që ai mori, u vetënxorr nga harrimi dhe u vetëshndërrua në kujtesë, që pasuron kulturën dhe ripërtërin historinë e vërtetë. Për këtë personalitet poliedrik, njohës i mëse tetë gjuhëve, flet jeta e tij, ku përmes një rrëfimi të thjesht dhe bindës, ai tregon se në moshën 3-4 vjeç i ati i mësoi abetaren arabe. Në moshën 6-7 vjeç lexonte kuranin arabisht(fq.9).Përmes gojës së Afëz Ali Korçës (nxënës i të atit në Medresenë e Stambollit) dëgjoi për herë të parë citime nga libri “Gjylistani e Bostani“(Kopshti i trëndafilave oseTrëndafilishtja e Saadiut), vargje që e magjepsën fëmijën 7 vjeçar. Veç babait në formimin e tij, ndikuan miqtë e të atit, Sali Myfti Shkodra, i cili më1965 e priti në shtëpinë e vetë në NewYork. Kurse mësimi i persishtes është meritë e Shuaip efendi Borshit, mësime që i vazhdoi me Sulo Çerçiz Velaj nga Kanina (fq.10). Si rezultat i studimit të avancuar, në moshën 8 vjeç ai zotëronte dy gjuhë arabe dhe perse, që i mundësuan njohjen e letërsisë së këtyre vendeve. Prej tyre pati disa pasoja: 1-Besimi te Zoti si krijues i gjithësisë sipas fesë islame e çoi në fanatizëm absolut; 2- Njohja e letërsisë arabe-perse, e bindi të studionte letërsi; 3- deri më 1927, kur shkoi në Gjimnazin e Shkodrës, gjuhët arabe dhe perse i kishin mbyllur horizontin për gjuhët dhe letërsinë evropiane. 4-Ishin këto gjuhë që i mundësuan punësimin në Universitetet amerikane, ku janë të rrallë njohësit e këtyre gjuhëve. Në Amerikë sot studiohet filozofia arabe, persiane dhe indu. Atëherë me këto gjuhë të përfeksionuara, në 51 vjeç, ishte i privilegjuari Kandidat Titullar Filozofie në Amerikë. Zhvillimin e ndërgjegjes së tij që niste nga fanatizmi islam në ekstazat kristiane, e arriti pasi studioi teologji në Vatikan 1945-47 dhe më pas, gjë që e rrëfen në 7 vëllime tek “Ditari i Mësonjësit”(f.11)
I rritur me edukim islam përmes të të Atit, që i thosh: “Fakti që Zoti të jep atë që kërkon, provon dialogimin me një qenie të mbinatyrshme, fuqiplote, menduese dhe krijuese e Universit“, u kthye në shqetësim shpirtëror për të . Besimi i tij në Zot bëri që gjatë internimit në Ventotene(1940-42) përktheu nga frëngjisht në shqip Kuranin.
Qëndrimi në Vatikan (1945-48) ku katalogoi Bibliotekën madhështore, i dha mundësi të studionte ankthin e tij nga Shën Thomai i Acquinasit e deri në shek. XX, ku deri diku njohu një kulturë fetare spekulative. Veçse i turpëruar ai pohon se nuk arriti 100% besimin te ekzistenca e Zotit (krijues,mendonjës e mbrojtës i njerëzimit). Kjo për një arsye madhore:”Nuk pajtohesha me ndërgjegjen dhe të pranoja një Zot, atë të njerëzimit, kaq cinik, mizor dhe të pakujdesshëm ndaj barbarisë së furrave krematore hitleriane dhe të 219 kampeve të Stalinit ku nga (1922-1965) vdiqën në moshë (40-55 vjeç) 50 milion rusë të pafajshëm. Pse Zoti, krijues e drejtues i njerëzimit i lejoi këto? Këto zhvillime analizuar te “Ditari i Mësonjsit” kanë qenë feja dhe besa ime”– thotë autori në librin “Ekzistenca dhe Boshësia, f.13)
Prej (1965-90) Isuf Luzaj ka qenë Titullar i Katederës së Filozifisë në Universitetin e Indianës. Ka dhënë leksione metafizike me tendencë katolike në Universitetin “Saint Joseph”.
Feja dhe Ateizmi sipas idevee filozofike të Prof.Dr.Luzaj
“Qielli qe krijuar për përdorimin prej njeriut, për të cilin toka nuk premton asgjë!”
Hajnrih Hajne
Qysh fëmijë Isuf Luzaj u njoh edhe përqafoi besimi fetar islam dhe në gjithë rrugën e vështirë gjatë 83 viteve dije pa ndalesë, ai kërkoi të njohë dhe zbërthejë mendimin e Besës, apo të Besës pa mendim. Së fundmi i formuar ndërgjegjësisht, në këtë libër ai ka sqaruar Ekzistencën dhe Mosekzistencën e Zotit, që e ka quajtur “Ekzistenca dhe Boshësia”. Ai e nis studimin nga shek XX dhe shkon pas në kohë te Buda, Konfuci, Mosiu, Sokrati, Krishti, Muhameti, ku vë përballë teistët me ateistët në mënyrë analitike. Idetë e tij Luzi i mbështet në Ekzistencializmin,filozofi që lindi e ndikuar nga kriza apo paaftësia e Kristianizmit, i cili braktisi Metafizikën kristiane(njohjen e botës ose Zotin, jashtë përvojës jetike, por që nga ana tjetër ky besim mbajti Metapsikologjinë Kristiane(që mbikqyr ,analizon dhe drejton ndërgjegjen humane). Me këtë Prof.Luzi tregon se kristianizmi shekullor ka si bazë Subjektivitetin. Sipas tij ideologët e kristianizmit pranojnë zhvillimet e botës sipas vullnetit të Zotit e jo sipas ligjeve objektive që sjellin zhvillim. Ata dorëzohen para humbjes përfundimtare tëBoshësisë, e cila shërben si emblemë, a stemë e përcaktimit të vlerës së Ekzistencializmit. Tmerri si pasojë e frikës së kristianizmit, evidenton mundësinë e përzgjedhjes mes mohimit që autori e quan“Nihilizëm Heroik” dhe pozitivizmit, ku njohja njerëzore, shkencat si tërësi ndijimesh, përfytyrimesh të fituara përmes vlerave konkrete, bazuar në faktet reale.
Nga kjo del :Jo gjithmonë Subjektivizmi është ateist.Pionierët e kësaj rryme filozofike, qenë kristianë mistikë si: Agostini, Bonaventura, Kierkegardi.Pas Hajdeggerit, mjaft mendimtarë ateistë pranuan Ekzistencialzmin. Duke parë se shumë besimtarë katolikë, ortodoks, hebrejë, protestan, e mbështetën Ekzistencializmin po aq sa dhe ateistët, Luzaj thotë se nuk ka vetëm një filozofi ekzistencialiste, por edhe një teologji ekzistencialiste (e përqfuar nga të dy doktrinat).
Përfaqësuesi ateist autentik i ekzistencializmit është Zhan Pol Sartri. Nëse Hajdeggeri është absrakt dhe transformues i ekzistencializmit, Sartri ateist ka ndikim më të madh te rinia studentore, madje veprat e tij janë më të lexuarat nga veprat e gjithë ideatorëve të shek XX. Vrojtuar nga Prof.Luzi gjatë 45 viteve akademike, ai thotë se Sartri, është bindës dhe i vendosur si ateist, aq sa nuk pranoi dekorimin nga Bashkimi Sovjetik. Kjo i rriti personalitetin si filozof dhe e tregoi si një intelektual të moralshëm. Sartri mbron me forcë tezën e mosekzistencës së Zotit. Gjatë vizitave të Sartrit në ShBA, Luzaj e quan fat njohjen dhe letërkëmbimin me të, pasi ishte përkthyes në 18 konferenca e tij në Universitetet e Indianës, Kolumbias dhe Harvardit,gjë që i dha fuqi të punonte (f.15).Për përsosjen e punës së tij në katedër, i duhej njohja e Laibnic, Niçe, Spinoza, Hajdegger, Sartri, Kroçe…studimi i të cilëve i solli një krizë në kriteret e mendimit. Kurse goditjen e fundit të besimit të tij islam, ia dha Frojdi, i cili bëri që I.Luzi t’i spostojë idetë metafizike 180 gradë. Në kërkim të zgjidhjes së idesë së Froidit se:“Besimi është iluzion”kërkoi në idetë e Teologjisë së Thoma Akuinit, por abstrakcioni i saj e zhyti më në errësirë. Ai nuk e gjeti dot përgjigjen e tezës së Froidit, i cili besimin te Zoti e quan iluzion foshnjarak.Duke parë bindjen te roli i Zotit mbi njerëzimin, i ngritur aq lart sa ai vendos edhe të ardhmen e botës, edhe Luzaj ,si mendimtari katolik Zhak Mariten,pranon se moraliteti i lumturisë kristiane merr karakteristikat e Iluzionit Frojdist(f.16) dhe sqaron:
A-Doktrina e Thomait, e ndërtuar mbi parimet helenike të Besës, thotë: “lumturia si përsosje e njeriut, s’ është gjë tjetër veç arritja e qëllimit.”
B-Neotomistët thonë:”Morali është shkenca që e udhëheq njeriun drejt lumturisë” . c)Filozofia katolike :”Lumturia është Besa që vjen prej Besës”.
d) I.Luzaj:“Logjika sqaron se besimi apo mosbesimi dhe arritja e lumturisë, nuk spjegohen përmes besës”. Autori ka të drejtë, pasi vetëm besimtari sqaron sipas përvojës fetare. Po kështu bënë edhe ateisti që di pse ateizmi është kundërshtar i besimit. Për ide të të tilla u dënuan me vdekje gjenitë e mendimit botëror:Faraoni Akhenaten, Sokrati, Krishti, Muhameti, Gandi…Sot bota ka evoluar dhe quhet Ateizëm Qmodern, që ka përfshirë popuj, filozofë dhe ka shkuar deri te fshatari analfabet, i cili nuk beson te ekzistenca e Zotit. Luzaj thotë:“Besimi është armik i natyrës që shihet preket, zhvillohet dhe ndryshon. Ndaj për ateizmin modern është e huaj çdo filozofi fetare. I arsyeshmi pranon se Ateizmi është antikristian, pasi besimi kristian pengon arritjen e lumturisë“. E më tej Luzi vazhdon: “Frojdi dhe Marksi, të dy hebre, luftonin më shumë krishtërimin se sa Judaizmin, për t’i zgjuar popujt drejt një Mosbesimi fetar. Shumë filozofë si Zvingli, Kalvini e Luteri,të zhgënjyer nga kisha, u munduan të koregjojnë ateistët modern, por arritën të humbasin Besën, saqë pasardhësit e tyre përqafuan Ateizmin. As Ateizmi nuk e çoi njerëzimin drejt gjetjes së lumturisë.” Ndaj duhet të sundojë ateizmi filozofik i bazuar në arsye si Marksizmi, Racionalizmi përballë Ekzistencializmit,me idetë e Niçes, Malro dhe Kamys.Të dy grupet, edhe pse nuk e besojnë Zotin, secili ka idetë e veta, që Prof. Luzi i ballafaqon me idetë e Sartrit, Hajdeggerit. Luzaj pohon se Ateizmi është sëmundje nervore, të cilin e quan Ateizëm Neurotik.
Pas krimeve të Hitlerit e Stalinit, çmendjes së popujve nga ideologjia utopike komuniste, indiferencës së klerit mysliman e krishter dhe qëndrimit asnjanës të intelektualëve shqiptarë që prisnin se nga do të frynte era, pa kuptuar se po e humbisnin kauzën e lirisë për të cilën luftuan, bënë që Luzaj kaloi një krizë shpirtërore. Isufi luftëtar i lirisë kundër okupatorit nazi/fashist, që luftoi dhe komunistët, thotë se nuk ishin të huaj por vegla të Moskës e Beogradit, I lëkundur nga thënia e Engels -Lenin:”Besa dhe feja janë opium për popullin”, u luhat që nuk luftoi përkrahë komunistëve,pasi prej viteve 1925-55 u duk sikur Komunizmi ishte një e ardhme e ndritur, besa e të cilit ishte ateizmi.
Pas largimit nga atdheu më 1945, frekuentoi kongreset e partive komuniste italiane e franceze, që për të përligjur ateizmin referonin edhe idetë e Niçes, Fojerbahut, B.Kroçes. Duke qenë në listën e 10 shqiptarëve të kërkuar nga Stalini, dhe pse s’kishte marrë pjesë në luftën vëllavrasëse, Isufi hyri në Vatikan. Atë kohë dha filozofi frënge të shek 16-17 në Universitetin Gregorian -Romë.Studimi i “Kritika e Arsyes” e Kantit dhe “Monadat” e Lajbnicit, e nxorën nga kriza shpirtërore e mendore që e mundonte. Këto i mundësuan përvetësimin e Filozofisë me baza shkencore dhe arriti t’i futet me zell kritikës subjektive dhe objektive. Mesjeta e errët e kristianizmit që përfundoi me revolucionin frëng 1789, e çoi njerëzimin në krizë mendimi, siç ishte dhe I. Luzi, herë majtas e herë djathtas. Në bisedat me profesorë të Universitetit Gregorian, më të hapur e më liberal në idetë Ateiste, ai tregon paaftësinë e ndërgjegjes së tij fetare, që përmes pyetjesh metafizike, nuk e sqaron dot Ateizmin. Kjo bëri që Luzaj të ndajë idenë e mendjes nga ajo e shpirtit. Luzaj pyet:* “Amund të shihet shpirti si substancë dhe ku? Këtë e gjen në mekanizmat e trurit.” Pasi studioi natyralistët dhe filozofinë e historisë së njerëzimit, Shpirt ai quajti cilësitë shpirtërore (psikike) që s’ ndryshojnë nga efektet bio- fizike, por janë një shkallë më e lartë se evolucioni i materies. Më pas idenë se Zoti i fal pavdeksinë njeriut, e zëvendësoi me Panteizmin natyralist,(teori e Hajdeggerit që njeh ekzistencën e një Zoti jashtë natyrës, por në brendësi të botës natyrore. Vënia në të njëjtin rrafsh të natyrës dhe shpirtit hyjnor, u quajti Panteizëm . shën.Vivra)Kurse Isufi e quan Pancozmism (pasi idenë e Hajdeggerit e shtrinë në plan më të gjerë, në Kozmos). Niçe e të tjerë filozofë ishin kundër përjetësisë, pra jetës Eterne. Luzaj thotë: “Nuk di si do të kish reaguar ndërgjegja ime, po të kisha njohur që në të ri intelektualët kristianë si:Movnier, Mariten, Zhilson, Guardin, që i njoha vonë në karrierën time akademike.(f.20)” Synimi i Profesorit me këtë libër është të sqarojë funksionin psikologjik Kristian, Mysliman të Besimit dhe Mosbesimit,çfarë e dallon njeriun thellësisht fetar(besimtar) nga njeriu ateist. Duke u takuar me njerëz të besimit dhe Hindu; ndërsa viziton qytete të Hindisë, Delhi, Agra, Bombay, Suraganapur, i vetëm, ose me Nënën Tereza, apo me Kuelarin(funksionar i Uniçefit,Uneskos), duke biseduar me profesorë Universiteti, gjeti fanatizmin e errët të mesjetës së kristianëve evropianë, madje jo vetëm ndër Teologët e Budës, por edhe në Artet, Shkencat Ekzakte, ku gjeti Besën-Buda dhe Zotin. Luzaj mbajti kumtesë;tezën e Darvinit mbi evolucionin e njeriut, ndërsa Shefi i katedrës së Teologjisë tha: “Meqë ju jeni krenar për origjinën e njeriut nga majmuni, atëherë raca juaj mund të ket ardhur nga majmuni, jo raca ime –f.22“. Ndërsa ai, pa fyer asnjë fe dhe besim nëpër katedra të ndryshme, u është përgjigjur shkencërisht studentëve për origjinën e njeriut, edhe për Mrekullitë e Lourdes (Francë f.23), rreth rikthimit në jetë nga gjumi letargjik, koma apo sëmundje të rënda. Gjithashtu sqaron se socializmi utopik i Furie, Sen Simon deri te Prudoni ose Shtirneri, quhet mistik, por s’mund t’i aplikohet socializmit shkencor të Marksit. Pas vëzhgimesh e studimesh ai nxori se komunizmi trashendent*1 (ndoqi rrugën e të qenit ideologji superiore hyjnore, që është tej përvojës dhe përceptimit të njeriut, si në besën e Zotit për teistët).
1*Transcendentalizëm quhet: Besimi në një nivel më të lartë të realitetit se ajo ekzistues dhe të kuptuarit e një lloj diturie më të lartë se ajo e arritur nga arsyeja njerëzore. Filozofia Transhendente origjinën e ka te Metafizika e Platonit, që pranon ekzistencën e intuitës absolute me anë të njohjes së thellë. Filozofë dhe teologë të antikitetit të vonë, ndikuar nga doktrinat e Platonit, dhanë konceptin e transcendencës, se Zoti është transcendent, me kuptim” jashtë ekzistencës së natyrës”.Në Mesjetën e vonët termat transhendente dhe i jashtëzakonshëm janë përdorur në një kuptim të ngushtë nga shkolla për të treguar specifikat e realitetit që përfaqësojnë universalitetin për çdo lloj të qeni., që janë gjashtë nocione të Jashtëzakonshmes: ENS (esenca) unum (njësi), Bonum (mirësi), verum (E vërteta), res (sinonim i Zotit) dhe aliquid (lidhja me të tjerët).Filozofi gjerman Imanuel Kant ishte i pari që bëri dallimin mes të termave teknike “transcendent” dhe “i jashtëzakonshëm”. Kanti e përdor termin “transcendent” në lidhje me subjektet (Zot dhe shpirt) që konsiderohen se ekzistojnë përtej kufijve të përvojës njerëzore, pra, si “gjëra më vete”. Kurse termi “I Panjohshëm”, përdoret “i jashtëzakonshëm” që tregon format prioriteteve të masës së intelektit, mes të cilit kuptohet përvoja. Kanti e quajti atë “Filozofia transcendentale” studimin e burimeve dhe kufijtë e njohurive të përfituara nëpërmjet veprimtarisë së kuptimit të pastër dhe format e saj si një prioritet.Më vonë, e përqafuan filozofët gjermanë idealistë të ndikuar nga Kanti.
……………….
Ideologjia komuniste beson se jeta nuk ka tjetër veç vetes, pra jetën materiale. Pas spastrimeve të Stalinit, paktit sovjeto – gjerman-1939, revoluc ionit hungarez- 1956, mendimtarë ateistë u ndanë nga kjo ideologji false, kurse Luzaj vazhdoi teorinë e Paskalit por pa rezultat. Duke parë botën që ziente në favor të marksizmit, në konflikt me ndërgjegjen e tij që nuk gjente dot spjegimin e Besës, apo pse humbi filozofia dhe Kauza e tij, tok me zhgënjimin e popullit të tij, mendoi t’i jepte fund jetës. Ishte jashtë logjikës që një njeri i shkencës dhe dijes, që e donte zhvillimin e jetës,të arrinte të bëhej prh e një universi absurd, ku mbretëronte asgjëja, në të cilin s’kish gjë për të menduar, për të dashuruar dhe shpresuar. Ky arsyetim psikologjik i ndriçoi arsyen, për të parë mesazhin kristian dhe të feve të tjera si shpresë për të sqaruar Misterin. Logjika e çoi Luzin në zbërthimin e ekuacionit: Ateizmi, sëmuendje neurotike e individit, që i tmerruar nga padrejtësitë, ngrihet kundër Zotit. Sjelljet neurotike janë pasojë e ligjeve që zbatojnë qeveritë, si dhe nga prapambetja foshnjore e besimtarëve apo ateistëve. Racionalistët si mendimtarë të lirë, e trajtojnë besimin si çështje private dhe janë kundër ndikimit shoqëror të tij. Kurse komunizmi kërkon të ndryshojë edhe njeriun , të cilën e kemi vënë re në ndikimin që pati në vendin tonë, duke na dhuruar një mendje shterp të indib vidit dhe shoqrisë. Marksi kritikoi Gasendin që donte të ripajtonte ateizmin e Epikurit me Kristianizmin, duke thënë se i vetmi hyjnor(Divinitet) që duhej sakrifikuar, ishte mendja njerëzore. Dalja e filozofisë së Hegelit (Ati i Dialektikës moderne), provon se dogmat e besimit janë koncepte racionale dhe jo fakte objektive. Sa për Hegelin, të tjerë filozofë dhe Luzaj, dyshojnë nëse ky ishte teist apo ateist, edhe pse filozofia e tij qe e pasur në analiza bindëse ateiste. Hegeliani Shtraus e quan Kristianizmin një Mit, ku imagjinata e besimtarëve sajoi Njeriun Zot, si simbol humanizmi dhe të kënaq nevojën e një Zoti të Mishëruar. Kurse Baueri tjetër hegelian mendon se njeriu duhet të jetë tolerant ndaj kristianizmit si Mit. Me qëndrimin e tij radikal mes njeriut dhe fesë, kristianizmin e quan Inhumanitet(antinjerëzor) apo fatkeqësi të njerëzimit. Ai që mundi të ndërtojë një filozofi njerëzore ishte përsëri hegelian, Fojerbahu, i cili tha: “Njeriu është i vetmi objekt që meriton filozofinë. S’ka asgjë tjetër me më rëndësi që të studiohet jashtë njeriut.-f.27” ,i cili studioi njeriun si qenie individuale dhe vazhdues i jetës. Luzi sqaron:Nëse Fojerbahu do rrëzonte Zotin Kristian, krijuar nga njerëz të sëmurë, do të rrëzonte të tëra Perënditë. Si pasojë e qytetërimeve mesjetare njeriu krijoi disa Zota (këta sipas Tribuve). Zoti si pika më e lartë e sëmundjes mendore të njeriut, i cili e vetkrijoi me fantazinë e tij të sëmurë, kurse njeriu është hyjnia e njëri-tjetrit (unë dhe ti), që Luzaj e quan “Njeri i njeriut Zot” -(Homo Homini Deus). Më tej, thekson se Ateizmi i Marksit, që e heq veten njeri shkence, nuk është shkencor, sepse ateizmi duhet spjeguar jo nga ekonomia politike e tij false, por përmes psikologjisë shkencore. E më tej konkludon… Intelektualët marksist, ndryshe nga proletariati,edhe pse ateistë, kanë një lloj bese që është përzierje e sociologjisë së Durkhaim me pozitivizmin e Ogyst Kontit dhe materializmin marksist me evangjelizmin romantik të Renanit, sipas tyre jeta sociale është e pavarur nga liria shpirtërore e individit. Marksitstët me Ekzistencialistët si Niçe thonë se ateizmi i tyre bazuar në arsye, por i mohuar nga Feja, po që nuk kanë po ato vlera sa racionalistët, që me një psikologji intelektuale tregojnë falsitetin e kristianizmit dhe besimeve të tjera. Luzaj thotë: “Kozmologjia, Metafizika dhe Teologjia janë tri shkallët e dijes njerëzore. f.28″ Sipas tij Revolucioni social ka pas më pak ndikim se Fizika e Aristotelit dhehistorio-grafija e Mesjetës, që solli luftën mes Kristianizmit dhe shkencës. Teologët e rinj u ndanë nga racinalizmi fetar, pas zbulimit të teorisë së energjisë atomike të Ainshtajnit (Enstejn)dhe Opeenhejmerit. Si përfaqësuesin e Ateizmit Racionalist, Luzaj zgjodhi Doktrinën e biologut Zhan Rostand me librin”Çfarë besoj unë”, i cili më mirë se Alen shfaq mosbesim te Zoti. Rostand s’e bazon Ateizmin në logjikë, as në Agnostikë,si ideologji të pamjaftueshme për sqarim. Në kurset e Metafizikës Luzaj sqaron: “Rostand ndërgjegjen e lidh materialisht me strukturën fizike, ndaj nuk arrin të shohë se çdo gjë mbi një personalitet shpirtëror mund të mbijetojë pas zhdukjes fizike. Arsye kjo se besimet janë false dhe se agnostiku racionalist nuk ka evidenca shkencore. Ideologjia Egocentrike me atë Antropomorfike të ateistëve modern, që e mbajnë njeriun të burgosur në besim dhe pikërisht ata, nëse e shkëpusim kristianizmin nga këto teori, asnjë njeri nuk do të ngelet në besën Kristiane” Agnosticizmi shkencor mohon qenien e një Zoti personal të jetës, si dhe mohon çdo Panteist (panteizmi është doktrinë, sipas së cilës Zoti është krijuesi i parë i botës, por që pranon se ajo më pas zhvillohet sipas ligjeve të natyrës”. Luzaj kritikon mendimtarët kristianë që nga antikiteti e deri në kohët moderne që janë më pak dualist nga Rostandi, si filozofi katolik Moris Blondel, jezuiti Teilhard de Sharden, që mendojnë se ndërgjegja shoqërore jeton në të gjitha manifestimet.
Edhe pse sot qytetërimi orientohet nga arsyeja, asnjë shkencëtar katolik nuk e ka humbur besimin nga teoritë transformuese të shkencës. Dhe racionalistët ateistë, më shumë udhëhiqen nga emocionet se sa nga arsyeja. Besa fetare kundërshton dritën e arsyes së njeriut, pasi dimë se edhe arsyeja nuk është drita absolute e zgjidhjes së këtij problemi të ndërlikuar. Ndaj emocionet e drejtojnë njeriun dhe arsyen e tij drejt Agnosticizmit .f30 (teori sipërfaqësore ku njohja e botës bëhet pa hyrë në brendësi të sendeve, pa kërkuar shkakun e ndryshimeve”, gjë që Luzaj e kundërshton.
……..
2* “I pari që shpiku termin agnosticizëm f.30 ka qenë britaniku Thomas Henry Huxley më1869, që vjen nga greqishtja e lashtë( kurrë nuk mund të ketë njohuri të mjaftueshme.) Në kuptimin e ngushtë është abstenimi në çështjen e hyjnores.
Agnostiku i antikitetit thotë se ai nuk e di përgjigjen, me pretendimin se njohja e realitetit të plotë është çështje e brendshme e njeriut. Për të dalluar jo-besimtarët në çdo fe, duhet përfshirë dhe ateizmi agnostik. Dallimi është se, ndërsa agnostiku thjesht deklaron pamundësinë për të ditur të vërtetën rreth ekzistencës së Zotit apo forcave të tjera të mbinatyrshme, ateisti nuk beson në ekzistencën e çfarëdo perëndie ose ndonjë lloj tjetër njësie ekonomike ose një forcë më të lartë. Pozita e “agnosticistit” vjen nga Protagoras dhe skepticizëm, që
thonë se njohja vjen përmes një gjykimi më radikal, duke pasur parasysh se të gjitha njohuritë njerëzore gjithmonë janë të dyshimta dhe të papërsosura.
Agnosticizmin e spjegon Immanuel Kanti, te dialektika e jashtëzakonshme “Kritika e Arsyes së Pastër,arsye që pretendon për të folur e pakushtëzuar, që bie në kundërshtim veç për të provuar ekzistencën e saj si dhe për ta mohuar atë. (Enciklopedia )
……..
Duhet të kemi parasysh sa thamë më sipër, se si shkak i ankthit dhe frikës së Kristianizmit dhe ishin ideologët teist që ideuan Ekzistencializmin, që pas Hajdeggerit, ateistët e kishin si autoritetin më të lartë të mosbesimit fetar. Më pas Sartri, që në qendër të teorisë së tij kishte Mohimin e Zotit ,f31, ishte në konflikt si me kristianët dhe me marksistët. Në librin e tij” Qenia dhe Asgjësia“, ai thotë:”universi është krijuar prej vetes së tij dhe është i përjetshëm, pa kuptim e as justifikim. Qenia në vetvete nuk është krijuar nga Zoti. “E duke folur me gjuhën e mistikëve thotë se “njeriu nuk është asgjë“, është i pari filozof që asgjësoi njeriun. Sipas Sartrit, Luzaj thotë se Filozofia duhet të sqarojë që Zoti është projeksion i psikikës njerëzore (teori e Sartrit huajtur nga Fojerbahu). Kjo e bënë besimin te ai të panevojshëm për të aprovuar ekzistencën njerëzore si individ apo si kolektiv. Ndaj njeriu duhet të heq dorë nga Zoti në emër të lirisë,veçse ai s’do të ishte i lirë nëse ekzistonte një urdhër absolut dhe universal i vlerave. Po të ekzistonte “Ne Vetja”,thekson Luzi, s’do të kishim probleme, as pyetje se e dinim se cilët ishim. Por duke mos ditur, përse dhe kur hyri njeriu në botën e errët të Ne Vetes, Sartri quan realitet njerëzor “Për Veten” që do të thotë liri absolute, e kundërta e Ne Vetes. Meqënë se Ne Vetja është Qenie, realiteti njerëzor është Non-Ekzistencë (Jo Qenie), të cilën po ta quajmë Asgjësi, atëherë dhe realiteti njerëzor është asgjësi. Me thënien se njeriu është i lirë, por asnjë liri nuk është fitore dhe as dhuratë e Zotit, atëherë Luzaj tregon se liria është robëria e njeriut, ndaj ndërgjegja e tij është e palumtur. Njeriu për arsye të asgjësisë dhe Fakticitetit, një ditë do të zhduket pa gjurmë. Ekzistencializmi nuk premton lumturi as në këtë botë dhe as në botën tjetër. Njeriu e ka të qartë fundin e tij, që gjendet te çdo njëri, është në marrëdhënie me të për të qenë Ne Vete, e cila është e ngurtë dhe e përjetshme dhe ka një emër Asgjësi ose Boshësi. Nuk është nevoja të themi se Njeriu është projekt i tij (i vetes) ose projekt i Zotit. Ndaj sipas tij, te” Qenia dhe Asgjësia “është qenia e njeriut, kurse asgjësi kuptojmë boshësinë e qenies. Kur Luzaj përkthente leksionet e Sartrit nga frëngjisht në Anglisht në Univ. Indianës, i bindur në Kozmogoninë,në strukturën dhe ligjet e Universit, mikrokozmosin dhe Makrokozmosin,e pyeti:”A keni menduar për ekzistencën e një Zoti sundonjës? F.34“
“Nuk ekziston një Zot sundonjës. -Sartri i papenduar, i bindur në Ateizëm deklaroi se, filozofia e tij do të studiohej në shekullin e ardhshëm, kur krishtërimi do të rrëzojë idhujt falsë. Qielli banohet nga një Zot fantazmë, iluzion i mendjecektëve, ndaj duhet hequr dorë nga ambicioni i përejetësisë, pasi Qenia është vdekësore. Njeriu është Asgjësi, ç’mund të bëjë ai për ta nxjerrë veten nga asgjësia? Pse s’e ndihmon Zoti që e krijoi?!– u përgjigj ai.
………………
Sot njeriut i ka lindur nevoja të gjejë përgjigjen e pyetje si :”Kush e bëri botën?” apo “nga dhe ku kemi ardhur?” Si përgjigje, dija njerëzore nxori Kozmogoninë. Termi kozmogoni do të thotë lindja e kozmosit, apo origjina e universit. Ky term në filozofi haset për herë të parë në shekullin e pestë nga Leucippus.Disa besojnë se krijimi i botës është meritë e Mitit-Zot, ndikon në sjelljet e njerëzve, që u dha jetën, edhe pse ata nuk besojnë. Në kohët moderne,Kozmogonia është filozofia e studimit shkencor të origjinës dhe evolucionit të universit. Për studimin e sistemit diellor, për evoluimin e Diellit dhe yjeve, formimin e galaktikave dhe evolucionin e gjithësisë në tërësi, lindi shkenca e Astronomisë që quhet shkenca e dytë (shkenca e Krijimit).Zhvillimi i shkencës arriti të spjegojë jehonën e Big Bengut. Hulumtimi i vazhdueshëm shkencor cosmogonic është pasuruar, që nga shkurti i vitit 2009. Një instrument i rëndësishëm shkencor është vendosur në Alpet zvicerane, në kufi me Francën, që vepron me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe ka si detyrë kryesore, të hetojë ekzistencën e boson Higgs, ose e ashtuquajtur “grimcë Perëndi” për shpjegimin kuantik të origjinës së universit.
Wikipedia, Enciklopedia e Lirë.
…………………..
Niçe fajëson krishtërimin që premton lumturi dhe ngushëllim qiellor si përgjigje të mosplotësimit të kënaqësive të jetës mbi tokë. Ai idenë e një Zoti në mendjen e njeriut, e quan si një mik të padëshirueshëm. Ateistët besojnë në vlerat morale duke mohuar Kristianizmin. Kurse Malro i bënë homazhe kristianizmit, dhe reklamon vdekjen e Zotit, duke i kundërvënë mitin me shkencën dhe zhvillimin. Rinia pasi ka njohur luftën bërthamore si fatalitet i njerëzimit, genocidin e Hitlerit, krimet e Stalinit, shfarosjen e shqiptarëve Çamë, krimet e Enverit, krimet e Milosheviçit në Kosovë, masakrat e komunizmit në Budapest, Varshavë, apo Algjeri etje, sot askush nuk e lexon nihilizmin e Malros dhe kanë një urrejtje për të shkuarën e jetës gjakatare.
Luzaj thotë: “Njeriu e dënon veten rëndë pasi vë shenjën e barazimit mes vetes dhe botës. Fatkeqësitë e njeriut janë:serioziteti, besa, shpresa, dogma, besimi dhe morali fetar, koncepte që e mbajnë ndërgjegjen njerëzore robe të Boshësisë.
Si përfundim:
Rinia e kohëve moderne që pranon ekzistencializmin, ndjen respekt dhe shije dinjiteti te Kamy, të cilit bota i duket pa ligje, pa parime, nuk qeveriset nga ligjet, gjë që shkakton një problem serioz, Vetvrasjen, që i duhet thënë JO këtij akti vandal.
Lind pyetja: Si mund ta besojë Zotin një besimtar fanatik, kur në jetën e përditshme, për të siguruar fitime të majme si politikan, qeveritar, tregtar apo biznesmen që gënjen ose mashtron nga mëngjesi deri në darkë?
Qysh në shekullin që lamë pas, ideja e Zotit dhe e Besimit mes njerëzve të çdo shkalle kulture apo shoqërore ka ardhur duke u pastruar. Sot Elitat kristiane duan të kenë një Besë pa bestytni. Natyrisht nuk duan një Besë të re, as të krijojnë FE TË RE, por të kenë një besë të pranueshme që arrihet me dialog mes besimtarëve dhe jobesimtarëve. Prof. Dr. Isuf Luzaj që përmes një studimi rigoroz, njohu, analizoi filozofinë e të gjitha kohërave në Evropën Perëndimore, është kundër Ateizmit të bazuar në Ekzistencializëm (Sartri e Hejdegger) që e paraqesin botën dhe njeriun Boshësi ose një Hiç. Filozofi Luzaj në këtë libër kërkon të zhbirojë botën në bazë të zhvillimit dhe mendimit organik, mbështetur në Teozofi (Filozofi deiste që qëndron përtej Teizmit dhe Ateizmit si doktrina.)
Vazhdon…