Nga Bashkim KADIU/
Busti i heroit legjendar Adem Jashari po udhëton që nga Toronto në
Kanadanë e largët, për t`u vendosur në Prekaz, në Kosovë. Është një skulpturë rreth një metër e lartë, punuar nga Hytbi Tarelli, piktor e skulptor, që banon familjarisht prej disa vitesh në Kanada. Një dhuratë kushtuar pasardhësve të familjes Jashari, në nderim të veprës madhore të Adem Jasharit, këtij heroi me përmasa të jashtëzakonëshme për Kosovën e kombin shqiptar. Është për t`u përgëzuar nisma e Hytbiut, këtij mërgimtari atdhetar, që ndërmerr një udhëtim të tillë, duke pasur parasysh vështirësitë e rrugës së gjatë; me avion deri në Rinas, më pas me mjete të rastit drejt Kosovës. Pyetja e parë që i bëj vetes, tani që po njihem me një ndodhi të tillë, është: Ç`e shtyn këtë bir të Devollit, rritur në Lushnjë dhe më pas transferuar familjarisht në Shkodër, tani banor i Kanadasë, që si fillim krijoi këtë vepër arti, e më pas të niset që nga larg e të sjellë në Kosovë Adem Jasharin, bustin e të cilit e ka punuar me aq frymëzim e dashuri? A nuk duket si një aventurë çmendurie, që nuk pyet as për mundim e as për shpenzim, kur dihet sa të rënda e të mëdha janë, vetëm e vetëm të përmbushë një thirrje të shpirtit e tij atdhetar, duke i shërbyer sado pak kombit!? Sado pyetje të bëjmë dhe çfardo përgjigje të marrim apo t`i japim vetes, një gjë duhet pranuar: bota shqiptare bëhet e bukur e madhërishme, kur ka njerëz të tillë idealist, që s`kursehen kur është fjala për të lartësuar simbole të heroizmit , të cilëve u përulemi me shumë nderim.
Duke biseduar me z. Hydbi, lidhur me krijimtarinë artistike, mësojmë:
Kam një jetë që merrem me pikturë e skulpturë, duke filluar që nga vizatimet me thëngjij zjarri e figurina balte, deri tek vepra arti nëpër ekspozita e konkurse kombtare e ndërkombtare. Më tërheq më shumë skulptura. Ka një ndjesi magjike të vendosësh një pjesë të shpirtit tënd në portretin apo shtatoren e dikujt, akoma më shumë të heronjëve e personaliteteve që kanë bërë histori, ku mund të përmend Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Qemalin, Ded Gjon Lulin, Isa boltinin dhe Adem Jasharin, për të cilin do të jem këto dit në Kosovë. Në fakt janë tema të mëdha, ku secili shperh atë që ndjen. Në krijimtarinë time të gjithë këtyre viteve, janë me dhjetra punë të ndryshme të shpërndara nëpër institucione dhe galeri arti, një pjesë edhe nëpër mjedise familjare, si në Shkodër, Lezhë, Tuz (Mali i Zi), Tiranë, Durrës, Lushnjë, Korçë e Bilisht, pjesa më e madhe në Kanada. Para dy vjetësh, erdha në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe mora pjesë në konkursin ndërkombëtar për Monumentin e Pavarësisë. Ishte një bashkëpunim artistik me artitektin Hungarez Laszio Kerekes, i cili jeton e punon po në Kanada. Të gjitha punimet i kam paraqitur në Websaid-in tim.
E di që do më pyesni, ndaj po ju kursej duke u përgjigjur: S`besoj se jam unë i vetmi që, duke qënë në dhe të huaj, më rëmben frymëzimi për t`i`u kushtuar figurave kombëtare. Është një ndjenjë e çuditëshme që mban ndezur zjarrin e atdhedashurisë. Mbase është shtysa për të treguar identitetin tonë kombëtar: kush jemi e nga vijmë. Si puna ime, besoj se mendojnë edhe të tjerët. Udha dhe forma më e mirë që është gjetur, është të mbështetemi tek simbolet dhe heronjtë tanë që i kemi me bollëk. Në fund të fundit, edhe kombet e tjerë po me heronjtë mburren. Disa edhe i krijojnë kur nuk i kanë, madje u ngrenë edhe përmendore. S`jam as i pari e as i fundit që përjetsoj figurën dhe veprën e Adem Jasharit. Sa më tepër kohë të kalojë, aq më e madhe do të jetë shtysa për vepra kushtuar këtij heroi që krijoi legjendë e do mbetet në legjendë.
Unë e krijova këtë shtatore në Kanada, por një zë i brendshëm më thërret; vendi i tij është pranë familjes në Prekaz në Kosovë, ndaj po e çoj si dhuratë familjarëve që mbijetuan. Kjo që po bëj, mendoj se është shumë pak ndaj asaj, që ai dhe famija e tij dhanë e bënë për Kosovën shqiptare, që të jetë e lirë. Shprehja, “Liria i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve”, besoj se u përket të gjithë popujve që luftojnë për liri. Ca më shumë për ne shqiptarët që s`kemi reshtur së luftuari s`dihet qysh kur dhe që s`po ka të sosur edhe në kohët tona. Në çdo rast, secili bën aq sa ndjen dhe aq sa ka mundësi e fuqi. Mendoj se kur bëhet fjalë për tema të tilla lidhur me mallin dhe detyrën ndaj vendit dhe kombit, më pëlqen të përsëris një thënie të bukur: “Sa më larg vendlindjes shkojmë, aq më të fortë bëhen litarët që na lidhin me të”.
Duke i uruar Hytbiut rrugë të mbarë drejt Kosovës, e përgëzoj për veprën dhe veprimin atdhetar. Dashuria për kombin nuk ka kufi e nuk mbaron kurrë. Trashëgohet e përcillet ndër breza.
Përgatiti :Bashkim Kadiu
Durrës më 25. 07. 2014