Flet kryetarja e Degës së Vatrës në Washington DC, zonja Merita B McCormack/
Dielli- Si kryetare e degës së Vatrës dhe përfaqësuese e Vatrës në Washington,me 17 dhjetor, keni qenë e pranishme në betimin e z, Donald Lu , ambasadorit të ri të Amerikës në Shqipëri. A mund të ndani me lexuesit e Diellit mbresa dhe informacione nga ai takim?
Merita B McCormack:- Së pari, më lejoni të flas në emër të të gjithë Vatranëve në DC sepse ne cdo gjë e bëjmë bashkë. Lidhur me pyetjen, po, isha në atë ceremoni se bashku me kolege te tjere dhe ishte një nder dhe privilegj për të gjithë komunitetin tonë. Ambasadori Amerikan z. Donald Lu bëri betimin e tij më datën 17 Dhjetor 2014 dhe përshtypjet e mia, sikurse të shumë pjesëmarrësve janë tepër të mira. Salla e inaugurimit në fakt u ndryshua brenda një periudhe të shkurtër dhe mund të them se salla ku u bë inaugurimi ishte plot dhe kur hyri Ambasadori dhe familajrët e tij pati duartrokitje të gjata. Duket që ky amerikan me eksperiencë dhe karrierë të gjatë diplomatike ka shumë dashamirës dhe miq që i uruan atij punë të mbarë në Shqipëri. Ambasadori shoqërohej nga bashkëshortja dhe dy fëmijët e tyre. Po ashtu të pranishëm nga familja ishin edhe prindrit dhe vjerra e tij.
Siç mund të jetë vëzhguar në lajme ai foli edhe pak në gjuhën shqipe kur përshëndeti mbas betimit. Aty kishte edhe disa shqiptarë të tjerë , njerëz që Ambasadori Lu i njeh nga kontakte të ndryshme profesionale a personale, dhe besoj se shumica ishin amerikanë. Aty ishte edhe Ambasadori i shumëdashur Rajerson i cili me shqipen e tij të kulluar na mallëngjeu të gjithëve në orët e festës pas ceremonisë zyrtare. Pas betimit u bënë përshëndetjet personale me urimet përkatëse dhe pastaj u dha një koktej në një ndërtesë afër departamentit me rastin e Inaugurimit. Pritja kaloi në një atmosferë të këndshme dhe miqësore.
Dielli: Diçka konkrete rreth ambasadorit Lu?
Merita B McCormack -Ambasadori Lu flet shqipen shumë mirë, ka një humor të këndshëm dhe eshte një njeri mendjehapur e zemërgjerë.Ne shqiptaro-amerikanët duhet të bëjmë çmos të njihemi me të e të përcjellim tek ai jo vetëm urimet ,më të mira por t’i japim atij mbështetje maksimale për të kryer detyrën sa më mirë. Ai mund të kontaktohet përmes zyrës së tavolinës shqiptare ne departamentin e shtetit.
Diçka që duhet të na bëje akoma më shumë krenarë është se ai kur falenderoi autoritetet qeveritare amerikane për besimin që i kanë dhënë, gjithashtu falenderoi me emër dhe personalisht të gjithë stafin e seksionit të gjuhës shqipe në Institutin e Shërbimit të Huaj që në ato momente u ndjeva shumë mirë të dëgjoja emrat e bashkëatdhetarëve, specialistë të shqipes por edhe këshilltarë kulturorë që i kanë dhënë Ambasadorit Lu çka i nevojitet përgjatë punës në Shqipëri.
Dielli- Ky besoj se nuk ishte i vetmi takim që keni zhvilluar me zyrtarët amerikanë. Çfarë ka përcjellë dega e Vatrës tek zyrtarët amerikanë gjatë vitit që po mbyllim dhe si janë marrdhëniet me Departamentin e Shtetit, zyra për Ballkanin.
Merita B McCormack- Po natyrisht, kontakti i VATRËS me zyrtarët amerikanë është i vazhdueshëm dhe VATRA në DC natyrisht mban komunikimin hapur dhe transparent. Siç e dini festimi madhështor i 100 vjetorit të VATRËS dhe pjesëmarrja e zyrtarëve amerikanë ishte shembull ilustrativ i këtij fakti.
Presidenti i VATRËS , Dr. Gjon Buçaj herë pas here ka pasur rastin e komunikimit personal me zyrtarë nga departamenti i shtetit kur ka vizituar Uashingtonin dhe ne që jemi këtu, jemi si të thuash kontakti primar dhe ne e vlerësojmë faktin privilegjues por natyrisht edhe përgjegjësia që shoqëron këtë privilegj. Mund të theksoj se VATRANËT e DC janë qytetarë Amerikanë që kanë dhënë kontribut në Ushtri dhe Navy. Me djem si ata, natyrisht ne kemi ballin e hapur.
Dielli- Çfarë do të veçonte kryetarja Merita B McCormack nga veprimtaritë e degës në Washington për vitin 2014?
Merita B McCormack – Dega e VATRËS është e vetëdijshme për përgjegjësitë që ka dhe do të thoja se unë personalisht nuk jam askushi dhe nuk do të guxoja të flisja si individ sepse jemi të gjtihë bashkë që mblidhemi, bisedojmë, vendosim e bëjmë diçka, kur mundemi. Natyrisht aktivitetet tona këtu janë më tepër aktivitete edukative dhe informative, në kuptimin që ne jemi prezentë në aktivitete që kanë të bëjmë me çeshtjen shqiptare dhe shërbejmë si urëlidhje mes dy kombeve, atij amerikan e atij shqiptar duke theksuar vlerat pozitive të miqësisë e duke nxitur iniciativa që ndikojnë në forcimin e këtyre lidhjeve. Aktivitetet janë të shumta por do veçoja aktivitetin e sapo përmendur, pra inaugurimin e ambasadorit të ri Amerikan, po ashtu pjesëmarrja në disa aktivitetet ku kreu i shteti shqiptar, presidenti Nishani erdhi në DC, apo aktivitetin e Nëntorit ku prifti katolik shqiptar dhe personaliteti i medias, Dom Gjergj Meta pati mundësinë të fliste në disa vende, përveçesojmë këtu bibliotekën e Kongresit Amerikan ku audienca kryesore ishin diplomatë, që do të punojnë pranë ambasadave amerikane në Shqipëri e Kosovë. Dom Gjergji pati një temë më tre nën tema të rëndësishme dhe ishte një triptik interesant që përfshinte shumë material dhe i shërben shërimit kombëtar dhe të ardhmes së kombit shqiptar.
Dielli- A i mbulon dega jonë të gjitha zonat e Washingtonit e rerthina si shtrirje anëtarësie?
Merita B McCormack -Anëtarësia shtrihet në Uashington DC, Virxhinia, Meriland, Delauer dhe Karolina e Veriut
Dielli – Si ka funksionuar dega?
Merita B McCormack-Dega funksionon në rregull, ne paguajmë anëtarësinë,, marrim Diellin, shpërndajmë lajmin e mirë për Shqipërinë dhe marrim pjesë nëpër aktivitete të ndryshme. Ne shkojmë shumë mirë, si vëllezër e motra mes nesh.
Dielli- Ku do të fokusohet dega për vitin që vjen?
Merita B McCormack Dega e jonë natyrisht ka një detyrë unike mbi supe për faktin se ndodhet në kryeqytetin amerikan kështu që paralelisht me detyrimin që ka sipas misionit e statutit të Federatës , ne kemi edh përgjegjësinë për të mbajtur lidhjen e komunikimin e hapur me çdo institiutcion që ka interes për kombin shqiptar dhe për të mësuar të vërtetën e çështjes shqiptare.
Dielli- Si janë marrdhëniet dhe bashkëpunimi i degës së Vatrës me organizatat e tjera shqiptare që veprojnë në Ëashington dhe zonën përreth?
Merita B McCormack -Marëdhëniet tona ndër organizative janë shumë të mira. Djemtë e vajzat shqiptare në Ëashington mblidhen shpesh dhe në çdo organizim apo aktivitet ne jemi ose bashkëorganizatore ose pjesëmarrës, sipas mundësive dhe rastit, por VATRA gëzon respekt dhe dashuri dhe sa herë ne kemi aktivitete organizatat e tjera na gjenden pranë, pra sipas fizionomisë dhe natyrës së organizatave ne bëjmë bashkëpunim por edhe bashkërendim. Mund të them se jemi një komunitet kompakt dhe produktiv.Komunitetit shqiptar ne DC ka djem dhe vajza shumë të edukuar, dashamirës, të suksesshëm në fushat e tyre profesionale dhe me një dashuri të madhe për vendlindjen dhe për atdhenun e dytë, Amerikën dhe punojnë për forcimin e miqësise mes dy kombeve.
Dielli- Mesazhi juaj në këtë fundviti!
Merita B McCormack :Së pari Gëzuar festat! Të gjithë vëllezërve dhe motrave të krishterë ju uroj Gëzuar Krishtlindjen dhe të gjithë popullit shqiptar ju uroj Gëzuar Vitin e ri 2015!
Sa për meszahin që ne si Vatranë në DC duam të përcjellim është ky:
Le të ulim kokat, të bëjmë punë cilësore dhe të kemi si fokus qëllimin për të cilin jemi angazhuar. Mos harrojmë se kombi shqiptar sot është në një moment kyç historik dhe se Europa është e ardhmja e tij por mos harrojmë se integrimi Europian kërkon mund e djersë, kërkon ca dhimbje që do sjellin shërim e shëndet të gjatë. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka detyrën morale të ndihmojë në shumë drejtime dhe forcimi i miqësisë shqiptaro-amerikane është shumë i rëndësishëm në këtë proces. Mos harrojmë se Shqipëria ka në vetvete problemin e shërimit nga e keqja komuniste dhe se dyti shqiptarët në rajon kanë problemet e të drejtave civile po ashtu paralelisht mos harrojmë se shqiptarët në Ballkan janë kombi që duhet të shohin strategjikisht integrimin europian dhe se problemet që e shqetësojnë sot botën mund të bëhn edhe problem të kombit shqiptar e më gjerë nëse ne largojmë fokusin nga ajo çka kanë nevojë Shqiptarët. pra janë disa plane e disa pika ku duhet të mbajmë sytë e mendjes e të fokusojmë e shpenzojmë energjinë. Çdo shqiptar që votn ne SHBA duhet të bëjë detyrën morale të votës por gjithashtu duhet të kontaktojë përfaqësuesin e vet e t’i bëjë të ditur problemi e shqiptarëve ne Ballkan. Kjo do ta ndihmojë shumë më shumë çështjen shqiptare të përparojë. Pra çdo shqiptar në SHBA të konsiderojë veten si një ambasador i shqiptarizmit.
Dielli- Ju faleminderit për intervistën!
Merita B McCormack:Kënaqësia ishte imja! Faleminderit
(Intervista u botua ne Diellin e printuar, dhjetor 2014)
Ne Foto:Dega e Vatres ne Washington gjate nje veprimtarie te saj