Rivalët e përjetshëm Partizani dhe Tirana bashkohen dhe japin mesazhin për luftën kundër kancerit të gjirit.-
Përgatiti: Alban Kolonjari-
Një kontroll sot, shmang një rrezik nesër. Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diagnostikimit të Kancerit të Gjirit, nën iniciativën e FSHF, dy skuadrat e femrave të Partizanit dhe Tiranës zhvilluan një ndeshje miqësore që kishte për qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe sidomos grave shqiptare mbi rrezikun e kancerit të gjirit. Trajneria e ekipit të Partizanit, në fjalën e saj, theksoi: “Është shumë e rëndësishme që të gjitha ne femrat që jemi duke u marrë me sport dhe me futboll, të bëjmë një thirrje dhe një ftesë për të gjithë nënat, mamatë, femrat. Të luftojmë me kohën dhe të parandalojmë të gjitha problemet që mund të kemi nesër. Është shumë i rëndësishëm parandalimi sesa mjekimi”. Futbollistja e Partizanit Bleona Koka, u shpreh: “Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit për të gjitha gratë dhe vajzat. Një kontroll sot, shmang një rrezik nesër”. Kapitenia e ekipit të Partizanit u shpreh se “Shoqëria ka nevojë për ne. Duhet ta nisim nga vetja dhe duhet t’u themi mikeshave tona, motrave, kushërirave dhe mbi të gjitha, nënave tona, që i kemi aq të shtrenjta, se një vizitë te mjeku për një mamografi për të parandaluar kancerin e gjirit është e domosdoshme që e nesërmja jonë të jetë e qeshur dhe e ardhmja jonë të jetë më e shëndetshme se sot. Jo vetëm tetori rozë, por të gjithë muajt duhet të jenë rozë”.Kapitenia e ekipit të Tiranës theksoi se “Shëndeti për çdo vajzë, grua dhe nënë është i rëndësishëm për një shoqëri të shëndetshme. I ftoj të gjitha nënat, vajzat, motrat që të bëjnë diagnostikimin e parakohshëm për të parandaluar këtë sëmundje”. Ndeshja simbolike që u luajt në ambientet e Kompleksit “Fari” dhe zgjati 30 minuta përfundoi me fitoren e ekipit të Tiranës 3-0.